Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kundërshtojnë planin austriak për Kosovën
Prishtinë, 14 korrik - Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kundërshtojnë planin austriak për Kosovën, i prezentuar të hënën para ministrave të jashtëm të BE-së nga shefja e diplomacisë austriake. Sipas tyre, ky plan mund të shkaktojë probleme në Kosovë sidomos kur është fjala për decentralizimin e pushtetit.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari tha se kryeministri Rexhepi e cilëson pjesërisht pozitiv planin, sidomos pjesën ku flitet për marrjen e përgjegjësive nga institucionet vendore dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Mirëpo, shtyrja e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, thotë znj. Kusari, nuk është në përputhje me realitetin e krijuar dhe thekson se parashikimet që zgjidhja e statusit të Kosovës të shtyhet nuk përkon me realitetin.
Ndërkaq, këshilltari i kryeparlamentarit të Kosovës, Ramush Tahiri, thotë se plani austriak për Kosovën mund të shkaktojë probleme, duke shtuar se ky plan duhet refuzuar. Sipas tij, me këtë plan do të bëhej ndarja faktike e Kosovës. Ai shtoi se ky plan nuk është i mirë, sepse nuk i merr për bazë karakteristikat e Kosovës dhe dëshiron që problemin e Kosovës si pikënisje ta trajtojë si problem serbo-shqiptar.
Krijoni Kontakt