Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 22
  1. #1
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925

    Antimafia italiane: "Mafia bën plane të nxjerri plehrat jashtë Italisë"

    “BEG srl”, kompania mëmë e “Albaniabeg” ka falimentuar në ‘97-ën për shkak të humbjeve

    Plehrat, firma italiane me një punëtor


    Florian Papadhimitri

    TIRANE- Kompania italiane që kërkon të ndërtojë impiantin e përpunimit dhe djegies së mbetjeve urbane në Kashar të Tiranës dhe përfaqësuesi i saj, shtetasi italian Francesco Becchetti nuk janë një kompani e madhe siç janë “reklamuar” në Shqipëri, por thjesht një kompani pa asete të patundshme dhe pa kapital monetar të madh. Në statutin e themelimit të “Beg srl”, kompania mëmë nga e cila është krijuar “Albaniabeg Ambjent”, thuhet se jo vetëm që firma nuk ka asnjë të punësuar, por dhe që ka falimentuar në vitin 1997 për shkak të humbjeve dhe reduktimit të kapitalit nën minimumin ligjor. Janë dokumentet që redaksia e “Shekullit” ka në dispozicion, të cilat vërtetojnë faktin që kompania “BEG srl” e drejtuar nga Becchetti është thjesht një firmë e vogël dhe pa aktivitet të madh. Dokumentet konfidenciale, tregojnë se kompania “BEG srl” nuk ka numrin e punëtorëve që ka deklaruar ditët e fundit në Shqipëri Francesco Becchetti. Kështu në një intervistë të para disa ditëve, “sipërmarrësi” italian ka bërë të ditur se bashkëpunon me një kompani, e cila ka si staf rreth 7 mijë persona, ndërkohë që në dokumentacionin ku tregohen të dhënat e kompanisë, stafi i “BEG srl” përbëhet vetëm nga një person, i cili është vetë presidenti i kësaj kompanie Francesco Becchetti, ndërsa numri i të punësuarve është zero. Kompania në fjalë, e cila ka selinë e saj në Romë, është themeluar më 29 nëntor të vitit 1989 dhe ka statusin juridik “të shoqërisë më përgjegjësi të kufizuar”. Nga dokumentacioni që jep të dhëna për këtë shoqëri, bëhet e ditur se aktiviteti kryesor i saj është shit-blerja, riparimi dhe mirëmbajtja e objekteve të ndryshme. Në statutin e saj, “BEG srl” ka si aktivitet dhe një sërë punimesh të tjera, të cilat si bazë kanë ndërtimin.
    Falimentoi në ‘97-ën
    Një fakt tjetër që bie në sy në dokumentet zyrtare, është paraqitja e gjendjes financiare të kësaj shoqërie. Në dokumentacionin ku jepen të dhënat për shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar “BEG srl”, faktohet se që nga 24 prill i vitit 1997, shoqëria është shkrirë dhe ka kaluar në procesin e likuidimit për shkak të humbjes ose reduktimit të kapitalit nën minimumin ligjor që përcaktohet nga legjislacioni i shtetit italian. Pas falimentit të shpallur në këtë datë, të dhënat për këtë shoqëri, tregojnë se rreth dy vjet më vonë, më datë 30 prill të vitit 1999 kompania është riaktivizuar duke pasur si president Francesco Becchettin. Shoqëria në këtë datë është krijuar nga kapitali që kanë mundësuar pesë ortakë të ndryshëm. Përveç fakteve të mësipërme, në informacionet për aktivitetin e deritanishëm të kësaj shoqërie tregohet se nuk është bërë asnjëherë aktivitet kërkimor apo zhvillimi.




    08/06/2004

    shekulli

  2. #2
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Shoqëria italiane ka qarkulluar në 2002 32 .000 euro. Kapitali themeltar 17 338 euro

    Plehrat, xhiro vjetore e firmës italiane sa një kioskë


    Shekulli

    TIRANE- Zbulohen fakte tronditëse për identitetin e firmës italiane e cila synon të përpunojë plehrat në një impiant në Kashar të Tiranës. Kompania e cila pretendon se do të investojë 180 milionë euro për impiantin në Shqipëri dhe ka deklaruar se punon me një grup që lëvron 700 milionë euro, në të vërtetë ka një kapital themeltar prej 17.338 euro dhe një xhiro vjetore të vitit 2002, 32.000 euro, shuma të cilat në Shqipëri i korrespondojnë aktivitetit të një kioske mallrash konsumi, duke paguar qira. Por ajo që është më e rëndësishme është se firma sipas bilancit nuk ka asnjë aset të patundshëm, por thjesht kapitalin monetar prej 17 338 euro, çka në rast falimentimi nuk jep asnjë garanci për shlyerjen e detyrimeve të kompanisë. “BEG srl” ka rezultuar me humbje prej 5000 eurosh në bilancin e fundit të deklaruar. Bilancet e fundit vjetore të shoqërisë “BEG srl” kanë rezultuar negativë dhe për më tepër kjo kompani nuk ka asnjë lidhje ligjore me kompani të tjera (ndryshe nga sa deklarohet) me të cilat mund të bashkëpunojë apo ndërmarrë zbatim të projekteve të ndryshme. Janë bilancet zyrtare dhe dokumentet, të cilat vërtetojnë dy faktet e mësipërme që bien ndesh me deklaratat që i janë ofruar publikut shqiptar për këtë shoqëri nga administratori i saj Francesco Becchetti. Kështu, duke e nisur që nga krijimi për të dytën herë të kësaj kompanie (që bazohet në dokumentet konfidenciale), bëhet e ditur se kapitali neto i kompanisë “BEG srl” e cila ka krijuar “bijën” e saj në Shqipëri me emrin “Albaniabeg Ambienti” është vetëm 17 mijë e 338 euro dhe në bilancin e fundit të deklaruar të kësaj shoqërie, i cili tregon për aktivitetin e para dy vjetëve tregohet se xhiroja vjetore ka qenë rreth 32 mijë euro. Zërat e bilancit që ka deklaruar “BEG srl” dhe që është firmosur nga presidenti i saj Francesco Becchetti tregojnë përveç xhiros vjetore dhe për normën e fitimit, e cila ka rezultuar negative në dy bilancet e fundit. Përsa i përket bilanceve, të cilat janë deklaruar dhe në zyrat fiskale të shtetit italian rezulton se në vitin 2002 “BEG srl” ka pasur një humbje prej 5 mijë e 228 euro, ndërsa në vitin 2001 ka humbur rreth 3 mijë euro. Shumat në fjalë i vërtetojnë dokumentet zyrtare dhe bilancet e viteve të fundit të “BEG srl” të cilat disponohen nga “Shekulli”. Përveç kësaj, shoqëria ka trashëguar dhe humbje të konsiderueshme nga vitet e shkuara. Të dhënat konfidenciale që tregojnë për ndërmarrjen me status “shoqëri me përgjegjësi të kufizuar” e cila drejtohet nga Francesco Becchetti, janë të para një viti dhe janë zyrtare. Përsa i përket kapitalit të themelimit, kompania me seli në Romë këtë kapital e ka regjistruar në fundin e muajit prill të vitit 1999 dhe ky kapital derdhet pas një periudhe dyvjeçare falimenti. Kështu për të ringritur shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar kanë kontribuar me shuma të barabarta prej 3.467 euro pesë aksionerë.
    Marrëveshjet me të tjerët
    Nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi mes kësaj shoqërie dhe ndonjë shoqërie tjetër. Të dhënat e fundit që e vërtetojnë këtë fakt i përkasin ditës së fundit të vitit 2002 dhe sipas dokumentacionit zyrtar, shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “BEG srl” nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me ndonjë shoqëri apo kompani tjetër. Përveç kësaj, në dokumentet që disponon “Shekulli”, një rresht më poshtë asaj që thamë më lart, deklarohet se kjo shoqëri nuk zotëron asnjë aksion apo sipërmarrje në ndonjë ndërmarrje tjetër. Kështu dokumentet e hedhin poshtë deklaratën e ditëve të shkuara të Francesco Becchettit, i cili ka deklaruar se jemi pjesë e një grupi prej 300 shoqërish. Ky fakt hedh poshtë dhe shifrat e tjera që ka deklaruar presidenti i “BEG srl” për kapital, investim e numër punëtorësh.

    Të dhënat e bilancit të “BEG srl”
    Data 31/12/2002 31/12/2001
    Shuma e qarkulluar 32.146 31.976
    Kapitali 17.338 17.338
    Rezerva të tjera 789 789
    Të ardhura (humbje) të mbartura -5.001 -14.037
    Të ardhura (humbje) nga aktiviteti -5.228 -2.960



    08/06/2004
    KATEGORIA: Ekonomi

  3. #3
    PEDAGOG Maska e Pyes_Lotin
    Anëtarësuar
    07-06-2002
    Vendndodhja
    Chelsea
    Postime
    1,688
    Pike e zez c`behet kshu..
    Jam JETUS jo TREGUS!.

  4. #4
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    nga TemA


    Protestuesit qëlluan me vezë pankartat ku dukej fytyra e Fatos Nanos dhe ministrit të Turizmit Bashkim Fino. Thirrjet "Poshtë qeveria", "Nano Ik" shoqëruan gjithë protestën e djeshme para godinës së qeverisë

    Mijëra qytetarë protestojnë para kryeministrisë për t'i thënë ndal importit të plehrave

    Protesta qytetare: Vezë mbi Finon dhe Nanon



    Një nga aktivistët e "Mjaft", Saimir Alla, është shoqëruar në komisariat

    Elementët simbolikë të protestës ishin: gota plastike uji me mbishkrimin "ujë i helmuar", qese të zeza plehrash të fryra si tullumbace që nxinin qiellin, harta të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, Shkodra, Berati, Kuçova, Saranda etj., që nxinin nga plehrat dhe mbetjet që do të vijnë nga Italia, kundragaze që nënkuptonin marrjen e masave ndaj mbetjeve toksike, etj.

    Alida Beqiri



    Grupimi i Reagimit Qytetar organizoi dje një protestë para kryeministrisë për t'i thënë ndal importimit të plehrave të huaja dhe instalimit të impiantit të firmës italiane Albaniabeg në Kashar. Në këtë protestë që startoi në mesditë, morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare, drejtues të "Mjaft", Këshillit Rinor, Zyrës së Mbrojtjes së Qytetarëve, të shoqatave të të Drejtave të Njeriut, specialistë të mjedisit, dhe mijëra qytetarë të Tiranës. Protestuesit që mbanin në duar parrulla të ndryshme si "E duam Shqipërinë si Europa, por pa plehrat e Europës", "Albaniabeg + Nano = CO2", etj., i kanë bërë thirrje kryeministrit të mos pranojë marrëveshjen me Albanianbeg, që është një "biznes mafioz" dhe që intoksikon ujërat dhe tokën shqiptare.

    Aktivistët e "Mjaft" kishin sjellë edhe elementët simbolikë që nuk mungojnë në asnjë nga protestat e tyre: gota plastike uji me mbishkrimin "ujë i helmuar", qese të zeza plehrash të fryra si tullumbace që nxinin qiellin, harta të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, Shkodra, Berati, Kuçova, Saranda etj., që nxinin nga plehrat dhe mbetjet që do të vijnë nga Italia, kundragaze që nënkuptonin marrjen e masave ndaj mbetjeve toksike dhe një regji lëvizëze ku ishin shkruar parrulla të ndryshme, nga dëgjohej poezia e transformuar e Çajupit, "Shqiptar!".

    Pjesa më e madhe e drejtuesve të OJQ-ve që morën fjalën, kundërshtuan me forcë marrëveshjen e firmosur në fshehtësi nga një prej ministrave të Nanos dhe e cilësuan atë një pazar që Kryeministri po bën duke shitur Shqipërinë.

    "Kemi marrë përsipër t'i kundërvihemi arrogancës qeveritare, e cila prej kohësh po shpërfill interesat e publikut. Duke qenë të ndërgjegjshëm se Shqipëria ka një problem alarmant me mbetjet, ne mbështesim çdo iniciativë për zgjidhjen e këtij problemi, për sa kohë që zgjidhja është transparente dhe konform ligjeve. Por ne besojmë se zgjidhja nuk mund të vijë nga kthimi i Shqipërisë në një kosh për plehrat e huaja. Grupimi ynë nuk paragjykon kompaninë në fjalë, por i kërkojmë qeverisë shqiptare që të respektojë kuadrin ligjor mbi mjedisin", tha Xhemal Mato, drejtuesi i Ekolëvizjes.

    Kur protesta ishte duke përfunduar, qindra protestues qëlluan me vezë pankartat ku dukej fytyra e Fatos Nanos dhe ministrit të Turizmit Bashkim Fino. Thirrjet "Poshtë qeveria", "Nano Ik" shoqëruan gjithë protestën e djeshme që u zhvillua para godinës së qeverisë. Sheshi para saj u mbulua nga vezë dhe mbeturina të tjera, të cilat i pastruan aktivistët e lëvizjes "Mjaft". Gjatë protestës, një prej aktivistëve, Saimir Alla, u shoqërua në komisariat dhe u la i lirë vetëm pas dy orësh.



    Parrullat

    Jo kombinatit të plehrave në Shqipëri

    Rexhina të bëhet ambasadore

    Jo plehrave të botës në Shqipëri

    Jemi vend i luleve, jo i plehrave

    Ndal plehrave të botës

    E duam Shqipërinë si Europa, por pa plehrat e Europës

    Albaniabeg + Nano = CO2

    Ndal shitjes së Shqipërisë

    Shqipëtar mos rri po duku

    Kryeministri: cash + ar

    Para se të duam Europën, të duam Shqipërinë

    Shqipëria e pastër, kërkon politikë të pastër



    Vargjet e transformuara të Çajupit, që shoqëruan protestën e djeshme

    Janë 3 personazhe që deklamojnë vargjet: Baba Tomorri, një djalë dhe një vajzë. Baba Tomorri personifikon urtësinë e moçme të Shqipërisë. E përfytyroj me një zë të thellë e të ngadaltë.

    Vargjet që do të thuhen të regjistruara, derisa kamioni të mbërrijë para kryeministrisë:

    Baba Tomorri

    Mëmëdhe quhet toka

    Ku më ka rënurë koka

    Ku kam dashur mëm' e atë,

    Ku më njeh dhe guri i thatë

    Stërgjyshët ku kanë qënë,

    Dhe varret q'i kanë vënë,

    Ku jam rritur me thërrime,

    Ku kam folur gjuhën time



    Djali

    Qeveri quhet kumari

    Që e drejton i pari

    Dhe që fal konçesionet

    Merr një pjesë nga aksionet



    Vajza

    Ministër është rrufjani

    I dalë nga bark shejtani

    Që s'ngopet me thërrime

    Që s'flet gjuhën time.



    Djali ose vajza

    I dashur mëmëdhe

    Të dua dhe kshtu si je!

    Po kur të të shoh të lirë

    Do të të dua më mirë



    Baba Tomorri

    Shqipërinë e mori 'taljani,

    i vu zjarr

    Shqipëtar: mos rri po duku,

    shqiptar!

    Mjaft plehrove për të tjerë,

    o fatkeq

    Kujto vendin e bekuar

    ku po heq.

    Mos bëni si keni bërë

    gjer më dje,

    Po lëftoni të tërë

    për Atdhe.



    Djali ose vajza

    Këta njerëz që projekt-marrëveshje bënë

    Nuk di nga ç'vrimë e zezë kanë rënë

    Se Zot e zemër e besë s'kanë

    Kur shesin vendin anë e mbanë.



    Baba Tomorri

    Në ankand të nxorën,

    Shqipëri

    Këta ministra s'kanë

    dashuri



    Ndali plehërat e Italisë

    mëmëdhe,

    Vish rrobën e bukurisë,

    se ke ne!



    Djali

    Shtatë vjet kemi duruar

    me pahir

    Të na vjedhë, të na shesë

    fare lirë

    Socialistë e demokratë

    jemi keq!

    Të ngrihemi që të tërë

    djem e pleq!



    Vajza:

    Kashari për karshi

    Me xhami e varre,

    Rrotull ca shtëpi

    Do t'i zhdukin fare

    Ujëtë e ftohtë,

    Era pun' e madhe,

    Plehrat italiane

    Do krijojnë male.



    Djali

    Fino nënë hije

    Loz e kuvendon

    Nga zoti Beketi

    Miliarda pranon.



    Baba Tomorri

    O shqipëtarë të mjerë

    Ç'u ka marrë koka erë

    Digjni plehra për të tjerë!

  5. #5
    kokeforte Maska e elisabet
    Anëtarësuar
    06-10-2003
    Vendndodhja
    kendej
    Postime
    200
    Sa do kisha dashur te isha ne Shqiperi e te merrja pjese ne kete proteste...
    Eshte per te ardhur keq, qe vargjet e Cajupit tingullojne kaq aktuale per ne shqiptaret dhe ne ditet e sotme, tamam si ne kohen e turkut.
    Sic duket ne nuk do te ndryshojme kurre..
    O bote, o dreq
    une linda te te ndreq
    Po bota u shthur
    per te mos u ndrequr me kurre.
    :^Globi

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-04-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    49
    Deklaratë e përbashkët e studentëve e rinisë në perëndim

    Janë plot shtatë organizata jo qeveritare në Diasporë, që kanë dal me deklerata të fuqishme për t'i thënë Ndal! një plani qeveritar për "Përpunimin e mbetjeve të mbeturinave në Shqipëri" . Megjithse, duhet të theksuar që në fillim, se në të dyja dekleratat, asnjëra prej tyre nuk ka ndonjë strategji se si mund t'a ndalojn vet këto organizata qeverinë shqiptare, që të ndërrmarr një hap të till katastrofal siç janë shprehur ata për mjedisin shumë të bukur natyror të Shqipërisë.

    Dekleratat janë më tepër tërheqje vëmendje për opininon e brendëshëm shqiptarë, që t'a nxisin atë të ngrihet menjëher kundra kësaj marrveshje. Të shtatë organizatat janë organizata të njohura në botën shqiptare kryesishtë vitet e fundit nëpërmjet veprimtarive të treguara në internet: Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Hamburgut ILLYRIA (www.illyria.de), Shoqata e Rinisë Shqiptare në Austri RINIA (www.albrinia.com/rinia), Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Barit ASAB(www.asab.it), Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Zyrihut STUDENTI (www.studenti.ch), Unioni i Studentëve Shqiptarë në Mainz ALBANIAN STUDENTS UNION MAINZ (www.albanian-students-union.com), Klubi i Studentëve Shqiptarë në Grac KLUB ALBANISCHER STUDENTEN IN GRAZ (Ghegagasse 15/26 8020 Graz Austria ) si dhe Gjenerata e Re Shqiptare në botë (www.newalbaniangeneration.com).

    Deklaratë e përbashkët e studentëve e rinisë në perëndim : "Stop shkatërrimit përfundimtar të mjedisit"

    Ne, si studentë, shkollarë e rini shqiptare në perëndim jemi shumë të shqetësuar nga zhvillimet mbi marrëveshjen e mundshme për impiantin e përpunimit të plehrave në Kashar. Opinioni publik shqiptar duhet të ndërgjegjsohet për ndotjen tejmase të ambjentit në Shqipëri. Pikërisht tani pas statistikave tejet alarmante mbi ndotjen e ajrit të Tiranës e kur vetëm para një jave vetë ministri i ambjentit shkruante për katastrofën ambjentale në Shqipëri, qeveria shqiptare nuk mund dhe duhet të lejojë asnje abuzim të mjedisit të cfaredolloji qofshin ato. Ky projekt nuk është analizuar hapur nga ekzekutivi shqiptar dhe bile ka marrë edhe firmën e disa prej hallkave te tij pa iu paraqitur opinionit publik me transparencën e duhur e pa ndërgjegjsuar qytetarët që preken direkt. Kjo është shenjë e ripërsëritur e mosrespektimit të koncepteve minimale të demokracise dhe e komës së thellë në të cilën gjendet qeveria shqiptare dhe e gjithë klasa politike në përgjithësi.

    Nga shkrimet e fundit në media të ndryshme mbi këtë cështje rezulton qe 39% e totalit të plehrave do të vinë nga Italia. Për ne është mjaft e qarte që kjo sasi plehrash do të përpunohet në Shqipëri vetëm për ti shpëtuar taksave të rënda që ekzistojnë në Bashkimin Europian për dëmin ndaj ambientit e për t’ju shmangur standarteve të rrepta europiane të përpunimit të plehrave. Ky projekt nuk është kaluar nëpër hallkat e pushtetit lokal. Gjithashtu janë shkelur detyrimet që ka qeveria ndaj publikut për transparencë, informacion e mundësimin e pjesëmarrjes në vendimmarrje kur bëhet fjalë për cështje me ndikim ambiental. Për këto arsye ne i kërkojmë me forcë qeverisë shqiptare:

    Të pezullohet çdo marrje vendimi mbi projekt-marrëveshjen e impiantit të plehrave!
    Të bëhet një analize e hollësishme e pasojave të kësaj marrëveshjeje dhe marrëveshjeve të ngjashme mbi mjedisin, shëndetin e ekonominë !
    Të merren masa ndaj personave që kanë dhënë pëlqimin për këtë projekt pa marrë parasysh pasojat katastrofale dhe duke anashkaluar vullnetin e komunitetit që ata përfaqsojnë !

    Njëherazi ne i bëjmë thirrje gjithë opinionit popullor shqiptar të reagoje me të gjtha mjetet demokratike që ky projekt të mos aprovohet pa u diskutuar publikisht.



    Ndërkaq, Gjenerata e Re Shqiptare, përkatësisht kryesia e saj në SHBA e ka titulluar dekleratën e saj:

    Deklaratë për shtyp me rëndësi parësore
    Çeshtja: Pengimi i ndërtimit të uzinës së djegies së plehrave në Shqipëri
    Gjenerata e Re Shqiptare mësoi nëpërmjet shtypit Shqiptar që qeverisja e tanishme e Shqipërisë zyrtare ka lejuar të ndërtohet një fabrikë djegieje e plehrave të Italisë apo Europës në zonën afër Tiranës. Si njerëz dhe pastaj si Shqiptarë kërkojmë që një uzinë e tillë të mos ndërtohet !

    Marrim këtë rast me iu kujtuar që në Francë vdesin mbi 10000 njerëz në vit prej dioksinës që del nga djegja e "përsosur" e plehrave nëpër fabrikat e tyre bashkëkohore të djegies së plehrave. Zgjidhja për plehrat e Shqipërisë është shumë e thjeshte: futja në tokë e tyre, sepse vetë Toka i tret siç i ka tretur për miliarda vjet. Na vjen shumë keq që egziston mundësia që disa njerëz vendim-marrës janë bërë si robotët që nuk arsyëtojnë apo ndjejnë jetën ku jetojnë. Një njeri nuk mund të jetë aq naiv sa të pranojë që "investuesi" të ndërtojë një fabrikë falas dhe të japë lëndë të parë falas?! Pak po helmohet Shqiperia nga djegjet e benzinave të cilësive të dobëta, aq sa të kërkohet edhe një burim shumë i madh helmimi ajror? Vendet perendimore e kanë hequr katër etilin e plumbit nga benzinat e tyre, sepse mendjengushtësia fillestare shkencore e përdorimit të tij doli më vonë që ishte tepër e rrezilshme: plumbi bëhet të paktën 100 herë më shumë helmues kur është në ajër sesa kur është në benzinë, ndonëse ai vetë është shumë helmues. A është e vështirë me e kuptuar që industria e ndërlikuar Europiane prodhon plehra po aq të ndërlikuara, nga djegia e të cilavë do të kishte vetëm helmim të njerëzve dhe rrënim të bujqësisë Shqiptare!? Po “pesticidin” grek që në vend të mizave po djeg pemtarinë në Jug të Shqipërisë, p.sh. mollët e rretheve të Korçës dhe Pogradecit, a është vështitë me e kuptuar?!

    Ruajeni Shqipërinë, jetën e saj, të njërëzve të saj dhe fëmijëve të saj! Kemi nderin me iu kujtuar se detyra juaj e ndritur është mbrojtja e zhvillimi i Shqipërinë, por JO helmimi apo tradhëtimi i saj! Sytë i kemi nga ju që ta mohoni ndërtimin e uzinës së djegies së plehrave në Shqipëri, në këtë rast ne Tiranë. Iu faleminderit për vëmëndjen ndaj kësai letre dhe zgjidhjen e drejtë të problemit të shkaktuar.


    Beqir Sina, Bota Sot, 08-06-2004
    Shprese

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e leci
    Anëtarësuar
    14-01-2003
    Vendndodhja
    Goetheanum,Italy
    Postime
    1,742
    Nje firme italiane qe ka nje kapital shoqeror 17.000 € dhe don te investoje 180 milion €?????
    Ne fushen ekonomike jane mjeshtra italianet sidomos ate te vjedhjes.
    Nje shoqeri me pergjegjesi te kufizuar,e famshmja srl nuk mund te mbylle regjistrimin e fundit te vitit ne humbje,sepse eshte e detyruar te falimentoje,ose perndryshe shtimin e kapitalit.
    Nje srl, e quajme normale,32.000 € i ka faturim te nje jave.
    Dhe kjo firme pretendon kete investim???
    Qeveria italiane eshte ne veshtiresi per djegjen e plehrave sepse nga 23 centralet qe do ndertoheshin ne periudhen 2003-2005 nuk ka filluar asnje.
    Protestat kane bere ne menyre qe keto projekte te ndalohen ne truallin italian.
    Pikerisht ne Rumani qeveria italiane ka gjetur nje nga vendet qe kane pranuar ndertimin e ketyre centaleve duke investuar 2400 milione €.
    Quod timor cladis.
    Sed intuitum amet elit vitae est

  8. #8
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    nga Shekulli


    Shpërbërja e kapitalit të firmës që kërkon impiantin e plehrave shoqërohet me parregullsi të shumta

    “Albaniabeg” e importit të plehrave me ortakë fantazmë

    “Energji”, ortake e “Albaniabeg” ka në përbërje “Construzioni” për të cilën nuk ka asnjë të dhënë

    Shekulli

    TIRANE- Kompani fantazmë dhe shoqëri të paregjistruara janë përbërëset e kompanisë që drejtohet nga italiani Francesco Becchetti. Janë dokumente zyrtarë, si shqiptare dhe italiane që vërtetojnë faktin se kompania “Albaniabeg Ambient” ekziston më shumë si emër sesa si kompani që mund të ketë investuar apo ndërmarrë ndonjë aktivitet të madh ekonomik. Kështu duke u bazuar në dokumentet që disponon redaksia e “Shekulli” për herë të parë në Shqipëri, kompania italiane është njohur në fillim të vitit 2000 me emrin “Beg Albania” sh.p.k, me ortak “Beg” sh.a me seli në Romë dhe me administrator Francesco Becchetti. Në këtë periudhë shoqëria italiane është deklaruar si shoqëria koncesionare me objekt kryesor financimin, ndërtimin dhe administrimin e një hidrocentrali të vogël në vendin tonë. Pas regjistrimit të muajit prill të vitit 2000, në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, shoqëria “Beg Albania” ka ndryshuar emërtimin e shoqërisë në “Albania Beg Ambienti” sh.p.k. me këtë ndryshim të emrit, koncesionet e shoqërisë nga një HEC-i vogël u shtuan me katër HEC-e të tjera të cilat kjo kompani do t’i ndërtonte (rindërtonte) dhe administronte. Në këtë datë, shoqëria ka bërë dhe deklarimin se në pesë HEC-et e vegjël kishte si qëllim zhvillimin e aktivitetit projektues, ndërtimin dhe drejtimin e impianteve të HEC-eve. Përveç kësaj, “Beg Albania”, tashmë me emrin “Albania Beg Ambient” ka deklaruar se objekt do të kishte dhe aktivitet prodhues dhe atë të shitjes së aparaturave. Ndryshimi i fundit, i vitit që lamë pas, që ka ndodhur me shoqërinë që drejtohej nga Francesco Becchetti është emërtimi i këshillit të ri administrativ i cili përbëhej nga Francesco Becchetti, Vilson Ahmeti, Manlio Cerroni dhe nga Andi Kondi. Ndryshimi i radhës i shoqërisë është bërë para disa muajsh. Kështu në mesin e shkurtit që lamë pas, “Albania Beg Ambient” sh.p.k ka shitur kuotat dhe shoqëria është ndarë mes tre ortakëve në përqindjet përkatëse 70, 20 dhe 10 për qind. Me vendimin e 17 shkurtit, kapitali themeltar prej 1 milion lekësh i “Albania Beg Ambient” është ndarë mes shoqërisë italiane “BEG”, që ka vlerë 700 mijë lekë, shoqërisë “Energji” me vlerë 200 mijë lekë dhe shoqërisë tjetër italiane “CO.LA.RI” me vlerë 100 mijë lekë. Një prej fakteve të tjera që ka zbuluar “Shekulli” dhe që është më i errëti i aktivitetit të këtyre shoqërive është ekzistenca e një shoqërie fantazmë e cila është krijuar po këtë datë. Ka qenë shoqëria “Energji” e cila më datë 17 shkurt e ka ndarë kapitalin e saj mes dy ortakësh, prej të cilëve njëri nuk ekziston dhe nuk njihet në asnjë dokument zyrtar. Të dhënat nga Italia tregojnë se ortaku i quajtur “Costruzioni” që zotëron 90% të kapitali themeltar të “Energji” nuk njihet. Kështu në regjistrat e Dhomës së Tregtisë, Artizanatit dhe Bujqësisë së Romës, kësaj kompanie i dihet vetëm emri dhe numri i regjistrimit 4088118 por përkrah këtij numri vendi është bosh, nuk figuron asnjë e dhënë.
    Fantazma
    Në ndarjen e fundit të bërë gjatë këtyre viteve, është pikërisht kjo e fundit që ngre dyshime për aktivitetin e shoqërisë. Pas datës 17 shkurt, “Energji” është ndarë mes dy aksionerëve, prej të cilëve njëri është shqiptar dhe tjetri nuk figuron asgjëkundi, veçse me një emër. Kështu del se “Energji” është themeluar nga dy ortakët, prej të cilëve Rezart Kondi me kuotë 10 % dhe shoqëria “Construzioni” sh.p.k me kuotë 90 %, por kjo sipërmarrje figuron vetëm si emër dhe për të nuk gjendet asnjë informacion tjetër. Burimet e “Shekullit” dhe kërkimet e bëra pohojnë faktin. “Construzioni” është e regjistruar në regjistrin tregtar të Dhomës së Tregtisë, Industrisë, Artizanatit dhe Bujqësisë së Romës, por përkrah emrit dhe numrit të regjistrimit 4088118 nuk figuron asgjë tjetër. Kështu për këtë kompani nuk jepet as emri i pronarit apo aksionerëve, subjekti i saj dhe informacione të tjera që të tregojnë se kjo kompani “jeton”.

    Albaniabeg
    Këshilli i ri administrativ
    Vilson Ahmeti
    Francesco Beccheti
    Andi Kondi
    Manilo Cerroni

    “Albaniabeg” përbëhet nga këta ortakë
    Shoqëria italiane “Beg” me 70% me vlerë 700.000 lekë
    Shoqëria “Energji” me 20% me vlerë 200.000 lekë
    Shoqëria italiane “CO.LA.RI” me vlerë 100.000 lekë



    11/06/2004

  9. #9
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Shtatë prilli i plehrave


    Ervin Hatibi


    Qeveria shqiptare për një kohë të gjatë ka mbajtur frymën nën ujë për të mos i informuar qytetarët për një marrëveshje të çuditshme, e cila sjell plehrat e Italisë për t’i djegur në rrethinat e kryeqytetit shqiptar. Italia, sipas justifikimit të hedhur në publik, duhet të djegë plehra posaçërisht në Tiranë, sepse ndërtimi i krematoriumeve të plehrave në vendin e vet, duhet të kalojë përmes shumë pengesash burokratike, kurse Shqipëria e centralizuar nuk ka të tilla kasavete. Burokraci ajo ka vetëm për shtetasit e vet, kurse për të huajt ka vetëm bujarokraci.
    Kryeministri shqiptar u prit për herë të fundit nga homologu i tij italian më 7 prill të këtij viti. Një tjetër kryeministër shqiptar vite më parë është thirrur të vizitojë Italinë po në këtë datë. 7 prilli është ajo datë e zezë dhe shumë simbolike për Italinë dhe Shqipërinë, datë kur disa dekada më parë vendi u pushtua nga fashizmi i Musolinit, që kishte planifikuar të vendoste në brigjet tona adriatike disa qindra mijë kolonë italianë. Në vend të bujqve italianë, sot nga vendi përbri kërkojnë të na mbjellin thjesht koloni plehrash, mu në rrethinat e kryeqytetit, duke neglizhuar çdo lloj ndjeshmërie jo vetëm ekologjike por edhe kombëtare. Mesazhi globalist dhe neokolonialist i dorës së fundit është i qartë: “ju shqiptarët na jepni krahë e kofshë të lira pune, ne ju japim plehrat tona në formë investimi. Që t’i digjni mu në mes të “vendit tuaj në zhvillim”, mu në rrëzë të kryeqytetit tuaj pseudoevropian plot me pabe e mercedesa e medresera, Tiranës që kapardiset si gjeli shumëngjyrësh majë plehut!” Firma italiane e ngarkuar që bashkë me qeverinë shqiptare të djegë plehrat quhet “Albaniabeg Ambient Srl”, ose diçka si kjo. Më shumë se simetri akustike me Skënderbegun dhe bejlerët e perënduar shqiptarë, fjala “beg” të sajon anglisht atmosferën e përvujtnisë e mjerimit, që në këtë rast e bie folja “me lyp”.
    E bukura në këtë histori të turpshme me plehra italo-shqiptare, është fakti se një vendim i cili ka të bëjë me ajrin dhe sedrën arrin të eksperimentojë format embrionike por shpresëdhënëse të mpiksjes në Një të opinionit publik e komunitetit. Me opinion publik jemi të detyruar të kuptojmë intelektualët dhe aktivistët socialë me feed-back-un e tyre, kurse komuniteti është ai grupimi i banorëve i cili bashkohet si organizëm i gjallë nën të njëjtën shenjë a flamur. Shenja a flamuri nën të cilën shqiptarët (sipas meje) u bënë komunitet për herë të parë gjatë pasdiktaturës, kishte të mbishkruar slloganin “I paguhet prurësit me të parë”. Kurse në anën tjetër shkruante “Ligja dënon ata që prodhojnë e shpërndajnë bileta të falsifikuara”. E kam fjalën për vitin 1997 kur qytetarët shqiptarë, por veçanërisht vlonjatët, u bënë grupim i ndërgjegjshëm, komunitet, i cili nën shenjën e njëjtë të humbjes së parave reagoi në mënyrën e vet. Shenjat në të cilat grupohen shqiptarët dhe bëhen komunitet, kanë një sekret të njohur: nuk duhet të jenë abstrakte. Dhe e dyta, nuk duhet të lypin sensibilitete të sofistikuara, por fizike, gati klinike. Nuk duhet të jenë relike të falsifikuara kombëtare apo dogma jokonsensuale fetare apo sofizma importi shkruar në gjuhë letrare. Në rastin e protestave premtuese të ditës së martë, me përfaqësi nga gjithë kastat e klasat e shoqërisë, kemi të bëjmë mbase për herë të parë me daljen në shesh të qytetarit, jo si tifoz i diskredituar politik, por si veprimtar civil i ndërgjegjësuar, jo përmes urrejtjes ideologjike, jo përmes financimeve “për një Kulturë të Re Proteste” të paguara nga ambasadat, por shqiptarçe, përmes reagimit ndaj kërcënimit praktik e fizik të ndotjes së mjedisit dhe imazhit të përgjithshëm e vetjak.
    A ka vallë qeveri shqiptare që ta tolerojë këtë embrion premtues të kohezionit qytetar? A ka vallë qeveri shqiptare që me një gjest të tillë plehradjegës, (sado fitimprurës për shtetin a shtetarët) të mund t’i bëjë bllok qytetarët e vet lehtë të qeverisshëm në dasitë e tyre të mirëmbajtura (të djathtë e të majtë, të persekutuar e persekutorë, kredidhënës e kreditorë, spiunë e të spiunuar, qytetarë e malësorë, myslimanë e të krishterë, pronarë e ish-pronarë, shqiptarë e çamë, toskë e gegë, të rinj e të vjetër) për t’i kthyer befas në thjesht QYTETARË & QYTETARË? Vështirë shumë. Luks i tepërt. Fundi i botës! Kështu që besojmë se qeveria do ta shfuqizojë këtë marrëveshje rehatprishëse.
    Qeveritarë që pranojnë shtatë prille të tilla me atdheun si tokë apo si ajër nuk janë asesi të rinj në historinë tonë. Kështu që, në shembullin sesi qeveritarët tanë të së shkuarës i kanë rënë me shkelm edhe fjalës së vet (oh!), për të mos lejuar shoqërinë të bëhet Një kundër tyre, mund të ofrojmë edhe moduse tërheqjeje edhe për këta të sotmit.
    Një ngjarje simpatike e viteve 18-19 të shekullit të kaluar, ka për protagonistë prapë italianë e shqiptarë, (veçanërisht vlonjatë) dhe koncesione si sot përmbi mjedisin e të gjithëve. Historinë na e sjell Eqerem “beg” Vlora në librin e tij fantastik të kujtimeve. Asokohe, prefekti i Vlorës, Osman Haxhiu kishte lidhur një kontratë me një sipërmarrje italiane për tharjen e kënetave. Marrëveshja u nënshkrua nën praninë e ushtrisë italiane (prani edhe sot aktuale, të cilën Berluskoni në fjalimin e kongresit të partisë së vet të ca ditëve më parë e renditi krahas asaj në Afganistan, Irak, Bosnje e Kosovë). Sipas marrëveshjes, prefektura dhe komuna shqiptare do t’u paguanin italianëve detyrimet e tharjes së kënetave në dy mënyra: një të tretën në para të thata, dhe dy të tretat për 20 vjet, duke lënë peng tokën e përfituar nga këneta. (Vini re sa e favorshme kjo kontrata, e nënshkruar edhe në praninë e armatosur të trupave të pushtimit.) Me shpejtësinë që karakterizon shqiptarin kur do të bëhet i mirë me të huajt, prefekti i kohës, Osman Haxhiu, analfabet, e vuri aty për aty vulën në akt-marrëveshje. (Sipas traditave të kohës, njerëzit e parisë kishin vula personale ose vula-unaza me emrin e tyre, dhe kur u duhej të nënshkruanin, ngaqë jo edhe aq rrallë ishin analfabetë, ngjyenin vulat me bojë dhe i stamponin nëpër dokumente. Fukarenjtë-analfabetë këtë e bënin thjesht duke i mëshuar dokumenteve me gishtin lyer me bojë.) Sapo morën vesh për marrëveshjen e aty-për-atyshme, vlonjatët e fyer e akuzuan prefektin analfabet, se duke mos lexuar dokumentin, kishte firmosur për të shitur Vlorën. Prefekti u vu në sedër dhe u pendua. U rikthye në zyrat e komandaturës italiane të gjeneral Piaçentinit dhe u tha se kishte nevojë të rishikonte (!!!) aktin e marrëveshjes, dhe kur italianët ia dhanë dokumentin, ky menjëherë LËPIU vendin ku kishte vulosur, duke shuar apo fshirë a llangosur kështu bojën artizanale të vulës së vet. Opaa, s’ka më vulë, as marrëveshje!!!
    “Ideja nuk ishte e keqe-vazhdon Eqerem bej Vlora, por pasojat katastrofale. Italianët thanë se e nxorrën atë (O.H.) jashtë me shqelma. Osman Haxhiu, përkundrazi, tregoi variantin e tij: ai e kishte plasur gjeneral Piaçentinin përdhe, e pastaj bashkë me të, duke u përleshur, ishin rrokullisur nëpër korridor, tatëpjetë shkallëve, deri tek dera kryesore e pallatit. Kur unë ia rrëfeva këtë variant gjeneral Piaçentinit, ai desh vdiq së qeshuri. Por populli, megjithatë, nuk gabohej lehtë: ai i besoi Osman Haxhiut heroik dhe të lavdishëm”.



    11/06/2004
    KATEGORIA: Analiza

  10. #10
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Ora,

    BOTA SOT eshte edhe ne internet, apo e ke hedhur lajmin duke e shkruar vete ne kompjuter?

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 25-04-2007, 13:52
  2. Kronikë e një përdhosjeje
    Nga Xhuxhumaku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2006, 18:06
  3. Arratisja e madhe
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-11-2005, 06:49
  4. Vllezerit Bluz Skripti ne Shqip.
    Nga Antitrup në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 23-08-2005, 17:57
  5. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 19-06-2005, 10:06

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •