Historia rrënqethëse e Bujar Sylajt, ish- luftëtarit të UÇK-së, që “ pa vdekjen me sy”, për tre vjet me radhë, në burgjet e Serbisë
Afrim Imaj
“Mund të mendoja çdo gjë gjatë ditëve të burgut, por se do të vinte një çast, që qelinë do t’ia lija atij, që kishte urdhëruar arrestimin tonë, as që më shkonte në mendje: E papritura ndodhi mrekullisht një ditë marsi të vitit 2001. Ndërkohë, që ne shqiptarët po linim qelitë e burgut të sigurisë së lartë të Beogradit, vinte aty Sllobodan Millosheviçi, i burgosuri “Vip”, që më vonë do t’i drejtohej Hagës…”
Jo rastësisht, Bujar Sylaj, djaloshi nga Tropoja, që “ka parë vdekjen me sy” tre vjetë me radhë në burgjet e Serbisë, e nis rrëfimin e tij pikërisht nga ky çast, që për të përbën “thelbin e kësaj historie të tejkaluar”. Ndërsa do të futej në qelinë e tij, njeriu që kishte urdhëruar të gjitha mizoritë dhe skëterrën e tmerrshme të burgjeve çnjerëzore të Serbisë, djaloshi nga Tropoja që kishte patur “privilegjin” t’i përjetonte ato nga afër, do të provonte më së fundi lirinë e shumë dëshiruar. Gjithsesi, Bujar Sylaj, njeriu që mbijetoi fare rastësisht nga gijotina e Sadamit të Serbisë, do të mbetej dëshmi e gjallë e masakrave të tmerrshme të burgjeve famëkeqe të tiranisë së Millosheviçit.
Pasi linte “në duar të sigurta” qelinë e Beogradit, i burgosuri nga Shqipëria, do t’i rikthehej jetës normale, bashkë me historitë rrënqethëse të ditëve ku jeta bashkëjetonte me vdekjen çdo çast.
Po si u bë banor i ferrit të burgjeve të Serbisë, Bujar Sylaj?
Te Rrasa e Zogut
Sa kishte mbushur 20 vjeç, kur Bujar Syla do të binte në duart e policëve të Serbisë. Në fakt, sqaron ai, nuk ishin policë, por paramilitarë dhe ushtarë të ardhur nga Beogradi. Djaloshi nga Tropoja ishte bashkuar me luftëtarët e UÇK-së, qysh në ditët e para dhe ishte bërë një nga protagonistët kryesorë të Njësitit G03 të Zonës Operative të Dukagjinit. Në një nga aksionet e këtij njësiti, do të binte në përpjekje, bashkë me shokët e tjerë nga Tropoja. “Ishte paraditja e 25 qershorit e vitit 1998, kur ramë në pritë në Bjeshkën e Babajve të Bokës, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut, pranë Piramidës Kufitare C-2, - kujton Bujari. Momenti i arrestimit ka qënë tepër i vështirë dhe i dhimbshëm. Ishim duke u kthyer për në shtëpi, pas një aksioni të suksesshëm në zonën e Dukagjinit. Breshëria e papritur e mitralozëve serb, shtriu për tokë dy shokët tanë, Tahir Meminë dhe Mehmet Dizdarin që mbetën të vdekur në vend. Rezistenca përballë qindra paramilitarëve dhe ushtarëve serbë zgjati gati dy orë. Pastaj, çdo gjë do të fliste serbisht. Bashkë me mua, do të arrestoheshin edhe pesë shokë të tjerë: Avni Memia, Ramiz Memia, Osman Kotroçi, Ilir Kotroçi dhe Trashëgim Kotroçi. Që nga ky çast do të ishim skllevër në duart e tyre. Torturat filluan pasi na filmuan disa herë në vendin e arrestimit. Ishte një dhunë e jashtëzakonshme, çnjerëzore. Na transportuan me helikopter në kazermën e ushtrisë, në Gjakovë. Trupat e shokëve të vrarë, i futën në qese plasmasi dhe na urdhëruan për të qëndruar mbi ta. Nga që refuzuam, na goditën me automatikë kokës dhe na kërcënuan për të na hedhur nga helikopteri…”.
Pritja nga ushtarakët e Gjakovës, do të ishte më e dhunshme, me pyetje nën torturë dhe etiketime që djemtë nga Tropoja do t’i dëgjonin për herë të parë: Terroristë që kërkojnë Shqipërinë e madhe! Fondamentalistë albanezë që duan të shkatërrojnë Serbinë!. . .
Ky refren do të përsëritej me zë më të lartë gjatë “xhiros”, që do t’iu bënin të lidhur pas xhipave në qendër të qytetit të Gjakovës. Këtu ushtria do të mbaronte punën e saj dhe “terroristët” nga Shqipëria do të përfundonin në stacionin e policisë së Gjakovës, ku do të përballeshin me të njëjtën akuzë dhe mjedis torturues e sfilitës. Aty do të qëndronin vetëm katër ditë dhe netë. “Në datën 29 qershor, vazhdon Bujari, na transferuan në burgun e Pejës, ku qëndruam gati tre muaj. Në qeli, kisha tre djem nga Kosova, Agim Jetishtin, Imer Kurtin dhe Astrit Beqën. Gjatë gjithë kohës, ditën dhe natën, vazhdonte rituali i pyetje-torturave me të njëjtin objekt dhe me të njëjtën armiqësi. E njëjta situatë do të vijonte edhe në burgun e Mitrovicës, ku qëndruam deri në 14 janar 1999. Ndërkaq, ishte kompletuar edhe dosja, bashkë me të cilën u ulëm në sallën e gjyqit, në qytetin e Pejës. Procesi gjyqësor ishte një shëmti më vete. Kryetari i trupit gjykues, Radomir Gojkoviç, një njeri i egër, gati i tërbuar, i ra shkurt dhe pa mbaruar mirë pretenca e prokurorit, komunikoi me një brutalitet të jashtëzakonshëm vendimin në mbështetje të nenit 125 të Kodit Penal të ish Jugusllavisë, që bënte fjalë për ndëshkimin e terroristëve dhe të akteve terroriste. Sakaq, u kthyem në burgun e Mitrovicës, tashmë me dënimin “de juro”. Ditët e mëvonshme, në burgun famëkeq të Dubravës, ishin edhe më të tmerrshme…”.
Në ferrin e Dubravës që “gëlltiti” mbi dyqind shqiptarë
Kur rrëfen për ditët e qëndrimit në burgun e Dubravës, Bujar Sylaj, shpërfytyrohet në pamje dhe herë-herë humbet fillin e mendimeve. Krahas torturave nga më çnjerëzoret dhe “firot” e përditshme nga radhët e një mijë të burgosurve, që vdisnin në duart e xhelatëve të pamëshirshëm, ai ndalon gjatë në ngjarjen e bombardimit të burgut që “gëlltiti” mbi 200 shqiptarë. Tregimi i tij është vërtet rrënqethës…
“Ishte mëngjezi i datës 19 maj 1999. Ditë e mërkurë. Sa kishim mbaruar bukën, kur një oshëtimë e fuqishme tronditi çdo gjë. U ulëm instiktivisht për tokë. Pasuan oshëtima të tjera dhe çdo gjë rreth e qark godinave të burgut u mbështoll në tym e në mjegull.
Nga qelitë ku ishim, shikonim si largoheshin në panik dhe me ulërima gardianët dhe ushtarët që strehoheshin në godinat e kampit. Ishte një bombardim i rrufeshëm dhe me preçizion të lartë i NATO-s. Aleanca e Atlantikut, me sa dukej, kishte zbuluar strofullën e fshehtë të parashutistëve serbë, që strehoheshin në ndërtesat mbi qelitë e burgut dhe po jepte goditjen. Predhat e saj kishin rënë në shenjë. E kishim mirëpritur një goditje të tillë, por nuk dinim çdo të ndodhte me fatin tonë. Largimi në panik i gardianëve, na dha mundësi të shqyenim dyert e qelive dhe të dilnim në korridor. Do të vazhdonin disa çaste kësisoj. Nuk vonoi shumë dhe ia behën përballë nesh nga të gjitha anët, njerëz të armatosur, gardianë dhe të burgosur serbë, me automatikë, mitralozë dhe armë të ndryshme. Na urdhëruan për të dalë të gjithë në një shesh midis godinave të burgut. Të mërkurën dhe të enjten ndenjëm aty nën mbikëqyrjen e rreptë të gardianëve. Mëngjesin e së premtes avionët e NATO-s, nisën sërish bombardimet mbi godinat e burgut. Aty mora plagën e parë në këmbën e majtë, nga goditja e një pjese metalike të shkëputur, nga një ndërtesë aty pranë. U plagosën rëndë edhe dy shokë të tjerë. Natën e së premtes e kaluam jashtë nën ankthin e të papriturave. Të nesërmen, qysh në mëngjes, gardianët urdhëruan për t’u grumbulluar përpara kullës së rojes, që ishte mbi murin rrethues. Ne të plagosurve na lanë aty ku ishim. U ndava me shokët e mi nga Tropoja, me bindjen se mund t’i çonin në ndonjë kamp tjetër, por ndodhi krejt ndryshe. Nuk kaluan as dhjetë minuta, kur mbi trupat e tyre, u vërsulën granata e breshëri nga të gjitha anët. Tërbimi i serbëve këtë radhë kishte kaluar çdo cak. Në pak çaste, u vranë mbi 200 të burgosur. Mbeti mes tyre edhe shoku im, Ramizi, vallai i të cilit u vra qysh në pritën e Rrasës se Zogut. Ishin çaste jashtëzakonisht drithëruese e tronditëse. Përpara syve tanë mali i kufomave dhe britmat e atyre që jepnin shpirt, krijonte një skenë makabër të paparë e të paimagjinuar ndonjëherë. Sidoqoftë, një pjesë mundi të mbijetojë, por e përgjakur dhe e plagosur.
Pas bombardimeve të tjera, na mblodhën ne që kishim mbetur dhe na futën në një sallë. Në këtë çast dëgjova njërin prej gardianëve që i raportonte në radio eprorit të tij, se kishte mbetur edhe gjysma e të burgosurve. Dëgjova ndërkaq, edhe vlerësimin e këtij të fundit: “Mirë atëherë, operacioni është kryer me sukses!” Pastaj, gardiani që raportoi tek eprori i vet, u kthye nga ne, duke na prezantuar një civil të kollarisur: “Tani do të bëni atë që do t’ju thotë shefi im!” Sakaq, “shefi civil” me një lloj krekosjeje dhe tundimi bashkë, filloi të instruktojë: “Ju e patë si i vrau shokët tuaj NATO-ja! Këtë thuajani të gjithë atyre që do t’ju pyesin për ta! Ndryshe i njëjti fat ju pret edhe juve!...” E tmerrshme, por realisht e vërtetë. Ata që deri pak çaste më parë qëlluan pa mëshirë mbi shokët tanë, na urdhëronin për të bërë vrasës të të burgosurve NATO-n(!)…”
Vetëm kaq mund të kujtojë nga ajo ngjarje rrënqethëse Bujar Sylaj, për më tej, të zgjat ditarin që ka mbajtur gjatë ditëve në burgjet e tjera të Serbisë. Në të është kalvari i vuajtjeve dhe rraskapitjes, që ndjek kronologjinë e kohëqëndrimit nëpër birucat e burgjeve të ndryshme të Serbisë: “Nga data 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në burgun e Lipjanit, afër Prishtinës. Nga data 10 qershor 1999 deri më 6 nëntor 2000, në burgun e Mitrovicës së Sremit, në Vojvodinë. Nga data 6 nëntor 2000 deri në 14 mars 2001, në burgun e Beogradit…”.
Djali nga Tropoja, që ka shpëtuar mrekullisht nga ferri i burgjeve të Millosheviçit, ndihet krenar që ka qenë bashkëvuajtës me “njerëz-epope”, siç thotë ai për Ukshin Hotin dhe Flora Brovinën. Ndërkaq, shoqëritë e krijuara rishtazi me “djemtë azganë” të Kosovës në qelitë e burgjeve, si Nait Hasani, Avni Ahmeti, Fahri Krasniqi, Shaban Rama, Besim Zymberi, Sulejman Bytyçi, Xhelal Canxiba etj., do të mbeten të paharruara në jetë. “Me shokë të tillë, edhe vdekja, buzë së cilës shkonim çdo ditë, të dukej më e lehtë”, përmbyll rrëfimin e tij Bujari, që ka marrë si kujtim nga skëterra e burgjeve të Millosheviçit, gjymtimin e pjesshëm dhe një tronditje të jashtëzakonshme, që edhe tani pas disa vitesh e ndjek ende pas…
Çfarë ka mbetur në kujtesën dhe ditarin e të burgosurit 2956…
Gjatë tre viteve të burgut, Bujar Sylaj nuk do të thirrej me emrin e nënës, por thjesht me numrin 2956. Xhelatët që i rrinin mbi krye do ta thërrisnin vetëm kësisoj. Për ta, djaloshi që sa kishte mbushur 20 vjeç, nuk ishte një krijesë me shpirt dhe identitet, por thjesht një shifër me të cilën mund të bënin çfarë të donin. Dhe bënë çfarë mundën. Në kujtesën dhe ditarin e Bujar Sylës janë fiksuar të gjitha, madje me po atë vlagë e sfond rrënqethës. Gjithsesi ai ka dëshirë të qëndrojë vetëm në disa prej tyre…
Tropojani që ndërroi qelinë me Sllobodanin, provoi në burgun e Sremit të Mitrovicës operacionin e këmbës së djathtë, pa narkozë e pa asnjë lloj anestezie! Provoi “për së gjalli” dhimbjet e thikës dhe gërshërës së mjekut xhelat, në thellësitë e muskujve dhe tendinave të trupit të brishtë…
Bujar Sylaj ka përjetuar tronditjen e jashtëzakonshme, kur ka parë ushtarakët serbë, që kanë urdhëruar shokun e tij të fëmijërisë, Ramiz Memia të shkelte me këmbë, mbi trupin pa jetë të vëllait të vrarë, Tahirit…
Djaloshi nga Tropoja, që shpëtoi fare rastësisht nga ferri i burgjeve të Serbisë, e ka ende para syve skenën makabre, ku trupat e coptuar të dyqind shqiptarëve të burgut të Dubravës ngarkoheshin shtazërisht mbi makina të hapura, për t’u hedhur në furrat e Trepçes…
Buajar Sylaj do t’i mbajë mend për tërë jetën emrat dhe fytyrat e xhelatëve serbë Moma, Lubisha, Simiçi, Radomir Gojgoviçi, Lubjan Miriaçiçi e dhjetëra të tjerë, që u sollën me të dhe shqiptarët e tjerë me egërsinë e kafshës dhe “gjuhën” e dhunës së tmerrshme.
Në kujtesën e tij janë skalitur ndërkaq edhe dhjetëra ngjarje, që kanë të bëjnë me qëndresën shembullore të djemve të Kosovës, që nuk u frikësuan për asnjë çast përballë torturave çnjerëzore. Bujar Sylaj nuk ka për ta harruar sa të jetë gjallë, Halitin nga Zhuri i Prizrentit që kishte mbuluar gjoksin me tatuazhin e shqiponjës dhe u thoshte gardianëve gjatë torturave, se atij mund t’ia merrnin jetën, por jo shqipes dykrenare që mbante në tërë kraharorin e bëshëm.
Sidoqoftë, Buajar Sylaj, me kujtesën dhe ditarin e tij, është një histori rrënqethëse. Eshtë një dëshmi e denjë për Hagën dhe të akuzuarin e saj “VIP”, të cilit, djaloshi nga Tropoja, pati rastin t’i lërë qelinë e ftohtë në burgun e Beogradit.
Babai: Si e kërkova trupin e tim biri për një vit në Kosovë
“Morëm vesh lajmin e pritës te Rrasa e Zogut, po nuk mësuam gjë për fatin e Bujarit dhe shokëve të tij, që kishin rënë në përpjekje me forcat serbe. Të nesërmen, më 27 qershor, bashkë me tre miq të mi, morëm rrugën për në Kosovë, pikërisht nga zona ku na thanë se u kishin bërë pritën. Të paktën t’i gjeja trupin, mendoja, teksa kisha parasysh se mund të ishte vrarë…” Është Hasani, babai i Bujarit, që kur i kujton ato çaste, dridhet në trup e meket në zë.
Për të, rrugëtimi për te vendi i ngjarjes, do të ishte sa i vështirë, aq edhe tronditës. Pastaj, kalimi i kufirit, kontakti me luftëtarët e UÇK-së, interesimi te kalimtarët, pak nga pak do ta çonte pranë të vërtetës, me aq sa mund të zbardhej ajo në ato kushte. Po gjithsesi, ditët e para do të kalonin pa ndonjë informacion konkret. “Në kthim, kujton Hasani, ramë edhe vetë në përpjekje. Ishte një sulm i papritur, me helikopterë dhe raketa të shumta, që kishte vënë në objektiv grupin e luftëtarëve të UÇK-së, që operonin në zonën e Junikut. Sulmi filloi në orën katër të pasdites dhe zgjati deri në orën dy të mëngjesit. Si rreshtën armët, ne vazhduam rrugën nga Rrasa e Zogut, për në Tropojë. U ktheva në shtëpi, pa mësuar gjë për Bujarin. Gjendja bëhej edhe më e rëndë. Të nesërmen u nisa në Tiranë, për t’u interesuar në rrugë zyrtare. U ktheva sërish në Tropojë, pa ndonjë lajm të ri. Me këto peripeci vazhdova gati një vit.
Më së fundi, morëm një njoftim të pakonfirmuar se Bujari ishte në burgun e Dubravës. Duhej të rendja për atje. Situata ishte bërë edhe më e tensionuar, sidomos pas bombardimeve të NATO-s. Shtigjeve të Kosovës tashmë çdo gjë ishte bërë shkrumb e hi. Në Gjakovë, Pejë, Junik e kudo gjetkë ku kaloja, shikoja shtëpi të djegura e të rrënuara, njerëz të vrarë e të masakruar, bagëti të coptuara dhe pyje të tëra në flakë. U afrova deri pranë burgut të Dubravës, por ishte e pamundur të mësoja gjë. Ato ditë atë e kishin bombarduar avionët e NATO-s dhe forcat serbe ishin tërbuar nga paniku. Mësova vetëm faktin, që serbët kishin vrarë si shpagim rreth 300 nga shqiptarët e burgosur, po nuk munda të mësoj gjë për tim bir dhe shokët e tij…”.
Nga shumë shokë e miq që i kanë qëndruar pranë, gjatë kësaj periudhe ankthi, Hasan Sylaj veçon emrat e Namik Dokles, Azem Sylës, Jakup Krasniqit, Ramush Hajredinit etj..
Ditën e kthimit të Bujarit në shtëpi, babai që kërkonte trupin pa jetë të tij nëpër Kosovë, e cilëson si ditën më fatlume të jetës…
Lleshi: Në krahë të Bujarit u vranë dy vëllezërit Memia
“Bujar Sylaj, më në fund, mundi t’i shpëtojë ferrit të burgjeve të Millosheviçit. Mjaft nga shokët e tij kanë vdekur dhe s’dihet ku u pushojnë eshtrat. Në krahë të tij mbetën dy vëllezërit Memia. Tahiri ra që në pritën e Rrasës së Zogut. Vallai tjetër, Ramizi, do të mbetej, pak kohë më vonë, në masakrat e burgut të Dubravës. Janë vrarë mbi 20 djem nga Tropoja në radhët e UÇK-së. Po kaq kanë mbetur të gjymtuar dhe me plagë që ende s’iu janë mbyllur…”.
Ndërsa përmbledh këtë histori, Gjon Lleshaj, koordinatori i invalidëve të UÇK-së në Tiranë, shfaq mendimin, se shoqëria dhe shteti duhet të bëjnë më shumë, që këto vlera të mos i zërë pluhuri i harresës. Ca më tej, shton ai, është e dhimbshme kur shikon që protagonistët e këtyre ngjarjeve të dhimbshme e të lavdishme njëherazi, enden të braktisur dhe pa asnjë ndihmë sociale. Djemtë e Tropojës dhe të Hasit nuk u gjymtuan për kanunin e Lekë Dukagjinit, as për një copë tokë a pronë të tyren, por për një çështje shumë herë më të madhe, që u bën nder gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Si të tillë e meritojnë ata nderin dhe përkujdesjen nga të gjithë, por sidomos nga institucionet e shtetit, që me sa duket i kanë harruar në hallin e tyre.
Shtëpia e Gjonit, diku në një qoshe të Rrugës “Ali Demi” në kryeqytet, gjatë luftës së Kosovës, njihej përndryshe nga luftëtarët e lirisë “një copë Drenice në Tiranë”. Më shumë se ai, është bashkëshortja, Drita, që u është gjendur ato ditë, por edhe tani të lënduarve të luftës me një përkujdesje të veçantë dhe një humanizëm të jashtëzakonshëm. Gjoni e Drita, shpalosin kësisoj, me shembullin e tyre, një lloj leksioni për atë që harrojmë ta bëjmë, apo nuk e bëjmë si duhet, për këtë kategori me të cilën jo vetëm që e meritojmë të krenohemi, por edhe t’i mbështesim e t’u ofrojmë shanse për t’u integruar në jetën e përditshme.
shekulli
Krijoni Kontakt