Julian Llupo

Skema, si do t'i shpenzojë qeveria milionat e BK-së

126 milionë dollarët e marrë nga privatizimi i Bankës së Kursimeve do të përdoren për investime publike dhe për financimin e deficitit buxhetor, ndërsa ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit kanë mbetur jashtë kësaj shtese në buxhet. Opozita: ”Mënyra e shpërndarjes së këtyre parave ka synim përfitime politike”

Financim i deficitit buxhetor dhe investime në sektorët prioritarë, kjo do të jetë edhe skema e përdorimit të fondeve që qeveria ka përfituar nga privatizimi i Bankës së Kursimeve. Këtë shpërndarje të ardhurash parashikonte projektligji i miratuar në seancën e djeshme parlamentare për buxhetin suplementar. Opozita nuk ka qenë dakord me mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve dhe ka votuar kundër tij. Deputetët e opozitës kanë kërkuar që fondet publike të përfituara nga privatizimi i BK-së të përdoren në ato drejtime të ekonomisë ku edhe nevoja është më e madhe.
Ministri i Financave Arben Malaj ka deklaruar dje në Parlament se fondet e përfituara nga BK-ja do të përdoren në një masë të barabartë për financimin e huamarrjes së brendshme nga qeveria, si dhe për investime publike. Malaj ka theksuar edhe njëherë se nga privatizimi i BK-së nuk do të ketë asnjë lekë për kompensimin e ish-pronarëve dhe shpërblimin e të përndjekurve politikë.
Opozita nuk ka qenë dakord me mënyrën e shpërndarjes së fondeve të përfituara nga privatizimi i BK-së. Ata e kanë vlerësuar shpërndarjen e këtyre parave në favor të përfitimeve politike për zgjedhjet e vitit 2005. “Ne kërkojmë që 126 milionë dollarët e privatizimit të BK-së të përdoren në një masë të plotë për financimin e deficitit buxhetor, ose të shkojnë për mbylljen e borxheve të mbartura që shteti shqiptar ka ndaj kategorisë të të përndjekurve dhe atyre të ish-pronarëve”, - u shpreh Ridvan Bode, deputet i Partisë Demokratike. Ai e ka vlerësuar vendimin e qeverisë për të hedhur rreth 63 milionë dollarë në investimet publike thjesht një vendim politik, i cili ka për qëllim të gënjejë elektoratin në prag të zgjedhjeve.
126 milionë dollarët shtesë që buxheti i shtetit ka përfituar nga privatizimi i BK-së për gjashtë muajt e mbetur të vitit 2004 pritet që të kenë një impakt pozitiv në zhvillimet ekonomike në vend. Gjysma e kësaj shume do të përdoret për uljen e huamarrjes së brendshme dhe pjesa tjetër do të përdoret për investime në sektorët strategjikë të ekonomisë. Ministri i Financave Arben Malaj ka paraqitur dje në Parlament edhe planin për investimet që do të ndërmerren me shtesën e re në projektbuxhet.

Pushteti gjyqësor
Me krijimin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka dalë si një detyrë e qeverisë që të krijohet edhe mundësia për funksionimin normal të këtyre institucioneve. Këto dy institucione përfitojnë një shumë totale prej 125 milionë lekësh, përkatësisht 100 milionë dhe 25 milionë secila.

Prioritetet e buxhetit suplementar
Ministria e Transporteve është edhe më e privilegjuara në ministritë e linjë për sa i përket buxhetit suplementar. Ajo ka thithur nga fondi i privatizimit të Bankës së Kursimeve rret 3. 791 miliardë lekë. Këto fonde do të shkojnë për përfundimin e rrugëve, si dhe për mirëmbajtjen e tyre. Ministri i Financave ka kërkuar gjithashtu që të trajtohen në mënyrë specifike me anë të këtyre fondeve shtesë rrjeti i ujësjellësve. Riparimi i këtij rrjeti është vlerësuar edhe si një nga detyrat prioritare të Ministrisë të Transporteve. Sektor tjetër i rëndësishëm dhe prioritar në këtë projektbuxhet është vlerësuar edhe shëndetësia. Ministria e Shëndetësisë ka përfituar në total një shtesë që shkon në rreth 800 milionë lekë. Këto fonde do të shkojnë për përfundimin e investimeve strategjike në këtë sektor. Dy fushat e tjera në të cilat qeveria ka menduar që të investojë në këto muaj të mbetur të këtij viti janë arsimi dhe turizmi.

Bujqësia, sektori “i vonuar”
Në buxhetin suplementar nuk është parashikuar asnjë lekë investim në sektorin bujqësor. Bujqësia edhe kësaj here ka mbetur jashtë skemave të financimit. Shkaku kryesor i kësaj harrese të sektorit bujqësor nga ana e qeverisë duket se është mundësia që ofron ky sektor për të kthyer rezultatin e investimeve të kryera. Dihet se sektori bujqësor është sektori kryesor i ekonomisë shqiptare, por për sa i përket zhvillimit duket se në këtë drejtim mbetet shumë për të bërë.

Ja ministritë që përfitojnë 6.5 miliardë (BOX)
Ministri i Financave Arben Malaj ka paraqitur dje në Parlament edhe ministritë të cilat përfitojnë edhe pjesën kryesore të 6.5 miliardë dollarëve të cilat do të përdoren për investime publike. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve shkojnë në drejtim të Ministrisë të Transporteve. Kjo ministri ka përfituar një shumë prej 3.790 miliardë lekësh. Gjithashtu, si sektorë prioritarë janë vlerësuar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka përfituar 800 milionë lekë; Ministria e Arsimit dhe Shkencës 570 milionë lekë dhe Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit 714 milionë lekë.

Pronarët dhe të përndjekurit politikë nuk përfshihen në këtë shtesë të buxhetit (ANASH)
Ish-pronarët nuk do të përfitojnë asnjë lekë nga privatizimi i Bankës së Kursimeve. Këtë e ka bërë të ditur dje ministri i Financave Malaj gjatë paraqitjes së shpërndarjes së fondeve të buxhetit suplementar në Parlament. Ish-pronarët të cilët pas miratimit dje të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” fitojnë të drejtën për kthim dhe kompensim të pronës, nuk do të përfitojnë nga privatizimi i Bankës së Kursimeve. Ministri i Financave Malaj është shprehur se nuk mund të ketë një zë në buxhetin suplementar për kompensimin e ish-pronarëve kur ligji parashikon që fillimi i procesit të kompensimit do të fillojë pas një periudhe dyvjeçare. Në këtë mënyrë në projektbuxhetin suplementar që do të zbatohet për gjashtë muajt në vazhdim, parashikohet një zë i veçantë në të cilin përfshihen shpenzimet e nevojshme për funksionimin e komitetit shtetëror të kthimit dhe kompensimit të pronës, si dhe shpenzimet për funksionimin e komisioneve vendore. Nga privatizimi i Bankës së Kursimeve nuk do të përfitojnë as të përndjekurit politikë. Kjo për shkak se ligji i cili përcakton edhe skemën e financimit të kësaj shtrese të shoqërisë, nuk është miratuar ende në Parlament

Malaj: ”Buxheti suplementar dhe impakti pozitiv që do të ketë ai në ekonomi”
Ministri i Financave Arben Malaj ka vlerësuar si optimale shpërndarjen e fondeve prej 126 milionë dollarësh të përfituara nga privatizimi i BK-së. Ai e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm dhe njëkohësisht stabilizues për situatën makroekonomike uljen e financimit të brendshëm me rreth 63 milionë dollarë për gjashtë muajt e mbetur të vitit 2004. “ Ulja e huamarrjes shtetërore do të krijojë një mundësi reale për një zhvillim të shpejtë të sektorit privat“, - tha Malaj. Gjithashtu, ministri i ka vlerësuar mjaft të rëndësishme edhe investimet e parashikuara në sektorët, transport, shëndetësi, arsim dhe turizëm, investime të cilat kapin vlerën e 63 milionë dollarëve amerikanë. Ai ka kërkuar një impenjim maksimal nga ana e ministrive të linjës në mënyrë që investimet e parashikuara në sektorët strategjikë të përfundohen brenda vitit 2004.

Bode: ”Fondet e përfituara nga privatizimi i BK-së të përdoren për mbylljen e borxheve”

Deputeti demokrat Ridvan Bode e ka quajtur shpërndarjen e parave të privatizimit të BK-së thjesht një alokim që ka si synim kryesor përfitimet politike. Ai ka kërkuar nga ana e deputetëve që të kundërshtojnë planin e shpërndarjes të të ardhurave të paraqitur nga qeveria. “Me anë të këtij plani shpërndarje nuk kërkohet gjë tjetër veçse të rizgjidhen disa deputetë të mazhorancës në zgjedhjet e ardhshme”, - u shpreh Bode. “Në këtë mënyrë kjo qeveri kërkon që me anë të disa metrave më shumë asfalt kërkon që të marrë disa vota më shumë, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe gjendjen e mjeruar të shumicës së popullsisë”, - tha ai. Bode ka kritikuar edhe mënyrën se si qeveria ka vendosur t’i shpërndajë këto fonde në zona të ndryshme të vendit. Ai e ka quajtur të padrejtë faktin që në kryeqytet qeveria ka investuar rreth dhjetë herë më shumë investime publike për frymë, duke lënë në harresë zonat e tjera të vendit.