---------------------------------------------------------------------------------
Ndotja e ujit të detit, pa filluar ende mirë vapa dhe mbipopullimi i plazhit, rezulton 6 herë më i ndotur se normalja. Drejtoria e Higjienës në Durrës ka analizuar ujin e detit në gjatësinë nga Ura e Dajlanit deri te Shkëmbi i Kavajës. Doktor Mehdi Hoxha thotë se "duke marrë shkas nga shirat e kësaj jave, ne kemi marrë 6 kampione të ujit të detit dhe i kemi analizuar në laborator. Uji ka rezultuar me një ngarkesë mikrobike 6 herë më të lartë se norma e lejuar. Sipas analizave, ka dalë se ngarkesa mikrobike është 1100 baktere coli (fekale) në një litër ujë, në një kohë që norma e lejuar është 200 njësi baktere për litër". Më tej Hoxha bëri të ditur se deti është i ndotur për shkak se nga shirat e mëdha, kanali i ujërave të zeza, i cili derdhet në plazh, u fry dhe u derdh në kanalin qendror, i cili përfundon në det pranë kampingut të NATO-s, në zonën e Plepave. Ndërkohë, një pallat 6-katësh i ndërtuar në zonën "Iliria" nga firma kryeqytetase "Megi Construction" i ka hedhur themelet mbi kolektor, duke bërë që ujërat e zeza të plasin dhe të përfundojnë në det. Sipas analizave të kryera herë pas here, del se uji i detit është më i ndotur, në mënyrë konstante, në portin detar, si rezultat i hedhjes së mbeturinave në mënyrë të jashtëligjshme nga anijet, tek NATO, si pasojë e derdhjes së kanalit; tek Bërryli, pasi aty derdhet kolektori i ujërave të zeza; si dhe tek Shkëmbi i Kavajës, pasi hotelet e pallatet funksionojnë me gropa septike dhe ujërat e zeza përfundojnë në det. Për t'i ardhur në ndihmë plazhit, këto ditë Drejtoria e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve ka futur në punë dy makina me pompa të fuqishme, të cilat po zhbllokojnë kanalet e ujërave të zeza të plazhit. Para 2 ditësh, Higjiena ka marrë kampione të tjera, përgjigjet e të cilave ende nuk kanë dale, dhe më pas do të marrë kampionet e treta, sikurse e përmban edhe rregullorja. Për këto probleme, Higjiena ka njoftuar prefekten e Durrësit Ingrit Shuli, e cila pritet të reagojë.
---------------------------------------------------------------------------------
Krijoni Kontakt