Drejtuesi bavarez refuzon vendimin e gjyqtarit për pezullimin e mbrojtësit brazilian Lusio 01-11-2004
Rumenige kritikon gjyqtarët
Sofo Tata
Bajerni i Mynihut, përveç humbjes së "dhimbshme" ndaj Borusia Mënshengladbahut, me rezultatin 2-0, tashmë duhet të shqetësohet edhe për pezullimin e mbrojtësit të tyre brazilian, Lusio, i cili është nxjerrë jashtë fushe me karton të kuq. Megjithatë, drejtuesi më i lartë i klubit bavarez, Karl-Hainc Rumenige, duket ta ketë marrë shumë seriozisht këtë çështje, duke mos qenë aspak dakord me pezullimin e mbrojtësit. Për më tepër, Bajerni do të veprojë edhe në rrugë juridike, duke ngarkuar një avokat, i cili duhet të mbrojë interesat e tyre, duke mos e lejuar pezullimin. "Ne nuk e pranojmë në asnjë mënyrë pezullimin e Lusios. Bajerni ka pasuar një rast të ngjashëm edhe më parë, gjatë sezonit të shkuar, në ndeshjen me Mynih 1860-n. Megjithëse edhe atëherë u nxor jashtë Hasan Salihamixhiçi, pas shqyrtimit të ngarjes ai nuk u pezullua. Kështu, në ndeshjen tjetër, Lusio duhet të jetë i pranishëm," - shprehet Rumenige. Lusio u nxor jashtë fushe nga gjyqtari i takimit, Knut Kirhers, pas një ndërhyrjeje ndaj sulmuesit të Borusias, Vaklav Sverkosit. Para se të merrte vendimin gjyqtari kryesor, ka qenë asistenti i tij anësor, Torsten Shifner, ai që ka propozuar për një karton të kuq. Kjo gjë duket t'i ketë zemëruar akoma më tepër bavarezët. "Pasi e kam parë videon, mund të them se nuk është aspak serioze, madje një shaka, që të marrë vendime të tilla gjyqtari anësor, i cili gjendej shumë metra larg, ndërkohë që gjyqtari kryesor ishte në vendin e ngjarjes," - vazhdon më tej Rumenige. Nga ana tjetër, gjyqtari i takimit, Kirhner, e justifikon vendimin e tij duke u shprehur: "Lusio ka kryer një ndërhyrje nga mbrapa dhe kjo është e ndaluar. Përsa i përket asistentit tim, megjithëse ai ndodhej larg, e pa shumë mirë momentin e veprimit." Ndaj gjyqtarit Kirhner duket të ketë reaguar ashpër edhe menaxheri i Bajernit, Uli Hënes, megjithatë veprimet e tij nuk bëhen publike nga gjyqtari. Kirhneri ka pohuar vetëm se Hënesi kishte shkuar disa herë i inatosur në dhomat e zhveshjes së gjyqtarëve. E tensionuar te Bajerni është edhe situata me lojtarët e dëmtuar, aq më tepër kur ata ndodhen vetëm dy ditë para ndeshjes me Juventusin në Ligën e Kampioneve. Pas ndeshjes me Mënshengladbahun, në Mynih janë kthyer katër lojtarë të dëmtuar: Ze Roberto, Andreas Gërlitc, Torsten Frings dhe Hasan Salihamixhiç. Përveç këtyre të fundit, trajneri Magat ka edhe shqetësimin e të dëmtuarve të mëparshëm: Roke Santa Kruz, Piotr Trohovski, Aleksander Zikler e Sebastian Daizler. Ky i fundit nuk duket të jetë akoma gati për t'u aktivizuar. Edhe nëse do të mundë të jetë i pranishëm në ndeshjen ndaj Juventusit, trajneri Magat është i mendimit se ai nuk do të ketë ndonjë rol të rëndësishëm.
Krijoni Kontakt