Data e Publikimit: 14/04/2007
Autori i Lajmit:
G S
Çfarë ka të përbashkët ndërtimi i një rruge prioritet kombëtar dhe ekonomik, me projektin për prodhimin e kartave të identitetit, prioritet strategjik e social? Përveç milionave që nevojiten për to, ato i bashkon dhe emri i amerikanit të njohur Tom Rixh. Për herë të fundit, emri i këshilltarit të huaj të kryeministrit Berisha, u përmend në Shqipëri pak përpara se të nënshkruhej kontrata shumëmilionëshe me kompaninë amerikane Bechtel për rrugën Durrës-Morinë. Që nga ai moment, nuk u dëgjua më asgjë për këshilltarin amerikan që propaganda zyrtare e paraqit me ‘elegancë’ dhe si një provë të mbështetjes amerikane për qeverisjen aktuale. Dhe tani, po në vigjilje të një tenderi ndërkombëtar, po me vlerë të konsiderueshme milionash, ai për kartat e identitetit, përmendet sërish emri i Tom Rixh. Por deri tani qytetarët shqiptarë asnjëherë nuk janë njohur prej qeverisë me rolin e vërtetë të këtij këshilltari, me funksionet që ai kryen pranë qeverisë dhe zotit Berisha dhe mbi të gjitha, ka munguar në mënyrë të plotë transparenca për koston financiare me të cilën shteti shqiptar i ble shërbimet e tij. Publiku nuk di se si, por dhe se sa paguhet nga Këshilli i Ministrave ky këshilltar. Megjithatë nuk është e çuditshme që edhe ky tender ndërkombëtar që pritet të shpallet shpejt, të fitohet nga një kompani amerikane. Dhe që pas saj, vetë kryeministri ta komentojë një fakt të tillë, si një tjetër mbështetje amerikane për qeverisjen e tij, madje dhe ndërhyrje të investimeve të huaja në vend. Paçka se ky ‘investim’ do të blihet gjithashtu me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Që do të shërbejnë edhe për të ‘blerë’ pak politikë të jashtme nga kryeministri.
Krijoni Kontakt