Mos i sillni më vaj e lot Kosovës, se mjaft është gjakosur dhe përlotur
--------------------------------------------------------------------------------
31 dhjetor 2003 / TN
Kur të shtrohet sofra për Vitin e Ri, kujtohuni se si do të kishin pasur dëshirë të mblidheshin edhe Smajli, edhe Tahiri, edhe Xhemajli, edhe Iliri, edhe komandant Drini, edhe Bekimi.me familjet e tyre. E, pastaj, qani e qani. Qani me zë. Se keni bërë vepra për të qajtur për veten dhe për ata.
Shkruan: Nazmi LUKAJ
S'besoj se kush t'u ketë shkruar letër të hapur ndonjëherë kriminelëve. Jo, pse s'kanë njerëzit die t'ju shkruajnë, por thonë se kriminelët janë kriminelë dhe, si të tillë, s'kanë ndjenja, andaj s'ke pse t'u shkruash. Pastaj, nuk është e zakonshme që t'ju shkruash letra të hapura atyre. Tjetër. Edhe po t'i shkojë mendja dikujt ta shkruajnë një letër të tillë, druan se si do të pritet ajo në opinion. A mos po dal qesharak? A mos po dal naiv?.Besa edhe druhet t'i hyjë kësaj pune. Njëqind hamendje të sillen rreth kokës. Po, ndjenja e dhimbjes njerëzore për të vrarët e pasluftës, që e deshën kombin aq shumë, e që bënë për të aq shumë, të fut gjithkah. Edhe ta rrezikosh jetën.
Edhe të dalësh naiv. Edhe. Kjo ndjenjë, që aq shpesh më ka nxitur ta fus kokën në gërshërë, edhe kësaj radhe, nuk më le të qetë. Ndoshta edhe ju, lexues të nderuar, do të ma shihni për të madhe që po u drejtohem kriminelëve, pasi ata nuk kanë shpirt, sepse, po ta kishin atë, s'ishin bërë kriminelë. Ju, kuptoj.
Mund të ma zini për të madhe edhe pse kaq shumë e fus kokën në gërshërë, si e kanë futur dhe e fusin edhe kolegët e tjerë të mi të "Bota sot", kur dihet se kriminelët janë sot ata që po e rrotullojnë Kosovën. Kur dihet se, të papenguar nga askush, po i sjellin kësaj gjëmë e lot. Por, askush që ka ndjenja njerëzore, nuk duron dhimbjet që na i sollën ata. Kjo ndoshta më arsyeton para jush, nëse dal naiv, nëse dal qesharak. Së paku, më kuptoni, se dua ta shpreh pezmin që mbaj në shpirt. Siç e keni edhe ju, lexues të nderuar.
Kur i shkruan letër të hapur dikujt, mundimin më të madh e ke si ta titullosh atë. Aq më tepër kur një letër të tillë ua shkruan njerëzve të natyrës kriminale. Ta titulloj "Letër tradhtarëve të kombit", nuk gaboj. Sepse, ata mund të mos jenë vegël e serbit, por me vrasjen e atdhetarëve, e kanë kënaqur serbin. Edhe ata që e kënaqin serbin, veç tradhtarëve të vërtetë, janë tradhtarë. Ta titulloj "Kopilëve të serbit", as kështu nuk gaboj, se sigurisht një pjesë e tyre janë kopila të serbit. Ta titulloj "Gjakpirësve të kombit", as kështu nuk gaboj, se ata që bëjnë krime, s'mund të jenë ndryshe, veç gjakpirës. Sido që ta nis, dhe sido që t'u them, asgjë s'gaboj.
Por, zgjodha midis gjithë titujve, atë më njerëzorin: " Mos i sillni më vaj e lot Kosovës, se mjaft është gjakosur dhe mjaft është përlotur". Besoj, lexues të nderuar, se ky është titulli më i njerëzishëm, pasi edhe qëllimi imi ka të bëjë me anën njerëzore- ta prek ndonjë atom ndjenje, nëse e kanë kriminelët. Një tjetër vështirësi të paraqitet edhe si ta nisësh letrën.
Ta nis: "njerëz të poshtër, ju drejtohem me këtë letër.", nuk gaboj. Se të poshtër edhe janë. Se ai që shtie dorë në vëllain e vet, s'ka se si të jetë ndryshe. Ta nis: "njerëzve që duan ta vrasin Kosovën", as kështu nuk gaboj gjë, se bukur shumë dëme i kanë shkaktuar. Por, edhe këtë do ta nis njerëzishëm, pasi, si thashë më lart, për moto të kësaj letre kam njerëzoren. Me peripeci, zgjodha, më në fund, dilemën: " nëse deri më sot vratë se s'u ndali kush, ndaleni dorën! Kujtojini lotët e fëmijëve të atyre që i vratë". E tash, e kam më lehtë ta hartoj këtë letër, pasi gjeta titullin dhe pjesën hyrëse.
Kriminelë, ju lutem, mos i sillni më vaj e lot Kosovës, se mjaft është gjakosur dhe mjaft është përlotur nëse deri më sot vratë, e s'ju ndali kush, ndaleni dorën. Kujtojini lotët e fëmijëve të atyre që i vratë. Së pari, ju që keni fëmijë, sa herë t'i shihni ata, që sigurisht nuk e dinë se ju jeni kriminelë, qani. Qani shumë. Qani deri sa t'ju afrohen fëmijët tuaj, e t'ju pyesin se pse po e bëni këtë. Dhe, kur t'ju pyesin, mos i gënjeni asgjë, por tregojuni drejt se po qani që keni marrë shpirtra njerëzish. Tregojuni drejt se keni marrë shpirtra atdhetarësh.
Vetëm pse ju kanë thënë urdhërdhënësit tuaj se duhet t'i vrisni. Ata do të qajnë tri herë më shumë se ju. Një herë do të qajnë pse ju kanë prindër. Një herë do të qajnë për ata që ju ua morët shpirtin. Edhe një herë do të qajnë për mocanikët e vet, që i latë pa prindër. Pastaj, ledhatojauni flokët dhe përqafoni ata. Sa herë t'i ledhatoni e përqafoni, ndaluni e kujtoni fëmijët e atyre që ua morët shpirtin, të cilët shumë kishin dashur të ledhatoheshin e të përqafeshin nga prindërit e vet. Qani e qani. Qani shumë.
Tash, para kësaj feste, para Vitit të Ri, merrni fëmijët tuaj dhe shkoni e vizitoni varret e atyre që ua morët shpirtin. Por, mos shkoni t'ua heqni kurorat, si keni bërë deri më sot. As t'i frikësoni njerëzit që shkojnë për t'i vizituar ato, si keni bërë. Atje, tregojuni fëmijëve se kush kanë qenë ata që i vratë. Tregojuni drejt. Pra, se kanë qenë atdhetarë. Kanë qenë njerëz që e kanë dashur shumë Kosovën e lirë. Tregojuni se i morët në qafë, vetëm pse menduan ndryshe për të mirën e Kosovës.
Pastaj, uluni e qani. Qani bashkë me fëmijët tuaj. Tregojuni edhe se nga sa fëmijë kanë pasur ata që ua morët shpirtin. Tregojuni se kolonel Tahirit ia keni vrarë edhe të vetmin djalë që e ka pasur-Enisin. Fëmijët do të qajnë edhe më shumë. Tregojuni se Smajlin e vratë duke ju quar qumësht fëmijëve të vet. Tregojuni se keni vrarë edhe dy vajza të njoma. Tregojuni se keni vrarë edhe një grua shtatzënë dhe një luftëtar lirie-Ilirin. Edhe kur të shtrohet sofra për Vitin e Ri, kujtohuni se si do të kishin pasur dëshirë të mblidheshin edhe Smajli, edhe Tahiri, edhe Xhemajli, edhe Iliri, edhe komandant Drini, edhe Bekimi.me familjet e tyre.
Kur akrepët të bashkohen në orën 24, kujtohuni se shumë do të kishin pasur dëshirë të hidheshin në përqafimin e fëmijëve të vet. E qani e qani. Qani me zë. Se keni bërë vepra për të qajtur për veten dhe për ata. Për veten, më së shumti. Se ata që ua keni marrë shpirtat, kanë hyrë në histori. Si burra të mëdhenj të kombit. Si krenaria e tij dhe e familjeve të tyre. Edhe fëmijët që i latë pa prindër, janë krenarë që i patën të tillë.
Më së keqi i keni bërë vetes dhe fëmijëve tuaj. Se një ditë, nëse nuk pendoheni vetë për veprat që i keni bërë, dhe nëse nuk rrëfeheni vetë për to, patjetër drejtësia do t'ju godasë. Herët a vonë. Se asaj nuk mund t'I shpëtoni. Para se ta përmbyll këtë letër të pazakonshme për ju, kur të bëhet ora 24, në vend të cokërrimit të gotave më të dashurit tuaj, brohoritni me tërë forcën: "Ne jemi kriminelë! Ne morëm shpirtra!". Dhe mallkoni urdhërdhënësit tuaj.
Pastaj, betohuni se kurrë më, për asnjë çmim, s'do ta vazhdoni krimin. Jepjani fjalën vetes që vetë do të dorëzoheni para drejtësisë. Se edhe vetëdorëzimi për veprat e këqija pak ua lehtëson veprat e liga që i keni bërë. Veproni kështu, nëse e doni Kosovën. Nëse jo, ju jeni me vetëdije tradhtarë të kombit. Atëherë, ky është dhe do të jetë mallkimi më i madh për ju.
----------------------------------------
Kosoven e dua se jam Kosovare,Shqiperin e dua se jam shqipetar!
Krijoni Kontakt