Shkup, 14 maj (MIA) - Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtur në Tribunalin e Hagës vazhdon gjykimi i Lube Boshkovskit dhe Johan Tarçullovskit.
Mbrojtja e Boshkovskit paradite e merr në pyetje dëshmitarin e dytë të mbrojtur për ngjarjet nga 12 gushti të vitit 2001 në fshatin Luboten. Dëshmitari është me fytyrë të mjegullt dhe zë të ndryshuar. Identiteti i tij nuk do të bëhet i ditur sepse ashtu urdhërojnë rregullat e Tribunalit.
Nga fillimi i procesit gjyqësor prokuroria dhe mbrojtja i morën në pyetje Zejnepe Jusufin dhe Elmaz Jusufin, prindër të Rami Jusufit, i vrarë në operacionin policor në Luboten në vitin 2001, si dhe dëshmitarin e parë të mbrojtur.
Në procedurën gjyqësore duhet të dëgjohen 96 dëshmitarë. Prokuroria paralajmëroi se dëgjimi dhe marrja në pyetje në mënyrë të tërthortë të dëshmitarëve do të zgjasë njëmbëdhjetë javë.
Lube Boshkovski dhe Johan Tarçullovski akuzohen për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës lidhur me rastin "Luboten". Boshkovski është akuzuar për "përgjegjësi komanduese", përkatësisht, se si ministër i Punëve të Brendshme e ka lejuar Tarçullovskin të formojë dhe kryesojë njësi policore, e cila në gusht të vitit 2001 zbatoi aksion në Luboten, me ç'rast u vranë shtatë banorë me kombësi shqiptare.
Krijoni Kontakt