Sot më rastisi të dëgjoj një lajm që mu duk shumë i çuditshëm. Bënte fjalë për një konferencë të zhvilluar sot (e Premte, 30/07/2004) ku një i dërguar i Fondit Monetar Ndërkombëtar raportonte mbi Shqipërinë dhe gjendjen në përgjithësi.
Diskutimi mbi taksat në këtë forum ka qenë mjaft i gjallë dhe cilësor. Hidheshin ide të ndryshme, por të cilat ishin unanimisht të mendimit se këto taksa janë mbytëse dhe ndrydhëse dhe se cilado që të jetë zgjidhja më e mirë për Shqipërinë (apo për çdo vend në pozita të ngjashme) ajo duhet detyrimisht të ketë taksa më të ulta. E gjithë kjo ka qenë mbështetur mbi një gjykim të shëndoshë ekonomik, të cilit unë nuk do t’i kthehem, por që kushdo qoftë i interesuar mund t’a lexojë në një nga temat e Ekonomi & Biznes.
Mendimi i z. Julio Escolano sot në këtë konferencë ishtë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këtë arsyetim. Akoma më e çuditshme ishte se z. Escolano ishte pikërisht ai dërguari i FMNsë dhe jo ndokush që nuk merr vesh fare nga ekonomia. Në fjalimin e tij ai hidhte poshtë një propozim të bizneseve shqiptare për të ulur taksat*. Ai qëndronte më tepër mbi të ardhurat e Buxhetit dhe rënies së detyrueshme që do të pësonin disa “shpenzime publike prioritare” strategjike që synojnë të ulin varfërinë (?!). Do ta pranoja pa i përpunuar shumë këto fjalë sikur të dilnin nga goja e ndonjë ministri apo pushtëtari, por e thënë nga një që supozohet të jetë autoritet në këtë fushë, përbën për mua një mister. Përmëtepër, FMN dallohet për politikat e saja largpamëse dhe që u shërbejnë rritjes reale, e jo kozmetikës të cilën ai përmend në fjalën e tij (lexo artikullin e plotë, adresa poshtë). Shumë më e çuditshme bëhet kur sjell ndërmend një deklaratë tjetër të ngjashme nga natyra por të kundërt nga përmbajtja të bërë nga Banka Botërore.
Si i shpjegoni/komentoni ju këto?
Mendoni se është i sinqertë zotëria? (epo çdo gjë mund të ndodhë ...)
Nqs jo:
Eshtë ai i blerë nga z. Nano për të vënë në shfaqje këtë farsë sa për t’u hedhur hi syve shqipëtarëve e për të barazpeshuar deklaratën e BB që villte vrer mbi pushtetin aktual? Kjo sikur konfirmohet kur lexon pjesen tjetër të “temave” që preken në konferencë (lexo artikullin në fund të faqes), dmth të dyja palët lavërojnë “arritjet e Shqipërisë”, si edhe kur vë re se z. Escolano shoqërohej nga z. Jan Peter Olters, i cili është i përhershëm dhe jo vizitor në Shqipëri. Kontakti i shkurtër e ulte shumë mundësinë e kompromentimit.
Ose, a është z. Escolano i sinqertë, pra përfaqësues i mirfilltë i FMN dhe këto të jenë vërtetë mesazhet e tyre për shqiptarët? A do të ishte kjo pakujdesi dhe përcipëri apo do ti shërbente ndonjë plani të çuditshëm të FMN në kurriz të Shqipërisë?
Nuk e di cila do të ishte alternativa më e zymtë.
Ju lutem ndani mendimet tuaja me anëtarët e Forumit...
-iliri-
* Për artikullin klikoni KETU (marrë nga Balkanweb.com), lajmi i parë dhe i tretë.
Krijoni Kontakt