nga Shekulli:
“Tekstualizëm dhe stil” i Luan Topçiut, studimi më i fundit mbi poezinë e Lasgush Poradecit
Kuptimi i botës sipas Lasgush Poradecit
Bardhyl Berberi
Pas studimeve dhe sprovave mbi probleme të veçanta të poezisë së Lasgush Poradecit, botuar në shtypin shqiptar dhe atë të huaj, studiuesi Luan Topçiu i rikthehet kësaj radhe veprës lasgushiane me ambicjen për të zbërthyer e zbuluar në mënyrë shteruese dy elementë të rëndësishëm të krijimtarisë së poetit: testit dhe stilit. Studimi monografik “Tekstualizëm dhe stil” i kritikut dhe studiuesit të letërsisë, dr.Luan Topçiu, botuar për herë të parë në Bukuresht, në Shtëpinë Botuese “Getic” (2000), shënon një ngjarje në fushën e interpretimit të poezisë lasgushiane, një përçapje për deshifrim profesional të kodit lasgushian.
Autorin e studimit e preokupon vendi i poetit në letërsinë shqipe, roli i tij dhe të gjitha ato cilësi që e homologojnë me poetët më të mëdhenj evropianë të shek.XX. “Poezia e Poradecit, për nga përmbajtja filozofike, thellësia e mesazhit lirik, rezonanca e brendshme muzikore, puriteti i vargjeve, aftësia për të plasticizuar vizione koherente të botës, mund të homologohet me bashkëkohësit europianë që konsiderohen si forca novatore të dorës së parë.” Luan Topçiu, në një vështrim krahasimtar, e sheh vendin e poetit tonë në një kontekst evropian: “Me ardhjen e Lasgush Poradecit në letërsinë shqipe, ajo pati mundësinë të hyjë në qarqet e gjëra të letërsisë universale. Eshtë e vërtetë se kur shfaqet ky lloj ligjërimi në letrat shqipe, letërsia romantike paraqitej si një dukuri e konsoliduar, ligjërimi romantik ishte i konkuruar nga tipe të fuqishme çliruesish lirikë. Ligjërimi romantik, duke filluar nga Bayron-i, Shelley apo Novalis dhe deri tek Hugo-i, Heine, Lenau, Charl Cros, Eminescu apo Naim Frashëri nuk kanë patur kurrë një karakter të njëtrajtshëm. Kur shfaqet Poradeci si poet në Europë ishin botuar poetë si Baudelaire, Verlaine, Rimbaud, Mallarmé dhe Leconte de Lisle, Rilke, Stefan George që fiksojnë tiparet aq të ndryshme të ligjërimit poetik modern. Të gjithë këta poetë dhe shumë të tjerë të papërmendur që hodhën idenë e modernitetit në poezi mund të shkruhen në të njëjtën “matkë stilistike” me poetin shqiptar L.Poradeci. Me Poradecin, lirika shqiptare mund të konsiderohet si një dukuri europiane.”
Në kapitullin e parë të kësaj monografie titulluar “Poezia, vlera, interpretimi” kritiku do të shprehet: “Nevoja për vlerësime dhe për rivlerësime të veprës së L. Poradecit do të ndihen gjatë gjithë kohës, sepse, para së gjithash, mbetet një vepër që implikon ende sot e gjithë ditën si lexuesin e thjeshtë, por dhe lëçitësin e specializuar”. Nisur nga parimi hermeneutik i Umberto Eco-s mbi karakterin e hapur te veprës, mbi cilësinë polisemantike të tekstit apo kapacitetin për interpretime plurivoke, L.Topçiu vlerëson se dalja e një vepre të re në peisazhin letrar është një përpjekje aksiologjike në horizontin informacional të breznive, prandaj, sipas tij, vlerësimi i një vepre në kohë të ndryshme mbetet një fenomen i natyrshëm.
Duke iu përgjigjur pyetjes “Çfarë e bën veprën lasgushiane të vështirë?, në mënyrë implicite dalin edhe arsyet që e shtyjnë studiuesin të ndërmarrë një studim të tillë ambicioz dhe të vështirë, por edhe provokues për letrat shqipe: “Teksti poetik lasgushian mbetet i afërt dhe i pashteruar në kumte, mesazhe, nxjerrja në pah e të cilave provokon dhe zgjon lexuesit e të gjitha kohërave. Nga ana tjetër “Për arsye politike dhe ideologjike poezia (e L.P.sh.y.) mbeti e pastudiuar, e injoruar dhe e keqinterpretuar, e veshur me mister dhe me rrezik…Poezia iu nënshtrua një procesi të gjatë dhunimi, shpërfilljeje, përçmimi…interesi i përgjithshëm për këto poezi janë dëshmi e vlerës poetike, të modernitetit të saj, të thellësisë e kompleksitetit”.
Për analizën e mirëfilltë të tekstit poetik, studiuesi L.Topçiu operon me mjete adekuate dhe moderne, që shënojnë arritjet më të fundit në lëmin e kritikës në përgjithësi. Për të ndriçuar anë të panjohura të veprës poetike të Lasgush Poradecit, për të deshifruar ambiguitetin, studiuesi përdor edhe mjete specifike që t’i sugjeron vetë vepra si e tillë në radhë të parë. Nisur nga ideja bazale se vepra poetike lasgushiane përbën një të tërë integrale ku uniteti siguron koherencën e universit artistik, L.Topçiu na i paraqet këtë univers si një sistem strukturor, formuar nga një rrjet lidhjesh në të cilat “organizimi dhe hierarkizimi përbën deri në fund një sistem”. Kapitulli ”Karakteri sistemor e strukturor i veprës” zbërthen unitetin e sistemit strukturor që presupozon zbulimin e lidhjeve korrelative të cikleve, poezive, poemave, mënyrën se si ekziston e funksionon ky sistem. Vlerësimi i veprës si ansambël që përfshin lidhjen e së tërës me pjesën dhe anasjelltas përbën, sipas studiuesit, zgjidhjen për interpretimin e veprës në planin pragmatik. Në nënkapitujt “Simbolika e shënjave të sistemit” dhe “Sistemi dhe përkatësia tekstuale” shpjegohen marrëdhëniet shënjë-interpretues, domethënia e shënjave të sistemit. Autori e ndan universin poetik në disa zona në të cilat lëvizin dhe qarkullojnë shënjat poetike që sigurojnë bashkekzistencën harmonike të zonave: zona e qiellit, zona e tokës, zona e vdekjes, zona ku bën pjesë zemra e poetit dhe zona e fundit është zona e përjetësisë, një zonë me kufinj të papërcaktuar që ka vend në katër zonat e tjera, sepse përjetësia prek poetin, vdekjen, jetën e tokës dhe jetën e qiellit. Vendosja e këtyre zonave në dy boshte themelore: zemër dhe valle, sigurojnë lëvizjen harmonike të tyre, ndërsa paraqitja grafike që studiuesi i bën ndërlidhjes së zonave përmes këtyre dy boshteve ndihmojnë për deshifrimin e simbolikës së shënjave që mbartin domethënien e zonave të mëdha të njohjes njerëzore: qielli, toka, zoti, përjetësia, vdekja, jeta, njeriu. Gjithmonë sipas Topçiut, këto shënja poetike janë projektuar në këtë sistem poetik në lëvizje e në qetësi, në harmoninë e përgjithshme universale, në metafizikën e tyre, duke tentuar njohjen e thelbit ekzistencial të tyre.
Kjo njohje tërësore dhe projektimi i universit poetik si i tillë është rezultat i shprehjes së koncepteve filozofiko-estetike të poetit, i njohjeve erudite të rrymave filozofike, i studimeve në universitete me emër në Europë.
Vendosja e shënjave dhe figurave kyçe nga studiuesi në një rrjet lidhjesh të sistemit strukturor lehtëson paraqitjen dhe kuptimin e botës që ofron poeti Lasgush Poradeci, një botë e gjërë, e thellë, me fluturime në hapësirë, me krijimin e yjeve në qiell, me nënbotë, me praninë okulte të Zotit, të frymës, qëllimit dhe deri tek jeta rustike, liqeri, mëngjeset, mbarimet e vjeshtës, deri tek dashuria, mërgimi shpirtëror e mall i vjershëtorit. Eshtë bota poetike me gjithë hapësirën që i sugjeron bota reale, me të gjitha rrafshet e ndërtimit të saj.
L.Topçiu vijon me “Vështrim hermeneutik mbi “poezinë filozofike” ku sjell risi dhe një trajtim të parrahur deri më tash në tekstin lasgushian. Autori i studimit vë në diskutim dhe probleme teorike me interes më të gjërë si:” Poezia filozofike dhe filozofia si poezi; deshifrimi i nyjave: Vallja, zemra e përjetësisë, lënda dhe jeta-një vizion dihotomik: Fryma dhe qëllimi-hallkë korrelative; Ndjenja dhe njeriu-homo duplex etj. Kapitulli i katërt i kushtohet rolit të dashurisë “Paradigmat e pulsioneve të jetës” ku analizohen komponentët themelorë të erotikës lasgushiane si: mall i miturisë, kronotop i dashurisë, heshtja dhe muzika, karakteri onirik i pozisë erotike etj. Po kështu me disa kapituj interesantë ndriçohen anë të panjohura të veprës si: Vizioni poetik i vdekjes, Poeti dhe piktura, Paradigma e mallit, Vlera stilistike e fjalës ku analizohen në mënyrë shkencore mekanizmat e funksionimit të gjuhës poetike lasgushiane dhe e magjisë kombinative të saj dhe duke e mbyllur me kapitullin final “Lasgush Poradeci dhe ligjërimi modern i poezisë shqipe”
Pas një pune pothuaj disavjeçare, studiuesi Luan Topçiu vjen para lexuesit në gjuhën shqipe (sepse ai shkruan dhe boton dhe në rumanisht), me një studim që prek probleme e hap diskutime mbi anë të patrajtuara ose pak të trajtuara. Preokupimi i autorit të librit mbetet vepra poetike dhe posaçërisht teksti poetik si një e dhënë e përhershme, si bazë e sigurtë për interpretim. “Tekstualizëm dhe stil” çel perspektiva të reja në fushën e interpretimit, ai mund të lexohet me kënaqësinë që të ofron një tekst i mëvetësishëm.
Krijoni Kontakt