Vizita e Nanos, gazetarët dy orë për viza në kufirin me Maqedoninë
Y.Lili
MAQEDONI- Gazetarët shqiptarë presin dy orë për të marrë viza në kufirin maqedonas. Ekipi i gazetarëve shqiptarë që shoqëronte kryeministrin Fatos Nano në vizitën zyrtare në Maqedoni, ka qëndruar plot dy orë në kufirin maqedonas për të marrë vulën hyrëse nga pala tjetër. Njëra nga gazetaret e pranishme në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin maqedonas Hari Kostov reagoi ashpër ndaj sjelljes së autoriteteve kufitare maqedonase. “Ju kërkoni heqjen e vizave nga vendet evropiane, ndërkohë që në kufirin maqedonas kemi qëndruar mëse dy orë për të marrë viza, vetëm e vetëm që të ndjekim nga afër vizitën tuaj”, -kështu iu drejtua kryeministrit Nano një gazetare. Por kundërpërgjigja e kryeministrit ka qenë e menjëhershme dhe ironike. “Shpresoj që nuk do të na hakmerreni për këtë pritje”, -tha Nano, duke vazhduar më tej se po punohej për liberalizimin e vizave mes dy vendeve, por jo për heqjen e plotë të tyre. Sipas tij, bashkëpunimi për integrim europian nuk është një faktor që largon kryeqytetet apo i bën më të pakalueshëm kufijtë midis dy vendeve tona. Kryeministri Nano gjatë deklaratës tha se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit kishte ecur në rrugë të drejtë. Ai tha se Shqipëria dhe Maqedonia, ndajnë të njëjtin mendim për proceset integruese drejt strukturave euro-atlantike. Po kështu, sipas tij është vlerësuar se problemet shqetësuese që vazhdojnë të mbizotërojnë në rajon, në Beograd, Prishtinë dhe Podgoricë duhet të zgjidhen sipas standardeve, si e vetmja rrugë për integrimin rajonal. Kreu i ekzekutivit tha se ishte i rëndësishëm bashkëpunimi në kuadër të Kartës së Adriatikut, proces që do të konkretizohet në samitin e Stambollit me konfirmim të avancimit të përpjekjeve të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kroacisë, në kuadër të anëtarësimit në NATO dhe të konfirmojë politikën e dyerve të hapura për anëtarësim në NATO. Ndërsa kryeministri Kostov, tha se është e nevojshme një nxitje më e madhe për bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve. "Edhe pse në dy-tre vitet e fundit ekziston një rritje e dinamikës tregtare, ajo është relativisht e shkurtër", -tha Kostovi. Kryeministri i Maqedonisë e përshëndeti vendimin e qeverisë së Shqipërisë për formimin e Komitetit të Minoriteteve, anëtar i të cilit është edhe një përfaqësues i pakicës maqedonase në Shqipëri. “Me kryeministrin Nano u pajtuam për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të pakicave në dy vendet”, -shtoi më tej Kostov. Të dy kryeministrat zyrtarizuan nënshkrimin e disa marrëveshjeve dypalëshe. Ndërkohë, delegacioni i lartë i Shqipërisë është pritur edhe nga presidenti Branko Cervenkovski. Sipas një komunikate të Presidencës, Cervenkovski dhe Nano kanë shprehur kënaqësinë nga aktivitetet e përbashkëta me qëllim të integrimit të Maqedonisë dhe Shqipërisë në NATO dhe kanë biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral.
18/06/2004
Krijoni Kontakt