Avokatët e Tiranës diskutuan mbi përvojën që duhet të kenë përfaqësuesit e çështjeve në Gjykatën e Lartë

"Drejtësia shqiptare drejtohet nga 4 familje"

Avokati i Leka Zogut, Hasanaj, tha se një familje e njohur ka 28 persona me poste "kyçe" në drejtësi.

Ardita Hysa

TIRANË - "Katër familje të njohura drejtojnë drejtësinë shqiptare." Kështu është shprehur dje avokati Shaqir Hasanaj, në takimin e zhvilluar me avokatët e Tiranës. Ai ka shtuar se vetëm njëra prej këtyre familjeve ka 28 persona që mbajnë poste kyçe në hallka të ndryshme të drejtësisë. Pa dashur të japë emrat në mbledhjen e djeshme të avokatëve të Tiranës, Hasanaj tha se këto familje tashmë njiheshin nga shumica e të pranishmëve. Juristi i pretendentit për fron, i Leka Zogut nuk harroi të përmendte se në mbledhje kishte edhe nga ata avokatë të vjetër, që i kanë shërbyer Shërbimeve të Sigurimit të Shtetit, e kanë futur në burg njerëz të pafajshëm. Avokatët e Tiranës ishin mbledhur dje të diskutonin për kategorizimin e avokatëve që do të përfaqësojnë çështje në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese. Por një diskutim i tillë, është kthyer në një debat të gjatë prej tre orësh.

Debati

"Me moshën që kam, duhej të kisha 15 vjet punë si avokat, por disa nga ju që janë këtu, nuk më lanë të vazhdoja shkollën,"- vazhdoi Hasanaj, i cili nuk ka pranuar propozimin e bërë në mbledhje. Dhoma e avokatisë, e pranishme dje me anë të dy krerëve të saj, Fatmir Brraka dhe Maks Haxhia, kishte propozuar që një nga kriteret për të përfaqësuar çështje në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, duhej të ishte dhe përvoja mëse 10-vjeçare e punës si avokat. Një kriter të tillë e ka kërkuar edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, i cili i është drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë kohë më parë, për përzgjedhjen e avokatëve që do të mbronin çështje në Gjykatë të Lartë. Por juristët që morën pjesë në mbledhjen e djeshme, e kanë cilësuar si kohë të gjatë afatin 10- vjeçar si përvojë pune, pasi avokatia në Shqipëri ka vetëm pak më shumë se dhjetë vjet që ushtrohet si profesion i lirë. Kështu është shprehur edhe avokati Hasanaj, ish-gjyqtar dhe pedagog i Fakultetit të Drejtësisë, i cili pas një përndjekjeje të gjatë politike ishte detyruar të përfundonte studimet në vitin 1995. Avokatët që folën pas tij, hodhën mendime të ndryshme, që nga kufiri 2 ose 3 vjeçar i përvojës për të fituar kategorinë e mësipërme, deri tek marrja në provim e avokatëve.

Kualifikimi

Ideja e fundit u prit me ironi nga avokatët me përvojë si Genc Gjokutaj dhe Ardian Leka, ndërsa u përkrah nga avokatja Liljana??.. Kuvafa, e cila ishte oponenca e çdo fjalie të thënë në mbledhje. Avokati Ruhi Hado, ishte i mendimit se grumbullimi i të gjitha dosjeve që përfundonin në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese në duart e një grupi avokatësh, të cilët kanë më shumë se 10 vjet punë, do të cënonte rregullat e konkurrencës së lirë. "Ne në fund të fundit bëjnë biznes, jemi në ekonomi tregu dhe ky diferencim kaq i theksuar do të krijonte një monopol," -vazhdoi Hado. Asnjë nga juristët nuk e përkrahu idenë e përvojës 10-vjeçare, për të përfaqësuar çështje në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.


07/07/2004
KATEGORIA: Kronikë nga Tirana.