Kriminaliteti në vitin 2003, më i lartë se një vit më parë

Ardita Hysa

TIRANË – Më shumë se 70 për qind e veprave penale që janë gjykuar vitin e kaluar në rang republike, kanë qenë vepra penale dhe pjesa tjetër kundravajtje penale. Ku është rezultati i publikuar kohët e fundit në Vjetarin Statistikor të Ministrisë së Drejtësisë. Për të dytin vit radhazi, frytet e punës së gjyqsorit janë rregjistruar dhe sistemuar në tabela dhe grafikë, sipas vlerave të tyre numerike. Sipas këtyre të dhënave, shihet se renditja e veprave penale të gjykuara nuk ka ndryshuar shumë, vetëm se ka vazhduar progresioni rritës i gjykimit të këtyre çështjeve. Që nga viti 1999, deri në vitin 2003, numri i çështjeve penale të gjykuara, pothuajse është dyfishuar, duke variuar nga 3784 në 6420. Ndrësa përsa i përket çështjeve civile në statistikat e përpunuara nga Shefi i Zyrës së Statistikës pranë Ministrisë së Drejtësisë, Muhamet Hoxha, rezulton se numri i tyre në përgjithësi, për vitin e kaluar ka qenë 12098, të grupuara në familjare, administrative dhe tregëtare. Por ajo çfarë paraqet më shumë interes në këtë botim, ndodhet në kapitullin që flet për shpërndarjen e kriminalitetit sipas rretheve gjyqësore. Tabelat vërtetojnë se kriminaliteti në vend është rritur në krahasim me një vit më parë. Kështu, nëse në vitin e 2002 koeficienti i kriminalitetit i matur në shkallën për 100 000 banorë, ka qenë 113, vitin e kaluar ka arritur në 131. Ndryshime ka patur edhe në renditjen e qyteteve, sipas koeficientëve të tyre të kriminalitetit. Për vitin e kaluar, rekordin në këtë aspekt e ka mbajtur rrethi i Kurbinit, koeficienti i kriminalitetit të të cilit ka qenë pothuajse më shumë se dyshifi i vlerës mesatare, 313. Pas Kurbinit në rradhë vijnë Saranda, Gjirokastra, Tirana dhe Tropoja. Pranë mesatares kanë qenë Korça, Kruja, Kukësi, Lezha, Mirdita, Puka, Shkodra dhe Kavaja. Ka rënë në sy ulja e kriminalitetit në Vlorë, Pukë, Kavajë, Krujë, Kukës e Skrapar. Sipas statistikave të një vitit më parë, kriminaliteti më i lartë i takonte Pukës. Në fillim, kjo tingëlloi pak e çuditshme për qytetin e qetë verior, por ishte e vërtetë, sepse 19 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, e cila renditet në veprat penale, e kishin rritur shumë numrin e krimeve të kryera në këtë vend, për 100 000 banorë. Ndërsa në renditjen e re, rritja e kriminalitetit në qytetet si Durrësi, Gjirokastra, Saranda etj, është ndikuar nga pozicionet gjeografike të këtyre qyteteve, pasi në këto qytet-porte dhe kufi, janë konsumuar shumë vepra penale si: trafiqe të njerëzve, të lëndëve narkotike, apo të mallrave për të cilat paguhet akcizë; kalime të paligjëshme të kufirit, apo falsifikime të dokumenteve zyrtare. Ndërsa krimi më i ashpër ndeshet në Shkodër, Kurbin dhe Sarandë, ku mbi 50 për qind të veprave penale janë gjykuar për krime kundër njerëzimit me anë të përdorimit të armëve. Ndërsa raporti krim-kundravajte ka patur disporpocion të thellë ndërmjet rretheve të ndrsyshme; ndërsa në Tropojë, në 72 çështjet e gjykuara 2 kanë qenë kundravajtje, në Librazhd, nga 85 çështje të gjykuara vetëm 28 janë gjykuar për krime, ose 33 për qind.