Close
Faqja 4 prej 5 FillimFillim ... 2345 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 40 prej 46
  1. #31
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada

    Hapja e ambasadave, Fatmiri: Si vendosëm të futeshim grup, mendonim se ishim ‘Brezi i Humbur’

    Fatmir Alushi kujton se 25 vjet mё parё ai e miq tё ngushtё të tij u futën nё mjediset e Ambasadёs Gjermane nё Tiranё për shkak të varfёrisë sё skajshme. Njerёzit nuk po e duronin dot mё propagandën.

    Emri:  fatmir-alushi.jpg

Shikime: 998

Madhësia:  27.2 KB
    Fatmir Alushi

    Fatmir Alushi punonte nё repartin e pёrpunimit tё alabastrёs nё Ndёrmarrjen “Artistike” Migjeni nё Tiranё nё vitin 1990. Pavarёsisht etiketimit si “artistike” fronti i tij i punёs vetёm i tillё nuk ishte mё nё atё kohё. Ai kujton se angazhimi nё ndёrmarrje ishte pa asnjё ambicie, pasi situata ekonomike ishte tejet dramatike dhe e padurueshme.

    “Njerёzit kishin filluar tё flisnin, tё ngrinin zёrin, por revolta e tyre mbetej ende spontane, pasi diktatura ishte ende nё kёmbё. Por numri i tё pakёnaqurёve qё shpreheshin ishte rritur shumё. Kur morёm vesh qё ishte shpёrthyer muri rrethues i Amabasadёs Gjermane nё 2 korrik tё ’90-s, lajmi mori dhenё. Nё atё situatё tё pashpresё dhe tё pakuptimtё, papritur u gjendёm para njё zgjidhje.”

    Fatmiri e mban mend mirё “mbledhjen” e grupit tё miqve tё ngushtё, mes tё cilёve ishte dhe e motra, si dhe shoqja mё e afёrt, e cila mё pas u bё bashkёshortja e tij. Duke qenё si “lideri” i grupit prej 12 vetёve e pata shumё kollaj t’i bindë dhe t’i organizoj qё sё bashku tё shkonim pёr te Rruga e Ambasadave, thotё ai pёr Deutsche Welle-n.

    “S’kishim çfarё tё humbnim!”

    Pёr Fatmirin motivi pёr tё ndёrmarrё njё veprim tё tillё ishte varfёria nё tё gjitha drejtimet, ekonomike, sociale, kulturore, ndёrkohё qё pёr çёshtjet politike dhe propagandistike njerёzve u kishte ardhur nё majё tё hundёs. Shumica e atyre qё hynё nё ambasada, sipas tij, mendonin se ishin “Brezi i Humbur”. Sa pak na dhanё dhe sa keq na lanё, thotё ai pёr Deutsche Welle-n.

    “Vёrtet nё atё kohё nё Shqipёri kishte mbaruar gjithçka. Ishte fikur shpresa. Ishim gjithё grupi nё njё mendje se nё ‘shkretёtirёn socialiste’ ishim shndёrruar nё ca gjallesa qё vetёm merrnim frymё. Pa pikёn e perspektivёs pёr tё nesёrmen, ndaj dhe duhej tё ndanim mendjen. Nuk u mundova shumё qё t’ua mbush mendjen pёr t’u bashkuar edhe ne me grupin e njerёzve qё ishin futur nё Ambasadёn Gjermane. Pavarёsisht dakordёsisё, pavarёsisht se kur mbёrritёm te ambasada derёn e hyrjes e gjetёm gjysmё tё hapur dhe ‘tё pambrojtur’ nga autoritetet gjermane tё sigurisё, qёndrimi mbi njё javё nё ato mjedise ka qenё njё kalvar mundimesh dhe mendimesh nga mё tё skajshmet. Njё rrethanё qё herё na bёnte pesimistё e herё optimistё”.

    Duke ju kthyer atyre ditёve brenda mureve tё Ambasadёs Gjermane nё Tiranё, Fatmiri thotё se ai dhe miqtё e tij kishin dalё nga rrjedha rutinore dhe ishin futur nё njё lojё plot pikёpyetje dhe ankth pёr ditёn e nesёrme. Por tё qenurit bashkё i ndihmoi nё pёrballiin e sfidës. Ata ia dolën të plotёsonin njё plan qё askush prej tyre nuk arriti ta mendonte asnjёherё deri nё fund. “Vite mё pas kur i kemi kujtuar ato momente kemi qenё nё njё mendje se ka qenё njё zgjidhje aventureske edhe pёr faktin se s’kishim çfarё tё humbisnim. Mё keq nuk kishte pёr ne. Ky ka qenё ngushёllimi dhe nxitja njёkohёsisht, pёr tё bёrё njё gjё tё tillё. Secili prej nesh kishte nevojё pёr njё ‘refresh’ nё jetёn e tij.

    Gjermanishtja shpejtoi integrimin social dhe ekonomik

    Pёr Fatmir Alushin mbёrritja nё Gjermani ishte plot sfida. Njё njeri nё kulmin e energjive, por pa asnjё zanat. Duhet tё fillonte nga e para. Kishte lёnё pas vendin mё tё varfёr tё kontinetit, pёr tё jetuar nё njё ndёr vendet mё tё zhvilluar tё botёs. “Italishtja ime nuk ёshtё se mё zgjidhte shumё punё nё Gjermani, ndaj dhe prioriteti ishte mёsimi i gjermanishtes. Me mbёshtetjen e qeverisё gjermane, por dhe tё komunitetit avancuam shpejt me gjuhёn, si njё shkak qё shpejtoi dhe integrimin social dhe ekonomik.”

    Emri:  ambasada.jpg

Shikime: 969

Madhësia:  13.5 KB

    2 korriku 1990: Futja në ambasadën gjermane ishte një rrugë drejt së panjohurës për shumë shqiptarë

    Fatmir Alushi e kujton pёrfundimin e shkollёs profesionale pёr kuzhinier si njё investim pёrcaktues pёr tё ardhmen e tij. ” Zanatin nisa ta ushtroj nga nivelet mё tё ulta, duke ja marrё gradualisht dorёn gatimit dhe recetave tё ndryshme. Mё pas synova menaxhimin. Kam preferuar gjithmonё gradualitetin. Jam me fat qё nё angazhimin tim mё kanё mbёshtetur miq gjermanё apo shqiptarё. Nё fillim e kam pasur thjesht si njё ambicie profesionale, ndёrkohё qё tani ёshtё dhe ambicia financiare”.

    Me pёrvojёn e krijuar Fatmiri u bind se dhe ai mund ta kisha njё lokal qё ta menaxhonte vetё. Pas njё rreth njё dekade e gjysmё erdhi momenti. Ja nisi me njё aktivitet nё mjediset e kopshtit botanik tё Berlinit, ndёrkohё qё para tre muajsh menaxhon po njё restorant tjetёr nё kryeqytetin e Gjermanisё.“Kam lexuar dhe dёgjuar qё nё Gjermani dhe Shqipёri kujtohet ngjarja e hyrjes nё ambasada. Kjo ёshtё gjёja e duhur pёr njё moment qё ndikoi shumё pёr Shqipёrinё, qё ndikoi pёr mijёra njerёz qё ikёn nga vebdi pёrt njё jetё mё tё mirё. Janё kujtime tё pashlyera qё vlen t’jua themi brezave mё tё rinj.”

    Panorama

  2. #32
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada

    Ironia e 2 korrikut: 30.000 shqiptarë duan azil në Gjermani

    25 vjet më parë, mijëra shqiptarë do vërshonin drejt ambasadave perëndimore, në kërkim të një jete më të mirë.

    Shumë shqiptarë vërshuan drejt ambasadës gjermane, duke thyer frikën nga regjimi komunist.

    25 vjet më pas, shumë gjëra kanë ndryshuar.

    Megjithatë ironia në rrjetet sociale duket me vend: eksodi vazhdon.

    Pikërisht sot, Presidenti i Zyrës Federale për Emigracionin në Gjermani, ka dhënë një intervistë për gazetën Frankfurter Allgemeinen Zeitung.

    Manfred Schmidt thotë se janë plot 30 mijë shqiptarë që duan azil në Gjermani.

    “Për momentin janë 30 mijë shqiptarë që duan azil në Gjermani. Por këta njerëz paraqesin një realitet të rremë,” tha ai.

    Azilkërkuesit marrin 150 euro për person në muaj, që pak a shumë është sa një rrogë mujore në Shqipëri, shkruan gazeta.

    Shumë shpejt kjo do marrë fund, pasi Shqipëria do përfshihet në vendet e sigurta të origjinës dhe deportimi i emigrantëve do jetë më i shpejtë.

    Shumica dërrmuese e shqiptarëve kërkojnë azil për arsye ekonomike.

    Vetëm 0.1 përqind e shqiptarëve mund të marrin azil në Gjermani.

    MAPO

  3. #33
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada

    Rrëfimi i diplomatit gjerman Werner Daum për ngjarjet e ambasadave në vitet ’90

    Emri:  daum.jpg

Shikime: 867

Madhësia:  4.0 KB

    Në intervistë me DW Prof. Dr. Werner Daum, ish-ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri (1987-1990), flet për hapjen e ambasadës më 2 korrik 1990, periudhën e ndryshimit dhe raportin e veçantë me Shqipërinë.

    DW: Zoti Daum, ju ishit përfaqësuesi i parë i Gjermanisë, që shkuat në Shqipëri me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1987. Çfarë Shqipërie gjetët, cilat qenë mbresat e fillimit?

    Daum: Mua m’u bë shpejt e qartë, se ai ishte një vend gjithë magji, plot bukuri natyrore, dhe për një evropianoperëndimor, të mësuar me nxitimin e shekullit të 20-të ishte një kthim prapa në mënyrën se si njerëzit kanë jetuar për shumë shekuj. Ishte në një farë mënyre një muze, që fillimisht ta mbante të fshehur faktin, që njerëzit dëshironin të iknin me çdo kusht prej tij.

    DW: Nga ky muze shqiptarët mundën të dalin vonë, megjithëse Jofef Strauss i ofroi qeverisë shqiptare një ndihmë qysh në vitin 1984, që u refuzua. Cilat qenë tani prioritetet kryesore të politikës së jashtme gjermane në lidhje me Shqipërinë?

    Daum: Në orientimin e ri në politikën ndaj Lindjes në kohën e Willi Brandit dhe Genscherit Gjermania synonte që të vendoste marrëdhënie të mira dhe të ngushta, edhe pse ishin sisteme të ndryshme politike. Ideja ishte jo vetëm që të bashkëbisedohet, por edhe të ketë shkëmbime njerëzish dhe idesh në sa më shumë fusha, në mënyrë që edhe nëse këto nuk kontribuojnë për kapërcimin e antagonizmit Lindje-Perëndim, gjithsesi është me mirë bashkë, se sa kundër njëri-tjetrit. Ky program u realizua me të gjitha shtetet e Evropës, me të gjitha shtetet e Evropës Juglindore, përveç Shqipërisë. Shqipëria ishte vendi i fundit, me të cilin ne jo vetëm që donim të vendosnim lidhje për të patur marrëdhënie diplomatike, por donim të vendosnim marrëdhënie në sa më shumë fusha të jetës sociale dhe njerëzore.

    DW: Deri në verën e vitit 1990 jeni përpjekur në mënyrë shumë aktive për të nxitur komunikimin, që i shërbente zgjimit dhe hapjes së vendit. A ishte e lehtë kjo duke patur parasysh ngërçin e sistemit?
    Daum: Ishte e thjeshtë dhe e vështirë njëkohësisht. Menjëherë pasi hapa ambasadën në Tiranë dhe vendosa formalisht marrëdhëniet diplomatike, menjëherë pas kësaj, më duket dy tri javë më vonë kërkova nga ministria ime një kurs të gjuhës shqipe. Mora pushim 14 ditë dhe bëra një kurs intensiv privat të gjuhës shqipe në Paris në Ecole de Langues Orientales dhe pas këtyre 14 ditëve flisja deri diku shqip. Ky për mua ishte çelësi jo vetëm për të kuptuar gjuhën dhe për të lexuar Zërin e Popullit, por për të biseduar gjithmonë me njerëzit, kur ishte e mundshme. Jo vetëm se dija shqip, por për arsye se përfaqësoja vendin më të rëndësishëm evropian, u njoha shpejt me të gjithë ato, që lejoheshin të kishin kontakt me të huajt në Shqipëri dhe sidomos për shkak të preferencave të mia përpiqesha të njihesha me shkrimtarë, artistë, intelektualë dhe kam qenë shumë i lumtur për përzemërsinë dhe çiltërsinë, me të cilën jam pritur nga të gjithë.

    DW: Keni patur një sërë aktivitetesh, disa ekspozita, si ajo e piktorit të njohur gjerman Horst Janssen.

    Daum: Unë kisha bindjen se arti, si klasik edhe bashkëkohor, është çelës për të hapur zemrat e njerëzve. Unë vetë krahas profesionit të diplomatit kam edhe një jetë të dytë intelektuale, kam shkruar disa libra, madje mjaft syresh, kam qenë edhe kurator muzeumi, në vitin 2001 kam bërë ekspozitën e madhe të Shqipërisë në Mynih. Kisha shumë dëshirë që edhe në art t’u jepja shqiptarëve shansin për të parë origjinalet, sepse arti nuk mësohet dot nga librat. Ai mësohet nga veprat origjinale. Përmes aktivitetit tim si kurator në Mynih kisha kontakte të mira në Gjermani. Kemi patur një ekspozitë interesante me lojëra shahu, me figura klasike shahu pjesërisht prej qelibari dhe fildishi të periudhës prej shekullit të 18-të deri sot, që pati një sukses grandioz te shqiptarët, të cilët e duan shahun. Apo Horst Janssen, që ju përmendët, pastaj kisha njohje të tërthorta me shkrimtarin gjerman Martin Waltzer, i cili erdhi dhe banoi tek unë një javë dhe që u entuziasmua ashtu si dhe unë nga njerëzit në Shqipëri. Dhe kjo më hapi shumë, shumë dyer dhe shqiptarët e kuptuan se qënka dikush, që nuk interesohet vetëm për art dhe kulturë, por edhe për ne.

    DW: Dhe me anë një artikulli për Nënë Terezën keni ndihmuar që ajo të marrë vizë për të vizituar Shqipërinë, gjë që i ishte refuzuar deri atëherë pesë, apo gjashtë herë.
    Daum: Po, por jo direkt me një artikull. Siç e dimë të gjithë Nënë Tereza është shqiptare, por e lindur në një kohë, kur nuk ekzistonin ende shtetet moderne të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ajo ka lindur në Shkup si shqiptare, por nëna dhe motra e saj dhe më duket edhe babai kanë jetuar në Tiranë. Nëna e motra kanë qenë dhe besoj se janë ende të varrosura në Tiranë. Nënë Tereza kishte bërë për një kohë të gjatë kërkesë për një vizë si vizitore, dhe nuk ia kishin dhënë. Sigurisht për arsyen se ishte një përfaqësuese e angazhuar e katolicizmit dhe regjimi e urrente fenë në përgjithësi, dhe veçanërisht kishën katolike e urrente dhe e përndiqte dhe e ka shfarosur. Unë kisha dëgjuar për këtë dhe në fakt në një intervistë me një gazetë përmenda që ajo ka dëshirë të vizitojë varrin e nënës dhe motrës së saj në Tiranë dhe një herë i thashë gojarisht ministrit të Jashtëm, Reis Malile, se sigurisht që do të ishte më mirë në interesin e Shqipërisë që ta presë një person me renome botërore si Nënë Tereza, se sa ta merrte vesh bota, që një grua e tillë pengohet të vizitojë varrin e nënës së saj. Dhe kur bëri kërkesën tjetër, Nënë Terezës iu dha viza. Mendoj se kam arsye të besoj, se kjo ka ndodhur, ngaqë unë e pata theksuar dhe më vonë kam marrë një letër falendërimi nga Nënë Tereza, të cilën e kam edhe sot dhe jam shumë krenar, që kam një letër të shkurtër nga Nënë Tereza me nënshkrimin e saj.

    DW: Zhvillime të tilla si vizita e Nënë Terezës e forconin shpresën për ndryshime. Muajt e verës 1990 ishin plot tension, pritje, padurim e ankth se çfarë do ndodhte. Njerëzit e parandjenin ndryshimin, por askush nuk guxonte, duke patur parasysh ashpërsinë e regjimit. Ishte si brenda një tenxhereje me presion, që mund t’i shpërthente kapaku. Si e përceptonit ju këtë situatë?

    Daum: Kjo më ka dhënë shkas që t’i them vetes, unë dua të ndihmoj këtu. Unë duhet t’i mbështes me sa të mundem këto ndjenja shprese, dhe unë isha shumë i vetëdijshëm për faktin, se njerëzit, shumica e njerëzve, kishin një frikë esktreme. Ata e dinin se çfarë u kishte ndodhur më parë atyre, që kishin vënë sadopak në diskutim regjimin, qoftë edhe me fjalë, dhe në këtë situatë ndërmjet frikës dhe dëshirës për ndryshime, shpresa siç e thatë, e kishte shumë, shumë të vështirë të manifestohej. Por që kokat e njerëzve kishin ndryshuar, këtë e vija re qartë.

    Në fund u bënë 1399 vetë gjithsej, që hynë në ambasadë.
    DW: A mund të thuhet se ambasadat perëndimore ndihmuan në mënyrë aktive, që shqiptarët të hynin në oborret e tyre dhe të kërkonin strehim. Tashmë ishte fakt, i provuar në vendet e tjera lindore, se ikja e njerëzve i hiqte legjitimitetin regjimit dhe shkaktonte rrëzimin e tij. A keni kontribuar edhe ju në mënyrë të drejtpërdrejtë?

    Daum: Refugjatët e parë hynë në ambasadën greke, ata ishin shqiptarë të etnisë greke, që flisnin greqisht, nja njëzet të rinj, që shpresonin se në këtë mënyrë do të iknin nga vendi për të gjetur një të ardhme jashtë Shqipërisë. Të tjerë të rinj, që falë historisë, por edhe falë afërsisë me radion dhe televizionin italian, dinin italisht, hynë në amasadën italiane. Në ambasadën gjermane askush. Ato, që kishin kërkuar ndërkohë strehim në ambasada, shpresonin se do të mund të dilnin nga Shqipëria, por kjo objektivisht nuk ishte shumë e sigurtë. Kishte raste precedente, të cilat e venisnin shpresën. Pastaj mendova, këto njerëz që duan të ikin nga burgu Shqipëri, që duan të ikin nga dhunimi jo vetëm i lirisë, por edhe i fesë, shkojnë te grekët dhe italianët, dhe as nuk u shkon ndër mend të vijnë te gjermanët. Dhe thashë me vete, unë dëshiroj që edhe te ne të strehohen njerëz, disi kemi për t’ia bërë, dhe nëse do të ketë sukses me një numër të konsiderueshëm, kjo do ta destabilizojë edhe regjimin. Pas ketij vendimi i hapa portat e ambasadës, dhe mbasdite vonë i ndeza të gjitha dritat, që kishte në ndërtesën e ambasadës dhe në oborr. Dhe me të vërtetë nga ai çast erdhën fillimisht disa, pastaj më shumë, dhe në fund u bënë 1399 vetë gjithsej, që u strehuan në ambasadën tonë.

    DW: Disa të rinj kanë hyrë me kamion në oborrin e ambasadës, duke rrëzuar murin rrethues. Përse kjo hyrje me kamion, kur porta ishte ndërkohë e hapur?

    Daum: Historia me kamionin ka qenë disa ditë më vonë, nuk mund ta them me saktësi se kur, katër apo pesë ditë më vonë, sepse natyrisht situata çdo ditë ndryshonte, madje çdo orë. Kishte vazhdimisht momente, kur shfaqej sigurimi, rrethonte territorin e ambasadës për të penguar që të tjerë njerëz të hynin në ambasadë dhe gjatë një momenti të tillë, tri katër ditë pas fillimit, erdhi kamioni, rrëzoi murin dhe ato, që ndodheshin brenda në kamion, kërcyen në tokë dhe ishin në ambasadë.

    DW: Sidoqoftë ju kishit mbi supe një përgjegjësi të madhe për kaq shumë njerëz (3199) në oborrin e ambasadës suaj. A keni mundur të flini i qetë ato ditë? Kishit frikë, apo mendonit se e gjitha do të përfundonte mirë?
    Daum: Unë natyrisht që kam shpresuar se e gjitha kjo do të kishte një përfundim të mirë. Unë isha në një moshë të kaluar në atë kohë. Unë nuk e kam bërë një gjë të tillë nga entuziazmi rinor, apo për aventurë, por i kisha menduar shumë mirë edhe rreziqet. Unë e kisha mjaft të qartë se Shqipëria mund të reagonte me dhunë policore dhe ushtarake dhe siç mora vesh më vonë, ishte menduar me të vërtetë shumë seriozisht një gjë e tillë. Nga ana tjetër mendoja se në fundin e shekullit të 20-të përdorimi i dhunës në një situatë të tillë është diçka aq e tmerrshme, saqë do të kishte patur si pasojë fundin e menjëhershëm psikologjik të regjimit, një kryengritje popullore, si dhe shkëputjen komplete nga shtetet e huaja. Pra në përgjithësi isha i mendimit se do të kishim sukses.

    Ai ishte edhe një konfrontim, nuk ishte vetëm aksion humanitar, por ishte, siç i thonë në frengjisht një bras der fer, një konfrontim i dhunshëm ndërmjet qeverisë shqiptare dhe meje dhe unë më shumë isha i mendimit se qeveria shqiptare do të ishte e detyruar të lëshonte pe, por përsëri plotësisht i bindur nuk isha. Por duhet ta pranoj, se kam qenë shumë i gëzuar që gruaja ime nuk ndodhej aty, dhe shumë i gëzuar, kur çdo gjë përfundoi mirë, sepse jo vetëm refugjatët, por ndoshta edhe ne do ta kishim paguar me jetë.

    DW: Kjo ishte gati e pamundur, sepse shteti kishte marrë fund ekonomikisht, nuk kishte më ushqime në dyqane. Konfrontimi do të ishte vetëvrasje edhe për regjimin.

    Daum: Kështu mendoj edhe unë, mendja ma thoshte se regjimi do të detyrohej të lëshonte pe, ky ishte vlerësimi im për situatën, përndryshe nuk do ta kisha bërë gjithë atë. Por ama isha i vetëdijshëm se po i hyja edhe një rreziku.

    DW: Kur refugjatët morën lejen për t’u larguar ,duhet të kenë përjetuar një nga momentet më të lumtura në jetë. Por edhe në lirinë e fituar vazhdojnë sfidat e së përditshmes. Në Gjermani atyre u është dashur të përshtaten, të integrohen, ndryshimi ka qenë fillimisht i madh e shokues. A keni takuar ndonjërin prej tyre më vonë në Gjermani?
    Daum: Kam patur vazhdimisht rast t‘i takoj. Është interesante se shqiptarët rradhë dalin vetëm. Shqiptarët shkojnë zakonisht vetë i dytë, apo vetë i tretë. Edhe shqiptaret. Dhe në vitet më pas, në ato raste kur ndodhesha në Gjermani, më qëllonte shpesh që në tren dëgjoja shqip. Madje edhe gjatë një shëtitjeje në natyrë pranë Manhajmit, në një rrugë mes fushave, takova disa shqiptarë dhe u fola. Gati gjithmonë do të ndodhej aty njëri prej të tremijëve, ose së paku vëllai apo motra e njërit prej të tremijëve. Por kur i takoja, ishte fare rastësore.

    DW: A gëzoheshin që ju takonin, a ju kanë shprehur mirënjohje?

    Daum: Patjetër që po.

    DW: Ju i keni hapur dyert e ambasadës pa marrë urdhërin nga Boni. Kjo ishte një përgjegjësi me rrezik. Sa ia vlen të rrezikosh për të marrë vendime pa miratimin e qendrës, kur e kërkon nevoja e momentit?

    Daum: Kjo ështe e imagjinueshme dhe e mundur vetëm në raste ekstreme. Një diplomat është i varur nga qendra. Boni atëherë nuk donte që unë të mbështesja në mënyrë aktive lëvizjen e refugjatëve. Unë kam patur pastaj, për ta thënë në mënyrë të zbutur, vështirësi tepër të mëdha me eprorët e mi politikë. Normalisht krimi më i madh i një diplomati është, kur nuk e bën atë, që i thuhet shprehimisht, por si në rastin tim, bën të kundërtën. Por ka edhe situata të tilla, kur nuk mban më përgjegjësi të drejtpërdrejtë para ministrit tënd, por para vetes dhe Zotit, dhe kjo ishte një situatë e tillë.

    DW: Nganjëherë njeriu pyet veten, si është e mundur që diktatura të tilla si ajo në Shqipëri, të jetojnë rehat, pa u bezdisur nga njëri për dekada të tëra. Dhe askush nga jashtë nuk interesohet të ndryshojë diçka.

    Daum: Për fat të keq bota në 25 vitet e fundit ka ndryshuar politikisht dhe nëse më pyesni mua personalisht, për të keq. Fundi i historisë është se vetëm një fuqi botërore konsideron, se duhet të përcaktojë fatet e kësaj bote. Kjo fuqi botërore e ndan botën në shtete dhe regjime, që e mbështesin atë dhe në të tilla, që nuk e mbështesin. Dhe për fat të keq koncepti i të drejtave të njeriut është zhvleftësuar, saqë fjala të drejta të njeriut përdoret për të kritikuar, apo për t’i margjinalizuar ato shtete, që nuk konkordohen politikisht me SHBA, dhe largohen sytë nga çdo formë e shkeljes të të drejtave të njeriut, nga shtypja e lirisë së mendimit dhe e lirisë se shtypit në ato shtete, që janë aleatë me SHBA.


    DW: Në vendet, ku keni shërbyer, krahas punës së diplomatit jeni marrë edhe me punë shkencore, keni bërë libra për historinë e traditat e Sudanit, të Jemenit, përmbedhje me përalla jemenite. Çfarë nevojitet për t’i bërë të dyja, disiplinë, përkushtim, dashuri?
    Daum: Po, falemnderit për fjalën, që thatë në fund. Kjo gjë kërkon shumë dashuri. Unë i kam dashur të gjitha vendet, ku kam qenë, pavarësisht nga regjimet politike, dhe kjo për arsyen se kam dashur njerëzit dhe sepse në të gjitha këto vende kam gjetur diçka fare të veçantë në historinë e tyre. Secili nga këto vende, që sapo përmendet, është krejt i veçantë, një individualitet unik, ashtu siç janë njerëzit individë të veçantë. Dhe pikërisht Shqipëria është një vend jashtëzakonisht mbresëlënës. Ajo, që më ka mbërthyer më së shumti në Shqipëri, është kultura bizantine, që deri atëherë e njihja vetëm nga këndvështrimi shkencor. Kulturën bizantine unë e kam jetuar të gjallë në Shqipëri me kishat, pikturat murale, ndërtimet, kështjellat, por edhe me mënyrën se si kultivohet bujqësia dhe në raportin me mjedisin natyror real. Kështu duhet të ketë jetuar perandoria bizantine, kështu njerëzit duhet të kenë besuar pak edhe te shpirtrat që jetonin në pyje, të cilët i kanë hedhur në afresket e mrekullueshme. Kjo më ka mrekulluar më së shumti në Shqipëri. Dhe natyra e mahnitshme, egërsia e alpeve, lumejtë në malet e larta, pyjet dhe të gjitha këto të mbajtura bashkë nga njerëzit, të cilët kishin një çiltërsi dhe ngrohtësi dhe një humanizëm, që nuk e prisje kurrë duke patur parasysh regjimin.

    DW: Domethëne jeni përpjekur që thelbin, të bukurën e një vendi t’ia bëni të njohur publikut gjerman?

    Daum: Kjo është njëra anë, ana tjetër është, se unë mësova atje jashtëzakonisht shumë. Ato që përjetova dhe pashë në Shqipëri, më prekën personalisht në shpirt. Më vonë jam marrë me studimin e tyre. Shqipëria më ka dhënë shumë me vete.

    DW: Më vonë keni organizuar një ekspozitë për Shqipërinë në Mynih dhe keni publikuar një libër mbi Shqipërinë.

    Daum: E përmenda, që historia e vendit më ka impresionuar. Dhe një pjesë e kësaj mahnitjeje ishte fakti, se sa pak dihej për Shqipërinë jashtë saj. Ishte një njollë në hartë, por unë po konstatoja, se sa histori kulture dhe arti fshihej në këtë copë tokë. Që në Tiranë mora vendim, që të bëja një ekspozitë për Shqipërinë. E thashë më parë, që përmes profesionit tim, edhe përmes profesionit tjetër timit, kisha lidhje me muzetë gjermane. Muzeu në Mynih u entuziazmua nga ideja për të bërë një ekspozitë për Shqipërinë. Unë që në kohën time në Shqipëri i kisha gjetur bashkëpunëtorët, intelektualët shqiptarë, që do të shkruanin për tema të ndryshme dhe kisha vizituar intensivisht me kuratorët muzetë dhe depot e artit, sidomos të ikonave dhe të artit popullor, duke bërë lista dhe fotografi të objekteve, që vinin në konsideratë për t’u ekspozuar. Pas ngjarjeve në ambasadën tonë në vitin 1990 Shqipëria jetoi vite të vështira, që nuk e bënin të mundur për të realizuar një projekt të tillë të madh dhe të shtrenjtë. Në vitet 90-të kam qenë pastaj disa herë në Shqipëri për të vazhduar me përgatitjen e ekspozitës. Më kujtohet mirë, kur kam qenë në Berat dhe se si kemi marrë nëpër duar të gjitha ikonat në qilarin e kalasë, në fund dukesha si afrikan, i mbuluar me një cm pluhur, ashtu si ikonat, por megjithatë e kisha mbushur bllokun me shënime. Ka zgjatur rreth 10 vjet, derisa në 2001 u hap ekspozita. Ajo përmbante një pjesë mbi prezantimin e historisë dhe kulturës së Shqipërisë dhe një pjesë të veçantë me prezantimin e artit të ikonave. Të dyja u pasqyruan në dy katalogje. Eskpozita qe shumë e suksesshme, pati 3200 vizitorë, pastaj ajo shkoi në Salzburg, e njëjta ekspozitë, ku edhe aty pati një numër të madh vizitorësh. Që andej shkoi në Torino, ku u eskpozua me shumë sukses me disa ndryshime. Besoj se patëm mundur t’u dhurojmë shumë njerëzve pak njohuri për bukurinë e këtij vendi të vogël Ballkanik.

    DW: Ndoshta prezantime të tilla ndihmojnë për të rritur edhe në Shqipëri vetëdijën për rëndësisn dhe vlerësimin e historisë e të vazhdimësisë?
    Daum: Ndoshta. Ekspozita entuziazmoi shumë vizitorë. Dhe unë shpresoj, ashtu siç e formuluat edhe ju, që edhe në Shqipëri t’u ketë dhënë njerëzve ndjenjën, se Shqipërinë jashtë nuk e shohin vetëm si vendin më të varfër të Evropës, por edhe si një vend, që ka kontribuar mjaft për kulturën evropiane dhe për historinë evropiane, jo vetëm me Skenderbeun.

    DW: Ndoshta i keni ndjekur zhvillimet politike në Shqipëri, si i vlerësoni ato si një vëzhgues i jashtëm?

    Daum: Për këtë nuk dua të them gjë, e them pa asnjë ironi, që politika nuk më ka interesuar kurrë në jetën time. Shqipëria ka statusin e vendit kandidat të BE, Shqipëria është anëtare e NATO-s, kjo është gjë shumë e mirë, por mendoj se gjërat thelbësore në jetën e vetë njerëzve, si dhe të vendeve dhe shteteve nuk qëndrojnë te politika, por tek rrënjosja brenda vetes, te mjedisi që njeh, te shpresat, që lidh me veten dhe familjen tënde, këto janë gjërat thelbësore dhe unë mendoj se një kishë bizantine në Shqipëri është më me vlerë se NATO dhe Bashkimi Evropian të marrë së bashku.

    DW: Vitet e kaluara ka patur raste të demtimit dhe të plaçkitjes së ikonave dhe kishave me vlerë kombëtare.

    Daum: Po e kam dëgjuar, për fat të keq. Kriminaliteti është një gjë e tmerrshme. Atë e shohim jo vetëm në Shqipëri, e shohim kudo në botë, është shumë e tmerrshme, se si shkatërrohen thesaret e artit nga kriminelët, që janë për mendimin tim më keq së vrasësit, sepse kur shkatërrohen veprat e kulturës janë të pazëvendësueshme.

    Radio DW

  4. #34
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada



    ABCNEWS

  5. #35
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada



    Opinion, TV Klan

  6. #36
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada

    2 korriku - befasi për regjimin komunist

    Ngjarjet e ambasadave në Tiranë, në korrik të vitit 1990, treguan qartë se regjimit komunist në Shqipëri po i rrëshkisnin frerët nga duart. Luan Rama në atë kohë ishte punonjës në Ministrinë e Jashtme.

    shte koha kur Shqipëria po bënte përpjekjet e para për të dalë nga koraca e hekurt e bunkerit komunist. 20 vjet më parë, në korrik të vitit 1990, të rinjtë vërshuan drejt ambasadave të huaja në Tiranë për t'i thënë lamtumirë diktaturës dhe për të dalë në një botë të lirë e demokratike.

    Strukturat qeveritare nuk mundën ta menaxhonin atë krizë dhe të ndalnin revoltën masive.

    Luan Rama, ish-punonjës në Drejtorinë e Shtypit, në Ministrinë e Jashtme, flet për këtë tronditje të shoqërisë shqiptare:
    « Ne sapo kishim filluar punën në Ministrinë e Jashtme (Drejtoria e Shtypit) dhe po përjetonim një moment mjaft interesant të kohës, një lloj « liberalizimi ». Kishim kontakte të vazhdueshme me gazetarët e huaj dhe me agjensitë e ndryshme : gjermane, austriake, franceze, italiane, greke, angleze, spanjolle, amerikane etj. Në këtë kohe filloi nje lloj lëshimi nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe u pranuan më shumë gazetarë të huaj. Informacioni qarkullonte më lirë. Nga një anë Ramiz Alia kërkonte të jepte pamjen e një liberalizimi të regjimit, por, me sa duket, ai ishte në një lloj dyluftimi me forcat konservatore që nuk pranonin asnje lloj lëshimi. »

    Informacionet vinin nga mediat e huaja

    Në shtypin vendas nuk kishte informacion për atë çka ndodhte, megjithatë njerëzit, përmes stacioneve të huaja radiofonike në gjuhën shqipe, si dhe prej televizioneve të huaja : italiane, greke si dhe ish-televizioni jugosllav, merrin lajmet më të fundit. Kishte disa intelektualë që flisnin me zë të hapur.
    Kadare jepte informacione të vazhdueshme në intervistat e tij për situatën. Ngjarjet e kohës së rënies së Murit të Berlinit influencuan shumë edhe në Shqipëri. Me gjithë censurën që ekzistonte, një pjesë e informacionit kalonte. Ishin disa akte të «Komitetit te Helsinkit » apo te « Amnesty International », të cilat e akuzonin Shqipërine për shkelje të të drejtave të njeriut.

    Luan Rama pohon se edhe vetë Presidenti Ramiz Alia, u detyrua të bëjë disa lëshime :

    « Në këtë prizëm ishte edhe kontakti i parë që u zhvillua me Sekretarin e Përgjithshem të OKB-së, Peres De Kuelar, i cili erdhi në Shqipëri.
    Unë kam qenë në Ministrinë e Jashtme në atë kohë. Kishte një predispozicion për të bërë hapa përpara në drejtim të lirisë së qarkullimit dhe informimit, por duhet thënë se të gjitha këto ishin të detyruara. Ishte një ide dhe një detyrim, që bëhej në bazë të një presioni të madh publik e politik ndërkombëtar. Shqipëria ishte një vend shumë i varfër dhe kishte nevojë për ndihma ekonomike. Në kushtet e një mizerje totale ekonomike, pa dyshim që politikanët shqiptarë nuk kishin se ç'të bënin tjetër veçse të shkonin drejt liberalizimit. »

    Tensioni rritet me dyndjen në ambasada

    Pikërisht në periudhën e nxehtë të 2 korrikut, gradët e temperaturës u rritën edhe nga një tension tjetër, nga dyndja e shumë qytetarëve, sidomos e të rinjve, në ambasadat e huaja në Tiranë: Luan Rama, jo vetëm në profilin e një zyrtari, por edhe nën peshën e ndërgjegjes së një letrari nuk mund të rrinte pa i fiksuar këto ngjarje edhe në ditarin e tij personal:
    « Në atë periudhë kam mbajtur një ditar.
    1 korrik : “Gjëndja është e turbullt. Së shpejti këtu do të publikohet ligji ri i vizave dhe pasaportave. Çdo njeri do të ketë të drejtën për të dalë jashtë. Por shumë njerëz nuk besojnë.”
    2 korrik: “Që nga largimi i Popajve njerëzit janë të pakënaqur, kanë marrë krah, e kuptojnë se nuk ka një rrugëzgjidhje për ta dhe rrugëzgjidhja e vetme janë ambasadat. Para dy ditësh ishin futur nja 7-8 vetë tek ambasada turke. U ra dakort që t'i nxirrnin, t'u jepnin pasaporta dhe të iknin etj”
    Në datën 3 korrik shkruaj : “Sot hyrja u la e lirë, policët u thoshnin njerëzve të mos hyjn ënga muret, por nga porta, se nuk do t'i prekte njeri. Doli dekreti që çdo shtetas mund të shkojë në një ambasadë për të marrë viza. Dyndja ishte e madhe. »
    Në datën 6-7 korrik në Shqipëri mbërrin suedezi Staffan de Mistura, i dërguari special i Sekretarit të pergjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, për të rregulluar të drejtën e lirisë së qarkullimit të njerëzve përtej kufirit. Ndërhyrja e OKB-së ishte vendimtare në atë moment. Ambasadat perëndimore në Tiranë ishin shumë të predispozuara për të ndihmuar, por në pararojë ishte Ambasada Gjermane. Zoti Rama, duke qenë në Ministrine e Jashtme të Shqipërisë nuk mund të linte pa parë nga afër angazhimin e madh të ambasadorit gjerman, Werner Daum :
    «Tani njerëzit po futeshin me mijëra, sidomos në Ambasadën Gjermane. Kjo e zuri në befasi regjimin. Ishte një lloj tronditje që vinte nga lart, deri në Ministrinë e Jashtme. Aty kishte një pritje të jashtëzakonshme nga ana e autoriteteve gjermane. Kishte familje që kërkonin njerëzit e tyre. Mbaj mend se në datën 10 korrik ambasadori gjerman, Werner Daum erdhi në Ministri dhe bëri një presion të jashtëzakonshëm lidhur me mbrojtjen e refugjatëve, që njerëzve t'u jepeshin pasaportat e vizat. Mbaj mend një skenë mjaft filmike. Një nënë malësore kishte ardhur në Tiranë. Ajo kishte kërkuar të takonte të birin e saj, por nuk arriti dot. Në momentin që Daumi po dilte nga ambasada, kjo nënë, e irituar, në revoltim e sipër i theu xhamin e makinës se i kërkonte të birin e nuk merrte një përgjigje. Kjo nënë do ta ketë kuptuar më vonë se cili ishte akti i madh i Daumit, i Ambasadës Gjermane dhe i Gjermanisë, që në atë kohë mbronin fatin e refugjatëve. Ata e shikonin këtë lëvizje si një prelud për lirinë e ardhshme të Shqipërisë. »

    Spontanaitet me burim te revolta popullore

    Gjithçka ishte spontane, por ky spontanitet u krijua nga një revoltë dhe zemërim i thellë popullor. Njerëzit ishin të pakënaqur. Kërkonin dritë, kërkonin të lëviznin.
    Diplomati e publicisti Luan Rama ka shumë mbresa, informacione e fotografi për ngjarjet e asaj kohe. Nga ditari i tij veçojmë njërën prej tyre. :
    « Në Ministrinë e Jashtme, në atë kohë kur përgatiteshin pasaportat, që këta njerëz të mund të iknin, midis fotografive që kam parë ishte edhe ajo e një spikereje të njohur të Televizionit Shqiptar. Ajo guxoi të largohej nga Shqipëria me idenë se kjo ishte një protestë kundër regjimit. Ja se çfarë unë shkruaj për këtë fakt : E titulloj :« Bonjour tristesse ! » - « Mirëdita trishtim ! » … »
    Ngjarjet e korrikut tronditën shoqërinë shqiptare. Në to morën pjesë njerëz të thjeshtë, njerëz të vuajtur, njerëz të protestës, njerëz që kishin përjetuar dhunën e një sistemi diktatorial. Ato ngjarje patën një rrezatim shumë të madh dhe, pa dyshim, ishin shkëndijat e para që i dhanë shtytje një lëvizjeje më të madhe drejt lirisë dhe një jete të re.

    Autor: Artan Kutra/Paris
    Redaktoi: Auron Dodi

    DW

  7. #37
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada

    Familja e parë shqiptare që u ngujua në një ambasadë të huaj

    Emri:  180184.jpg

Shikime: 1946

Madhësia:  51.3 KB

    Teksa të gjithë shqiptarët sot përkujtojnë 25-vjetorin e dy korrikut, ditën kur u hapën ambasadat, pak kush u kujtua për pjesëtarët e familjes Popa nga Durrësi, të cilët pesë vite para se të niste eksodi i shqiptarëve ishin ngujuar në ambasadën italiane.

    Ishte data 12 dhjetor i vitit 1985, kur 6 pjesëtarët e familjes Popa mundën të futeshin në ambasadën italiane në Tiranë, në të cilën do të qëndroni për plotë pesë vite, duke i shkaktuar jo pak telashe regjimit komunist.

    Nermini dhe Zhaneta Popa janë pjesëtarët e vetme të familjes të mbetura gjallë, pasi dy motrat e tjera dhe dy vëllezërit që janë personazhet e kësaj historie kanë ndërruar jetë.

    Dy motrat jetojnë në Durrës në një banesë në periferi të qytetit, teksa vizita e grupit të xhirimit të televizioni A1 Report ishte një surprizë për ta.

    Dy të moshuarat pasardhëse të një familje të njohur durrsake vendosën që të flisnin jashtë banesës për historinë me ambasadën, teksa Nermini e cila mban në kokë një kapele me simbole të partisë demokratike rikujton për A1 Report edhe njëherë atë ngjarje.

    Nermini që po shkon pranë të 80-tave në intervistë për A1 Report rrëfen detaje të panjohura më parë për mënyrën se si mundën të fusteshin në ambasadë, duke ditur kushtet e sigurisë së regjimit komunist.

    Pas takimit me ambasadorin italian, pjesëtarët e familjes Popa që prej 20 vitesh ishin në internim kërkuan të shkonin në Itali, por pala shqiptare nga ana e saj e kundërshtonte ashpër këtë kërkesë, duke kërcënuar më prishje të marrëdhënieve me palën italiane.

    Pritja për të mbërritur në Itali zgjati plot pesë vite, ndërsa çështja u ndërkombëtarizua veçanërisht nga media italiane, ndërsa pas ndërhyrjes së sekretarit të përgjithshëm te OKB -se, Perez de Kuelar, qeveria shqiptare pranoi t’i lejonte pjesëtarët e familjes Popa të shkonin në Itali.

    Para hyrjes së 6 anëtarëve të familjes Popa në ambasadë dy fëmijë të tjerë të kësaj familje kishin mundur të dilnin jashtë vendit në vitin 1952.

    Familja Popa ishte internuar nga Durrësi në fshatin Kullë pasi babai i tyre ish farmacist i njohur në Durrës ishte bashkëpunëtor i fashistëve italiane.
    Italia nuk qëlloi toka e premtuar për 6 pjesëtarët e familjes Popa, pasi ata u kthyen shumë shpejt në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist.

    Shqiptarja

  8. #38
    i/e regjistruar Maska e taku72
    Anëtarësuar
    23-11-2011
    Vendndodhja
    tirane
    Postime
    115

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada

    Per mbremjen e 2 korrikut ne rrugen e kavajes zoteria ne fjale pervec se qelloi ne ajer me pistolete e shoqeroi dhe me fjale : Shpejt more se na moren pushtetin Ishte nje situate e tensionuar dhe pati arrestime te shumta

  9. #39
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    25-09-2002
    Vendndodhja
    Mudder
    Postime
    447

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada

    Nuk do ishte keq qe ti rrasen edhe nje here atyre ambasadave ky popull

  10. #40
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,025
    Postimet në Bllog
    22

    Për: 2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada

    FOTOT/ 31 vite nga shembja e murit të ambasadës, Presidenti Meta kujton ditën e eksodit masiv të shqiptarëve. Ja mesazhi pas takimit me ‘heroin’ e ngjarjeve të 2 korrikut 1990

    Emri:  pjimage-2021-07-02T151119.377.jpg

Shikime: 640

Madhësia:  82.6 KB

    Emri:  WhatsApp-Image-2021-07-02-at-1.47.43-PM.jpg

Shikime: 645

Madhësia:  33.2 KB

    Për të kujtuar këtë ditë, Presidenti Ilir Meta, priti në ambientet e Presidencës Yllbardh Bodinakun, i cili u bë shqiptari i parë që hyri në Ambasadën Gjermane, i hipur në kamionin e tij duke shembur murin e saj.

    Ky gjest për kreun e shtetit, shërbeu atë ditë për të hapur “një dritare shprese, guximi dhe lirie për mijëra shqiptarë, pas dekadash terrori dhe izolimi total”.

    “Me rastin e 31-vjetorit të eksodit masiv të mijëra shqiptarëve, të cilët në 2 korrik 1990 u strehuan në selitë e ambasadave të huaja në Tiranë, pata sot kënaqësinë dhe nderin e veçantë t’i akordoj “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Heroit të veçantë të ngjarjeve të asaj dite, z.Yllbardh Bodinaku, i cili me ‘Skodën’ e tij, hyri në historinë e Shqipërisë për aktin e pashembullt të vetëmohimit, trimërisë dhe të guximit qytetar, duke i dhënë një goditje të fortë diktaturës, me shembjen e ‘murit shqiptar të Berlinit”, për të hapur një dritare shprese, guximi dhe lirie për mijëra shqiptarë, pas dekadash terrori dhe izolimi total”, shkruan Presidenti Meta në një postim në rrjetet sociale.

    Sipas kreut të shtetit, ende sot, ëndrra e shqiptarëve për ta bërë vendin si gjithë Europa është ende e paplotësuar.

    “Ëndrra e një Shqipërie si e gjithë Europa vazhdon ende e paplotësuar edhe pas tre dekadash. Ndaj sot është edhe një ditë angazhimi, që të punojmë më fort, me vendosmëri dhe me përgjegjshmëri maksimale për të shlyer këtë detyrim, që i kemi brezit të atyre viteve.

    Njëkohësisht, për të përmbushur detyrimin, që kemi ndaj rinisë tonë sot, për të pasur një Shqipëri plotësisht europiane, ku mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, të lirë dhe me standarde perëndimore.

    Liria ndërtohet mbi guximin. Ndaj ne i jemi gjithmonë mirënjohës z.Bodinaku, por edhe të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët treguan një guxim të jashtëzakonshëm më 2 korrik 1990 për të dhënë dhe një mesazh të madh frymëzimi, për të rrëzuar çdo mur dhe për të kapërcyer çdo pengesë, që na ndan nga Europa e Bashkuar, në çdo kohë.

    Mirënjohje heronjve dhe guximtarëve të 2 Korrikut!
    E ARDHMJA U PËRKET GUXIMTARËVE GJITHMONË!”, shkruan Meta.

    Ndërkohë, kreu i shtetit ka sjellë shembullin e djalit të Yllbardh Bodinakut, i cili 31 vite më parë, më 2 korrik, kur babai i tij shembi murin e ambasadës, ishte vetëm 3 muajsh.

    Sot, ai nuk mendon të largohet nga Shqipëria.

    Emri:  rr2.jpg

Shikime: 663

Madhësia:  33.7 KB

    “Më 2 korrik 1990, Rikeli hyri 3 muajsh në Ambasadën Gjermane, me “Skodën” e babait të tij, Ylli Bodinaku, që shembi “murin shqiptar të Berlinit”.

    “Foshnja” e Demokracisë sot është 31-vjeç dhe nuk mendon të largohet nga Shqipëria, kjo falë edhe përpjekjeve të palodhura të babait të tij, që pas disa viteve pune në Gjermani, u kthye dhe qëndron në Atdhe, sepse qëllimi i tij është që Rikeli të vazhdojë të punojë dhe të ndërtojë të ardhmen e sigurt europiane në Shqipëri, së bashku me të gjithë gjeneratën e tij.

    Ky duhet të jetë qëllim i përbashkët dhe angazhimi i të gjithëve sot në këtë 2 Korrik!” thekson kreu i shtetit.

    Panorama

Faqja 4 prej 5 FillimFillim ... 2345 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 07-10-2018, 06:00
  2. Përgjigje: 131
    Postimi i Fundit: 13-02-2014, 18:12
  3. Duan shqiptaret te hyjne ne BE?
    Nga Robbery në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 13-11-2011, 20:27
  4. 2 korrik 1990 - 2 korrik 2010!
    Nga DYDRINAS në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 28-12-2009, 03:10
  5. Ambasadat 1990
    Nga Tironcja_BLN në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 19-04-2008, 14:43

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •