Nëna e Genci Sadaj, Hatixheja, ende nuk di gjë për vdekjen e të birit. Ajo rrëfen tmerrin e përjetuar me grabitësit
Maskat, masakër në një familje
Lindita Çela
TIRANË- Hatixhe Sadaj përpiqet të përballojë dhimbjet që ndjen në trup, ndërkohë që nuk di asgjë për të birin që i ka mbyllur sytë përjetësisht. I gëzohet faktit që kanë mundur të shpëtojnë të gjallë nga ai tmerr që përjetuan një natë më parë, ku persona të armatosur dhunuan shtëpinë e saj, pa ditur asgjë për gjëmën që i ka rënë në derë. Hatixheja nuk e di që Gentiani, djali i saj 23 vjeç ka vdekur në të njëjtin spital ku ajo qëndron e shtruar për shkak të plagëve që ka marrë në trup. Ajo ende nuk e di që nuk do të jetë e pranishme sot, në ceremoninë e varrimit të të birit. Di vetëm që edhe i biri, si bashkëshorti i saj, është i shtruar në një nga pavionet e spitalit Ushtarak. Shpreson që sapo të mund të ngrihet nga shtrati, të shkojë t’i shohë që të dy. Të afërmit, për shkak të gjendjes së rënduar të saj, kanë zgjedhur të mos i thonë se i biri i ka vdekur. Ndaj dhe gruaja mbi të 40-tat thotë që të paktën shpëtuan me kaq….. Është përmendur dje rreth mesditës në dhomën nr 5 të pavionit të kirurgjisë së Spitalit Ushtarak. Për fat të mirë, Hatixhe Sadaj është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që plaga e marrë në kofshën e djathtë i shkakton dhimbje të mëdha. Me mund nis e tregon tmerrin e përjetuar në shtëpinë e saj.
Çfarë ndodhi në shtëpinë tuaj, gjatë natës së mbrëmshme?
Eh, shyqyr që shpëtuam me kaq. Ishte mezi i natës. Po flinim. Ne në dhomë, çunat në korridor. Është vapë dhe dyert ishin thuajse të hapura. Një njeri me pistoletë në dorë futet në dhomën ku flinim dhe na kërkon paratë. Pistoletën e mbante drejt nesh. Na kërkonte me dhunë të nxirrnim paratë si dhe të mos bërtisnim se për ndryshe do të na vriste. Unë fillova të bërtisja, ndërkohë që na dëgjon komshiu. Djali me maskë hutohet, ndërsa burri u mundua t’i merrte pistoletën. Në këtë kohë zgjohet dhe djali që po flinte në korridor dhe vjen të na ndihmojë. Duke u përleshur me të dolëm të gjithë në oborrin e shtëpisë. Aty pastaj dëgjojmë krismat e kallashnikovit dhe pamë që ishte dhe një tjetër. Sapo dolëm në oborr, menjëherë na qëlloi. Më pas kam humbur ndjenjat dhe nuk mbaj mend gjë.
A njohët ndonjërin prej tyre?
Jo. Sepse ishin me maska. Ata kishin kapuçë në kokë dhe doreza në duar. Di të them vetëm se ishin djem të shëndoshë dhe të gjatë.
Vetëm para ju kërkuan?
Po. Ai që hyri në dhomë na tha t’i jepnim paratë, ose ndryshe do na vriste. Unë i thashë se nuk kishim lekë, por ai na kërcënonte se nëse nuk do t’i jepnim paratë që kishte im bir, do të na vriste të gjithëve.
Çfarë pune bënte djali juaj?
Shiste telefona celularë tek qendra e Tiranës. Me ato para që fitonte mbanim frymën gjallë, pasi unë nuk punoj ndërsa im shoq ndonjëherë, gjen punë si murator.
A kishte probleme djali juaj?
Jo. Deri më tani nuk ka patur asnjë problem. I kam djemtë të mirë e të urtë. Nuk ngatërrohen me njeri ata. Shohin vetëm hallin e tyre. I kam djemtë e mirë. Vetëm me punën e tyre munda të bëj shtëpinë.
Kur keni ardhur në Tiranë?
Para gjashtë vjetësh. Kemi ardhur nga Dibra për një jetë më të mirë, por ja ç’na gjeti. Kisha lekë vetëm për të blerë tokën, ndërsa me punën e çunave ndërtuam shtëpinë ku fusim kokën. Djali i madh ka filluar tregtinë e cigareve që gjatë luftës së Kosovës. Më pas filloi të shiste karta telefoni dhe tani shet celularë.
Keni patur herë të tjera probleme në shtëpi?
Para tre muajsh, dikush tentoi të hyjë nga dritarja. Ishte natë dhe unë kujtova se ishte macja. Shkoj të mbyll dritaren, ndërsa komshiu më tha se kishte parë një njeri të vraponte.
A bëtë denoncim në polici?
Jo. Atëherë nuk i kushtuam rëndësi.
Po me komshinjtë keni probleme?
Deri më tani, nuk kam bërë as gjysmë llafi me asnjërin prej tyre. As unë as çunat e mi nuk janë zënë kurrë.
Po në punë, a ka pasur ndonjëherë probleme?
Jo. Deri tani nuk më ka thënë asgjë. I kam djemtë e urtë, por ja që hajdutët nuk të pyesin. Shyqyr që ia kaluam me kaq.
Krijoni Kontakt