Xhemal Mato: Kërkuam shpjegime por Sekretari i Përgjithshëm me sjellje arrogante na ofendoi

Grupi i punës, qeveria përjashton ambientalistët


Florian Papadhimitri

Përjashtohen përfaqësuesit e shoqatës ambientaliste “Ekolëvizja” nga grupi i punës që është ngritur me urdhër të kryeministrit Nano për shqyrtimin e termave të referencës së projektmarrëveshjes me “Albaniabeg Ambienti”. Duke e cilësuar si një sjellje arrogante, Xhemal Mato ka bërë të ditur mbrëmë se emrat e përfaqësuesve të shoqatës “Ekolëvizja” ishin fshirë nga lista e grupit të punës. “Ndryshe nga hera e parë kur u mblodh grupi i punës, ditën e martë emrat e përfaqësuesve të shoqatës tonë ishin hequr nga lista”, -deklaron Mato. Ambientalisti sqaron se gjatë mbledhjes së parë që është zhvilluar gjatë javës që lamë pas, nga Kryeministria ishte thirrur të merrte pjesë në mbledhje, por në pamundësi për të qenë i pranishëm, shoqata që ai drejton është përfaqësuar nga Lavdosh Feruni. Përsa i përket mbledhjes të së martës, Mato thotë se së bashku me kolegun Feruni janë paraqitur në Kryeministri në orarin e caktuar, “por kësaj here emrat tanë ishin fshirë nga lista”, -thotë Mato. “Për këtë kolegu im Lavdosh Feruni kërkoi shpjegim te sekretari i përgjthshëm i Kryeministrisë”, -vijon më tej Mato “por ai me një sjellje arrogante nuk i ka kthyer përgjigje, duke e ofenduar atë”. Xhemal Mato mendon se me këtë sjellje përfaqësuesit e qeverisë nuk tregojnë asgjë më tepër veçse arrogancë, e cila me një fjali mund të përkufizohet “jemi ne”. Këtë Mato e arsyeton duke thënë se qeveria nuk po pyet për asgjë. “Duhej të pyetej komuniteti për këtë vendim që do të merrej, dhe kjo nuk është bërë”, -thotë Mato. Grupi i punës që është krijuar me urdhër të kryeministrit Nano është i paligjshëm pasi nuk mbështetet në baza ligjore.




10/06/2004
KATEGORIA: Ekonomi