Faqja 11 - AKTUALITET Korrik 1, 2004 Gazeta Shqiptare
SHQIPERIA E TRETA NE LISTEN ZYRTARE, POR E PARA REALISHT
940 shqiptarë të kthyer në 3 muaj
Angli, publikohet raporti i azilkërkuesve të dëbuar
--------------------------------------------------------------------------------
Nga Londra, Muhamed Veliu
ANGLI
Ministria e Brendshme Angleze, Home Office, nëpërmjet një raporti të detajuar ka publikuar shifrat e azilantëve të dëbuar nga Anglia. Gazeta Shqiptare ka arritur të sigurojë një kopje të tij, ku për herë të parë në pesë vitet e fundit mësohet zyrtarisht se sa është numri i shqiptarëve të deportuar nga shteti ishullor. Shifrat që i përkasin 3-mujorit të parë të vitit 2004 tregojnë se numri total i të deportuarve, krahasuar po me të njëjtën periudhë të vitit 2003, është rritur 27 për qind. Në top listën e 10 vendeve me numrin më të madh të depotuarve renditen disa vende të Eupopës Lindore, të cilat, marrë së bashku, përbëjnë 53 për qind të totalit të të deporturave. Në listën e dhjetë vendeve me numrin më të madh të azilantëve, të cilët janë riatdhesuar, Shqipëria zë zyrtarisht vendin e tretë me 190 azilantë të kthyer. Ndërsa vendin e parë e zë Serbia dhe Mali i Zi me 470 azilantë, pasuar nga Iraku me 205 vetë.
"Për tremujorin e parë të 2004-ës 3320 personave 'single' u është refuzual azili në Angli", thuhet në raport. Aplikantët e dështuar janë ndaluar nga oficerët e emigracionit kudo ku ata kanë pasur rastin t'i kapin dhe më pas janë dërguar për në vendet e tyre të origjinës. Duke ekzaminuar kërkesat për azil në Angli, raporti bën të ditur se numri i aplikimeve gjatë periudhës janar-mars 2004 ka rënë me 17.5 për qind. Nëse kjo shifër qëndron në të njëjtin nivel edhe në muajt në vazhdim, do të shënojë uljen më drastike të aplikimeve që nga viti 1998, ku "Home Office" tha se kërkuan azil rreth 46 mijë persona. Jo vetëm kaq, nga ky raport zyrtar ka dalë në pah edhe numri i personave të dëbuar për vitin 2003, ku numërohen gjithsej 13190 pesona, ku në top listën e 5 vendeve renditen Serbia e Mali i Zi me 2265 vetë, Republika Çeke 840, Afganistani 715, Rumania 700 dhe Shqipëria me 700 persona. Po t'i shtosh kësaj shifre dhe 17135 familje të deportuara po këtë vit, totali i deportimve për 2003-in arrin në 30325 azilantë.
Shqiptarët
Nuk është aspak e rastësishme prezenca në vend të tretë e shtetasve shqiptarë, të cilët janë përfshirë në "fshesën" angleze. Raporti tregon se 190 shtetas shqiptarë kanë provuar shijen e hidhur të riatdhesimit. Në fakt, kjo është vetëm maja e ajzbergut, pasi, kur dihet që shumica e shqiptarëve në Angli janë regjistruar si shtetas kosovarë me nacionalitet Serbinë e Malin e Zi, i bie që kjo shifër të jetë tri herë më e lartë se ajo që thuhet në raport. Në numrin prej 750 personash të deportuar për në Serbi dhe Mal të Zi, shumica e tyre janë shtetas shqiptarë dhe vetëm një pakicë shqiptarë etnikë nga Kosova. Të gjithë këta janë përcjellë me aeroplanë për në aeroportin e Prishtinës. Një përthyese shqiptare, që punon në një qendër detencioni në Londër, u shpreh për Gazetën disa kohë më parë se "çdo të enjte nga aeroporti i Gartwikut në Londër niset një avion 80 vendësh me shtetas shqiptarë për në Prishtinë".
"Fshesa" angleze
Nëse një emigranti i vjen refuzimi i kërkesës së bërë për azil, ai ka të drejtë që ta apelojë këtë vendim brenda dy javësh. Shumë nga ata i kanë fituar apelet, por numri i atyre që i humbin ato po rritet dita-ditës, si rezultat i stabilitetit politik të vendeve nga ku ata kanë pretenduar se u janë shkelur të drejtat. Një humbje e gjyqeve të apelit do të thotë që një person do të kthehet në vendin e origjinës. Shumë emigrantë më pas kalojnë në të zezë. Ata nuk mund t'i fshihen policisë me asnjë mënyrë, pasi gjatë kontrolleve oficerët e emigracionit mbajnë me vete një kompjuter portable, ku emigranti vendos gishtin e madh dhe atje del nëse ai duhet të lërë vendin apo jo. Operacionet e "gjuatjes" së emigrantëve janë intensifikuar dukshëm në lagjet ku ka më shumë të tillë, si në stacionet e trenit, në rrugë, trena, autobuzë apo në banesa, kryesusht në lagjet "Wood Green", "Barking Essex", "Ilford Essex", "Acton".
Projektligji i ri anglez ndalon ndihmën sociale për azilantët
Pas pak ditësh një ndryshim i ashpër pritet në ligjin për emigracionin, propozuar nga ministri i Brendshëm britanik, David Blunkett, i cili do të prekë edhe azilantët shqiptarë. Projektligji, i cili, nëse do të bëhet ligj, thotë se "azilkërkuesit, të cilët kanë marrë përgjigje negative për kërkesën e qëndrimit dhe nuk mund të largohen për në vendet e origjinës, rrezikojnë t'u ndërpriten ndihmat sociale". Por, sipas projektligjit që mendohet t'i kalojë Parlamentit, parashikohet që kjo kategori azilkërkuesish të kryejë punë të ndryshme për të siguruar jetesën. Sipas gazetës "The Sun" mësohet se azilkërkuesit e "dështuar" do të kryejnë "community work", punë në komunitet, që do të shpërblehet me vazhdimin e marrjes së ndihmave sociale. Ata do të sigurojnë jetesën e tyre duke pastruar muret e zhgarravitura me bojë (graffiti) nga fëmijët, si dhe do të merren me pastrimin e plehrave nëpër qytete. Masat e reja të propozuara në projektligjin e ri do të prekin të gjithë ata azilantë të cilëve u është refuzuar qëndrimi në Britaninë e Madhe. I gjithë qëllimi i kësaj nisme të re, ndërrmarrë nga ministri Blukett, është dhënia fund e shpenzimeve milionapaundëshe nga azilantët e dështuar, dhe angazhimi i tyre në punë, duke dhënë kontributin e tyre në shoqërinë angleze.
Krijoni Kontakt