PERCEPTIMI I BASHKIMIT EVROPIAN

Integrimi gradual i vendit në strukturat evropiane është një nga aspiratat kryesore të Shqipërisë. Kjo vazhdon të pasqyrohet në fjalorin e elitës politike dhe administrative shqiptare. Nga kontaktet e ngushta dhe të shpeshta me Komisionin Evropian, këto elita kanë mundur të krijojnë jë ide relativisht të mirë të semantikës së procesit të integrimit.

Institutet studimore vazhdojnë të monitorojnë evolucionin e perceptimit të BE-së Shqipëri. Qëndrimi i publikut ndaj BE-së është pozitiv, por të kuptuarit nga ana e popullsisë e kushteve të anëtarësimit në BE, si edhe të asaj që BE-ja ofron në çdo stad të këtij procesi, është ende i kufizuar dhe duhet përmirësuar. Keqperceptimet janë të shpeshta, ndërsa pritshmëria dhe shpresat rreth aftësisë së BE-së për të ndihmuar Shqipërinë në zgjidhjen e problemeve të saj të brendshme, përfshirë edhe ato politike, mbivlerësohen.

Ndihma e BE-së natyrisht vlerësohet. Megjithatë, fokusimi i ndihmës financiare te çështjet që lidhen me ndërtimin institucional shihet disi me skepiticizëm, kryesisht për shkak se rezultatet në këtë fushë bëhen të prekshme më ngadalë nga ana e popullsisë sesa, për shembull, zhvillimi i infrastrukturave. Nga ana tjetër, ritmi i ngadaltë i zbatimit të ndihmës së BE-së deri më sot nuk luan në favor të një vizibiliteti të madh. Gjithashtu, popullsia shqiptare nuk i percepton gjithmonë mjaftueshëm elementet pozitivë të aspektit rajonal të Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit. Për të, përfitimet e vërteta vijnë nga forcimi i marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në.

Perceptimi i publikut shqiptar rreth BE-së ndikohet shumë nga politikanët dhe mediat. Për rrjedhojë, mënyra se si e paraqesin ata procesin është shumë e rëndësishme. Është e domosdoshme të përcillet një përshkrim realist dhe i saktë i procesit, përndryshe kjo do të sillte keqinformim te shqiptarët aq sa keqperceptimet e të tashmes, të kthehen në frustracione në të ardhmen. Në këtë drejtim, politikanët shqiptarë shpesh përçojnë mesazhe optimizmi të tepruar te njerëzit. Kjo gjë përbën problem, sepse rrit shpresat në planin afatshkurtër në atë pikë sa kur ato nuk realizohen, njerëzit ndjehen të zhgënjyer. Për këtë arsye, është e domosdoshme që politikanët t'i japin popullit mesazhe realiste.

Media luan një rol edhe më qendror në përcaktimin e perceptimit të publikut. Mbulimi dhe debati për çështje të Shqipërisë që lidhen me BE-në është rritur vazhdimisht, ndërsa cilësia rreth tyre është përmirësuar deri diku për shkak të shtimit gradual të njohurive të gazetarëve për çështje kryesore, si për shembull për funksionimin e institucioneve të BE-së dhe situatës së marrëdhënieve ndërmjet tij dhe Shqipërisë. Por, sigurisht informacioni i ofruar nga mediat është i pambrojtur nga manipulimet politike. Pjesa më e madhe e mediave shqiptare janë lehtësisht të influencueshëm nga jashtë, qoftë nga qeveria, partitë politike apo organizma të tjerë (ca më shumë, ca më pak të njohur). Natyrisht kjo të çon në një situatë ku shpesh ndeshet deformimi i informacionit apo mungesa e paanshmërisë. E për pasojë, është publiku ai që shpesh keqinformohet lidhur me çështjet e BE-së (por edhe për të tjerat).

Autoritetet shqiptare duhet shtojnë përpjekjet për t'i ofruar shoqërisë shqiptare informacion të saktë rreth vlerave, parimeve, marrëdhënieve dypalëshe dhe funksionimit në tërësi të BE-së. Duhet bërë ç'është e mundur që njerëzit të informohen si duhet rreth situatës reale për të shmangur sa të jetë e mundur keqkuptimet. Vëmendje e posaçme i duhet kushtuar informimit të gazetarëve dhe opinionbërësve rreth çështjeve kryesore Shqipërisë me BE-në, veçanërisht rreth procesit të Stabilizimit dhe Asociimit.