korrieri


....

100 ditet dhe dy linjat ne PD

E Shtune, 24 Dhjetor 2005

Nga Fatos LUBONJA

Duke lexuar akuzat e socialistit Petro Kocit se ministri aktual i Brendshem, demokrati Olldashi, ka pasur komisionere njerez te inkriminuar, te cilet e kane ndihmuar ne betejen e tij elektorale kunder ish- ministrit socialist Duka, te cilin Berisha e ka cilesuar "Duka i krimit", nuk mund te mos mendosh, pertej vertetesise apo pavertetesise se ketyre akuzave, per nje fenomen qe ka karakterizuar politiken shqiptare qe nga fillimi i ketij tranzicioni dhe qe sot vazhdon te mbetet rreziku me i madh per vendin. E kam fjalen per rrezikun qe lufta per pushtet midis dy partive kryesore te zhvillohet duke pasur te dyja ne prapavije politiken klienteliste, ku nje peshe te madhe zene njerezit e krimit, ekonomia informale dhe "te forte" gjithfaresoj, te cilet, nga ana e tyre, determinojne vendimet dhe sjelljet e politikaneve. Pikerisht kjo ka bere qe ne vend te sundoje nje sistem ku struktura ekonomike informale dhe kriminale determinon nje superstrukture (politike, te drejtesise, mediatike etj.) ne sherbim te saj ose me fjale te tjera, shteti i kapur nga mafia.

Per kedo qe kerkon te shohe realitetin ne sy nuk ka dyshim se PD-ja zor se do t'i kishte fituar zgjedhjet elektorale pa pasur edhe mbeshtetjen e nje kategorie qe kete mbeshtetje nuk ia dha per ate se po premtonte vendosjen e shtetit ligjor ne Shqiperi, por sepse, me marrjen e pushtetit, do te mund te kishte ato perfitime qe deri dje i kane pasur disa prapavija krimi e ekonomie informale te PS-se, (ashtu sikurse nuk ka dyshim se nje pjese e kesaj prapavije socialiste ka filluar te kepute lidhjet e vjetra per te krijuar lidhje me pushtetin e ri.)

Por, nga ana tjeter, nuk ka as me te voglin dyshim se PD-ja nuk do t'i fitonte kurre zgjedhjet sikur gara e saj me PS te ishte thjeshte dhe vetem gare midis dy prapavijash te tilla. Madje eshte e sigurte se PD-ja i fitoi zgjedhjet, pikerisht sepse shumica e shqiptareve besoi se pasi te vinte ne pushtet do te luftonte baronet e krimit dhe se PS-ja, ndonese i kishte shume me te forta prapavijat e krimit, i humbi ato mu per shkak te tyre. Le te kujtojme se perzgjedhja e kandidateve per deputet te PD-se, ndryshe nga te PS-se, u be duke perjashtuar maksimalisht futjen ne listat e kandidateve per deputete te personave te dyshimte persa i perket pasurise dhe pasurimit.

Pas 100 ditesh te PD ne pushtet mund te besh vleresime pozitive dhe negative per qeverine aktuale dhe mazhorancen parlamentare, ne gjithfare aspektesh, por thelbesor mbetet vleresimi i asaj qe shprehen votuesit pro PD-se (dhe LSI-se) me 3 korrik: sa eshte realizuar vota e shqiptareve per te filluar nje proces te vendosjes se shteti ligjor ne Shqiperi, te clirimit te shtetit prej kapjes nga mafia?

Ne kete aspekt, sot pas 100 ditesh mund te thuash se ne PD jane ravijezuar dukshem dy rryma qe bashkejetojne ne kundershti me njera-tjetren, por ende pa konflikt te hapur me njera-tjetren dhe pa nje perspektive te qarte se cila do te fitoje. Njera rryme eshte ajo qe kerkon te qendroje konsekuente persa i perket premtimeve te dhena per instalimin e shtetit ligjor ne Shqiperi, lidhur kjo kryesisht me linjen e luftes kunder korrupsionit. Nuk mungojne akte te ndryshme qe e shprehin kete. Garanti kryesor i kesaj linje duket se eshte Berisha me mitin e tij si njeri i pakorruptueshem materialisht. Nuk mungojne gjithashtu edhe sinjale te qarta politike qe i jane dhene institucioneve qe duhet te jene ne balle te kesaj lufte.

Rryma tjeter eshte ajo qe kerkon te konkurroje ate qe bene socialistet duke tentuar te marre si te thuash ne dore makinen e korrupsionit nepermjet krijimit te kembeve te tjera te saj te lidhura me PD-ne, keputjen e kembeve te pashkulshme nga PS-ja si dhe perpjekjen per kalimin nga krahu i PD-se te nje numri kembesh me fleksibile. Nuk mungojne gjithashtu shenja te dukshme te ekzistences se kesaj rryme.

Nuk mund te mungoje midis ketyre dy rrymave edhe nje kategori, e cila do te orientohet nga ajo qe do te mbizoteroje.

Problemi eshte se nga ballafaqimi dhe fitorja e njeres prej ketyre dy rrymave ne PD do te varen edhe fatet e vendit per nje kohe jo te shkurter, madje edhe tendenca per nga do te shkoje vendi, per me mire apo per me keq. Dhe rreziku i fitores se rrymes qe kerkon ruajtjen e linjes se vjeter eshte shume i madh. Vecanerisht po te kesh parasysh se jashte asaj pjese te PD-se qe kerkon vendosjen e shtetit ligjor ekziston nje teresi aktoresh politike, ekonomike, te administrates e mediatike, me ne krye fatkeqesisht opoziten socialiste, tejet te infektuar nga sistemi i korrupsionit, qe nuk kane asnje interes qe vendi te futet ne shinat e ligjit, sepse kjo do te thoshte falimentim e deshtim per shumicen e tyre. Ketyre i duhet shtuar edhe rryma brenda PD-se, qe qysh para zgjedhjeve fitoren e shihte si nje mundesi "shperndarjeje" me "te drejte" te perfitimeve qe sjell krimi ekonomik, te cilen ("shperndarje") socialistet e kishin kthyer thuajse teresisht ne favor te tyre. Nuk ka pike dyshimi gjithashtu se kultura politike e shumices se PD-isteve nuk mund te ndryshoje nga ajo e socialisteve,- si shqiptare te mire qe jane te dy palet,- sipas se ciles (kulture) hyrja ne politike shihet thjesht dhe vetem si mjet perfitimi personal dhe kaq. Nuk mungon edhe nje pjese, besoj me e vogel, qe thjesht nuk ka besim tek suksesi apo efikasiteti i rrymes se "puritaneve" pa "mbeshtetjen" e segmenteve te se dytes.

Per te hedhur pak drite ne favor te atyre qe luftojne qe vendi te ece perpara dhe jo te degradoje edhe me tej, mendoj se PD duhet te ndergjegjesohet se zgjedhja e linjes se ruajtjes se sistemit te korrupsionit do te thote deshtim i garantuar i saj, jo vetem ne kuptimin e misionit historik te premtuar per ta kthyer politiken nga grabitje te njerezve ne sherbim ndaj tyre, por edhe ne kuptimin e thjeshte te mbijeteses ne pushtet.

Se pari, duhen ndergjegjesuar ata qe mendojne se mund te behen te dyja, edhe ca pune te mira, edhe perfitimet e paligjeshme. Nuk ka mjet me te mire per ndergjegjesimin e tyre sesa ftesa qe te kene parasysh eksperiencen e socialisteve. Ajo eksperience provoi se filozofia e berjes se te dyjave degjeneroi shume shpejt ne favor te grabitjes, duke e cuar vendin nga korrupsioni i thjeshte i politikaneve ne kapjen e shtetit nga mafia. Shkaku eshte shume i qarte: politika si sherbim dhe politika si mashtrim dhe vjedhje jane dy principe qe perjashtojne njeri- tjetrin, qe nuk mund te bashkejetojne me njeri- tjetrin. Nuk mund te bashkejetojne me njeri- tjetrin edhe bashkepunimi me mafien, edhe vendosja e shtetit ligjor. Me kete nuk dua te them se nje shoqeri ose mund te jete krejtesisht e paster ose krejtesisht e korruptuar; as se pastrimi duhet bere me cdo cmim, edhe kercenimin e lirise. Asnjehere te mos harrojme parabolen e Krishtit me ate bujkun qe kerkonte te pastronte totalisht fushen me grure nga egjra dhe, duke shkulur tere egjren, prishi edhe grurin. Por, nga ana tjeter, duhet te jemi te qarte se nuk mund te ndertohet dot nje shoqeri ku te kene legjitimitet, madje te bashkohen tek i njejti individ, si njeriu i ndershem edhe vjedhesi, sikurse tentuan ta bejne thuajse hapur fare socialistet me ne krye Nanon dhe Ramen, duke instaluar per kete edhe sistemin e pandeshkueshmerise per politikanet. Te gjithe e dine parullen qe u hap ne kohen e socialisteve: te gjithe vjedhin, por ky/ keta te pakten bejne edhe ca pune. Kjo rezultoi katastrofike, sepse bari i keq i vjedhjes pati nje efekt katastrofik ne nje fushe ku gruri sapo ishte mbjelle.

Se dyti, duhen ndergjegjesuar ata qe thjesht mendojne te konkurrojne socialistet ne ngarjen e makines qe kane krijuar. Ka edhe me shume argumente per t'i bindur ata se deshtimin e kane te sigurte. Po mundohem te rreshtoj vetem disa prej tyre:

- PD-ja nuk mund ta fitoje dot kete konkurrence per aresye se nuk mund t'i munde socialistet ne ngarjen e nje makine qe e kane ndertuar ata, te ciles i'a dine tere marifetet, pikat ku duhet "grasatuar" e ku i duhet hedhur vaj etj, etj.

- Sistemi i ekonomise spekulative informale, i bazuar ne abuzimin mbi pronen publike nepermjet privatizimeve e lejeve abuzive te ndertimit, kontrabandes e krijimit te mundesive te futjes ne qarkulim te parase se piset, te trafiqeve gjithfareshe eshte ne kurben e vet renese dhe jo ngjitese sic ishte ne kohen e socialisteve.

- Berisha si tipologji politikani mund te kete dhjetra te meta e veti, por kurrsesi nuk mund te kete vetine apo te meten e paturpersise proverbiale tashme te Nanos dhe Rames per te mashtruar e per te hyre ne afera korruptive me kedo dhe per te shitur e blere gjithshka, vecanerisht mediat.

- Se fundi, nuk duhet te harrojme se karta e vetme qe e solli PD ne pushtet eshte ajo e premtimit ne luften kunder korrupsionit. Ne rast se do te jepen shenjat e para se kjo ka rene, atehere njerezit do t'i pushtoje nje zhgenjim i madh qe do te kete efekte dramatike per kredibilitetin e saj.





-------