Bilbil Ismahili ka vdekur aksidentalisht në Londër, por i vëllai nuk siguron dot dokumentet që ta sjellë trupin në Shqipëri

Vdes një shqiptar në Londër, probleme për varrimin në atdhe

Shekulli

LONDËR - Një i ri shqiptar i plagosur nga vdekja e të vëllait të tij në Angli nuk mund të kthehet e të sjellë trupin e tij në atdhe. Kjo pasi ai duhet të plotësojë një sërë dokumentesh dhe nga ana tjetër ai do ta ketë të vështirë që të kthehet sërish në Britani. Shqiptari Bilbil Ismahili ka vdekur këtë javë, pas një përplasjeje me motor. Fatmiri 21 -vjeçar, vëllai i Bilbilit, që jeton në South Corydon, dëshiron të kthehet në atdhe bashkë me trupin e të vëllait, në mënyrë që varrimi të bëhet në Shqipëri, pranë prindërve që janë tepër të sëmurë. Gjendjen e Fatmirit e ka rrëfyer për gazetat britanike shoku i ngushtë i viktimës, Gent Sadiku. Hetimi për çështjen e shqiptarit Ismahili është i hapur tashmë. Sadiku, 22 -vjeçar që jeton në Sutton tha për “www.icsouthlondon.co.uk: “Nuk mendoj se do të njoh ndonjë njeri tjetër si ai. Ai ishte aq miqësor dhe telefonte prindërit çdo ditë. Ne takoheshim çdo natë pas pune”. Bilbili njihej nga shokët me emrin Billy, dhe ishte shumë i dhënë pas boksit dhe fitnesit. Më 19 qershor, ai është nisur rrugës për të takuar Gentin në një kafene në Sutton, por motorçikleta e tij u përplas me një makinë “Honda CRV” në rrugën “Carshalton”. Ai u dërgua menjëherë në spitalin mbretëror në Londër, por vdiq ca ditë më vonë. Shoku i tij i ngushtë, Gent Sadiku thotë: Ai nuk kishte celular, dhe kur nuk po vinte unë u shqetësova, por nuk mendova për keq. Nuk kisha dëgjuar asgjë për vdekjen e tij veçse këto ditë. Është e tmerrshme për familjen e tij në Shqipëri”. Ai shton se i vëllai, Fatmiri ishte i shqetësuar se nuk do të ishte i aftë të siguronte që trupi i të vëllait të çohej në atdhe. Më tej Sadiku shton: “Është e tmerrshme se ka shumë probleme që të shkosh në vendin tënd për varrimin e vëllait, pasi kërkohen shumë dokumente, dhe ne nuk dimë nëse kemi kohë që t’i marrim”. Një zëdhënëse për Departamentin e Mjedisit, Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale në zyrën e Punëve të Brendshme në Britani tha se rregullat kërkojnë që vëllai i Ismahilit duhet të vërtetojë se ai mund të përballojë koston e fluturimit dhe një varrim të përshtatshëm në Shqipëri. Më tej ajo shtoi: “Hetuesia kërkon garanci se nëse e lejon largimin e kufomës, ajo do të transportohet në mënyrën e duhur dhe do të varoset në një vend të duhur”. Në lidhje me rastin konkret, që Fatmiri të shkojë e të marrë pjesë në varrim, ajo shton: “Nuk mund të komentoj raste individuale, por nëse dikush është në mes të aplikimit për të kërkuar azil, ata nuk janë të detyruar të largohen nga Britania. Nëse ata kanë leje të papërcaktuar për të qëndruar këtu, nuk ka asnjë arsye përse të mos largohen nga vendi dhe të kthehen përsëri”. Ismahili punonte si berber në Purley, dhe si kamarier në bar “Med”, në Park Lane, Croydon. Kolegët në bar “Med” thanë për të: “Billy ishte një njeri special. Ai qeshte gjithnjë dhe bënte shaka dhe prania e tij na kënaqte të gjithëve”. Ndërkohë shqiptari tjetër Sadiku shton: “Ai punonte gjashtë ditë në javë. Kurrë nuk e shihja të bënte ndonjë ditë tjetër pushim. E adhuronte motorçikletën e tij. Në atë shtëpi të vjetër ai e mbante këtë mjet në dhomën e ndenjes. Billy ka shkuar në Britani katër vite më parë me shpresën për një jetë më të mirë dhe nuk i kishte parë prindërit asnjëherë që kur ishte larguar nga Shqipëria.