Deklaratë e përbashkët e organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe minoritetet për situatën në Kosovë
Apel BE-së: Të mbrohen pakicat në Kosovë
Shekulli
Një grup organizatash mbrojtëse të të drejtave të njeriut, të refugjatëve e minoriteteve i kanë bërë apel Bashkimit Evropian në lidhje me situatën e vështirë ku po jetojnë minoritetet në Kosovë. Këto organizata i referohen kryesisht ngjarjeve të fundit në Kosovë dhe marrin në mbrojtje pakicat joshqiptare. Kështu
sipas UNHCR-së, në Kosovë janë kryer përleshjet më të ashpra etnike që nga viti 1999. Tre ditët e dhunës, që ndodhën mes 17 dhe 19 majit të këtij viti, mbetën 19 të vrarë dhe 954 të plagosur. Sipas OSBE-së 4100 njerëz, shumica e të cilëve serbë, romë apo minoritete të tjera joshqiptare, janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre si rezultat i kësaj dhune, dhe po zhvendosën si brenda Kosovës ashtu edhe në Serbi apo Mal të Zi. Po kështu, përfaqësuesi më i lartë i BE-së Havier Solana dhe zv/sekretari i përgjithshëm për operacionet paqeruajtëse të OKB-së, Jean-Marie Guéhenno e kanë bërë të qartë se ka një rrezik real për dhunë të mëtejshme,- thuhet një një raport të “Human Rights Watch”. UNHCR u ka lëshuar udhëzime të reja gjithë vendeve që mbajnë refugjatë nga Kosova, duke u kërkuar atyre që të mos pranojnë kthime pa dëshirën e tyre në Kosovë dhe t’i lejojnë njerëzit që kanë rënë dakord për një kthim vullnetar që të tërhiqen nga vendimi i tyre. Ngjarjet e fundit janë tregues të dhunës aktuale ndaj komuniteteve të pakicës në Kosovë që nga viti 1999. Shumica e akteve të dhunës kundër minoriteteve nuk janë ndëshkuar, duke e lënë kështu perspektivën e një Kosovë demokratike e multietnike si një thënie boshe. Më pak se 10 000 nga më shumë se 230 000 vetë që janë larguar nga Kosova që nga 1999 janë kthyer atje. Mijëra të tjerë mbeten persona të zhvendosur brenda Kosovës, pa mundur të kthehen në shtëpitë e tyre.
Thirrja
Duke cituar të dhëna të tjera, organizatat mes të cilave HRW, zyra evropiane e informimit për romët, komisioni për emigrantët në Evropë, etj. bëjnë këtë apel për vendet anëtare të BE-së:
- Jepuni fund kthimeve të pavullnetshme në Kosovë në përputhje me udhëzimet e UNHCR
- Rikonsideroni deklaratat për statusin e refugjatit në dritën e informacioneve të fundit për këtë vend
- Mundësoni zgjidhje afatgjatë për refugjatët nga Kosova në vendet mikpritëse dhe në zonat ku është e mundur
- Konsideroni vendosjen në vendet e BE-së për refugjatët romë të Kosovës, për të cilët nuk mund të gjendet një zgjidhje afatgjatë në rajon
- Bëni të mundur që UNMIK dhe KFOR të veprojnë në përputhje me Rezolutën 1244 për të garantuar sigurinë e popullatave të minoriteteve të Kosovës dhe shtëpitë e tyre.
- Bëni të mundur që UNMIK, KFOR dhe forcat kosovare të zbatimit të ligjit si dhe autoritetet juridike të gjejnë përgjegjësit për sulmet ndaj minoriteteve.
- Bëni të mundur që refugjatët dhe të zhvendosurit brenda vendit të privuar nga pronat apo shtëpitë e tyre të kenë mundësi për të verifikuar të drejtat e pronësisë nëpërmjet Drejtorisë së Pasurive dhe Komisionit të Deklarimit të shtëpive e pasurive, dhe që ata të kompensohen apo t’u jepet një akomodim alternativ ku të jetë e mundur.
Krijoni Kontakt