QË TË MERRESH VESH ME ZOTIN DUHET TË SULMOSH QIELLIN
nga Bedri Blloshmi
Ish i burgosur politikë,
vëllai i poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi
Tani po bërtasin të gjithë për hapjen e dosjeve dhe janë dakord që ata të happen, por këta që bërtasin dhe qurraviten, unë do t’i ndaja në dy grupe.
Grupi i parë, janë spiunët, të cilët janë të sigurtë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrën e kurrës dhe nga që kanë kaq siguri bërtasin më shumë nga të tjerët. Ata janë të bindur për këtë. Ndërsa grupi i dytë, janë ata që janë të sinqertë, të ndershëm, që e ndiejnë dhimbjen realisht dhe duan që kjo të ndodhë, por këtë e pengon forca e kartonit që është shumicë dhe siguron moshapjen e tyre. Kurse ata që duan janë në minorancë, janë të bindur që nuk do të hiqet pluhuri i këtyre dosjeve. Sigurimsat dinë mirë një gjë, se sa vjet duhen të deklasifikohen dokumentet e tyre.
Për këtë janë të qetë. Ndofta shekullin tjetër, kur të kenë vdekur të dyja palët dhe krimet e shkatuara nga këto do të ngelen jetim. Të shohim cili do të favorizohet, viktima apo xhelati. Ne po presim dhe po përpiqemi që të gjejmë akoma të tjerë që janë pa gjetur se ku janë pushkatuar.
Eshtë e domosdoshme që edhe ata të humbur të kenë një varr, sepse janë shqiptar dhe marksizmi shqiptar i vrau. Të shohim, se ëndërrat dalin nganjëherë. Unë besoj. Mirë pra, ne jemi këtu rrugëve.
Në një nga numërat e gazetës “Albania”, në një shkrim të tij, Pjetër Arbnori shkruante, se paska pasur për dëshmitarë disa poetë. Po ashtu edhe Visar Zhiti.
Po them dy fjalë fillimisht për të parin. Pjetër Arbnori, ishte jo pak, por plot 5 vjet Kryetar Parlamenti, që do të thotë, se kishte maxhorancën absolute. Kush e pengoi? Pse s’e bëri? Çfarë e pengonte, kur e dinte që forca e kartonit ishte absolute? Kur ne po shohim sot për ditë se çfarë “mrekullie” po bëjnë socialistët. Pse e bëjnë? Sepse kanë mazhorancën dhe forcën e kartonit. Ata po zgjidhin çdo gjë siç duan vetë. Këtë fuqi e ka patur edhe z. Pjetër, apo jo!
Le të vazhdojmë me z. Zhiti, të cilin unë e kam mik, kemi qenë bashkë në kampin famkeq të Spaçit, ku kemi nxjerrë vagona me shpirt nëpër dhëmbë për llogari të diktatorit.
Me sa di unë, Visar Zhiti e ka falur dëshmitarin që është poet. Kanë punuar ca kohë bashkë me njeri-tjetrin për disa botime, që për mua do të thotë se janë kompensuar me njeri-tjetrin. Visari ka shkrojtur disa romane dhe emrin e dëshmitarit nuk e ka përmendur.
Pra, të marrë sëbashku, lind pyetja, pse u doli gjumi kaq vonë? Kush ishte shkaku që u zgjuan nga letargjia 15-vjeçare?
Megjithëse, nëse do të ndodh që do të krijohet komision për t’u hequr pluhurin spiunëve të dekoruar nga Arkivi i Sigurimit të asaj bande qeverisëse, unë kërkoj me çdo kusht, që të mos jenë më ata, që kanë qenë në ato komisione. E kam fjalën për një farë Uran Aliçka, sepse ky ka qenë dhe ka fshehur fakte rrënqethëse kur punonte në Arkiva.
Ky e ka hequr, apo nuk e deklaroi, se kush e ka bërë akt-ekspertizën letrare të poezisë “SAHARAJA”, që ka për autor poetin e pushkatuar, Vilson Blloshmi.
Nuk e di, se në çfarë pike lidhet, bashkohet ai me këtë bashkëpuntor që quhet Koçi Petriti. Akt-ekspertiza ka firmën e Koçi Petritit, por Uran Aliçka, duhet të ketë ndonjë detyrim shumë të madh, që e ka bërë këtë veprim, sepse ishte i vetmi njeri që u autorizua të merrej me kontrollin e dosjeve.
Të kundërtën ka bërë me poezinë “OXHAKU” të poetit të pushkatuar, Genc Leka. Urani ka thënë në librin e tij “Ringjallja”, që unë do ta quaja “Rivarrosja”, se akt-ekspertizën për poezinë “Oxhaku” e ka bërë Diana Çuli, që në atë kohë punonte në Lidhjen e Shkrimtarëve. (Shih librin: “Ringjallja”, fq.194).
Uran Aliçka e ka fshehur akt-ekspertizën, që mban firmën e të “famshmit” Myzafer Xhaxhiu, të cilin Rexhep Mejdani, kur punonte në Presidencë, nxitoi dhe e dekoroi për 86 vjetorin e turpit si bashkëpunëtor të Sigurimit.
Tek “Ringjallja”, më del dhe një emër tjetër, Uran Butka. Unë kërkoj ndejsë, nëqoftëse njeri nga këto të dy përmendet gabimisht. Ky Butka, ka bërë shumë përpjekje për bashkëpunëtorin e Sigurimit Koçi Petriti dhe e dekoroi “Mësues i Merituar”. Po, po! Bile në një ditë, kur këtë titull do ta merrte edhe Genci me Vilsonin. Dhe ku? Në Librazhd, në të njëjtën orë dhe në të njëjtën sallë. Kur vajtëm ne pjesëtarët e familjes së Gencit dhe Vilsonit në sallën, ku do të zhvillohej ceremonia, rreshtin e parë e kishte zënë bashkëpunëtori i Sigurimit, Koçi Petriti dhe anash këtij qëndronte një Zv/Ministër i Arsimit, si dhe deputeti i zonës.
Sapo u shfaqa unë te dera, deputeti dhe zv/ministri, më bëri shenjë të ulesha pranë tyre. Por unë reagova menjëherë, duke dalë jashtë dhe u nisa për Tiranë.
Ceremonia nuk u zhvillua, por me sa di unë Koçi Petriti e ka marrë këtë titull fshehtas me ndërhyrjen e Uran Butkës, jo Uran Aliçkës, të mos i ngatërrojmë.
Po ky Uran Butka, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 propozon dhe me ndihmën e disa të tjerëve e caktojnë spiunin kandidat për deputet në rrethin e Korçës. Gazeta “TemA”, shkruante atëherë me shkronja të mëdha: “Korça zgjedh kandidat për deputet bijtë më të mirë e më të talentuar, Koçi Petritin”.
Sapo e lexova në gazetë, kërkova takim me z. Berisha, i cili bëri atë që duhej bërë. Por sot, gjaku i vëllait tim dhe vëllezërve të tjerë shqiptarë që u pushkatuan si ai, shkelët sërisht nga këta Koçi Petritët, që kanë paturpsinë dhe nxjerrin fytyrën nëpër ekrane për t’u dhënë këshilla letrarëve të rinj, që dikur të rinjve të talentuar u morën jetën.
Duhet të jesh fare pa dinjitet, që të bëhesh kaq egoist për të dalë ekraneve, kur e di që dy djem të rinj, dy poet për shkakun tënd nuk jetojnë më.
Nëse do të ndodh, që do të krijohet komision për hapjen e dosjeve, të mos caktohet Astrit Faqolli, i cili punon në Ministrinë e Drejtësisë, sepse babai i tij, Hysen Faqolli ka qenë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Librazhdit dhe ka ndikuar direkt në pushkatimin e dy poetëve.
Kuptohet, që nuk do të caktohet edhe Selim Caka, i cili ka qenë shef hetuesit, në kohën kur ne u hetuam dhe u denuam, sepse ai ka zgjedhë vetë veprimin kriminal edhe pse me vonesë. Por, nuk duhet të caktohet as Dhimitër Beshiri, akovat i Nexhmije Hoxhës, as Lulo Ymeri, që ka qenë një ndër hetuesit e mi, as Ligor Kondili, që ka qenë hetues kryesor i vëllait, as Petrit Azemi, të cilin e ka punësuar “Avokati i Popullit”, Emin Dobjani në zyrën e vet.
Ka dhe shumë të tjerë, që u vijnë duart era gjak… Mejdani, të gjithë këta i ktheu në punë, duke i vlerësuar si punonjës me përvojë. Qeveria e Partisë Demokratike i liroi nga detyra, disa më kryesorët, por tani ata janë në vendet e tyre të mëparshme.
Të gjithë ne të përsekutuarit, që ishim në punë në Qeverinë Demokratike u liruam përnjëherë pas vitit “97” dhe “98” dhe jemi rrugëve pa rrogë, pa përkrahje sociale pa asgjë. Pjesa qeverisëse e shoqërisë, që quhet socialkomuniste nuk na pranon, se jemi të dënuar nga baballarët e tyre, kështuqë s’ka si të ndodh ndryshe.
Lufta e klasave, vazhdon me të gjitha format e saj. Kështu ndodhi edhe me mua në vitin 1998. Kur më liruan nga detyra, që isha në Gardën e Republikës, Shefi i Përsonelit të këtij Insititucioni më tha shprehimisht: “Z. Blloshmi! Më kanë autorizuar t’iu them, se për sistemin që do të ndërtojmë ne “fitimtarët”, ju jeni i papërshtatshëm”.
Mirëpo, për “merita të veçanta”, ky përson dërgohet në Portin e Vlorës me punë dhe në tragjedinë e 9-të Janarit 2004 pezullohet nga puna “gabimisht”, sepse mbas sqarimit fitoi “pafajsinë” dhe tani vazhdon pa asnjë shqetësim aty ku ishte.
Sot nuk ka asnjë sigurims pa punë, asnjë hetues, operativ, kryetar dege apo bashkëpunëtor vullnetar të kooperativave, pra çdo gjë koordinohet si më parë, duke riaktivizuar lidhjet e vjetra.
Po e përfundoj këtë shkrim duke cituar Hygoin:
“Se për një nënë që ka humbur djalin e saj, sado të zeza të jenë rrobat e zisë, koha dhe larja ato i zbardhë, ndërsa zemra e kësaj nëne mbetet po aq e zezë sa në ditën e humbjes së fëmijës”.
Krijoni Kontakt