Close
Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 21
  1. #11
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    ZBATIMI I PROCESIT TË STABILIZIMIT DHE ASOCIIMIT

    Vlerësim i përgjithshëm

    Në 31 janar 2003, u hapën zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA). Janë zhvilluar nëntë raunde dhe është bërë progres në diskutimet për tekstin e MSA-së së ardhshme. Megjithatë, vënia në jetë e reformave ishte e pamjaftueshme për zgjidhjen si duhet të shumë prej problemeve të vëna në dukje në raportin e Grupit Drejtues të Nivelit të Lartë, në raportet e mëpasme të Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit (PSA) dhe në kuadrin e dialogut të shpeshtë ndërmjet Komisionit Evropian (KE) dhe Shqipërisë. Vetëm një numër i kufizuar i rekomandimeve të raportit të PSA-së të 2003 dhe të takimeve të Task Forcës Konsultative (TFK) janë zbatuar plotësisht. Shqipëria ende nuk ofron garanci të mjaftueshme për të treguar se do të ishte e aftë për të zbatuar si duhet Marrëveshjen e ardhshme të Stabilizimit dhe Asociimit (MSA). Para se të përfundojnë negociatat për MSA-në, Shqipëria duhet të tregojë se ka bërë përparime të konsiderueshme në reforma dhe se është në gjendje të vërë në zbatim kërkesat e MSA-së të cilat ajo vetë i ka negociuar. Nevojitet më shumë vendosmëri në drejtim të dhënies së rezultateve në fusha të ndryshme


    Gjendja aktuale

    Në 31 janar 2003, Presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, hapi zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA). Deri më sot, janë zhvilluar nëntë raunde negociatash. Gjatë këtyre raundeve, është bërë i mundur diskutimi i pjesës më të madhe të çështjeve që përmban MSA-ja. Megjithatë, reformat e ndërmarra nga Shqipëria janë të pamjaftueshme për të garantuar zbatimin e drejtë të MSA-së. Shqipëria duhet të shpejtojë ritmin e reformave që, në përfundim të procesit të negociatave, të japë garanci se është në gjendje të zbatojë si duhet Marrëveshjen.

    Duke marrë parasysh realitetin e vendit, nevojiten angazhim politik dhe vendosmëri tejet e madhe për të trajtuar problemet e pazgjidhura. Ky angazhim nuk ka qenë i pranishëm sa duhet. Klima politike, ku përfshihen konfliktet e shpeshta për pushtet brenda partisë në fuqi, retorika e ndezur dhe konflikti ndërmjet partisë në pushtet dhe opozitës, penguan zbatimin me efikasitet të reformave. Për arritjen e përparimeve të konsiderueshme në Procesin e Stabizimit dhe Asociimit (PSA), Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe urgjente, veçanërisht në këto fusha: 1) lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit; 2) forcimi i sistemit gjyqësor dhe i administratës publike; 3) garantimi i funksionimit të drejtë të demokracisë (përfshirë dhe zgjedhjet) dhe ruajtja e stabilitetit politik të domosdoshëm për zbatimin e shpejtë të reformave; 4) përmirësimi në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave; 5) formalizimi i mëtejshëm dhe reforma në ekonomi, si edhe rritja e qëndrueshmërisë fiskale me anë të administratave doganore dhe tatimore më të efektshme dhe të një kuadri ligjor më të fortë.

    Si një moment më pozitiv, duhet shënuar se, pas tri raundeve të suksesshme negociatash, në dhjetor 2003, u ra dakord për "Marrëveshjen e Ripranimit me Komunitetin për personat me qëndrim të paautorizuar". Shqipëria duhet të marrë tashmë masat e nevojshme për të përfunduar procedurat e brendshme për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes sa më shpejt gjatë vitit 2004.


    Vlerësim i përgjithshëm i kapaciteteve administrative

    Në tërësi, administrata publike shqiptare duhet forcuar më tej për të garantuar zbatimin e duhur të instrumenteve kryesorë të Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit dhe veçanërisht të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit (MSA). Pajisjet dhe infrastruktura janë të kufizuara, ndërsa personeli është përgjithësisht i pamjaftueshëm, jo gjithmonë i formuar si duhet dhe ndryshon shumë shpesh. Negociatat për MSA-në po e venë edhe më shumë përballë çështjeve të BE-së duke ia bërë më të dukshme mangësitë.

    Megjithatë, gjatë muajve të fundit janë bërë disa hapa për të përforcuar strukturat e përfshira drejtpërsëdrejti në çështjet e BE-së. Më konkretisht, Departamenti për Integrimin Evropian u kthye në Ministri në fillim të 2004 dhe kjo ministri pritet të forcohet gradualisht. Kjo gjë është vendimtare duke qenë se kjo ministri duhet të kryejë një mision gjithnjë e më kërkues ku përfshihen si bashkërendimi me ministritë e ndryshme të linjës dhe institucione të tjera që lidhen me fusha të ndryshme të negociatave për MSA-në, ashtu edhe bashkërendimi me ministritë e linjës dhe bashkësinë ndërkombëtare lidhur me ndihmën financiare.

    Me qëllim që të përgatitet si duhet për vënien në jetë të MSA-së së ardhshme, Shqipëria, duhet që, përpos reformës së përgjithshme në administratën publike, të forcojë shpejt dhe ndjeshëm ato organizma shtetërorë të cilat do të përfshihen drejtpërsëdrejti në zbatimin e kërkesave kryesore të MSA-së. Vëmendje e posaçme i duhet kushtuar: tregtisë dhe fushave që lidhen me tregun e brendshëm, si doganat; shërbimeve fito-sanitare dhe veterinare; standardeve dhe certifikimit; prokurimeve publike; konkurrencës dhe ndihmës shtetërore, mbrojtjes së konsumatorit dhe të drejtave mbi pronësinë intelektuale, industriale dhe tregtare. Sektori i drejtësisë dhe punëve të brendshme gjithashtu kërkon një vëmendje të veçantë. Nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i kapaciteteve administrative të Shqipërisë për të garantuar zbatimin si duhet të ndihmës financiare të KE-së vazhdon të jetë një prioritet. Përdorimi i drejtë i mbështetjes financiare të KE-së, nga njëra anë do të ndihmonte njëkohësisht reformat dhe përparimin e gjithanshëm të vendit, dhe nga ana tjetër do të shërbente si një tregues i qartë i ecjes së Shqipërisë në drejtim të forcimit të kapaciteteve administrative.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  2. #12
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Ndikimi në reformat i perspektivës së MSA-së

    Perspektiva e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit vazhdon të shërbejë si nxitje për reformat. Megjithatë, këto të fundit po përparojnë me ritëm tepër të ngadaltë. Siç është theksuar në të gjitha rastet e duhura, BE-ja e gjykon të domosdoshme kryerjen e reformave të thella para përfundimit të negociatave të MSA-së. Shqipëria duhet të krijojë sa më shpejt të jetë e mundur një mjedis i cili do të garantonte zbatimin si duhet të marrëveshjes që ajo po negocion. Kjo gjë parashikon jo vetëm kapacitete administrative të mjaftueshme, por edhe sigurinë e nevojshme ligjore. Reformat duhet të jenë njekohësisht të guximshme dhe të ndjeshme me qëllim që vendi t'i përballojë me sukses problemet e vështira që ka përpara dhe të sigurojë një progres të dukshëm dhe të pakundërshtueshëm.


    Tregu i brendshëm dhe tregtia

    Kuadri ligjor i Shqipërisë lidhur me qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, si edhe me vendosjen (establishment), në teori është relativisht i hapur dhe jodiskriminues. Megjithatë, kufizimet e administratës dhe problemet serioze të korrupsionit vazhdojnë të kenë efekte negative në zbatimin konkret të këtij legjislacioni. Kjo gjë ndikon gjithashtu edhe në marrëdhëniet tregtare. Zbatimi subjektiv apo diskriminues i ligjeve është mesa duket i shpeshtë, për shembull në fushën e tatimit mbi ndërmarrjet. Mungesa e garancive në lidhje me zbatimin e drejtë të procedurave është një çështje që duhet zgjidhur urgjentisht.

    Shqipëria ka bërë disa përparime në drejtim të përmirësimit të legjislacionit dhe të pjesëmarrjes në konventat ndërkombëtare në fushën e tregut të brendshëm. Megjithatë, kapacitetet administrative në fazën aktuale vazhdojnë të jenë shumë të dobëta për të garantuar zbatimin si duhet të këtij legjislacioni dhe, rrjedhimisht, aftësinë e Shqipërisë për të përmbushur kërkesat e MSA-së. Përpjekje duhen bërë veçanërisht në fushën e doganave dhe të prokurimeve publike.


    Qarkullimi i mallrave

    Shqipëria ka kryer një liberalizim tregu të konsiderueshëm përsa i përket qarkullimit së mallrave. Sipas deklaratave të autoriteteve shqiptare, nuk ekzistojnë kufizime sasiore për importet dhe eksportet. Shqipëria ka marrë angazhime ambicioze për heqjen e tarifave gjatë negociatave për anëtarësim në OBT dhe tani po liberalizon edhe më tej tregun pas hyrjes në fuqi të një sërë marrëveshjesh të tregtisë së lirë. Por, mesa duket, ajo nuk do të jetë në gjendje të respektojë një pjesë të angazhimeve të saj për mallrat me OBT-në për 2004. Kjo vjen për shkak të konsideratave për ndikimin në buxhet, si edhe të efekteve negative që kalendari i zbatimit do të kishte mbi kompanitë e porsakrijuara dhe ende të brishta. Shqipëria aktualisht po informon rreth kësaj situate anëtarët e OBT-së, përfshirë edhe KE-në, sipas detyrimeve të GATT-it.

    Bashkimi Evropian (BE) është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë. Ai përfaqëson rreth 75 % të importeve të përgjithshme të Shqipërisë dhe rreth 90 % të eksporteve të saj të përgjithshme. Deficiti tregtar i Shqipërisë me BE-në pritet të jetë rreth 750 milion € për vitin 2003. Në nivel sektorësh, BE-ja importon nga Shqipëria kryesisht prodhime të përpunuara. Tekstilet përllogariten në afërsisht 29 % të importeve tregtare, ndërsa prodhimet bujqësore në rreth 12 %. Eksportet kryesore të BE-së drejt Shqipërisë janë produkte industriale dhe prodhime të tjera të përpunuara. Prodhimet bujqësore zënë rreth 20 % të shumës së eksporteve të BE-së. Deri më sot, pavarësisht nga një rritje relative e eksporteve (+11 % krahasuar me 2002), Shqipëria nuk ka mundur të përfitojë realisht nga tarifat preferenciale autonome për tregtinë që i ka akorduar BE-ja. Zhvillime të tilla si zbatimi i strategjisë së nxitjes së eksporteve apo ngritja e një agjencie për nxitjen e eksporteve, synojnë shtimin e mundësive eksportuese të Shqipërisë. Megjithatë, për të arritur rezultate të dukshme përsa i përket eksporteve, Shqipërisë i duhet të bëjë hapa të konsiderueshëm dhe të bashkërenduar në një sërë fushash, si në cilësinë e gjithanshme të produkteve, kontrollin e cilësisë dhe certifikimin, zbatimin e standardeve të BE-së, rregullat veterinare dhe fito-sanitare, zhvillimin e kanaleve tregtare, etj.

    Në fushën e standardeve dhe certifikimit, janë shënuar disa përparime. Shqipëria ka adoptuar 42 % të Standardeve Evropiane, duke përmbushur në këtë mënyrë objektivin e vënë, si në programin e punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit (DPS), ashtu edhe në planin e veprimit të qeverisë. Në muajin gusht, u ratifikua ligji për "Vlerësimin e konformitetit". Ky ligj përcakton parimet e vlerësimit të konformitetit të produkteve, proceseve dhe shërbimeve të cilat përbëjnë rrezik potencial për shëndetin e njeriut, sigurinë publike, mjedisin dhe interesa të tjera publikë. Por, një përbërës i rëndësishëm i reformës mbetet ende i papërfunduar dhe, pikërisht miratimi i projekt-dekretit mbi organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Akreditimit. Ky dekret do të bëjë ndarjen e funksioneve të akreditimit prej atyre të standardizimit dhe certifikimit. Miratimi i këtij dekreti do të sillte rritje të konsiderueshme të numrit të personelit përgjegjës për akreditimin në Ministrinë e Ekonomisë (15 veta). Në tetor 2003, DPS-ja u bë anëtare me të drejta të plota e Organizatës Evropiane të Testimit dhe Certifikimit (OETC). Ndërkohë, janë bërë disa përparime të vogla në fushën e Metrologjisë dhe Kalibrimit. Për shembull, është kryer kontrolli teknik i matësve elektrikë, janë pajisur zyrat rajonale dhe është trainuar personeli për zbatimin e e direktivës së KE-së për taksimetrat.

    Në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, u miratua ligji i ri në shtator 2003, si edhe u krijua Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorëve (DMK) në Ministrinë e Ekonomisë. Aktualisht, departamenti përbëhet nga katër persona dhe e ka përqendruar punën në hartimin e akteve normative të nevojshme për vënien në zbatim të ligjit të ri. Shqipëria duhet t'i vazhdojë përpjekjet e saj për të garantuar përgatitjen sa më shpejt të akteve zbatuese, rritjen e qenësishme të bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe shoqatat e konsumatorëve, ngritjen e një sistemi për mbikqyrjen e tregut dhe dhënies këtij departamenti të autoritetit për të ndërmarrë veprim ligjor në rast shkeljesh të të drejtave të konsumatorit. Duhen vazhduar përpjekjet për zhvillimin gradual të një kulture mbrojtjeje efektive të interesave të konsumatorëve.


    Qarkullimi i njerëzve, shërbimeve dhe të drejtat e vendosjes

    Shqipëria ka bërë përpjekje të konsiderueshme gjatë zhvillimit të negociatave të anëtarësimit në OBT për hapjen e ekonomisë së saj ndaj kompanive dhe investimeve të huaja. Ky liberalizim po shtrihet gradualisht edhe te shërbimet, duke përfshirë fusha parësore si sektorin financiar dhe telekomunikacionet. Por, liberalizimi i plotë i telekomunikacioneve shqiptare, i parashikuar për t'u bërë në vitin 2003, u shty deri në 1 janar 2005.

    Përsa i përket qarkullimit të njerëzve, flukset migratore të shqiptarëve drejt Evropës dhe SHBA-së janë pakësuar, por ato nuk janë ndërprerë. Emigrimi është rezultat kryesisht i situatës social-ekonomike aktuale dhe mungesës së përgjithshme të besimit në mundësitë që vendi është në gjendje të ofrojë. Klima shpeshherë e tensionuar politike, e kombinuar me qëndrimin jokonstruktiv të partive politike vazhdon të ndikojë negativisht në shpresat e popullsisë për një të ardhme më të mirë. Largimi i trurit gjatë dekadës së fundit ka prekur potencialin zhvillues të Shqipërisë, ndërsa kthimi i migrantëve të cilët do të ndihmonin potencialisht me njohuritë e tyre në zhvillimin e vendit është i ulët. Megjithëse imigracioni drejt vendit është i pakët, Shqipëria duhet gjithsesi të përgatisë kuadrin e përshtatshëm ligjor në këtë fushë. Legjislacioni ekzistues shqiptar nuk ofron garanci për respektimin e të drejtave të bashkëshortëve dhe fëmijëve të punonjësve të mundshëm nga BE-ja të punësuar ligjërisht në Shqipëri, sipas kërkesave standarde të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit (MSA). Në 1 janar 2003, hyri në fuqi Karta Sociale Evropiane (e rishikuar, 1996).

    Legjislacioni shqiptar është relativisht i hapur përsa i përket vendosjes (establishment). Shoqëritë nga BE-ja mund të vendosen sipas procedurave të ngjashme me ato që kërkohen për kompanitë shqiptare. Sipas autoriteteve shqiptare, nuk ekziston asnjë diskriminim midis kompanive shqiptare dhe atyre të huaja. E njëjta përqasje e hapur duket se aplikohet edhe në sektorë delikatë si financat dhe transportet. Ligji shqiptar per Investimet e Huaja është veçanërisht liberal dhe teorikisht ofron garanci të konsiderueshme për të gjithë të huajt (qofshin këta persona fizikë apo juridikë) që dëshirojnë të zhvillojnë veprimtari ekonomike në Shqipëri. Kufizime aplikohen vetëm për disa profesione të caktuara (mjek, dentist). Por, kjo përqasje liberale pengohet seriozisht nga mungesa e zbatimit të drejtë të ligjit dhe nga procedurat e paqarta. Investitorë të ndryshëm që veprojnë në Shqipëri deklarojnë se shumë nga vendimet për vendosje në Shqipëri varen nga kontakte personale të "nivelit të duhur", siç shprehen ata. Ky trajtim mund të çojë fare lehtë në diskriminimin de facto dhe në praktika korruptive, si edhe të ketë efekte negative për investimet potenciale.

    Të huajt mund të blejnë pasuri të patundshme dhe tokë jobujqësore private për të kryer aktivitet ekonomik. Ndërsa toka jobujqësore shtetërore mund të blihet vetëm në rast se investimi i planifikuar është tri herë më i madh se çmimi i tokës. Të huajt nuk mund të blejnë tokë bujqësore. Ata mund ta marrin atë me qera për një periudhë maksimale 99-vjeçare.


    Qarkullimi i kapitalit

    Shqipëria po ngre gradualisht legjislacionin për liberalizimin e qarkullimit të kapitalit. Kuadri ligjor i Shqipërisë aktualisht parashikon mbrojtjen e investimeve dhe mundësinë e riatdhesimit të investimeve dhe përfitimeve. Transferimi hyrës i kapitaleve është liberalizuar plotësisht. Sipas qëndrimeve të fundit të autoriteteve shqiptare, transferimi në dalje i kapitaleve do të liberalizohet plotësisht në 2010. Shqipëria nuk e ka pranuar ende Nenin VIII të Marrëveshjes së FMN-së për shkak të debitit të pashlyer me një numër vendesh. Megjithatë, me këto vende po bisedohet gradualisht për marrëveshje rinegociimi. Ndërkohë, autoritetet shqiptare deklarojnë se nuk ka asnjë kufizim si për pagesat ashtu edhe për transferimet lidhur me llogaritë e bilancit të pagesave. Vazhdimi i reformës në sektorin financiar, si edhe përmirësimi i instrumenteve të politikës monetare dhe mbikqyrjes bankare, ngelen vendimtare për progresin e Shqipërisë drejt liberalizimit të plotë të pagesave dhe qarkullimin e kapitalit.


    Doganat

    Me inkurajimin e vazhdueshëm të Misionit të BE-së për Ndihmën e Doganave në Shqipëri (CAM-A) dhe në bazë të Planit të Veprimit të 2003 për këtë sektor, autoritetet shqiptare kanë bërë hapa në drejtim të përmirësimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD). Po forcohet administrimi rajonal dhe janë ngritur sektorë të rinj lidhur me origjinën e mallrave dhe kontrollin post-doganor. Është ngritur gjithashtu një departament operativ i posaçëm që ka për qëllim luftën kundër mashtrimit në dogana. DPD-ja ka përgatitur disa amendamente të Dispozitave Zbatuese të Kodit Doganor për të zgjidhur problemin kritik të administrimit të burimeve njerëzore dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e personelit. Është hequr dorë nga praktika e shoqërimit të mallrave me rrezik të lartë dhe janë përmirësuar praktikat e përcaktimit të vlerës të mallrave. Përsa i përket sistemit të administrimit të informacionit dhe statistikave tregtare janë bërë përparime të mëtejshme në zbatimin e sistemit ASYCUDA. Zbatimi i ASYCUDA-s në Doganën e Tiranës dhe në portin e Durrësit (të cilat së bashku përfaqësojnë rreth 60 % të transaksioneve tregtare) është parashikuar në muajt e parë të 2004 dhe do të përbëjë një ngjarje me rëndësi për të gjithë sistemin.

    Por, pavarësisht hapave të mësipërm dhe përpjekjeve të BE-së, reforma dhe përpjekjet për modernizim të administratës doganore shqiptare janë zhvilluar me ritëm shumë të ngadaltë, ndërsa rekomandimet e ndryshme të raportit paraardhës të Stabilizim-Asociimit për këtë sektor nuk janë zbatuar si duhet. Arsyeja kryesore mund t'i vishet paqëndrueshmërisë të sistemit të administrimit të këtij shërbimi dhe të personelit kryesor. Megjithë paralajmërimet e ekspertëve ndërkombëtarë, gjatë 18 muajve të fundit, janë kryer ndryshime të shumta të personelit pa argumentimin e duhur. Gjatë kësaj periudhe, janë emëruar gjashtë drejtorë të përgjithshëm dhe janë bërë lëvizje të shumta në nivel më të ulët. Kjo paqëndrueshmëri ka sjellë mungesën e një strategjie të gjithanshme reformuese dhe tendencën për t'u fokusuar në një objektiv të vetëm, realizimin e planit të të ardhurave. Efikasiteti i punonjësve të doganave në pikat kryesore kufitare të Shqipërisë vazhdoi të ishte i ulët, ndërsa kontrabanda dhe trafiqet vazhdojnë të jenë një problem serioz. Gjithashtu janë raportuar raste të zbatimit diskriminues të legjislacionit doganor.

    Ndonëse mbledhja si duhet e të ardhurave është një detyrë themelore e administratës doganore (veçanërisht në një vend si Shqipëria me burime buxhetore të kufizuara), ajo duhet të kryhet duke respektuar plotësisht ligjin. Në fund të vitit 2003, në bazë edhe të kërkesave të CAM-A-së, me një urdhëresë të Ministrisë së Financave u vendos heqja e të gjitha praktikave anormale (si p.sh. deklarimi paraprak i mallrave) që përdoreshin nga Drejtoria e Doganave për të realizuar planin e të ardhurave mujore. Shqipëria duhet të mbajë parasysh se metoda më e mirë për rritjen e të ardhurave është garantimi i zbatimit të ligjit dhe lufta e vendosur kundër mashtrimit dhe kontrabandës. Përsa i përket mbledhjes së të ardhurave, administrata doganore arkëtoi rreth 400 milion € në 2003, që përbën 95 % të objektivit të parashikuar për këtë periudhë.

    Shqipëria ka bërë disa hapa në luftën kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të tjera kriminale në administratën doganore. Janë marrë një numër i konsiderueshëm masash disiplinore. Megjithatë, duhen bërë më shumë përpjekje të qenësishme në këtë fushë për të siguruar integritetin e kësaj administrate. Në veçanti, veprimtaria kriminale duhet përndjekur pa hezitim.

    Administrata doganore shqiptare, me mbështetjen e plotë të qeverisë, nuk duhet të fokusohet vetëm në mbledhjen e të ardhurave, por ajo duhet t'i kushtojë vëmendje të mëtejshme çështjeve të tilla si krimi i organizuar, droga, kontrabanda dhe pastrimi i parave. Më tej, ajo duhet të sigurojë stabilitet dhe një administrim të mirë të burimeve njerëzore, të përshpejtojë reformat dhe të përgatitet për zbatimin si duhet të kërkesave të MSA-së, veçanërisht nëpërmjet forcimit të ndjeshëm të departamenteve që lidhen me tregtinë (sidomos atë të origjinës) dhe përmirësimit të pandërprerë në zbatimin e procedurave doganore, përfshirë fushat e përcaktimit të vlerës, tranzitimit, dhe magazinave doganore. Autoritetet shqiptare duhet të garantojnë përdorimin me efikasitet të ndihmës së ofruar nga Komisioni Evropian për këtë sektor jetik.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  3. #13
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Konkurrenca dhe ndihmat shtetërore

    Në verë të vitit 2003, u miratua ligji i ri për konkurrencën, i cili parashikon krijimin e një autoriteti të pavarur për konkurrencën sipas kërkesave të KE-së. Ligji i njeh autoriteteve të konkurrencës të drejtën e iniciativës për të filluar procedurat hetimore. Ai parashikon gjithashtu edhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërmjet këtij organizmi nga njëra anë, dhe organizmave të tjera publikë dhe privatë, enteve rregullatore, gjykatave apo autoriteteve të tjera kompetente, nga ana tjetër. Megjithatë, nuk janë miratuar ende aktet normative, megjithëse sipas ligjit kjo gjë duhej të bëhej deri në fund të vitit 2003. Vonesat u shkaktuan nga mungesa e marrëveshjes politike për përbërjen e Komisionit të Konkurrencës i cili ishte kusht paraprak për miratimin e akteve normative. Tashmë kur kjo çështje është zgjidhur dhe Komisioni është ngritur, autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë zbatimin e ligjit nëpërmjet miratimit sa më shpejt të këtyre akteve të nevojshme. Shqipëria duhet të vazhdojë gjithashtu përpjekjet për plotësimin me burimet e nevojshme njerëzore të këtij autoriteti të pavarur.

    Ndërkohë, Departamenti i Konkurrencës në varësi të Ministrisë së Ekonomisë i cili tani përbëhet ngë nëntë punonjës, ka ndihmuar në mënyrë aktive në përmirësimin e kuadrit normativ dhe në trajtimin e një sërë ankesave lidhur me konkurrencën e pandershme (7 raste) dhe antitrustin (5 raste).

    Në rrafshin e ndihmave shtetërore, struktura e ngritur brenda Ministrisë së Ekonomisë, me aktualisht vetëm dy ekspertë, vazhdon të mbetet e paplotësuar me personelin e nevojshëm. Është hartuar një studim për zhvillimin e kuadri ligjor në këtë fushë dhe ka filluar puna paraprake për përgatitjen e inventarit të skemave të ndihmës shtetërore të aplikuar në Shqipëri dhe për përllogaritjen e Prodhimit Kombëtar Bruto (PKB) sipas shkallës NUTS II. Këto nisma duhen vazhduar për të qenë transparentë nëpërmjet hartimit të një liste dhe sistemi raportues sa më të plotë lidhur me të gjitha llojet e ndihmave ekzistuese, bazuar në përcaktimin e BE-së mbi ndihmën shtetërore. Një hap thelbësor për t'u bërë është edhe miratimi i një kuadri ligjor të përshtatshëm për këtë fushë. Megjithëse këto hapa paraprakë janë për t'u përshëndetur, zhvillimi i një regjimi të plotë të kontrollit të ndihmave shtetërore do të kërkojë mesa duket një masë të konsiderueshme kohe, përpjekjesh dhe burimesh.

    Gjendja e Shqipërise, ku tregu informal zë ende një peshë të konsiderueshme, vazhdon të jetë pengesë për konkurrencën e ndershme ndërmjet kompanive të tregut formal dhe atyre të tregut informal. Kjo gjë ndikon me të vërtetë negativisht në dëshirën e kompanive për të investuar dhe operuar ligjërisht në Shqipëri. Në këtë kontekst, Shqipëria duhet të forcojë mbrojtjen juridike të konkurrencës, për shembull politikat horizontale që nxisin konkurrencën nëpërmjet liberalizimit, përmirësimin e praktikave të prokurimit publik, sigurimit të një përqasjeje pro konkurrencës në privatizime dhe një forcim tërësor të shtetit ligjor.


    Prokurimet publike

    Shqipëria ka vazhduar përpjekjet për forcimin e kapaciteteve ende të kufizuara të saj në këtë fushë. U ristrukturua Agjencia e Prokurimeve Publike (APP) dhe u rrit numri i punonjësve të saj nga 20 në 25, megjithëse ky numër është ende i pamjaftueshëm. Punonjësve u janë dhënë pajisje bazë dhe trainim. Në maj dhe gusht 2003, u miratua legjislacioni i nevojshëm me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor për prokurimet publike. Në tremujorin e parë të vitit 2004 pritet të bëhet operative një faqe interneti e cila do të përmbajë informacione në shqip dhe në anglisht lidhur me tenderat dhe rregullat e procedurat e prokurimit. Ndonëse këto përmirësime janë hapa në drejtimin e duhur, ka ende çështje të rëndësishme për t'u zgjidhur. Për shembull, nevojiten përpjekje të mëtejshme për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së, trainimin e njësive të prokurimit në ministritë përkatëse të linjës dhe zbatimin e drejtë të procedurave të tenderimit. Gjithashtu, duhen përmirësuar mekanizmat për rishikimin e rasteve të prokurimeve publike dhe procedurat e apelimit për kompanitë pjesëmarrëse. Është i domosdoshëm zbatimi nga fillimi i legjislacionit përkatës me qëllim që të garantohet jo vetëm një prokurim i shpejtë dhe efikas, por edhe të evitohen parregullsitë dhe ankesat të cilat shkaktojnë vonesa dhe rritje të kostos.

    Sipas autoriteteve shqiptare, gjatë vitit 2003, APP-ja ka anulluar procedurat e prokurimit në 28 raste dhe në 5 prej tyre janë aplikuar gjoba si rezultat i shkeljeve administrative. Janë marrë masa disiplinore kundër 43 anëtarëve të komisioneve të vlerësimit. Por, këto masa janë të pamjaftueshme për parandalimin e problemeve serioze të cilat ende ndeshen rregullisht gjatë procedurave të tenderimit. Në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit vazhdojnë të sillen një numër i konsiderueshëm rastesh të parregullsive gjatë prokurimeve publike. Këto parregullsi kanë sjellë ankesa të shpeshta, megjithëse këto të fundit nuk trajtohen gjithmonë si duhet për shkak mangësive të vazhdueshme institucionale. Hetimi me efikasitet dhe ndjekja penale e shkeljeve në prokurime janë ende të ulëta.

    Shqipëria duhet realisht të rrisë përpjekjet e saj në këtë fushë. Në veçanti, ajo të vazhdojë të forcojë strukturat që kanë të bëjnë me prokurimet. Duhen ndërmarrë hapa të mëtejshëm për nxitjen e një "kulture të prokurimeve publike" të bazuar në parimet e transparencës dhe konkurrencës së ndershme. Nga ana tjetër, duhen marrë masa për parandalimin e parregullsive dhe përndjekjen e mashtrimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet. Kjo gjë merr vlera të veçanta në perspektivën e Marrëveshjes së ardhshme të Stabilizimit dhe Asociimit (MSA), kur Shqipërisë do t'i duhet të garantojë një pjesëmarrje adequate dhe të ndershme të kompanive nga BE-ja në prokurimet publike të saj.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  4. #14
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Të drejtat mbi pronësinë intelektuale, industriale dhe tregtare

    Shqipëria është anëtare e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI) që nga viti 1992 dhe ka nënshkruar tashmë një numër të konsiderueshëm konventash ndërkombëtare në fushën e të drejtës së autorit dhe të drejtave të këtij lloji. Ajo vazhdon të bashkëpunojë me Zyrën Evropiane të Patentave (ZEP) dhe marrëveshja ekzistuese e bashkëpunimit ndërmjet tyre është shtyrë deri në janar 2005. Në kuadrin e anëtarësimit në OBPI, Shqipëria u angazhua të vinte në zbatim TRIPS dhe si rezultat legjislacioni shqiptar për të drejtat e autorit u është përshtatur kërkesave të TRIPS.

    Gjatë 12 muajve të fundit në këtë fushë janë shënuar përparime. Shqipëria ratifikoi një sërë marrëveshjesh dhe konventash të rëndësishme ndërkombëtare, ndër të cilat shënohen Marrëveshja e Hagës për Depozitimin Ndërkombëtar të Projekteve Industriale, Marrëveshja e Nicës për Klasifikimin Ndërkombëtar të Mallrave dhe Shërbimeve, Protokolli i Madridit për Regjistrimin Ndërkombëtar të Markave Tregtare dhe Traktati i Budapestit për Njohjen Ndërkombëtare të Depozitimit të Mikroorganizmave. Në vitin 2004 është parashikuar aderimi në Aktin e Gjenevës për Projektet Industriale, në Marrëveshjen e Strasburgut për Klasifikimin Ndërkombëtar të Patentave dhe në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Varieteteve të Reja të Bimëve (Akti i Gjenevës UPOV i vitit 1991). Po në 2004, është planifikuar miratimi i ligjit të ri për pronësinë industriale, i cili do të ndihmojë si në zbatimin e mëtejshëm të angazhimeve të TRIPS, ashtu edhe në përshtatjen më të mirë me legjislacionin e BE-së (acquis-ja komunitare). Gjithashtu, janë ndërmarrë nisma të tjera për ndërgjegjësimin e publikut, ndërkohë që palët e treta, përfshirë edhe organet e zbatimit të ligjit, kanë treguar interes në rritje në këtë fushë. U botua gjithashtu një udhëzues ligjor në përdorim të operatorëve ekonomikë, dhomave të tregtisë, gjykatave, administratës doganore, etj. Është vënë re edhe një rritje relative (gjithsesi ende shumë e kufizuar në terma absolutë) e rasteve të çuara në gjykatë (nga 4 për 2002, në 9 për 2003). Numri i operatorëve shqiptarë që aplikuan për regjistrimin e markave u rrit pesë herë në krahasim me vitin e mëparshëm (nga rreth 100 në 2002, në 500 për 2003). Ndonëse këto statistika duhen trajtuar me rezerva, ato mund të konsiderohen megjithatë si tregues i rritjes së ndërgjegjësimit të bashkësisë së biznesit. Ato tregojnë nga ana tjetër një besim në rritje nga operatorët ekonomikë të kësaj fushe por edhe një gatishmëri për të patur një qëndrim më proaktiv.

    Në fushën e të drejtës së autorit, miratimi i ligjit të ri për Mbrojtjen Audiovizuale përbën një ngjarje të rëndësishme. Në bazë të këtij ligji, janë gjobitur një sërë transmetuesish për shkak të mosrespektimit të të drejtave të autorit. Ligji parashikon edhe mbylljen e tyre në rastin e shkeljeve të përsëritura. Megjithatë, ende duhen bërë përpjekje të konsiderueshme në këtë fushë për të garantuar si duhet mbrojtjen e gjithanshme të të drejtave të autorit. Është veçanërisht i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës dhe ngritja e një institucioni të fortë për zbatimin e tij.

    Sfida kryesore për Shqipërinë në këtë fushë vazhdon të jetë zbatimi i kuadrit ligjor në tërësi. Megjithë progresin e bërë, bashkësia e biznesit dhe organet e zbatimit të ligjit, përfshirë këtu edhe gjyqësorin, nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi çështjet e pronësisë intelektuale. Ndonëse nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit nga institucionet shqiptare të përfshira në mbrojtjen e pronësisë intelektuale është për t'u përshëndetur, mbetet i domosdoshëm zbatimi i mëtejshëm nëpërmjet një kuadri ligjor më të plotë dhe të bashkërenduar, si edhe nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të organeve të zbatimit të ligjit të ngarkuara me luftën kundër piraterisë dhe fallsifikimeve.


    Politikat sektoriale

    Përpjekjet për ristrukturimin e sektorëve parësorë të ekonomisë shqiptare si industria, transportet, mjedisi, bujqësia, energjia dhe telekomunikacionet duhen shtuar më tej dhe të vazhdojnë për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Industria shqiptare vazhdon të jetë e prapambetur, ndërsa sektori i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, ndonëse po zhvillohet, duhet të konsolidohet dhe të rritet më tej dhe në mënyrë më të qëndrueshme. Ndërsa janë bërë hapa në drejtim të përmirësimit të trafikut ajror dhe sigurisë aeroportuale, infrastruktura rrugore dhe hekurudhore vazhdon të jetë e prapambetur. Në fushën e administrimit të ujrave, strategjitë e hartuara duhen vënë në jetë menjëherë. Përsa i përket mjedisit, përmirësimet e prekshme të gjendjes së përgjithshme janë thuajse të padukshme, megjithë ndonjë përpjekje të bërë në drejtim të adoptimit dhe zbatimit të ligjeve apo vënies së sanksioneve ndaj ndotësve. Po bëhen përparime për zgjidhjen e problemeve aktuale në sektorin e energjisë, por Shqipërisë do t'i duhet ende kohë deri në stabilizimin e gjendjes në këtë fushë.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  5. #15
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Industria dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme

    Sektori industrial në Shqipëri vazhdon të jetë i dobët. Kontributi i tij në shtimin e përgjithshëm të PKB-së fjatë 2003 pritet të jetë i përafërt me atë të 2002, domethënë rreth 12 %-13 %. Përpjekjet për ristrukturimin e industrive ekzistuese kanë qenë të pakta. Për këtë arsye, industria vazhdon të jetë përgjithësisht e vjetëruar, e parikuperueshme dhe e paaftë për të konkurruar me industrinë evropiane. Shqipërisë i duhet të hartojë dhe zbatojë sa më shpejt strategjinë për krijimin e bazës për investimet e reja në industri, si edhe për të bërë të mundur ristrukturimin e asaj industrie me të cilën mund të kryhen punohet në plan afatgjatë.

    Në bazë të statistikave zyrtare, në vitin 2003 në Shqipëri kishte 56.490 ndërmarrje të vogla dhe të mesme (SME). Sipas këtyre të dhënave, në 82,5 % të këtyre ndërmarrjeve ishte i punësuar vetëm një person. Pothuaj 52 % e SME-ve operojnë në sektorin e tregtisë ku barrierat për të hyrë në të dhe kërkesat për kapitalin investues janë të vogla. Vetëm 10 % operojnë në sektorin industrial. 15 % e SME-ve vazhdojnë të operojnë me administrim shtetëror. Në realitet, SME-të me administrim shtetëror zënë rreth 41 % të krahut të punës të punësuar në sektorin e SME-ve. Vetëm 0,2 % e SME-ve punësojnë më shumë se 100 punonjës. Që prej fillimit të tranzicionit, Shqipëria ka njohur një rritje kryesisht të vazhdueshme të numrit të SME-ve të cilat janë bërë në këtë mënyrë një pjesë e rëndësishmë e ekonomisë së saj. Në korrik 2003, u nënshkrua Karta Evropiane e Ndërmarrjeve të Vogla. Kjo gjë është një sinjal pozitiv që tregon interesin në rritje të Shqipërisë për zhvillimin e SME-ve. Procedurat e falimentimit u modernizuan në maj 2003, ndërsa, në tetor 2003, u miratua ligji i ri për SME-të. Gjithashtu, në fillim të vitit 2003, u miratua kuadri i ri normativ lidhur me funksionimin dhe buxhetin e Agjencisë së Nxitjes dhe Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme e cila u krijua në tetor 2002. Kjo agjenci është tashmë gati për fillimin e punës. Megjithatë, me qëllim që të nxisë zhvillimin afatgjatë të këtij sektori premtues, Shqipëria duhet të përmirësojë më tej mjedisin institucional, ligjor dhe fiskal për aktivitetin e SME-ve. Ajo duhet t'i kushtojë më shumë vëmendje rritjes së mundësive të SME-ve për kreditim.


    Bujqësia

    Në vitin 2003, sektori bujqësor zuri përafërsisht 28 % të PKB-së. Më shumë se gjysma e popullsisë së Shqipërisë jeton dhe punon në zonat rurale. Ndonëse tokat e kultivuara janë pakësuar që prej 1998, prodhimi është rritur me afër 2 % në 2003. Kohët e fundit, është shënuar rritje në prodhimin e perimeve, qumështit dhe vezëve.

    Janë rritur investimet publike në sistemin e ujitjes dhe të drenazhimit, por edhe investimet private për serat, vreshtat dhe pemët frutore. Megjithatë, të ardhurat nga bujqësia mbeten shumë të ulëta krahasuar me ato që vijnë nga punëtorët e pakualifikuar të qytetit. Si rrjedhojë, jo vetëm toka është lënë e pakultivuar, por pjesa më e madhe e fuqisë punëtore të re po e braktisin bujqësinë.

    Gjatë periudhës 2002-2003, u shënua rritje në sektorë të veçantë. Agro-industria u rrit me 6 % në 2003, ndërsa pjesa e investimeve të sektorit bankar në këtë fushë u rrit me 22 %. Rritja ishte veçanërisht e ndjeshme në disa nënsektorë si industria e bukës dhe e bluarjes, apo prodhimi i bulmetit dhe i mishit, të cilët përllogariten në mbi 75 % të vlerës së prodhimit. Vlera e prodhimit pritet të rritet gradualisht me investimet që po bëhen në nënsektorë të rinj si prodhimi i birrës dhe pijeve joalkoolike.

    Rritja në sektorin e bujqësisë vazhdon të jetë prioritet i qeverisë në planin afatmesëm. Por, infrastruktura e keqe dhe rrjetet e dobëta të marketingut mund të vonojnë në arritjen e këtij objektivi. Në planin afatgjatë, tregu i tokës mund të mos lehtësojë krijimin e ekonomive të mëdha bujqësore. Për të përmirësuar këtë gjendje, Shqipëria duhet të ngrejë një sistem të aftë për kreditimin e fermerëve të saj, të përmirësojë infrastrukturat dhe furnizimin me energji, të zgjidhë problemin e pronësisë së tokës dhe të ofrojë më shumë formim dhe transferim njohurish për bujqit.

    Shumë ligje dhe akte nënligjore janë miratuar gjatë viteve të fundit, shumë prej të cilave në bazë të direktivave të KE-së, por për fat të keq ato rrallë zbatohen. Qeveria duhet t'i kushtojë më shumë vëmendje zbatimit të ligjit me qëllim që të arrihet progres më i madh, veçanërisht në fushën e veterinarisë, shërbimeve fito-sanitare dhe cilësisë ushqimore që prodhimet shqiptare të mund të kualifikohen për eksport. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që ligjet e reja për organizmat e modifikuara gjenetikisht (OMGJ-të) të marrin parasysh si duhet përqasjen dhe nismat e KE-së në këtë fushë delikate.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  6. #16
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Mjedisi

    Shqipëria vazhdon të ketë probleme akute me mjedisin. Është bërë pak për zgjidhjen e problemit të lëndëve toksike në Durrës dhe Vlorë dhe të mbetjeve radioaktive në Tiranë dhe Fier. Sipas Institutit Shqiptar të Shëndetit Publik dhe Mjedisit, zonat urbane në Shqipëri paraqesin nivel të lartë të ndotjes së ajrit të shkaktuar nga zhvillimi i pakontrolluar. Në këto zona niveli i papastërtisë i tejkalon standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Shkalla e lartë e ndotjes nga Rafineria e Naftës në Ballsh dhe në zonën naftëmbajtëse rreth saj është e papranueshme. Aty ka çlirim hidrokarburesh në ajër dhe në tokë, ndërsa uji është mjaft i ndotur. Derdhjet e vazhdueshme të naftës në lumin Gjanicë po dëmtojnë biodiversitetin e vetë lumit, të detit Adriatik dhe shëndetin e njerëzve në përgjithësi. Ndotje po shkaktojnë edhe industria e bakrit dhe e kromit. Shqipëria po përjeton edhe erozion tokësor veçanërisht për shkak të gërryerjes së tepruar dhe shpyllëzimit të paligjshëm të kodrave dhe maleve.

    Disa akte nënligjore janë miratuar në fusha si biodiversiteti, administrimi mjedisor i ujrave të ndotura dhe ruajtja e liqeneve ndërkufitarë. Sipas autoriteteve shqiptare, është filluar mbledhja e taksave mjedisore për një numër produktesh (karboni, amballazhet plastike, etj.) në bazë të legjislacionit të aprovuar në fund të 2002. Megjithatë, zbatimi i gjithanshëm i legjislacionit mbetet i dobët. Për shembull, është e domosdoshme që legjislacioni për vlerësimin e ndikimit të mjedisit të zbatohet plotësisht dhe në mënyrën e duhur, pavarësisht nga konfliktet e mundshme të interesit. Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Aarhusit të OKB-së, por ende nuk është në gjendje ta zbatojë atë.

    Institucioni qendror përgjegjës për problemet e mjedisit në Shqipëri është Ministria e Mjedisit. Pesë institucionet kombëtare përgjegjëse për çështjet mjedisore ende kanë probleme lidhur me bashkërendimin dhe monitorimin. Nuk ekzistojnë standarde metodologjike për mbledhjen e të dhënave, administrimin apo analizën shkencore, ndërsa nuk është ngritur ende asnjë bazë elektronike qendrore e të dhënave. Si një moment më pozitiv, do të përmendej se informacioni që vjen nga Shqipëria tregon se është ngritur një qendër informacioni mjedisor, është hapur një faqe interneti për problemet e mjedisit, botohet një buletin mjedisor dhe janë bërë hapa për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit. Disa masa janë ndërmarrë gjithashtu për inspektimet dhe sanksionet. Ministria e Mjedisit raporton se, gjatë gjysmës së parë të 2003, janë kryer 400 inspektime, ku 47 ente janë gjobitur, 13 janë pezulluar dhe 7 janë mbyllur. Parku Kombëtar i Butrintit vazhdon të jetë një shembull i mirë që tregon se kuptimi si duhet i problemeve mjedisore ndihmon në ruajtjen e natyrës dhe trashëgimisë kulturore, dhe kontribuon në zhvillimin e gjithanshëm. Gjithashtu është shtuar dialogu rajonal, veçanërisht në kuadrin e Programit Rajonal të Rindërtimit Mjedisor (REReP). Megjithatë, gjendja aktuale e mjedisit vazhdon të jetë e rëndë dhe Shqipërisë i duhet të bëjë shumë më tepër nëse dëshiron të parandalojë që problemet e mjedisit të bëhen një handikap serioz për zhvillimin social-ekonomik të vendit.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  7. #17
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Infrastrukturat

    Infrastrukturat në Shqipëri janë të dobëta dhe kërkojnë investime të vazhdueshme në një periudhë afatgjatë.

    Përsa i përket transportit, prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare vazhdojnë të jenë përfundimi i korridoreve Lindje-Perëndim (Durrës-Varna, nëpërmjet Tiranës dhe Sofjes) dhe Veri-Jug (i cili lidh Greqinë me Malin e Zi). Përveç mbështetjes ndërkombëtare, qeveria shqiptare ka akorduar fonde (rreth 40 milion € nga buxheti i vitit 2003; rreth 50 milion € të parashikuar për 2004) për sektorin e transportit, veçanërisht për të mbështetur koston e shpronësimeve për ndërtimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e tyre, si edhe për të financuar disa rrugë në veri të vendit. Bashkëpunimi rajonal po zgjerohet gjithashtu nëpërmjet zhvillimit të Rrjetit të Transportit Rajonal të Evropës Juglindore.

    Nuk është shënuar shumë përparim në drejtim të privatizimit të portit të Durrësit, pavarësisht nga përmirësimi gradual i disa infrastrukturave portuale, si rikonstruksioni i kalatave, rehabilitimi i vinçave dhe ndërtimi i një terminali të ri për tragetet. Gjithashtu, për të përmirësuar mbrojtjen dhe sigurinë e transportit të saj detar, Shqipëria ratifikoi Konventën "SOLAS 74" për mbrojtjen detare. Po merren masa edhe për rehabilitimin e portit të Vlorës. Përsa i përket Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, janë bërë pak përparime lidhur me ndërtimin e një terminali të ri, megjithëse, sipas autoriteteve shqiptare, kohët e fundit u përzgjodh kompania përgjegjëse për këtë. Nga ana tjetër, janë bërë disa hapa në drejtim të përmirësimit të kontrollit të hapësirës ajrore dhe rritjes së sigurisë së aeroportit. Në shtator 2003, u nënshkrua kontrata për modernizimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe lidhja e saj me aeroportin. Por, ky projekt pret ratifikimin nga ana e Parlamentit.

    Siguria rrugore vazhdon ende të jetë problematike. Rrugët janë të këqija, sinjalistika është e mangët dhe edukata për qarkullimin rrugor e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve është e ulët. Kjo ka bërë që treguesit e aksideneteve të rënda rrugore të jenë të lartë. Ndonëse autoritetet shqiptare kanë filluar të merren me këtë çështje, në vitet e ardhshme nevojiten përpjekje të konsiderueshme nëse kërkohet të pakësohen këto fenomene.

    Faktorët themelorë për zhvillimin e plotë të infrastrukturave të transportit nuk kanë bërë shumë progres. Master Plani Kombëtar për Transportin pritet të përfundohet në 2004. Vazhdojnë ndërtimet e paligjshme përgjatë rrugëve të reja, me komplikacione të rënda si për mirëmbajtjen, ashtu edhe për sigurinë e rrugëve. Duhet shtuar bashkërendimi për politikat e planifikimit të transporteve ndërmjet aktorëve institucionalë përgjëgjës dhe duhen forcuar njohuritë profesionale të këtyre institucioneve. Nuk është arritur ende promovimi i standardeve të gjithanshme të projektimit teknik dhe ndërtimit për infrastrukturat e transportit. Janë bërë disa hapa për përjashtimin nga taksat të kompanive të angazhuara në zbatimin e projekteve të financuara nga KE-ja, por ka ende pretendime të pazgjidhura të cilave u duhet dhënë drejtim. Qeveria duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të zgjidhur këtë çështje dhe për t'i paraprirë rasteve në të ardhmen.

    Lidhur me administrimin dhe infrastrukturën e ujërave, Këshilli i Ministrave miratoi në 2003 Strategjinë Kombëtare për Furnizimin dhe Pastrimin e Ujrave dhe Strategjinë Rurale të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve. Megjithatë, zbatimi i tyre ende është në një fazë fillestare dhe rezultatet ende s'janë të dukshme. Furnizimi me ujë në të gjithë vendin është i pamjaftueshëm, ndonëse sipas autoriteteve shqiptare është përmirësuar furnizimi me ujë të rrjedhshëm në banesa (9 orë në ditë mestarisht në zonat rurale, dhe mbi 12 orë në ditë në zonat urbane). Rreth 80 % e popullsisë që jeton në zonat urbane është e lidhur me rrjetin e ujit, por në përgjithësi, sistemet e furnizimit dhe pastrimit të ujit janë të vjetëruara. Cilësia e ujit është e dobët dhe humbjet dhe lidhjet e paligjshme në rrjet janë të shpeshta. Progresi i bërë në drejtim të ujërave të zeza ka qenë i pakët: vetëm rreth 40 % e popullsisë urbane është e lidhur me kanalizimet e ujërave të zeza dhe trajtimi i këtyre ujërave vazhdon të jetë pothuaj inekzistent. Decentralizimi dhe privatizimi në këtë sektor janë në proces, por ato s'kanë dhënë ende rezultatet e pritura në drejtim të cilësisë së shërbimit, mirëmbajtjes dhe përmirësimit të infrastrukturës.

    Në sektorin e energjisë, vazhdojnë përpjekjet për zbutjen graduale të efekteve të krizës energjitike. Si rezultat i një sërë faktorësh ku përfshihen 1) kushtet më të mira atmosferike dhe situata më e favorshme hidrike, 2) zbatimi me sukses i Planit të Veprimit 2002-2003 (në bazë edhe të rekomandimeve të raportit të paraardhës të Stabilizim-Asociimit), dhe 3) angazhimit të qeverisë shqiptare dhe të donatorëve dypalësh dhe shumëpalësh në drejtim të rehabilitimit të sistemit të shpërndarjes dhe transmetimit; gjendja u përmirësua relativisht në vitin 2003. Kjo dëshmohet nga fakti se, në krahasim me vitin paraardhës, sasia e enrgjisë së prodhuar u rrit me 56 %. Mbledhja e detyrimeve u rrit nga rreth 57 milion € në vitin 2000, në rreth 152 milion € në 2003. Në muajin maj, Parlamenti aprovoi ligjin e ri për rindërtimin, liberalizimin dhe integrimin e Shqipërisë në tregun rajonal të energjisë. Në qershor, qeveria miratoi Strategjinë afatgjatë Kombëtare për Energjinë e cila bën analizën e gjendjes aktuale dhe propozon skemat e politikës energjitike për 12 vitet e ardhshme. Në bazë të kësaj strategjie, u miratua Plani i Veprimit 2003-2005. Çmimet e energjisë elektrike u rritën me 10 % në vit për konsumatorët familjarë dhe 5 % për konsumatorët e tjerë. Këto rritje janë rezultat i përpjekjeve për t'i sjellë çmimet afër kostos, në bazë edhe të politikës së qeverisë.

    Janë aktualisht në proces një numër investimesh për rehabilitimin e burimeve kryesore gjeneruese të vendit, përmirësimin e koneksionit të Shqipërisë me vendet fqinjë dhe rindërtimin e rrjeteve të vjetëruara dhe të mbingarkuara të transmetimit dhe shpërndarjes. Për shembull, u ndërtua nënstacioni i ri 110 kV në Durrës dhe janë përfunduar studimi i fizibilitetit dhe vlerësimi i efekteve në mjedis për termocentralin e Vlorës. Vazhdojnë gjithashtu punimet në termocentralin e Fierit. Megjithatë, rezultatet në dejtim të përdorimit të burimeve energjitike alternative (për shembull LPG) dhe promovimit të diversifikimit të energjisë kane qenë të kufizuara dhe në këtë drejtim duhen bërë më shumë përpjekje.

    Në aspektin rajonal, në dhjetor 2003, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH) miratoi vendkalimin e propozuar të naftësjellësit transballkanik ndërmjet Ambo Burgas (Bulgari) dhe Vlorës (Shqipëri). Shqipëria nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit të Athinës të vitit 2003 dhe është angazhuar për ngritjen e një tregu konkurrues të energjisë në rajon.

    Megjithë përparimin e arritur gjatë 12 muajve të fundit, kriza në këtë sektor nuk është kapërcyer ende, ndërsa që familjet dhe ndërmarrjet shqptare vazhduan të vuanin nga ndërprerjet e energjisë. Humbjet në rrjet (39 %) dhe lidhjet e paligjshme janë ende të mëdha, ndërsa niveli i mbledhjes së detyrimeve duhet rritur edhe më tej. Për këtë gjë, është i domosdoshëm zbatimi me sukses dhe i vazhdueshëm i planeve të veprimit (të cilat rishikohen çdo vit për të caktuar objektivat e vitit të ardhshëm) dhe Strategjisë Kombëtare për Energjinë.

    Sektori i telekomunikacioneve është përmirësuar si në drejtim të shpërndarjes, ashtu edhe në nivelin e informacionit të dhënë në të gjithë vendin, megjithëqë zonat e largëta ende kanë probleme. Rritja ka ardhur si rezultat i shtimit të investimeve në sistemin e telefonisë fikse dhe i tregut gjithnjë në rritje të telefonisë celulare. Në fund të vitit 2003, numri i abonentëve të Albtelekomit arriti në 222.000. Ndërkohë, rreth 25 operatorë privatë u ofrojnë shërbim rreth 12.000 përdoruesve në zonat rurale. Numri i përdoruesve të celularëve u rrit nga 800.000 në vitin 2002, në 1.000.000 në vitin 2003. Penetrimi i telefonisë celulare llogaritet në pothuaj 33 %. Sipas operatorëve celularë, 80 % e territorit që përkon me 90 % të popullsisë mbulohet nga ky shërbim. Por, liberalizimi i plotë i sektorit ka njohur disa vështirësi. Licensa e tretë për telefoninë celulare i është dhënë një kompanie që zotërohet tërësisht nga Albtelekomi i cili është ende një ndërmarrje shtetërore. Përveç kësaj, Shqipëria shtyu liberalizimin e thirrjeve telefonike ndërkombëtare fikse deri në 1 janar 2005, si pjesë të përpjekjeve të saj për privatizimin me sukses të Albtelekomit. Është i domosdoshëm dhe urgjent hartimi i një politike të vërtetë për këtë sektor jo vetëm për mbështetjen e liberalizimit të sektorit, por edhe për forcimin entit rregullator kompetent dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin e ri të BE-së për komunikacionet elektronike.

    Aksesi dhe përdorimi i internetit mbetet i ulët. Numri i abonentëve të internetit është rreth 5.000, ndërsa numri i përdoruesve llogaritet në 30.000. Kjo vjen pjesërisht për shkak të kufizimeve aktuale të rrjetit dhe çmimeve të larta të ofruesve të këtij shërbimi.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  8. #18
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme

    Bashkëpunimi në drejtësi dhe punët e brendshme është ende një problem serioz. Vullneti i plotë politik dhe angazhimi i të gjithë aktorëve (organet e zbatimit të ligjit, gjyqësori, prokuroria) janë elementët thelbësorë për të garantuar progres të dukshëm në këtë fushë kaq të rëndësishme. Këta elementë nuk kanë qenë të pranishëm sa duhet gjatë periudhës së përfshirë në këtë raport dhe rezultatet kanë qenë rrjedhimisht të kufizuara. Shqipëria vazhdoi të kryejë aksione sporadike kundër krimit të organizuar, por nuk mundi të garantonte si duhet hetimin dhe gjykimin për një numër të konsiderushëm të arrestuarish. Ende nevojitet një veprim më i vendosur dhe i qëndrueshëm në këtë aspekt.

    Shqipëria ka bërë progres në drejtim të kontrollit të migracionit të paligjshëm dhe trafikimit drejt BE-së nëpërmjet deteve Adriatik dhe Jon, por ngjarjet e fillimit të janarit (shih pikën 4.4.4. më poshtë) tregojnë se nevojiten përpjekje të mëtejshme. Negociimi i Marrëveshjes së Ripranimit me Komunitetin Evropian dhe nënshkrimi i kësaj lloj marrëveshjeje me vendet e BE-së dhe vende të tjera ishin hapa pozitivë. Megjithatë, menaxhimi i kufijve ende kërkon përmirësim të qenësishëm. Përsa i përket luftës kundër pastrimit të parave janë bërë përparime të pakta. Janë bërë disa hapa në luftën kundër prodhimit të drogës në nivel lokal dhe janë shtuar relativisht rastet e kapjes së drogës. Megjithatë, Shqipëria duhet të bëjë shumë më tepër në luftën kundër trafikimit të drogave të forta si heroina dhe kokaina.

    Shqipëria vazhdoi të mbante një qëndrim konstruktiv lidhur me luftën kundër terrorizmit. Megjithatë, resurset e kufizuara e pengojnë aftësinë e vendit për të përballuar me efikasitet sulmet terroriste.


    Vizat, kontrolli i kufirit, azili dhe migracioni

    Janë bërë disa përparime në fushën e politikës së vizave. Por, qeveria duhet të hartojë një strategji më të qartë zbatimi lidhur me regjimin ekzistues të vizave. Shërbimi konsullor në Ministrinë e Punëve të Jashtme vazhdoi përpjekjet për ngritjen e një sistemi të centralizuar të informacionit i cili do t'i pajisë me një rrjet në linjë zyrat diplomatike dhe konsullore shqiptare jashtë shtetit. Sistemi ekzistues i stampimit të vizave është zëvendësuar pjesërisht me vendosjen e vizave pullë. Përdorimi i vizave pullë më të sigurta, së bashku me zëvendësimin gradual të pasaportave të vjetra shqiptare me pasaporta të reja me standarde sigurie më të larta, do të kontribuojë në drejtim të luftës kundër krimit ndërkufitar, migracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qënieve njerëzore. Por, praktika e dhënies së shumtë të vizave në kufi mbetet problem. Përsa i përket identifikimit të dokumenteve të fallsifikuar në pikat kufitare, aftësitë dhe pajisjet e Policisë së Kufirit janë ende të pamjaftueshme dhe ato duhen përmirësuar ndjeshëm. Shqipëria ka bërë hapa për liberalizimin e kërkesave për vizë për vendet apo zonat e tjera të rajonit dhe, qytetarët e Kroacisë, Malit të Zi dhe Kosovës nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Shqipëri. Qytetarët e Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës përjashtohen gjithashtu gjatë periudhës së verës (1 qershor - 30 shtator). Nga ana tjetër, Shqipëria ka hequr vizat për vendet aderuese dhe kandidate të BE-së. Qytetarëve shqiptarë ende u duhet vizë për të udhëtuar drejt vendeve të përfshira në Procesin e Stabilizmit dhe Asociimit me BE-në, me përjashtim të Malit të Zi dhe Kosovës.

    Megjithë rekomandimet e bëra gjatë vitit paraardhës, progresi i bërë në drejtim të menaxhimit të kufijve është i kufizuar. Rrjedhimisht kjo fushë ende duhet përmirësuar ndjeshëm. Strategjia për Menaxhimin e Kufijve e miratuar më 1 shkurt 2003 duhet shtrirë më tej dhe të përfshijë të gjithë elementët e nevojshëm që lidhen me Strategjinë e Menaxhimit të Integruar të Kufijvë (MIK), domethënë kontrollin e kufirit, doganat, inspektoriatin veterinar dhe fito-sanitar, etj. Zbatimi i MIK-së duhet shoqëruar me trainimin e duhur të të gjithë aktorëve përkatës. Ndonëse në dhjetor 2002 ndërmjet të gjithë autoriteteve kufitare u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunimin, roli i policisë së kufirit dhe i punonjësve të doganave, si edhe metodat e tyre të punës dhe bashkëpunimit nuk janë ende të qarta sa duhet. Procedurat aktuale të kontrollit në kufi duhen përmirësuar. Efikasiteti i policisë së kufirit është përgjithësisht i ulët për shkak të një sërë faktorësh, përfshirë trainimin e pakët, mungesën e procedurave të analizës së riskut, bashkëpunimin e pamjaftueshëm ndërmjet agjencive, por edhe brenda tyre, pajisjet e pakta dhe infrastrukturën e keqe. Kontrollet e pamjaftueshme të kufirit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe në portet e Durrësit dhe Vlorës ende përbëjnë probleme shqetësuese. Shqipëria duhet të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar menaxhimin e kufijve në këto pika. Përveç të tjerave, zona VIP e aeroportit të Tiranës duhet administruar në bazë standardeve ndërkombëtare, më konkretisht duke kufizuar përdorimin e saj vetëm për VIP-ët realë dhe duke kryer rregullisht kontrollin e bagazheve. Është e rëndësishme gjithashtu që të zbatohet plotësisht plani i veprimit për rritjen e sigurisë së përgjithshme në aeroportin e Tiranës.

    Shqipëria ka bërë disa hapa drejt forcimit të bashkëpunimit tokësor me të gjitha vendet fqinje, ndërsa me UNMIK/Kosovën dhe Greqinë janë nënshkruar marrëveshje specifike. Një Memorandum Mirëkuptimi është nënshkruar edhe me Malin e Zi. Megjithatë, duhen bërë përpjekje të mëtejshme ndërkufitare për përcaktuar procedurat për të lehtësuar edhe më tej qarkullimin e ligjshëm dhe që do të sillnin rezultate të prekshme në luftën kundër të gjitha llojeve të kontrabandës dhe trafiqeve. Në vazhdim të Konferencës për Sigurinë e Kufijve të zhvilluar në Ohër, në maj 2003, Shqipëria paraqiti në mbledhjen e ministrave të drejtësisë dhe punëve të brendshme të nëntorit 2003, masat e parashikuara në fushën e menaxhimit të kufijve. Progresi do të matet në bazë të mekanizmit të vlerësimit të vendosur në Konferencën e Ohrit dhe do të jetë një tregues i rëndësishëm i shkallës së angazhimit të Shqipërisë lidhur me këtë çështje.

    Kuadri ligjor i përgjithshëm në fushën e azilit është kryesisht i gjerë dhe synon t'i përgjigjet standardeve ndërkombëtare. Por, shumë nga aktet ligjore dhe urdhëresat mbështetëse ende nuk janë miratuar. Përveç kësaj, legjislacioni ekzistues ende nuk zbatohet tërësisht dhe jo të gjitha institucionet janë plotësisht operative dhe u përgjigjen standardeve ndërkombëtare. Janë bërë përparime në përfundimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Azilin, megjithëse ai ende nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave. Për shkak të mungesës së miratimit të disa akteve nënligjore, disa materiale specifike për azilkërkuesit nuk janë ende në dispozicion, si për shembull lejeqëndrimet, kartat e identitetit dhe dokumentet e udhëtimit. Ndonëse ish-zyra e refugjatëve është shndërruar aktualisht në drejtori të Ministrisë së Rendit Publik, si edhe ka në dispozicion të saj një paketë të re procedurash dhe personel shtesë, trajtimi i kërkesave për azil është ende shumë poshtë standardeve ndërkombëtare. Ndonëse ligji parashikon një maksimum prej 51 ditësh për shqyrtimin e kërkesave për azil nga instanca e parë administrative, disa rasteve u duhet një deri në dy vite kohë për t'u shqyrtuar. Sistemi i centralizuar i parashqyrtimit duhet gjithashtu shtrirë në pikat kufitare. Në kushtet që janë sot për sot, nuk mund të garantohet parimi i mosrefuzimit për azilkërkuesit. Qendra e pritjes për azilkërkuesit u përfundua në prill 2003 dhe mund presë deri në 60 azilkërkues. Por, deri më sot qeveria nuk ka marrë plotësisht përsipër administrimin e saj dhe ajo varet ende nga agjencitë ndërkombëtare. Shqipëria duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për zgjidhjen e aspekteve legjislative dhe operative për të garantuar funksionimin e duhur të procedurave aktuale të azilit, si edhe synojë zhvillimin e një sistemi të plotë sipas standardeve ndërkombëtare.

    Në fushën e migracionit, kuadri ligjor i Shqipërisë për imigracionin ka kaluar nëpër një analizë të mangësive, rezultati i së cilës do të çojë drejt përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për Migracionin (ku përfshihen emigracioni dhe imigracioni) e cila parashikohet të miratohet në fund të 2004. Për përgatitjen e kësaj strategjie, duhen ngritur sa më shpejt një sërë organizmash institucionalë, përfshirë edhe Komiteti Ndërministror për Migracionin (KNM) dhe një grup pune ndërinstitucional. Deri më sot, nuk është ngritur ende KNM-ja ndërsa nuk ka përfunduar akoma plotësisht puna për grupin ndërinstitucional. Për më tepër, ende s'është vendosur për bashkërendimin e kësaj strategjie me strategjitë kombëtare në fushat e azilit, anti-trafikimit dhe menaxhimit të kufijve. Shqipëria ka hartuar gjithashtu amendamente për Ligjin për të Huajt. Lidhur me këtë gjë, ajo duhet të garantojë marrjen parasysh si duhet të kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit lidhur me qytetarët e BE-së që punojnë dhe/ose qëndrojnë në Shqipëri. Shqipëria duhet të ratifikojë gjithashtu një sërë konventash ndërkombëtare të rëndësishme, veçanërisht Konventën e Migracionit për Punësim të ILO-s (1949), Konventën e Punonjësve të Migracionit (1975) si edhe Konventën Evropiane për Statusin Ligjor të Migrantëve (1977).

    Shqipëria ka bërë përparime në fushën e ripranimit. Negociatat për marrëveshjen e ripranimit ndërmjet KE-së dhe Shqipërisë u zhvilluan gjatë vitit 2003 dhe në dhjetor të këtij viti u ra dakord për marrëveshjen. Tanimë, duhem marë masat e dudhura që marrëveshja të nënshkruhet dhe ratifikohet sa më shpejt në vitin 2004. Aktualisht, Shqipëria ka marrëveshje ripranimi të hyra në fuqi me Italinë, Hungarinë, Belgjikën, Zvicrën, Bullgarinë, Rumaninë, Gjermaninë dhe Kroacinë, ndërsa marrëveshja me Britaninë e Madhe u nënshkrua në tetor 2003. Vazhdojnë negociatat me Hollandën, Luksemburgun, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (ish-RJM), Slloveninë, Sllovakinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën. Shqipëria po bën përpjekje për të negociuar dhe përfunduar marrëveshje ripranimi edhe me Moldavinë, Ukrainën dhe Turqinë. Përgjithësisht, marrëveshjet ekzistuese dhe ato të planifikuara mbulojnë ripranimin e shtetasve të vendeve të treta dhe të personave pa shtetësi dhe sigurojnë mbrojtjen e azilkërkuesve dhe refugjatëve sipas Konventës së Gjenevës të 1951. Megjithatë, kapacitetet e dobëta administrative, teknike dhe operative të Shqipërisë vazhdojnë të pengojnë zbatimin e duhur, veçanësisht sa i përket ripranimit të shtetasve të vendeve të treta dhe të personave pa shtetësi. Duhen bërë përpjekje më të mëdha në drejtim të zgjidhjes së këtyre problemeve. Shqipëria duhet vijojë përpjekjet e saj për nënshkrimin e marrëveshjeve të ripranimit me vendet fqinje si edhe me vendet e origjinës së shumicës së migrantëve që tranzitojnë nëpërmjet Shqipërisë në drejtim të BE-së.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  9. #19
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Pastrimi i parave

    Shqipëria ende ka një ekonomi që bazohet te qarkullimi me para në dorë. Gjatë 12 muajve të fundit, janë shënuar disa përmirësime në legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe përgjithësisht konsiderohet se ligjet janë tanimë të përshtatshme për këtë qëllim. Amendamentet përfshijnë 40 rekomandime kundër pastrimit të parave dhe 8 rekomandime kundër financimeve terroriste të publikuara nga Task Forca e Aksionit Financiar për Pastrimin e Parave. Numri i transaksioneve që raportohen pranë autoriteteve kompetente është më i madh, ndërkohë që edhe disq institucione jobankare si për shembull agjencitë e udhëtimit dhe kazinotë janë përfshirë në kërkesat e raportimit.



    Megjithatë, legjislacioni nuk zbatohet si duhet dhe miratimi i akteve është i pakët. Organet përgjegjëse për këtë, konkretisht Njësia e Informacionit Financiar (NJIF) e Ministrisë së Financave, zyrat e prokurorisë dhe Njësia e Antikrimit Ekonomik e Policisë, kanë mangësi në kapacitetet njerëzore, teknike dhe profesionale të nevojshme për vënien në zbatim. Duhet forcuar ndjeshëm bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërmjet këtyre institucioneve. Është i domosdoshëm përcaktimi pa vonesë i procedurave efikase të punës për Njësinë e Informacionit Financiar, Antikrimin Eknonomik dhe zyrat e prokurorisë, që të bëhet i mundur zbatimi i ligjeve për pastrimin e parave dhe penalizimi në rast të mosraprtimit të transaksioneve. Gjithashtu, duhet ngritur sa më shpejt një sistem efikas i hetimit të çështjeve. Gjatë hetimeve të rasteve të pastrimit të parave, Shqipëria duhet jo vetëm të identifikojë mjetet financiare në dispozicion të organizatave kriminale, por edhe origjinën e këtyre mjeteve. Një çështje tjetër ka të bëjë me numrin e pakët të sekuestrimit të pasurive që vijnë nga veprimtaria kriminale deri më sot. Ky problem duhet trajtuar nëpërmjet shfrytëzimit të plotë të mundësive ligjore ekzistuese si edhe nëpërmjet ngritjes së një agjencie ndërministrore të posaçme. Mangësitë e deritanishme në zbatimin e ligjit shprehen qartë në statistikat e Ministrisë së Drejtësisë të cilat tregojnë se në vitin 2002 nuk kishte asnjë rast dënimi për pastrim parash, ndërsa në vitin 2003, kishte vetëm katër raste.


    Droga

    Shqipëria është ende një rrugëkalim kryesor për trafikun e drogës. Në 12 muajt e kaluar u shënuan disa përparime në fushën e forcimit te antidrogës, por situata e përgjithshme paraqitet ende shqetësuese. Kuadri ligjor mund të konsiderohet i përshtatshëm. Amendamentet që iu bënë Kodit Penal në vitin 2001 përmbajnë nenet e duhura antidrogë dhe parashikojnë dënime të rrepta. U nxorr edhe një udhëzim i përbashkët për përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit (shpërndarja e survejuar, blerja nga ana e policisë, etj.), por deri më sot ai ka të bëjnë vetëm me krimet e narkotikëve dhe prandaj duhet shtrirë sa më shpejt për të mbuluar aktivitetet e tjera kriminale. Shqipëria duhet të garantojë zbatimin efektiv të legjislacionit. Paralelisht, ajo duhet të hartojë një strategji kombëtare të drogës sipas Strategjisë për Drogën dhe Planit të Veprimit të BE-së, me qëllim që të zgjidhë këtë çështje në mënyrë sa më të plotë.

    Organi kryesor përgjegjës për luftën kundër dogës është policia. Shqipëria mbetet furnizuese e rëndësishëm e kanabisit. Janë arritur disa suksese në luftën kundër mbjelljes dhe trafikut të kanabisit me një sërë aksionesh në shkallë të gjerë për kapjen dhe shkatërrimin e bimëve. Megjithatë, situata lidhur me forcimin e luftës për kapjen e heroinës dhe kokainës ka njohur progres të pakët. Megjithëse numri i sekuestrimeve është rritur (për shembull, në 2003 u sekuestruan 114 kg heroinë, kundrejt 72 kg në 2002), sasia e sekuestruar nuk pasqyron faktikisht sasinë që tranziton në drejtim të BE-së. Duhen shtuar përpjekjet e bashkërenduara në nivel kombëtar me qëllim grumbullimin e informacionit dhe ndjekjes së rasteve, si edhe të identifikimit të rrjeteve trafikuese. Duhet ngritur gjithashtu një sistem i përshtatshëm i analizës së riskut. Niveli i problemit të drogavë sintetike nuk dihet. Ndonëse deri më sot nuk janë sekuestruar droga të tilla, autoritetet shqiptare duhet ta rrisin vëmendjen për parandalimin ose prodhimin e këtij lloji drogash.

    Si edhe në fushën e krimit të organizuar, lufta kundër trafikut të drogës ndeshet me mangësi të mëdha. Shkak është një ndërthurje faktorësh ku përfshihen tranimi i pakët, pajisjet e pamjaftueshme, menaxhimi i dobët policor, korrupsioni dhe brutaliteti i bandave të trafikantëve. Shqipëria duhet domosdoshmërisht të rrisë përpjekjet në këtë fushë.


    Policia

    Gjatë 12 muajve të shkuar, policia ka bërë progres në fusha të caktuara dhe ndoshta hapi më i rëndësishëm ka të bëjë me zbatimin gradual të ligjit për gradat dhe karrierën. Një tjetër zhvillim pozitiv ishte qëndrimi i policisë gjatë zgjedhjeve vendore të tetorit. Megjithatë, policia mbetet e dobët. Aktivitetet trainuese nuk kanë dhënë ende efektet e pritura dhe duhet të vazhdojnë më tej. Policimi në komunitet duhet forcuar. Gjithashtu duhet përmirësuar ndjeshëm edhe menaxhimi i policisë. Është për t'u përshëndetur dalja e urdhërit për policinë gjyqësore i cili përcakton qartë përgjegjësitë përkatëse të policisë gjyqësore dhe punonjësve të tjerë të policisë së shtetit. Por, pavarësisht nga dalja e urdhërit, duhen përmirësuar më tej procedurat e punës. Për këtë qëllim, duhet hartuar një manual i konsoliduar i procedurave për të gjithë oficerët e policisë kriminale. Nga ana tjetër, rritja e bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe prokurorisë është e domosdoshme për të arritur rezultate në hetimin dhe gjykimin e krimit.

    Në stadin e tanishëm, policia nuk është e aftë për të garantuar si duhet dhe në mënyrë të pandërprerë zbatimin e ligjit në bazë të standardeve ndërkombëtare, ndërkohë që besimi i publikut te policia mbetet i ulët. Për të çuar më tej respektimin e shtetit ligjor në Shqipëri, policia duhet t'i trajtojë këto probleme energjikisht. Policia raportoi se gjatë vitit 2003, u zbuluan 84 % e krimeve. Por, është e vështirë të ndjekësh një rast nga fillimi deri në përfundim. Transparenca në sistemin e policisë kriminale duhet rritur në mënyrë të konsiderueshme.

    Korrupsioni ka prekur sistemin e hetimit dhe dënimit të krimeve, përfshirë edhe policinë. Megjithëse qeveria e dënon korrupsionin, kjo çështje duhet lufutar më vendosmërisht. Mangësitë në disiplinë dhe drejtim shpesh zgjidhen duke shkarkuar punonjësin ose eprorin që dyshohet përgjegjës. Punonjësit e policisë janë shkarkuar për korrupsion në disa raste, por shumë pak janë ndjekur penalisht. Për të zhvilluar një polici të përgjegjshme dhe efikase, çështja e korrupsionit duhet trajtuar me seriozitet. Për këtë, si ligji për Policinë e Shtetit, ashtu edhe Rregullorja e Disiplinës duhen ndryshuar, ndërsa zyra e Kontrollit të Brendshëm duhet të jetë më proaktive duke raportuar çështjet penale te prokurori për rastet flagrante.

    Implikimi i oficerëve të policisë në konrabandë dhe trafiqe, siç u dëshmua për fat të keq edhe nga incidenti i janarit 2004 në detin Jon, ku mbi 20 njerëz humbën jetën në përpjekje për të shkuar në Itali në mënyrë të paligjshme, është një njollë e rëndë për reputacionin e forcave të policisë. Besimi i publikut do të rritet vetëm atëherë kur policia të tregojë më shumë profesionalizëm, qëndrim etik më të mirë dhe aftësi më të mëdha hetuese si ndaj krimeve të rënda ashtu dhe ndaj autorëve të tyre.


    Lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit

    Ndonëse i identifikuar si një nga prioritetet kryesore në raportin e mëparshëm të Stabilizim-Asociimit, progresi real në luftën kundër krimit të organizuar ka qenë i dobët. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2003 veprimtaria e krimit të organizuar në Shqipëri është rritur. Legjislacioni altual nuk e përcakton qartë krimin e organizuar dhe kjo çështje duhet zgjidhur urgjentisht. Bashkërendimi në zbatimin e ligjit për të luftuar me efikasitet krimin e organizuar mbetet i kufizuar. Nëndrejtoria e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit përbëhet afërsisht nga 450 persona por rezultatet e saj janë shumë të ulëta. Edhe rezultatet e Prokurorisë së Përgjithshme kanë qenë të pakënaqshme dhe të dy këto organe duhet të rrisin bashkëpunimin për të luftuar më mirë këtë problem. Sistemi aktual i hetimit të krimit të organizuar është i paefektshëm dhe tejet i pambrojtur ndaj korrupsionit dhe frikësimit të hetuesve. Gjithashtu atij i mungon një përqasje e vërtetë në shkallë kombëtare. Procesi është i decentralizuar ku prokurorët e rretheve kanë përgjegjësi për çështjet e tyre, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka vetëm një rol mbikqyrës. Ky organizim shton rrezikun e korrupsionit gjatë hetimit. Shqipëria duhet të bëjë më shumë kujdes për të garantuar që edhe anëtarët e organeve zbatuese të ligjit të përfshirë në aktivitetete të krimit të organizuar të përndiqen.

    Duhen forcuar aftësitë e seksionit informativ dhe të analizës së Nëndrejtorisë së Krimit të Organizuar të Policisë. Analistët e kësaj nëndrejtorie aktualisht po punojnë më mirë duke u përqendruar në shqyrtimin e të dhënave informative. Megjithatë, problemi është se strukturat formale të shërbimit sekret policor në thelb nuk ekzistojnë. Njohuritë individuale të oficerëve të policisë lidhur me kriminelët në të gjithë vendin shpesh janë impresionuese, por nuk ka struktura për t'i sistemuar këto njohuri. Policia duhet të përqendrohet në zhvillimin e sistemeve të mbledhjes së informacionit dhe në formalizimin e trajtimit e informatorëve dhe agjentëve sekretë.

    Sekuestrimi i pasurive është një metodë e fektshme për të luftuar krimin e organizuar, por deri më sot sekuestrimet kanë qenë shumë të kufizuara për shkak të zbatimit të pamjaftueshëm të ligjeve ekzistuese. Përveç kësaj, Shqipërisë i mungon legjislacioni i nevojshëm për të trajtuar me efikasitet çështjen e objekteve të vjedhura. Duhet focuar edhe bashkëpunimi ndërkombëtar; në këtë kontekst, Shqipëria duhet të përgatitet për nënshkrimin e marrëveshjes me Europolin. Zbatimi i masave specifike me karakter aksionin kundër krimit të organizuar të paraqitura nga Shqipëria në mbledhjen e nëntorit 2003 të ministrave të drejtësisë dhe punëve të brendshme në kuadrin e Forumit BE-Ballkani Perëndimor, përbën natyrisht një hap pozitiv në luftën kundër krimit të organizuar.

    Lidhur me kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore, në fillim të vitit 2003, u miratua Strategjia Anti-Trafikim, e cila duhet vënë në zbatim si duhet. Gjithashtu, është shënuar një reduktim i konsiderueshëm i trafikut me motoskafë dhe gomone nëpërmjet deteve Adriatik dhe Jon. Megjithatë, incidenti në detin Jon në janar 2004, tregon se problemi i kontrabandës dhe trafikimit të qënieve njerëzore kërkon vëmendje të pandërprerë. Qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë masa më të vendosura nëse do që ta luftojë si duhet këtë problem. Operacioni anti-trafik i gushtit 2003 solli arrestimin e një numri të konsiderueshëm kriminelësh të dyshuar, por hetimi dhe gjykimi janë të ngadaltë. Roli i Qendrës Anti-Trafik në Vlorë vazhdon të jetë i papërcaktuar. Megjithë disa përpjekje të bëra nga autoritetet në angazhimin e forcave speciale dhe përmirësimin e sistemeve të radarëve, fusha të tjera që kanë të bëjnë me mjetet speciale të hetimit, survejimin e telekomunikacioneve dhe përdorimin e informacionit janë të dobëta dhe duhen forcuar. Marrëveshjet e nënshkruara me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për të luftuar krimin e organizuar duhen zbatuar me më shumë vendoshmëri. Ligjet për mbrojtjen e dëshmitarëve po përgatiten por ekziston rreziku i mungesës së fondeve që kërkon zbatimi i këtyre ligjeve. Gjithsesi, kjo nuk duhet ta pengojë Shqipërinë në zgjidhjen e disa aspekteve të mbrojtjes së dëshmitarëve, për shembull mbrojtjen e dëshmitarëve në gjykatë dhe përdorimi i ekranëve apo monitorëve me qark të mbyllur.

    Shqipëria ka mbajtur një qëndrim konstruktiv në luftën kundër terrorizmit. Ajo ka mbështetur hapur nismat ndërkombëtare në këtë fushë dhe synon të adoptojë gradualisht rezolutat përkatëse të UNSC-së dhe konventat e OKB-së. Shqipëria ka kryer edhe dëbimin e disa terroristëve të dyshuar. Janë bërë disa hapa në drejtim të përmirësimit të sigurisë së hapësirës ajrore dhe sigurisë aeroportuale. Megjithatë, dobësitë në fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme vazhdojnë të cënojnë aftësitë e Shqipërisë për t'iu përgjigjur me efikasitet sulmeve të mundshme terroriste.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  10. #20
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    NDIHMA FINANCIARE E KOMISIONIT EVROPIAN

    Nga viti 2000 deri 2003, Shqipëria ka përfituar rreth 180 milion € ndihmë nga Komisioni Evropian (KE). Përveç fondeve të Programit CARDS, Komisioni Evropian (KE) ofroi mbështetje edhe për aksione specifike në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme, si edhe ndihmë humanitare dhe për demokratizimin.

    Prioritetet e Programit CARDS përcaktohen në Dokumentin Strategjik për Vendin për 2002-2006 dhe në Programin Indikativ Shumëvjeçar për periudhën 2002-2004 të KE-së.

    Në vitin 2003, Shqipërisë iu akorduan 46,5 milion € në kuadrin e CARDS-it në fushat e drejtësisë dhe punëve të brendshme, ndërtimit të kapaciteteve administrative, dhe zhvillimin social dhe stabilizimin demokratik. Programi vjetor CARDS 2003 u aprovua nga Parlamenti shqiptar ndonëse me vonesë për shkak të klimës së vështirë politike që mbizotëron në vend. Programi u nënshkrua përfundimisht në dhjetor 2003. Programi CARDS i Veprimit Rajonal në të cilin përfiton edhe Shqipëria u miratua gjithashtu në të njëjtën kohë.

    Samiti i Selanikut në qershor të 2003 akordoi burime financiare shtesë për Ballkanin Perëndimor ku përfshihet një paketë shtesë prej 6 milion € që i shtohet Porgramit CARDS 2004 (në fillim 52,5 milion €, tani 58,5 milion €). Përveç Programit CARDS, Shqipëria përfiton sipas rastit edhe nga fondet e akorduara për linja buxhetore specifike në fushat drejtësisë dhe punëve të brendshme, të drejtave të njeriut dhe demokratizimit dhe mjedisit. Në Programin e 6-të Kuadër për Kërkimet dhe Zhvillimin Teknollogjik, Shqipëria mund të përfitojë fonde për aksione indirekte brenda prioriteteve tematike të Programit dhe fonde për veprimtari plotësuese të pjesës INCO të Programit të 6-të. Një numër programesh CARDS të financuara nga programi vjetor 2001 (37,5 milion €) dhe programi vjetor 2002 (44,9 milion €) janë në proces zbatimi. Këtu përfshihen edhe vazhdimi misioneve mbështetëse të vendosura pranë policisë dhe doganave (përfshirë këtu edhe "Nismën për Krimin e Organizuar" që synon forcimin e kapaciteteve të policisë dhe administratës doganore në luftën kundër krimit të organizuar), mbështetja e Ministrisë së Ekonomisë për standardet dhe certifikimin, ndihma për Ministrinë e Integrimit Evropian për programimin dhe monitorimin e CARDS-it, një vëzhgim rreth minave dhe predhave të pashpërthyera në kufirin me Kosovën, një program për trainimin ligjor dhe një projekt për formulimin dhe zbatimin e politikave nga qeveria.

    Përsa i përket ndihmës makrofinanciare, Komisioni Evropian miratoi në dhjetor 2003 një propozim për Vendim të Këshillit (Këshillit të Ministrave të BE-së, shën. i përkth.) i cili do t'i japë Shqipërisë një ndihmë makrofinanciare prej 25 milion € (16 milion € në formë granti dhe 9 milion € kredi). Qëllimi i kësaj ndihme, disbursimi i së cilës do të kushtëzohet nga plotësimi i jë pakete kushtesh ekonomike dhe të reformave për të cilat do të bihet dakord me autoritetet shqiptare, është të zbusë kufizimet financiare nga jashtë në 2004 dhe të sigurojë gjendjen e rezervave. Para se kjo ndihmë të bëhet e zbatueshme, propozimi i Komisionit duhet të miratohet me anë të një vendimi të Këshillit, pas konsultimit me Parlamentin Evropian.

    Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka akorduar kredi me vlerë 149 milion € që prej vitit 1995, nga të cilat rreth 17 milion € janë anulluar, ndërsa gati 56 milion € është disbursuar.

    Vënia në zbatim e programeve të ndihmës së KE-së në Shqipëri është përmirësuar deri diku. Ministria e Integrimit Evropian ka treguar një nivel më të lartë përgjegjësie në identifikimin e projekteve që do të financohen në Programin CARDS 2004. Ministria ka hyrë në konsultime sistematike me ministritë e linjës lidhur me prioritetet e tyre dhe ka bërë përpjekjen e parë e cila synon të krijojë lidhje ndërmjet Programit CARDS, Strategjisë Kombëtare të Qeverisë për Zhvillimin Social-Ekonomik dhe Kuadrin e Shpenzimeve Afatmesme. Në aspektin e politikëbërjes dhe llogjikës së bashkëpunimit të qeverisë, kjo nismë ishte një shenjë të cilën donatorët e prisnin prej disa kohësh. Kjo përqasje duhet përmirësuar më tej tashmë. Nga ana tjetër, duhen forcuar mirë strukturat e përfshira në zbatimin e ndihmës së financiare të Komunitetit dhe të të tjerëve.

    Me qëllim që ndihma e Programit CARDS për Shqipërinë të jetë e efektshme në përballimin e sfidave të saj të shumta, është e domsodoshme që përfituesit shqiptarë të angazhohen si duhet përgjatë ciklit të projekteve, duke përfshirë këtu edhe paraqitjen e bashjëbiseduesve të aftë shqiptarë. Është po aq e rëndësishme që përfituesit të jenë realisht të interesuar dhe motivuar për zbatimin me sukses të çdo projekti.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Albanologu, Raporti i Udhëtimit në Shqipërinë e Veriut më 1916
    Nga brooklyn2007 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-03-2009, 11:06
  4. Mocioni, Berisha flet për gjithçka, por jo për Fazlliç
    Nga njemik në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 19-12-2008, 10:44
  5. Raporti i CIA-s për Shqipërinë dhe shqiptarët!!
    Nga Shpirt Njeriu në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-11-2004, 23:35

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •