Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Vehbi Alimuçaj: Ju rrëfej gjashtë vitet e mia në qeli

    Për më tepër, shumë shpejt atij do t’i duhet t’i nënshtrohet një operacioni shumë të vështirë në tëmth. Ai vetë tregon se sëmundjet i kanë nisur që prej 28 prillit të vitit 1998, kur është arrestuar dhe vazhdojnë t’i përkeqësohen dita-ditës. Vehbi Alimuçaj ish-bosi i kompanisë ”Vefa” vazhdon të mbajë mend mirë se çfarë ndodhi me kompaninë e tij dhe cilët persona ndikuan për shkatërrimin e saj. Në një intervistë për gazetën ”Panorama” ai rrëfen nga qelia e Burgut të Peqinit, 6 vitet e tre muajt që ka kaluar nëpër burgjet e ndryshme të vendit. Përse qëndron i vetëm në qeli dhe si e kalon ditën e tij. Ka veshur një bluzë të hollë dhe pak poshtë jakës mban një stilolaps. ”Dikur mbaja stemën e avionit, ndërsa tani mbaj një stilolaps për të shkruar kujtimet në qeli”, tregon ai duke buzëqeshur. Ndërkohë që herë pas here ndez llullën e tij dhe rrëfen se është një tip që nuk bën plane për të ardhmen.

    Ju para pak ditësh keni kaluar një moment kritik shëndetësor. Si ndiheni tani?
    Unë dua t’ju falënderoj për intervistën që po më bëni në lidhje me shëndetin tim dhe mënyrën se si kaloj ditët në qeli, pasi deri tani asnjë nuk është interesuar për këto gjëra. Do përpiqem, me sa mundem, të jem i qartë në përgjigjet e mia. Jeta ime e përditshme në qeli është e zakonshme, si e të gjithë të dënuarve të tjerë. Sigurisht që kalimi nga njëra ditë në tjetrën, është i vështirë duke menduar kushtet apo rrethanat, qoftë familjare apo shoqërore. Por duhet të pranoj se ajo që më shqetëson më shumë është gjendja ime shëndetësore. Sigurisht, unë, si Vehbi Alimuçaj, pësova një traumë të madhe në zhvillimin e ngjarjeve lidhur me problemin e firmave. Nuk është thjesht izolimi im, apo shkëputja nga jeta qytetare, por kryesorja është përgjegjësia ime morale në drejtim të kreditorëve që patën investuar paratë në kompaninë ”Vefa”, dhe që nuk munda, për arsye që tashmë dihen, të realizoj ëndrrën time, t’u kthej të gjitha kursimet që ata patën depozituar, pavarësisht prej qëndrimit tim korrekt e të qëndrueshëm që nga momenti i zhvillimit të aktivitetit të ”Vefës”, deri në momentin e ndërhyrjes të Këshillit Mbikëqyrës. Unë dua të them se kjo ndërhyrje ka qenë më se e gabuar, për arsye se aktiviteti im dhe i kompanisë sime nuk ka qenë asnjëherë piramidal, gjë të cilën nuk kanë mundur ta vërtetojnë as kompanitë e huaja dhe as ndonjë institucion parlamentar apo qeveritar. Si drejtues kryesor i kompanisë bashkë me bordin drejtues të specializuar u jemi përmbajtur të gjitha ligjeve dhe rregullave të ekonomisë së tregut. Kam bërë të gjitha përpjekjet e mundshme ligjore dhe kam fituar të drejtën në të gjitha shkallët e gjykatave, madje dhe në atë Kushtetuese, që kompania ”Vefa”, të mos i nënshtrohej administrimit, por vetëm kontrolleve, çështje të cilën shteti shqiptar nuk e mori parasysh. U ndërhy me forcë me rrugë antiligjore, nuk u zbatua ligji dhe, si pasojë, çdo gjë shkoi drejt falimentit. Madje, nuk u bë as kontrolli dhe as transparenca. Nuk ekziston asnjë akt i marrjes në dorëzim të kompanisë, qoftë nga ana e prokurorisë, e Këshillit Mbikëqyrës apo nga Deloitte & Touche. Siç e keni ndjekur edhe vetë, gjatë zhvillimit të transparencës të mbajtur nga komisioni parlamentar, ata nuk ishin në gjendje të jepnin shpjegime para meje apo ndonjë personi tjetër përgjegjës, siç janë prokurorët, këshilli mbikëqyrës apo instanca të tjera të lidhura me këtë çështje.

    Ata nuk mundën të nxirrnin asnjë përgjegjës përgjegjës apo përgjegjësi konkrete lidhur me kompaninë ”Vefa” në administrimin e pasurive dhe dokumentacionit të saj. Kemi të bëjmë me një dokumentacion tepër voluminoz dhe me një pasuri kolosale.

    A mund të na tregoni më konkretisht mbi këtë pasuri?
    Në këtë pasuri përfshihen më shumë se 300 dosje objektesh, më shumë se 240 ndërmarrje, disa miniera, mbi 470 automjete të rënda, helikopterë, anije, tragete, mbi 1 milion e 300 metra tokë turistike të hipotekuara, mbi 30 milionë dollarë mall në magazina dhe markete, rreth 1300 minitraktorë, rreth 100 milionë dollarë borxhe etj. Kemi lënë në bankën e shtetit mbi 130 milionë dollarë, vlera të cilat u çekuilibruan me anë të ndërhyrjes së Deloitte & Touche, dhe Këshillit Mbikëqyrës të kryesuar nga Farudin Arapi. Ai në ballafaqimin e parë që ka bërë me kompaninë në mbledhjen e bordit drejtues të ”Vefës”, deklaroi se nuk do të ndërhynte në pronat e kompanisë dhe aq më pak në llogaritë e saj bankare. Por nuk ndodhi kështu. U tërhoqën në mënyrë arbitrare shuma të mëdha parash nga bankat e kategorisë së dytë, si p.sh. nga Banka Tregtare dhe Banka e Kursimeve, me premtimin se do të riktheheshin përsëri në llogaritë bankare të ”Vefës”, me autoritetin e tij absolut si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës. Por, siç kam dëgjuar, edhe sot e kësaj dite, jo vetëm që nuk u kthye asnjë lek në llogarinë e ”Vefës”, por u çekulibruan në mënyrë çnjerëzore të gjitha llogaritë rrjedhëse të saj dhe u grabitën në mënyrë të paskrupullt nga ana e Deloitte & Touche dhe Farudin Arapit. Gjithashtu, deklarimet e Arapit i kemi të mirëmbajtura në kartela të posaçme të protokolluara, por edhe në kaseta videoje. Me sa kam dëgjuar, oficeri gjyqësor që ka kryer hetimet për çëshjtjen time, Nikollë Laskaj, nuk ka qenë i diplomuar për juridik dhe kam dëgjuar në të njëjtën kohë se ka qenë pikërisht mungesa e diplomës që ka ndikuar për pushimin e tij nga puna. Me gjithë konsideratat që kam, jam i bindur që objekti i hetimitai nuk kishte të bënte me transparencën dhe përgjegjësinë time në lidhje me kreditorët, por më së shumti kanë qenë meraqe politike. Sepse në momentin që jam marrë në pyetje më kanë pyetur se kujt partie i përkisja apo me cilin politikan kisha lidhje. Unë u jam përgjigjur se nuk kam lidhje me asnjë nga këto të dyja.

    A mund të na i tregoni emrat e politikanëve, për të cilët ju kanë pyetur, nëse keni pasur lidhje?
    Unë u jam përgjigjur se nuk kam lidhje as me Fatos Nanon dhe as me Sali Berishën, por vetëm me anën ligjore, me të cilën kam qenë korrekt, pasi kam pasur mbi 80 licensa të cilat janë të evidentuara në dosje, në të cilat nuk më është vërtetuar asnjë shkelje ligjore, përkundrazi edhe ekspertët kanë deklaruar që “Vefa” nuk ka qenë firmë piramidale dhe se ka qenë në gjendje t’i likuidojë kreditorët e saj. Madje, pyetjes që më ka drejtuar gjyqtari i Apelit, Fatos Qato, se ç’do të bëja nëse gjykata do të më linte të lirë, i jam përgjigjur që do të likuidoja kreditorët 100% plus 3%, nëse vendosen në vend pasuritë dhe llogaritë siç kanë qenë.

    Presidenti i Partizanit, Albert Xhani, deklaroi në sallën e gjyqit që “Vefa”, ishte borxhlie ndaj tij. A është e vërtetë kjo?
    Lidhur me Albert Xhanin nuk i kam asnjë detyrim dhe, sa për sqarim të opinionit publik, është në natyrën time të mos ndërhyj kur shokët janë në pozicionin tim të vështirë, pasi lidhur me aktivitetin e tij kam dhënë sqarime plot para organit të akuzës. Por asnjëherë nuk kam dashur t’i bëj publike, për arsye se janë probleme që i takojnë Xhanit me drejtësinë, Ne me njëri-tjetrin kemi pasur marrëdhënie korrekte.

    A mund të na thoni se si është gjendja juaj shëndetësore aktualisht?
    Epikrizat e mia flasin qartë për gjendjen time shëndetësore që në momentet e burgosjes e në vazhdim. Unë kam probleme me hipertensionin, probleme kardiake, probleme me mëlçinë, stomakun dhe së fundi probleme me tëmthin që më është mbushur plot me gur dhe për këtë më duhet t’i nënshtrohem një operacioni shumë të vështirë. Megjithatë, nuk e di nëse e përballoj dot, për shkak të diabetit, edhe pse gjendja është alrmante, dhe këtë nuk e them unë, por mjekët e ekspertizës ligjore. Një problem për të gjithë këtu në burg, është ai që për të sëmurët duhet të ketë një trajtim ushqimor të veçantë, pasi jo të gjithë kanë mundësi t’i marrin ushqimet nga shtëpia sipas dietës.

    Me sa të dënuar të tjerë ndodheni në qeli?
    Unë qëndroj vetëm, për shkak se qëndroj në një dhomë të sigurisë së lartë, e cila është ndërtuar në mënyrë të atillë që aty të qëndrojë një person i vetëm.

    A mund të na e përshkruani një ditë tuajën në qeli?
    Një ditë e imja në qeli është një ditë normale, si e çdo të dënuari tjetër, pasi gjërat e jashtëzakonshme janë të ndaluara këtu. Në përgjithësi, për të burgosurit dita apo jeta është e ndërtuar sipas rregullores së brendshme të burgjeve. Unë kryesisht lexoj, ndonjëherë mund edhe të luaj, sidomos në domino jam absolut.

    Çfarë planesh keni bërë për të ardhmen?
    Nuk bëj plane asnjëherë, sepse jam i preokupuar për shëndetin tim, i cili më ka kushtëzuar edhe mënyrën e jetesës. Ajo që do të bëj është se nuk kam ndër mend të ngatërrohem me çështje që i përkasin politikës apo instancave të ndryshme shtetërore, probleme të cilat kam bindjen se i shkaktojnë disa njerëz të caktuar. Edhe një herë ju falënderoj për interesimin tuaj për gjendjen time shëndetësore, në mënyrë që të gjithë ata që janë të interesuar të dinë, të mund të mësojnë diçka.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  2. #2
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    “Si ma shkatërruan kompaninë”

    Alimuçaj rrëfen nga qelia se si iu shitën në vlera qesharake të gjitha pasuritë e “Vefa-s”. Farudin Arapi dhe Deloitte & Touche më vodhën kompaninë

    ”Unë po ju tregoj një rast, kur brenda një dite nga llogaria rrjedhëse e ”Vefës” në emrin e arkëtares Rukie Shatku, janë lëvizur 7 milionë dollarë, të cilat i kam denoncuar dhe para gjyqësorit, si dhe para prokurorisë”, tregon 55-vjeçari. Më pas ai vazhdon duke shpjeguar të njëjtin shembull se kjo shumë parash është përvetësuar nga Farudin Arapi dhe ”Deloitte & Touche”, duke u kaluar gjoja në emër të ish-kreditorit të ”Vefës”, Perikli Dosari. Ai ishte nga Lushnja dhe ishte një person që ishte likuiduar nga ana e kompanisë. Më tej ish-bosi rrëfen mënyrën e shkatërrimit të kompanisë së tij. ”Farudin Arapi dhe ”Deloite & Touche” vepronin me të njëjtën procedurë për shkatërrimin e kompanisë. Kjo realizohej me anë të vendimeve të gjykatës që arrinin të merrnin brenda ditës shuma të mëdha për njerëzit e privilegjuar, me të cilët mund të ndanin interesa të përbashkëta”, rrëfen ish-kreu i ”Vefës”. Më tej ai tregon se shteti ka shkelur vetë vendimin që nxori në lidhje me transparencën piramidale, pasi në atë thuhej konkretisht se asnjë drejtues kompanie nuk duhej të merrej në përgjegjësi penale pa përfunduar transparenca. Ndërkohë që edhe arrestimi edhe dënimi i tij është bërë pa përfunduar transparenca. ”Mund të theksoj që transparenca, edhe sot që unë po bëj 7 vjet në burg, nuk ka përfunduar. Nuk dua të futem në problemet e tjera të shitjeve të aseteve dhe llogarive bankare, pasi asetet nuk janë shitur, por janë falur”, pohon ish-bosi. Sipas tij, njerëz të posaçëm nga Këshilli Mbikëqyrës apo instanca të tjera të lidhura me këtë çëshjte kanë bërë kërdinë me pasuritë e kompanisë ”Vefa”. Tokat turistike në bregdet të blera me 200 - 300 USD metri katror nga ana jonë janë shitur me 2 - 5 dollarë nga ana e Këshillit Mbikëqyrës, ose një helikopter është shitur sa mund të kushtonte bileta e udhëtimit me të në itenerarin Tiranë - Sarandë. Një hotel turistik në Gramsh me 40 dhoma është shitur sa vlera e një apartamenti.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

Tema të Ngjashme

  1. Umberto Eco
    Nga Pedro në forumin Shkrimtarë të huaj
    Përgjigje: 122
    Postimi i Fundit: 07-10-2013, 21:13
  2. A egziston nje sens i gjashte?
    Nga Enush në forumin Filozofi-psikologji-sociologji
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 20-01-2010, 19:23
  3. Vehbi Alimuçaj në gjendje të rëndë
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 20-04-2007, 20:12
  4. VEFA - Cenaj, 30 milionë USD në bankat greke
    Nga Hyllien në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 38
    Postimi i Fundit: 06-09-2006, 23:54
  5. Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 05:43

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •