----------------------------------------------------------------------------
Policia e Vlorës arrestoi në orët e para të mëngjesit të së Martës, presidentin e klubit të futbollit "Flamurtari", 37-vjeçarin Shkëlqim Selami. Ai akuzohet për kundërshtim të uniformave blu, si dhe fyerje dhe keqtrajtim të një gazetari të një gazete sportive. Lajmin e bënë të ditur burime zyrtare të policisë lokale. "Selami u arrestua në flagrancë në orën 01.00 të mëngjesit të sotëm për shkak se kundërshtoi dy punonjës të policisë bashkiake dhe fyeu dhe goditi fizikisht gazetarin e gazetës "Sporti Shqiptar", Kastriot Brahimi", thanë burimet. Sipas tyre, ngjarja për të cilën akuzohet Selami ndodhi në orën 18.40 të së Hënës, kur, gjatë tentativës për të hyrë me forcë në mjediset e klubit të futbollit, ai kundërshtoi dy punonjës të policisë bashkiake që e penguan. "Krahas kësaj, thanë burimet e mësipërme, Selami fyeu dhe goditi fizikisht edhe gazetarin Brahimi, i cili ishte afruar për të ndjekur veprimet e policisë. Gjithçka nisi në orën 18.00 të së Hënës, kur Selami kishte planifikuar të zhvillonte në mjediset e klubit, një mbledhje të asamblesë së ortakëve të shoqërisë "Flamurtari" shpk, që u kundërshtua nga policia bashkiake. Përpara kësaj, mesditën e djeshme, policia bashkiake kishte liruar mjediset e klubit dhe të stadiumit të futbollit, duke zbatuar një urdhër të kryetarit të bashkisë për t'i kaluar ato në administrim të plotë të klubit të futbollit "Flamurtari". Selami u shoqërua në polici së bashku me disa persona të tjerë, pjestarë të stafit të tij. Në përfundim të procedurave hetimore, në orën 01.00 të mëngjesit të sotëm, Selamit iu komunikua masa a arrestit në flagrancë.
----------------------------------------------------------------------------
Krijoni Kontakt