MB dhe OSBE, tryezë për modernizimin e sistemit të gjendjes civile në Shqipëri.
Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Tiranë, organizoi një tryezë diskutimi për modernizimin e sistemit të gjendjes civile në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë diskutim ishin Ministri i Brendshëm Z.Bujar Nishani, Kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian Z. Helmuth Lohan dhe Kryetari i Misionit të OSBE-së Z.Robert Bosch.
Ministri i Brendshëm Z.Bujar Nishani informoi mbi ecurinë e procesit të hedhjes së të dhënave në regjistrin elektronik,proces i cili deri më tani ka përfunduar në Tiranë dhe në bashkitë e komunat me më pak se 10 mijë banorë në jug të vendit.
Ministri Nishani u shpreh se qeveria e cilëson prioritet modernizimin e sistemit të gjendjes civile e në këtë kuadër ka planifikuar mbështetjen e duhur financiare e ndërkohë ka miratuar edhe projektligjin për mbrojtjen e të dhënave i cili do të kalojë së shpejti në Parlament si dhe ka miratuar vendime të rëndësishme në fushën e ristrukturimit të shërbimit të gjendjes civile.
Zgjidhja që ne i ofrojmë shërbimit të gjendjes civile duhet të konceptohet e realizohet si një zgjidhje afatgjatë, efikase, që i reziston kohës dhe furnizon me transaksione demografike e territoriale dhjetëra institucione te tjera, ndër më të rëndësishmet mund të përmendim sistemin elektoral, të tatim taksave, edukimit, urbanistikës, postës e telekomunikacionit, sistemin e drejtesisë etj. Ky proces kërkon ndërkohë edhe ruajtjen e ritmeve në kompjuterizimin e të dhënave në çdo njësi vendore-deklaroi Ministri i Brendshëm Z.Bujar Nishani.
Kreu i Delegacionit të KE në Tiranë Z.Helmuth Lohan vlerësoi realizimin e hapave konkretë të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për modernizimin e sistemit të gjendjes civile dhe cilësoi si hap mjaft pozitiv miratimin nga qeveria dhe dërgimin në parlament të projektligjit për mbrojtjen e të dhënave.
Edhe kreu i Misionit të OSBE-së në Tiranë Z.Robert Bosch vlerësoi ecurinë e deritanishme të hapit të parë të procesit të modernizimit, kompjuterizimin e të dhënave të regjistrit themeltar të shtetasve.Z.Bosch shprehu ndërkohë rëndësinë e realizimit të një sërë procedurash përfshirë krijimin e rrjetit kombëtar të zyrave të gjendjes civile si dhe të konsultimit të gjerë me të gjithë përdoruesit e mundshëm.
Në këtë tryezë diskutimi u trajtuan në prezantime nga specialistët përkatës përfitimet nga procesi i modernizimit të sistemit të gjendjes civile, ndryshimet e mundshme në kuadrin ligjor dhe kërkesat e përdoruesve të sistemit të ardhshëm të gjendjes civile.
Kryeministria
20/02/2008
Krijoni Kontakt