Policia arreston autorin
Tiranë, thikë burrit me dy gra
Ilmi Halimi qëllohet nga kunati i tij: I ndau motrën
Vladimir Karaj
Martesa me dy gra i ka kushtuar shtrenjtë Ilmi Halimit. I detyruar pas një konflikti të ndajë njërën prej tyre, dje rreth orës 16.00, menjëherë pasi kishte dalë nga falja prej xhamisë së Rrugës së Kavajës, ai është qëlluar disa herë me thikë nga vëllai i gruas së ndarë.
Ka dashur të jetojë në bazë të asaj që ia lejon Sheriati, por nuk ka mundur ta shmangë konfliktin mes bashkëshorteve dhe, më pas, sherrin me të afërmit e gruas së dytë, pas të cilit burri me dy gra, Ilmi Halimi, 21 vjeç, ka përfunduar në spital me disa plagë thike. Ka qenë Festim Avdyli, 18 vjeç, vëllai i bashkëshortes së dytë të Halimit, që e ka qëlluar, pasi ky ka dalë nga xhamia e rrugës së Kavajës, ku kishte qenë për t´u falur. Ndërkohë, pak minuta pas ngjarjes, policia ka arritur ta identifikojë autorin dhe të zbardhë motivet e sherrit, që kishte çuar në plagosjen e 21-vjeçarit. Dy orë më vonë, agjentët e antikrimit të Komisariatit 3, kanë bërë të mundur edhe arrestimin në Durrës të të riut, që ishte strehuar te motra e tij, tashmë e martuar edhe një herë tjetër.
Konflikti
Gjithçka duket se ka filluar kur 21-vjeçari mysliman, pas një martese civile, ka vendosur të marrë gruan e dytë, me të cilën nuk mund të lidhte kurorë të ligjshme. Përplasja ka filluar mes dy grave. Gruaja e parë e të riut, i ka kërkuar bashkëshortit të saj, të zgjedhë mes saj dhe gruas së paligjshme, sepse ajo nuk e duronte dot situatën e krijuar. I shtrënguar edhe nga presionet e familjarëve, Halimi ka hequr dorë nga bashkëshortja e dytë, ndaj së cilës ai nuk kishte detyrime ligjore, ccka që e bënte ndarjen më të lehtë. Por kjo ka ngjallur urrejtje te pala tjetër. Kjo e fundit, pasi ka bërë të mundur martesën e dytë të vajzës, në Durrës, i është rikthyer sërish konfliktit të vjetër.
Ngjarja
Ka qenë ora katër e pasdites, pikërisht para xhamisë, ku pasi ishin falur të dy personat, janë përleshur me njëri tjetrin. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit, autori i plagosjes ka qenë i armatosur që më parë me thikë dhe duket se e kishte planifikuar atentatin, kundër ish-kunatit të tij. Ai ka pritur sapo në xhami është përfunduar falja dhe kur kanë dalë jashtë i ka folur 21-vjeçarit duke i kërkuar llogari, se përse i kishte lënë të motrën. Por ky i fundit nuk ka dashur të ndalojë. Në këtë moment mes dy personave, ka filluar, sherri. Avdyli që ka qenë përgatitur dhe i armatosur me një thikë, e ka vënë këtë të fundit menjëherë në përdorim, duke qëlluar disa herë mbi kundërshtarin e tij, pikërishtë në trotuarin përballë xhamisë. Menjëherë pas kësaj autori i ngjarjes është futur në një nga rrugicat e shumta të rrugës dhe është larguar me nxitim. Ndërkohë që kalimtarë të rastit dhe persona të tjerë që janë gjendur në atë moment në vendin e ngjarjes, kanë ndërhyrë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë dhe më pas përcjellë për në Spitalin Ushtarak, personin e plagosur. Gjithashtu ata kanë lajmëruar policinë e cila, ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas egzaminimit të vendit të ngjarjes, agjentët e policisë kriminale të komisariatit numër 3, të kryeqytetit, kanë marrë në pyetje të plagosurin, ky i fundit ka treguar gjithçka, çfarë kishte ndodhur mes tij dhe 21-vjeçarit Avdyli dhe motivet që kishin çuar në grindje. Ndërkohë është arriutur të identifikohej rruga që kishte ndjekur i riu, për t´u arratisur dhe dy orë më vonë ai është arrestuar në shtëpinë e së motrës në Durrës.
Burri me 2 gra, ka studiuar në Siri
Prej dy vitesh ishte kthyer nga Siria. 21-vjeçari nga Tirana, kishte qenë në vendin arabik për studime. Ilmi Halimi kishte mësuar më së miri atje për fenë islame. Kur është kthyer në Shqipëri ka vendosur të zbatojë rregullat e mësuara atje. Pasi është martuar njëherë ka zgjedhur edhe një bashkëjetesë tjetër që nuk njihet nga ligji, pra duke jetuar me dy gra në të njëjtën kohë. Por kjo i ka sjellë telashe dhe konfliktet për familjen kanë çuar deri në plagosjen e tij.
ps . Nuk i kuptoj keta te rinj , te cilet mundohen te kthejn ne Shqiperi ligjet Arabe .
Krijoni Kontakt