Automjetet e policisë godasin Benzin e të “fortit”, duke ndaluar aventurën e çmendur. Lamaj dyshohet si autor i disa ngjarjeve
Arrestohet i “forti” i Tropojës, terrorizoi me makinë qytetarët
Bashkim Shala
BAJRAM CURRI- Arrestohet pas një operacioni të vështirë për policinë, i ashtuquajturi i “forti” i Tropojës, që dje ka rrezikuar jetën e dhjetëra qytetarëve të Bajram Currit, duke u vërsulur me automjetin e tij nëpër trotuare, por edhe të uniformave blu. Blerim Lamaj, 29 vjeç, i ashtuquajturi i “forti” i Tropojës ka rrezikuar jetën e dhjetëra qytetarëve në tregun e këtij qyteti, pasi iu është vërsulur me automjetin e tij tip “benz” duke i ndjekur edhe nëpër trotuare. Nuk bëhen të ditura arsyet e këtij “sulmi”, ndaj qytetarëve, por mësohet se 29-vjeçari ka rënë në pranga pas një rezistence të gjatë që u bëri uniformave blu.
Ngjarja
Artan Cuku, shef i Komisariatit të policisë së Tropojës, ka bërë të ditur për gazetën se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, në tregun e qytetit të Bajram Currit. Aventura e tij e çmendur ka shkaktuar panik në radhët e dhjetëra qytetarëve të cilët janë larguar me shpejtësi. Por ai ka vazhduar t’iu vërsulet edhe nëpër trotuare, ku për pak sa nuk ka shkaktuar dhjetëra viktima. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar dhjetëra forca të policisë së Tropojës, të cilat i kanë bërë thirje Lamajt që ai të ndalonte, por ai ka vazhduar aventurën e tij duke i bërë sfidë policisë. Situata sa vinte e bëhej më dramatike, thotë shefi i komisariatit të Policisë së Tropojës. Me anë të një megafoni, qytetarëve u është bërë thirrje që të largoheshin nga rruga dhe trotuaret, ndërkohë që në rrugët kryesore të qytetit të Bajram Currit është bllokuar qarkullimi. Tre automjete të policisë janë vënën në ndjekje të automjetit që Blerim Lamaj, e ngiste me shpejtësi, por sipas burimeve, ai ka mundur t’u devijojë uniformave blu. Atëherë policia ka marrë urdhër që të ndalet me çdo kusht Blerim Lamaj, por pa hapur zjarr. Si metodë për neutralizimin e 29-vjeçarit policia ka aplikuar goditjen e mjetit të tij me automjetet “blu”. Tre automjete të policisë më në fund kanë rrethuar automjetin e të “fortit” të Tropojës, por sërish ai nuk është dorëzuar. Atëherë policisë nuk i ka mbetur alternativë tjetër, veçse të godasë automjetin e drejtuar nga 29-vjeçari. Automjetet e policisë kanë goditur njëherësh automjetin tip”Benz” që drejtohej nga Lamaj, duke e nxjerrë atë jashtë rrugës. Si pasojë “Benzi” është dëmtuar rëndë, ndërkohë që Blerim Lamaj nuk ka pësuar dëmtime trupore. Burimet thanë për gazetën se 29-vjeçari Lamaj u arrestua në flagrance, me akuzën e kundërshtimit me forcë të policisë. Shefi i Komisariatit të Policisë së Tropojës thotë se Blerim Lamaj dyshohet si autor i disa ngjarjeve të rënda të ndodhura në Tropojë në vitin 97. Po sipas tij, arrestimi i Blerim Lamajt, i konsideruar si “i forti” i Tropojës është pasuar me dhjetëra telefonata dhe falenderime gojore nga komuniteti i qytetit të Bajram Currit.
10/06/2004
Krijoni Kontakt