---------------------------------------------------------------
VLORË –Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi dje, studimin urbanistik të qendrës së qytetit të Vlorës. Në planin e përcaktuar për zonën e Sheshit të Flamurit, parashikohet përmirësimi i organizimit hapësinor të këtij sheshi, heqja e zonave të propozuara për ndërtimin poshtë Kuz Babasë, plotësimi i sistemit rrugor poshtë Varrezave të Dëshmorëve, pasqyrimi në studim i azhornimit të objekteve monument kulture dhe rishikimi i hapësirave rreth tyre, sipas materialit të paraqitur nga Monumentet e Kulturës. Për pjesën bregdetare dhe sheshin në Skelë, KRRTRSH vendosi: përmirësimin e organizimit hapësinor të sheshit të Skelës, mosbetonimin dhe mbushjen e bregut, rishikimin e shëtitores bregdetare, uljen e lartësisë së godinave të larta pranë marinës në Skelë deri te tuneli, ruajtjen e zonës së Skelës si zonë universitare, ruajtjen zonë e gjelbër e territorit në verilindje të kryeqëzimit rrethor të Skelës, etj. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Bashkia Vlorë. Hapësira e marrë në studim ka një sipërfaqe prej rreth 190 ha dhe përfshin tre akse të fuqishme rrugore, të cilët kanë në perspektivën e tyre detin. Aty përfshihet: Bulevardi Vlorë-Skelë, nga sheshi i Bashkisë, Sheshi i Flamurit dhe gjithë bulevardi i gjerë me palma deri në Skelë dhe më tutje në drejtimin paralel me detin. Rruga Transballkanike, Aksi i ri rrugor “Rruga perëndimore”, e papërfunduar ende që vjen nga Narta drejt detit, në drejtim të ish-kampit të pionierëve, zona bregdetare, nga rruga e re perëndimore, ish-kampi i pionierëve, Skela, Uji i Ftohtë deri pranë tunelit, e cila konsiderohet si zonë parku natyror, park plazhi dhe shëtitore natyrale me vlera. Objektivi kryesor i studimit është të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm të zonës qendrore të qytetit, si në aspektin funksional dhe atë estetik dhe me impulsin e saj të influencojë për zhvillimin e mbarë qytetit të Vlorës.
---------------------------------------------------------------
Krijoni Kontakt