NE QENDREN EMANUEL NE DITEN BOTERORE KUNDER DROGES
"Më shumë përdorues fëmijë intelektualësh"
--------------------------------------------------------------------------------
Agime Kastrati
TIRANE
Dita Botërore kundër Drogës e gjen Shqipërinë me plot 40 mijë përdorues të drogave të ndryshme. Në rrjetin famëkeq të helmit vdekjeprurës janë përfshirë kryesisht të rinjtë. Ndërkohë që vetëm në Tiranë janë 10 mijë përdorues. Një e katërta e tyre janë përdorues të drogave intravenoze. Në një raport të Qendrës për Zvogëlimin e Dëmit "Aksion Plus" thuhet gjithashtu se mosha mesatare e përdoruesve është 18-24 vjeç, me grupe më të rrezikuara adoleshentët, romët, punonjëset komerciale të seksit. Ndërsa drogat më të përdorura janë kanabisi, heroina, kokaina, kombinime të drogave me alkoolin dhe më rrallë ekstazi, që është dhe më e shtrenjta. Në ditën botërore kundër drogës janë zhvilluar aktivitete edhe në Tiranë. "Të rinjtë ndërtues të së ardhmes", kështu është titulluar aktiviteti i zhvilluar në qendrën "Emanuel", në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale dhe OSCE-në janë dhe organizuesit dhe sensibilizuesit e opinionit në ditën kundër drogës. Eshtë i gjashti vit që të rinjtë shqiptarë përdorues drogash të ndryshme kanë gjetur prehje te komuniteti "Emanuel", qendër kjo që bën të mundur diagnostikimin e tyre të plotë. Përdoruesit e "miellit të bardhë" i kanë shpallur "luftë" helmit vdekjeprurës dhe kanë nisur jetën nga fillimi. Të parët që kanë shkelur dyert e komunitetit "Emanuel" janë djemtë tiranas.
Qendra
"Para gjashtë vjetësh, të parët që kanë shkelur dyert e qendrës ishin të rinj nga familje intelektualësh. Ndërsa tani droga është bërë gjithëpërfshirëse. Së fundmi në rrjetin e drogës janë përfshirë dhe romët". Kështu është shprehur për Gazetën Besa Rroshi, kryetare e komunitetit "Emanuel" në Shqipëri. Ajo sqaron se terapia që ofron për të rinjtë komuniteti që ajo drejton është shumë e veçantë dhe bën të mundur vetëndër-gjegjësimin e tyre. Aktualisht komuniteti "Emanuel" në Shqipëri vepron përmes dy qendrave, një qendër ditore në Tiranë dhe rezidencës së saj në Vaqarr.
Më pak femra
"Aktualisht në rezidencën tonë trajtohen 20 djem të moshave të ndryshme. Rreth 14 muaj është koha e plotë e trajtimit të përdoruesve në qendër. Kjo kohë mundëson që të rinjtë t'i shpëtojnë drogës", rrëfen Rroshi. Mungesa e elementit femër në qendër sa vjen e theksohet më shumë. Që nga hapja e qendrës së distoksikimit në Vaqarr e deri tani janë trajtuar vetëm 4 femra. Që nga '98-a e deri tani në qendrën tonë janë këshilluar e trajtuar vetëm katër femra.
Sociologu italian: Shqiptarët dalin më shpejt nga droga
Numërohen me dhjetëra të rinj shqiptarë të kuruar nga duart e tij. Jo vetëm kaq, por ka vite të tëra që viziton Shqipërinë, njëkohësisht dhe të rinjtë përdorues drogash të ndryshme që trajtohen në komunitetin "Emanuel" në Vaqarr. Gigi Za, profesor në Universitetin e Leçes shprehet se: me komunitetin shqiptar ekziston një marrëdhënie respekti shumë e fortë. Çdo herë që më thërrasin unë bashkohem me ta. Unë punoj me të rinjtë jo vetëm si professor, por kam rastin të bëj projekte të posaçme për ta. Sipas mendimit tim, këtu në Shqipëri është një situatë delikate, është pak më ndryshe se te të rinjtë italianë, kjo për shkak se te të rinjtë shqiptarë ekziston një gjendje e keqe. Ata kanë shumë vështirësi të njohin vetveten në një shoqëri në tranzicion. Nuk harron të shtojë faktin se të rinjtë shqiptarë në pak kohë ia dalin më mirë të lënë drogën. Problem në Shqipëri është se ka shumë pak ndihmë dhe qendra kuruese që të ndihmojnë të rinjtë të dalin nga droga.
Themeluesi i komunitetit "Emanuel": Qendra juaj më e mira në Ballkan
Atë Mario Marafioti, "kumbari" i të rinjve shqiptarë, ka ardhur të kalojë ditën kundër drogës së bashku me ta. Ai është themeluesi i dhjetëra komuniteteve në çdo qytet të Italisë dhe jashtë saj. Njëkohësisht është dhe mbështetësi dhe themeluesi i komunitetit "Emanuel" në Shqipëri. "Kam ardhur këtu nga dashuria ime për komunitetin "Emanuel" në Shqipëri, për të rinjtë shqiptarë që i ndjekim për vite të tëra, për të cilët ëndërroj një të ardhme më të bukur," nis të tregoj Atë Marafioti. Ai shton se problemi i drogës në Shqipëri mendohet se është një dukuri e lidhur me vështirësitë e kalimit nga regjimi i vjetër në demokracinë aktuale, dhe nga ambiente social-kulturore të mbyllura dhe homogjene gjatë kohës së regjimit, në një klimë kaq të hapur siç është sot. Është dëshira e vazhdueshme për ikjen drejt një mirëqenieje ekonomike në mënyrë sa më të thjeshtë e të shpejtë. "Droga është një vrapim, një ikje", kështu e përkufizon Atë Mario drogën për shqiptarët. Atë Mario kujton dhe vitin kur ai është shtyrë nga domosdoshmëria e shqiptarëve për të marrë ndihmë nga ai. Ai shton se qendra e komunitetit "Emanuel" në Vaqarr është një ndër qendrat më të mira në Ballkan. Në këtë qendër pritet të kurohen dhe të rinjtë kosovarë.
Krijoni Kontakt