Shpikësi i “Al-Kaidës” nga Shkupi
Enver Robelli
Maqedonia kërkon falje! Kur së fundi në Shkup qëndroi ambasadori i Pakistanit në Ankara, qeveria maqedone i ngarkoi zëvendësministrin e Punëve të Brendshme Hazbi Lika dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme Fuat Asanoviq të kërkojnë falje për vrasjen e shtatë njerëzve të pafajshëm, gjashtë pakistanezë dhe një indian. Dy myslimanë nga Maqedonia, njëri shqiptar, tjetri boshnjak, presin diplomatin e një vendi mysliman! Kjo ide duket e logjikshme - së paku nëse shikohet me syze të maqedonëve. Problemi qëndron aty se as Lika, as Asanoviq nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për krimin e urdhëruar nga Lube Boshkovski. Fjala është për një masakër të kryer nga maqedonët sllavë. Por, asnjë politikan maqedon, së paku asnjë i nivelit të lartë, nuk kishte kurajo të kërkojë falje dhe të shprehë keqardhje për krimin e kryer një ditë të ftohtë marsi të vitit 2002 në një pritë të organizuar në një fushë me vreshta jo larg Shkupit.
Lube Boshkovski, gjatë sundimit të partisë nacionaliste-konservative VMRO ministër i Punëve të Brendshme dhe për të gjitha punët e përgjakshme, ka ikur pas shtatë kodrave. Pas lajmeve, në fillim të majit, se drejtësia është duke hetuar rolin e tij në likuidimin e aziatikëve, ia ka mbathur në Kroaci. Boshkovski është shtetas kroat, në vitet ‘90 ai ka qenë i afërt me Partinë Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) të Franjo Tuxhmanit. Flitet se Boshkovski, i cili është pronar hotelesh në bregdetin kroat, ka qenë edhe financues jo i parëndësishëm i HDZ-së, e cila pas çlirimit të vendit nga kryengritësit serbë u shndërrua në një parti totalitare dhe antidemokratike. Pasaporta kroate deri më sot e ka shpëtuar Boshkovskin nga dora e drejtësisë maqedone. Por, rrethanat mund të ndryshojnë, sidomos nëse Carla Del Ponte, kryeprokurore e Gjykatës të Hagës, vendos ta akuzojë Boshkovskin për krime lufte. Atëherë Kroacia është e detyruar të bashkëpunojë me Hagën dhe ta dorëzojë Boshkovskin, i cili nuk ka më miq me ndikim në HDZ. Kjo parti, që nga vdekja e despotit Franjo Tuxhman dhe ardhja e sërishme në pushtet në vjeshtë të vitit të kaluar, ka ndryshuar shumë. Kryeministri Ivo Sanader brenda një gjysmë viti arriti t'ia sigurojë vendit të tij statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Krimi ndaj shtatë aziatikëve është njëra ndër njollat më të zeza në fytyrën e shtetit maqedon. Në vitet ‘80 Maqedonia ishte dëshmuar si zonjë e zellshme në testimin e planeve serbe për shqiptarët. Para se në Kosovë të mbylleshin shkollat për shqiptarët, kjo ishte provuar "me sukses" në Maqedoni. Para se të ndalohej përdorimi i flamurit shqiptar në Kosovë, Shkupi me shpatë ndiqte shqiptarët e Maqedonisë që guxonin të nxirrnin një copë flamur kuq e zi për të shprehur identitetin e tyre. Në vitet ‘90, kur për shkak të mbylljes së Universitetit të Prishtinës shumë të rinj shqiptarë nga Maqedonia u gjetën mes tre zgjedhjeve të pafavorshme: të bëhen akulloreshitës, të ikin në mërgim apo të shkojnë në shkolla fetare në vendet arabe, përpjekja për themelimin e Universitetit të Tetovës u shtyp me gjak nga policët maqedonë. Ndër maqedonët sllavë, por edhe në mesin e shumë popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë së Titos ende kultivohet një klishe groteske: shqiptari i Maqedonisë nuk përfytyrohet ndryshe përveç se akulloreshitës. Ose - edhe më keq - si islamist!
Vrasja e aziatikëve të pafajshëm është shembull ilustrativ për këtë mendësi maqedone. Në mars të vitit 2002 Lube Boshkovski çirrej para mediave vendore dhe ndërkombëtare se policia e tij kishte goditur terrorizmin ndërkombëtar. Shtatë "terroristë pakistanezë" paskëshin ngritur një "pritë" kundër forcave maqedone të sigurisë. Gjatë përleshjes me armë u likuiduan të gjithë "terroristët", kishte thënë Boshkovski në mënyrë lapidare. Këta "terroristë", sipas Boshkovskit, i takonin një celule të “Al-Kaidës” dhe - gjoja - ishin duke përgatitur sulme kundër ambasadave perëndimore, sidomos asaj amerikane, në Shkup. Diplomatët perëndimorë nuk i besuan kësaj teze. Diçka ishte e kalbur në rrëfimin e Boshkovskit, duke filluar nga fakti se gjatë aksionit nuk u plagos asnjë polic maqedon e deri te prezantimi para kamerave i uniformave të UÇK-së. UÇK, filial i “Al-Kaidës”? Këtë përrallë e kanë shpërndarë edhe disa anarkistë të majtë në Perëndim, disa herë madje edhe revista "Der Spiegel", e cila në një rast kishte shkruar se Sulejman Selimi, tani zëvendëskomandant i TMK-së, gjatë luftës paskësh komanduar 500 muxhahedinë në Drenicë! TMK nuk ka inicuar asnjë proces gjyqësor kundër kësaj akuze të rëndë dhe, sipas dëshmive të deritanishme të pavërteta.
Por, kur heshtin shqiptarët, atëherë edhe një politikan si Lube Boshkovski përpiqet të shpikë lidhje mes UÇK-së dhe “Al-Kaidës”. Pala pakistaneze, ndërkaq, nuk ka heshtur. Familjet e viktimave kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga dy milionë dollarë dëmshpërblim për çdo të vrarë. Gati 10 muaj pas vrasjes afër Shkupit, në Karaçi të Pakistanit ishte hedhur në ajër Konsullata e Maqedonisë. Ky nuk është leksion për shqiptarët. Por, ballafaqimi juridik me akuzat monstruoze nga pala maqedone apo nga ndonjë zë i çjerrë propagandistik perëndimor është i lejueshëm.
Sa i përket Boshkovskit, për të plotësuar portretin e tij duhet shtuar se që para masakrës në trupat e aziatikëve ai si ministër i Policisë kishte dominuar titujt e gazetave. Në maj të vitit 2002 Boshkovski kishte vizituar Tetovën dhe kishte dëshmuar "aftësitë" e tij për të gjuajtur me granatahedhës. Pas shkrepjes së granatës nga ana e Boshkovskit në "fushë të nderit" mbetën të plagosur katër njerëz, të cilët e shoqëronin ministrin, mes tyre shefi i policisë së Shkupit dhe një gazetare e të përditshmes "Dnevnik". Derisa helikopteri i transportoi viktimat në Shkup, artileristi i pasionuar u thoshte gazetarëve: "Gjëra të tilla ndodhin".
Mbase Boshkovski kështu ka thënë edhe pas masakrës në Luboten, kur u vra një dyzinë civilësh shqiptarë. Aksioni i policisë maqedone në gusht 2001 kundër fshatit Luboten ishte vëzhguar nga Boshkovski. Për këtë ekzistojnë edhe incizimet e televizionit maqedon. Një reporter i gazetës gjermane "Die Welt", i cili ka qëndruar në Luboten menjëherë pas masakrës, kështu e përshkruante atë: "Kufoma e Sulejman Bajramit gjendet në rrugë, para shtëpisë së tij. Ky njeri ndoshta 25 -vjeçar është qëlluar së paku me gjashtë plumba, nga prapa. Një e shtënë në pjesën e pasme të kokës, plumbi - duke dalë - ia ka çarë gjysmën e ballit. Pranë gjurmë të një autoblinde, e cila ka kaluar nëpër pellgun e gjakut. Njëzet metra më larg gjendet xhaxhai i tij Muharrem Ramadani. Duket të jetë rreth të pesëdhjetave, me flokë të shkurtra, të thinjura. Edhe ai ka disa plagë - vdekjeprurëse duket të ketë qenë ajo, e cila e qëlloi atë nga prapa dhe doli pak nën zemër. Ai gjendet në hyrje të oborrit, prej të cilit dy burrat janë nxjerrë me forcë nga trupat maqedone të sigurisë. Ishte e dielë pasdite, vetëm 24 orë para nënshkrimit të marrëveshjes paqësore në Shkup".
Për masakrën e Lubotenit është duke u interesuar edhe Gjykata e Hagës. Mjafton vetëm të rikujtohet se si ishte përpjekur ta fshehë krimin qeveria e atëhershme maqedone. Ministria e Brendshme e Boshkovskit kishte njoftuar se në Luboten burra "të veshur me rroba femrash" kishin shtënë ndaj trupave qeveritare dhe ishin "likuiduar". Ky version ishte tërhequr shpejt. Pastaj, tamam në stilin e regjimit të Slobodan Milosheviqit, autoritetet në Shkup theksuan se kishin bërë testin e parafinës në duar e viktimave - dhe testi paskësh treguar se të vrarët kishin përdorur armë. Për t'ia veshur gënjeshtrës një fasadë besueshmërie zyrtarët e Boshkovskit deklaruan se edhe OSBE kishte bërë teste të parafinës - dhe kështu ishte vërtetuar se shqiptarët ishin vrarë në luftime. Për fat të mirë ende është e dokumentuar një deklaratë e zëdhënësit të OSBE-së në Shkup, Harald Schenker, i cili deklaratat maqedone i kishte quajtur një "budallallëk komplet".
Masakra në Luboten, vrasja e aziatikëve dhe rrëmbimi e likuidimi i disa shqiptarëve gjatë mandatit të Boshkovskit mund të jenë bazë e aktakuzës së Gjykatës të Hagës.
25/06/2004
KATEGORIA: Analiza
shekulli
Krijoni Kontakt