FATMIR LIMAJ - PERSPEKTIVË E BURGOSUR E LIRISË
Drejtësia ndërkombëtare në sprovë
Rasti i z. Fatmir Limaj e ka vënë në pozicion tepër të padëshiruar edhe reputacionin e Tribunalit të Hagës, sepse më parë se dëshmimi i fajit të z. Limaj, është duke u dëshmuar një qëllim politik. Z. Limaj edhe mund të flijohet për qëllime politike të një pale të tretë, por, në këtë rast, është zgjedhur prokurori i gabuar. Z. Alex Whiting dëshmoi pafajësinë e Limajt, e cila u fuqizua nga mbrojtja e palës së akuzuar
Skruan : Rexhep Hoti
1.
Ekziston një parim universal, i cili e përcakton qëllimin e një ngjarje, të një procesi apo të një dukurie në raport me njeriun. Dhe ky raport është pozicioni i qëllimit. Ky parim në popull njihet me përkufizimin e fjalisë: “e ka pasur nijetin e keq” apo e kundërta “e ka pasur nijetin e mirë”, pavarësisht nga përfundimi, pra nga rezultati, çka do të thotë se shpeshherë motivacioni ka qenë i shëndetshëm, njerëzor, por përfundimi ka pësuar krejt ndryshe dhe e kundërta. Kur është fjala për institucione fundamentale që dëshmojnë dhe legjitimojnë fajësinë apo pafajësinë e njeriut në raport me njeriun në nivele ndërkombëtare (në këtë rast misioni i Tribunalit të Hagës për hapësirat e ish-RSFJ-së e jo në raport me shtetet, edhe atëherë kur do të dëshmohet fjala vjen se një njeri apo grup njerëzish kanë kryer terror e gjenocid mbi një apo disa popuj), atëherë gjasat e manipulimit të rrethanave të institucionit që përcakton diagnozën e drejtësisë, siç është gjykata, do të duhej të ishin më të kufizuara dhe s’ka dyshim se janë më të kufizuara. Mirëpo, rasti i të akuzuarve të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tribunal të Hagës, siç është rasti i z. Limaj, e kanë vënë në pozicion tepër të padëshiruar edhe reputacionin e Tribunalit të Hagës, sepse më parë se dëshmimi i fajit të z. Fatmir Limaj, është duke u dëshmuar një qëllim politik. Nuk ka dyshim se Gjykata e Hagës është një institucion në shërbim të drejtësisë, me gjithë seriozitetin e nevojshëm të përgjegjësisë ndërkombëtare. Por, siç thuhet në gjykatë, fjalën e kanë dëshmitë dhe faktet e jo fjalët e bukura apo fuqia e manipulimi të tyre në raport më të dhënat. Para se të përfundonte procesi gjyqësor Limaj, nuk do të ishte e mundur të trajtohej rasti i z. Limaj në këtë kontekst.
Të fillojmë nga e para:
Së pari, prokurori i Tribunalit për rastin e z. Limaj dhe të tjerëve, i nderuari, z. Alex Whiting, është dashur ta ketë pasur të qartë domosdoshmërinë e hulumtimeve shtesë sa i përket të dhënave të Zyrës së Hulumtimeve të UNMIK-ut në shërbim të Tribunalit, për shkak se vetë zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara në Prishtinë (Susan Manuel) qysh më parë kishte deklaruar publikisht se vetëm këtu kam parë dëshmitarë të rrejshëm;
Së dyti, i gjithë procesi i z. Limaj kishte filluar nga një bodigard polic me origjinë greke, i cili dëshmoi qëllimin e keq të fillimit të këtij procesi apo shprehur me gjuhë juridike, “qëllimin e tij me paramendime të interesave politike”;
Së treti, prokurori i nderuari z. Alex Whiting, gjatë gjithë procesit gjyqësor Limaj, pothuaj njëvjeçar, dëshmoi personalisht diçka krejt tjetër dhe besoi se kjo ka rëndësi të trajtohet, duke marrë për bazë se të gjitha “të dhënat e faktet” do t’i ketë vlerësuar ai më parë.
2.
Për të mos u marrë me mënyrën e stivimit të “të dhënave dhe të fakteve” nga Prishtina nën dirigjimin e Beogradit, na ndihmon qëndrimi, sjellja dhe veprimi emocional, intelektual e profesional i prokurorit të nderuar z. Alex Whiting. Tribunali i Hagës aktualisht ka në procedurë gjyqësore disa procese dhe prej të gjitha atyre procesi më karakteristik është procesi Limaj. Janë disa arsye, por shtylla qendrore e këtij procesi qëndron pikërisht në reflektimin e raporteve ndërmjet z. Alex Whiting – përfaqësues i aktakuzës dhe z. Fatmir Limaj – i akuzuari. Nga mbarështrimi i aktakuzës prej z. Aex Whiting e deri te përgjigjja e z. Limajt mbi aktakuzën, është dhënë porosia e vërtetë e së vërtetës së këtij procesi gjyqësor, e cila, realisht, e ka demantuar gjithë stivën e dëshmive dhe fakteve të paqëndrueshme të lëndës. Çdo njeri që ka vullnet dhe prirje për të qenë i paanshëm në lidhje me këtë proces të zhvilluar pothuaj për një vit, i publikuar edhe përmes mjeteve të informimit, atëherë nuk mund të mos e ndërtojë konkludimin real se në këtë proces nuk bëhet fjalë për kryerjen e ndonjë vepre penale prej z. Limaj, por bëhet fjalë për një debat delikat dhe simpatik ndërmjet dy intelektualëve të rinj. Prokurori i nderuar, z. Alex Whiting, kërkoi dënim të ashpër për z. Limaj dhe për të akuzuarit e tjerë, por kjo ishte njëra anë e medaljes së tij. Ana tjetër e medaljes së këtij procesi gjyqësor ishte se z. Alex Whiting nuk ia doli ta bindte as veten e tij, e lëre më të tjerët, për lëndën gjyqësore që ai përfaqësonte. Përfundimi i tij me shifra për t’i dënuar njerëzit e pafajshëm ishte një ritual mekanik. Madje, edhe masa e dënimit që ai e kërkonte më tepër gjasonte me përfundimin e disa konkluzave pas një debati të gjatë intelektual. Natyraliteti i prokurorit të nderuar, z. Alex Whiting, nuk e fshehu pafajësinë e z. Limaj, ani pse kishte “një material të servuar” për t’ia ngarkuar padrejtësisht njeriut që në fakt, herët a vonë, do të merret si një presedan i shkeljes së drejtësisë ndërkombëtare, edhe për aq sa është mbajtur në mbyllje. Gjithë procesi i gjykimit të z. Limaj ishte një sfidë për intelektin, ndërgjegjen dhe profesionalizmin e njerëzve që aktualisht e përfaqësojnë drejtësinë ndërkombëtare. Nuk duhet shumë arsye për të kuptuar se tryezën e drejtësisë ndërkombëtare dikush do ta ketë provokuar rëndë me rastin Limaj. Ose prokurori i nderuar, z. Alex Whiting, do të duhej të kishte vërtet fakte e dëshmi për ta bindur opinionin dhe gjykatën e nderuar për fajësinë e rastit Limaj. Ai jo vetëm që nuk ia doli të vërtetonte lëndën që përfaqësonte, por me mendimin, sjelljen dhe raportet e tij në gjykatë kundruall lëndës dhe vetë z. Limaj ofroi dëshmi të kundërta.
3.
Trajtimi i këtij shkrimi nuk ka për qëllim të dëshmojë fajësinë apo pafajësinë e z. Limaj. As virtytin dhe mendimin brilant, intelektual e kombëtar, njerëzor e qytetar të tij. Madje, as kontributin madhështor të z. Limaj në drejtim të ndërtimit të proceseve integruese e demokratike në Kosovë. Trajtimi i këtij shkrimi ka për qëllim të hedhë dritë në qëndrimet e z. Alex Whiting, i cili megjithë kërkesën e tij mekanike për ta dënuar z. Limaj e të akuzuarit e tjerë, gjatë gjithë procesit gjyqësor e bindi opinionin e gjerë për pafajësinë e të akuzuarve. Kjo, domosdoshmërisht peshon më rëndë se vetë vendimi i Gjykatës së Tribunalit nesër. Drejtësia ndërkombëtare lëndohet rëndë me padrejtësinë që iu bë z. Limaj, intelektit dhe shpirtit vërtet të pastër të tij. Këtë e bëri të njohur vetë prokurori i nderuar i Gjykatës, z. Alex Whiting. Gjykatën e Hagës me rastin e z. Limaj e formëson një qëllim shumë më i lartë sesa dënimi ose jo i z. Limaj. E ky është moslëshimi pe i drejtësisë ndërkombëtare në raport me ndikimet dhe ekulibrin e politikës, apo të pragmatizmit të saj për qëllime tjera. Z. Limaj edhe mund të flijohet për qëllime politike të një pale të tretë, por, në këtë rast, është zgjedhur prokurori i gabuar. Z. Alex Whiting dëshmoi pafajësinë e tij, e cila u fuqizua nga mbrojtja e palës së akuzuar. Z. Alex Whiting nuk dëshmoi për asnjë çast se kishte para vetes një njeri që kishte bërë ndonjë të keqe ndaj ndonjë njeriu të caktuar. Z. Alex Whiting dëshmoi, mbase padashje, një debat intelektual me z. Limaj dhe po të shikohet i gjithë ky proces si serial televiziv, atëherë heroi pozitiv i serialit është pikërisht z. Limaj, i përcaktuar, mbase padashje, prej prokurorit z. Alex Whiting.
Krijoni Kontakt