Prokurori i Antimafias italiane e ka vlerësuar paketën ligjore, që pritet të kalojë në shtator në parlament

Vinja: Krimi i organizuar është i lidhur me politikën


Ardita Hysa

TIRANË – “Nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Të gjitha format e krimit të organizuar, kudo që ndodhen, mundohen të kenë marrëdhënie dhe mbështetje nga bota e sipërmarrësve dhe e politikës”. Kreu i Antimafias italiane, Pierluixhi Vinja, pohoi para mediave shqiptare se krimi i organizuar ka lidhje me politikën, ndaj edhe quhet i organizuar. Konferenca e përbashkët për shtyp e ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafa dhe e prokurorit të Antimafias, Vinja, nuk ka zgjatur më shumë se një pyetje dhe një përgjigje, pasi përfaqësuesi italian duhej të merrte avionin në orën 12.00. Vinja, i shoqëruar nga zëvendësi i tij Françesko Mandoi ishin për një vizitë dyditore në vendin tonë dhe gjatë gjithë takimeve të tyre me përfaqësuesit e Qeverisë Shqiptare u diskutua paketa e re ligjore “Antimafia”. Hetuesi i vjetër italian e ka vlerësuar si shumë të mirë këtë paketë ligjore, për të cilën kanë kontribuar edhe ekspertët italianë. Ligjet e reja tashmë pritet vetëm të përgatiten, për të kaluar në parlament. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, kjo paketë ligjore pritet të miratohet në shtator të këtij viti në parlament.
Ligji
Me konkretizimin dhe funksionimin e ligjeve të reja, Vinja parashikoi shumë shpejt efektet që do të sjellin ato në jetën sociale të vendit dhe proceset e demokratizimit. Paketa ligjore “Antimafia”, e financuar nga projekti CARDS i Bashkimit Evropian ka për qëllim minimizimin e veprimtarive kriminale në Shqipëri me anë të reformave ligjore. Ligjet e reja kanë parashikuar jo vetëm forcimin profesional të strukturave që do ta godasin krimin si polici, gjykata dhe prokurori, por ka përfshirë edhe disa praktika deri tani të panjohura si mbrojtja e dëshmitarëve dhe ulja e dënimit për bashkëpunëtorët e drejtësisë. Vinja ka vlerësuar gjatë vizitës së tij të fundit, sidomos momentin e sekuestrimit të pasurive të krimit dhe kthimit të tyre në dobi të komunitetit. “Nuk mund ta fsheh befasinë dhe komplimentet e mia për kohën e shkurtër të hartimit të kësaj pakete ligjore”,- u shpreh ai. Ndërsa ministri Xhafa, pasi dha vlerësimet e tij rreth bashkëpunimit të deritanishëm institucional mes Drejtorisë Kombëtare të Antimafias së Italisë dhe strukturave të sistemit të drejtësisë shqiptare, lajmëroi edhe për një vizitë të tij shumë të shpejtë në Itali. Më 15 dhe 26 korrik të këtij viti, ministri së bashku me kryeprokurorin Theodhori Sollaku, pritet të takojnë ministrin italian të Drejtësisë, senator Kastelin.
Marrëveshja
Më parë, Xhafa i është drejtuar Kastelit me anë të një letre për mundësitë e nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe, sipas të cilës do të merrnin zgjidhje një sërë problemesh si: strukturat e përbashkëta të hetimit dhe procedurat përkatëse të bashkëpunimit, asistenca në trajtimin dhe mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë gjatë hetimeve dhe proceseve gjyqësore, përdorimi i mënyrave bashkëkohore të marrjes së dëshmive në distancë si videokonferencat etj. Takimi i ardhshëm ndërmjet krerëve të drejtësisë së dy vendeve, pritet të jetë vendimtar për këtë marrëveshje. Lidhur me paketën “Antimafia”, Xhafa u shpreh dje se me miratimin dhe hyrjen në fuqi të legjislacionit kundër krimit të organizuar, fillon një etapë tjetër e vështirë për institucionet shqiptare. Zbatimi në praktikë i dispozitave që përmban ky legjislacion do të kërkojë një asistencë dhe mbështetje në të ardhmen nga Drejtoria Kombëtare Antimafia si dhe struktura të tjera të rëndësishme të drejtësisë italiane.