PERMBLEDHJE
Reformat në Shqipëri gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar kanë qenë të kufizuara. Megjithë disa përparime të bëra në fusha të caktuara, shumë nga rekomandimet e përfshira në raportin e Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit (PSA) 2003 nuk janë realizuar si duhet.
Klima politike nuk ka lejuar kryerjen e reformave të thella. Stabiliteti i brishtë politik i arritur në vitin 2002 u zëvendësua nga tensionet ndërmjet partive politike kryesore si edhe në vetë gjirin e partisë qeverisëse, Partisë Socialiste (PS). Lufta për lidershipin e PS-së ndikoi negativisht në stabilitetin e qeverisë. Duke qenë se vëmendja e qeverisë u përqendrua gjithnjë e më tepër në vështirësitë e brendshme dhe, në kushtet e një opozite përherë e më obstruksioniste, programi i reformave vazhdoi të pësonte vonesa. Për rrjedhojë, shumë nga mosarritjet e vëna në dukje në Raportin e Grupit Drejtues të Nivelit të Lartë të vitit 2001, në raportet e PSA-së së viteve 2002 dhe 2003, si edhe gjatë procesit të dialogut politik me autoritetet shqiptare, nuk janë zgjidhur. Zgjedhjet vendore të 12 tetorit u zhvilluan në bazë të një kodi të ri zgjedhor. Megjithatë, mangësi serioze u vunë re gjatë këtyre zgjedhjeve dhe nuk u arritën standardet e kërkuara ndërkombëtare. Aftësia e administratës publike për të vënë në zbatim angazhimet që lidhen me Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA) ngelet një çështje shqetësuese.
Në fushën ekonomike, rritja reale e PKB-së (GDP) në vitin 2003 u vlerësua me 6,0 %, nga 4,7 % në vitin 2002. Në fund të vitit 2003, inflacioni arriti në 3,3 %, që ishte brenda objektivit të qeverisë. Privatizimi i bankës më të madhe të vendit, Bankës së Kursimeve, ishte një arritje e shënuar. Disa hapa paraprakë janë bërë në drejtim të çështjes së pronësisë së tokës. Megjithatë, qëndrueshmëria afatmesme e rritjes ekonomike dhe aftësitë e vendit për zbutjen e varfërisë po vihen në rrezik nga paqëndrueshmëria politike dhe përqendrimi i kufizuar i vëmendjes kah reformat. Ekonomia shqiptare vazhdon të ngelet në një masë të konsiderueshme një ekonomi informale. Mjedisi që rrethon biznesin është i papërshtatshëm dhe është pak inkurajues për investime. Korrupsioni, krimi i organizuar, zbatimi i mangët i ligjit dhe administrata joefektive vazhdojnë t'i krijojnë barriera biznesit dhe të cënojnë sigurinë ligjore. Megjithë arritjet në nënshkrimin e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë (MTL) me vendet e rajonit, Shqipëria nuk ka qenë e aftë t'i zbatojë plotësisht të gjitha detyrimet që rrjedhin nga pranimi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
Qeveria vazhdoi të deklaronte se përparimi i Shqipërisë në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit është prioritet i saj. Megjithatë, jo gjithmonë veprimet e saj e kanë mbështetur këtë gjë. Pavarësisht përparimit të kryer gjatë negociatave të MSA-së në diskutimet rreth tekstit të marrëveshjes së ardhshme, shumë nga reformat e domosdoshme për të garantuar zbatimin e duhur të kësaj marrëveshjeje, nuk janë kryer. Veçanërisht shqetësuese ngelen çështjet kryesore që lidhen me shtetin ligjor. Këtu përfshihen lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe funksionimi i sistemit gjyqësor. Shqipëria meriton të përshëndetet për një sërë nismash, përfshirë këtu rolin përgjithësisht konstruktiv në rajon, reduktimin e kontrabandës/trafiqeve së qënieve njerëzore nëpërmjet deteve Adriatik dhe Jon, dhe rënien dakord për një Marrëveshje Ripranimi me Komunitetin. Por, rezultatet nuk ishin si priteshin në fushat kyç të krimit të organizuar, korrupsionit, sistemit gjyqësor dhe reformës në administratën publike. Për sa kohë që Shqipëria dëshiron të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së, është e domosdoshme që ajo të tregojë vullnetin politik, vendosmërinë dhe aftësinë për t'i trajtuar pa vonesë çështjet kyçe të identifikuara në këtë raport.
Krijoni Kontakt