Terrakotat dhe monedhat e gjetura në Santuarin e Afërditës, kanë filluar të shkatërrohen
Santuari i famshëm i Afërditës, i zbuluar në Durrës, rrezikon të shkatërrohet për shkak të mungesës së fondeve, që do të mundësonin konservimin e tyre. Në vitet ’71 - ‘72, në kodrën e Dautes, në vazhdim të Currilave në Durrës, arkeologu Ilia Toçi zbuloi një figurinë, e cila u bë shkak i një ekspedite të gjerë arkeologjike në këtë zonë. Aty u zbulua një santuar, i cili u quajt Santuari i Afërditës dhe ku u gjendën 10500 terrakota kushtuar perëndeshave, si Afërditës, Demetrës, etj., me një peshë prej 1,8 tonësh. Po aty u zbuluan edhe 600 monedha bronxi e shumë enë qeramike. Por e gjithë kjo pasuri, e cila dëshmon për kulturën, besimin e shqiptarëve të hershëm, perënditë që ata u faleshin, rrëzikojnë të zhduken. Shumica e objeketeve kanë filluar të kthehen në pluhur e të humbasin trajtat e tyre. Sipas shefit të Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, pranë Institutit të Kulturës Popullore, Frederik Stamati, do të duhej një fond prej 22 milionë lekësh të reja për të kryer konservimin e këtyre objekteve, një shumë kjo e vështirë për t’u siguruar. Kohët e fundit, me iniciativën e arkeologut Fatos Tartari, u arrit të realizohej një projekt i përbashkët shqiptaro-francez, i cili më tepër ka për qëllim studimin e këtyre objekteve. Sipas këtyre studimeve të terrakotave, ka rezultuar se bëhet fjalë për shumë tipe perëndeshash dhe se ky santuar është shfrytëzuar në shekujt III para Krishtit deri në shek. II pas Krishtit. Ndërsa nga studimi i monedhave, është vënë re që më së shumti bëhet fjalë për monedhat e Dyrrahut, që kanë të stampuara nga njëra anë Herakliun dhe nga ana tjetër, topuzin e harkun. Por mes tyre janë gjetur edhe monedha të qyteteve të tjera jugore, si Apolonia, etj. Sipas Stamatit, deri më tani nuk janë bërë ndërhyrje për konservimin e terrakotave. Një pjesë e tyre po shkërrmoqen, po humbasin konturet, po shpërfytyrohen. “Duke qenë se ato i blatoheshin perëndive, nuk kanë qenë të pjekura mirë, kështu që si të tilla shkatërrohen më shpejt, por ndërkohë një rol negativ në ruajtjen e tyre kanë edhe kripërat e detit. E njëjta gjë po ndodh edhe me monedhat, të cilat po kthehen në pluhur, duke u bërë të palexueshme”, - thotë Stamati, i cili ka marrë pjesë në ngjitjen e disa objekteve. Së fundi, në Laboratorin e Konservimit dhe të Arkeometrisë janë trajtuar 461 monedha të gjetura në Santuarin e Afërditës.
A. Mile për Gazetën "Shekulli"
Krijoni Kontakt