Zyra e Regjistrimit të Pasurisë në rreth: Kjo tokë është e llojit pyll dhe me pronar shtetin. Komuna thotë të kundërtën
Pronësia, 27-vjeçarja 3 ditë pa varrosur
Rruzhdie Murati prej tre ditësh është qarë në oborrin e shtëpisë. Bashkëfshatari nuk e linte të varrosej
Gjergj Marku
BURREL- Kishte ndërruar jetë prej gati tre ditësh, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, por arkivoli me trupin e saj të pajetë është mbajtur në oborrin e shtëpisë, pasi toka e varrezave të fshatit, (tokë që funksionon si e tillë që prej 45 vjetësh) pretendohet nga një banor. 27-vjeçarja Ruzhdie Murati nga fshati Zall Mallunzë (komuna Komsi e rrethit Mat) është mbajtur në shtëpi prej më shumë se 48 orësh, pasi bashkëfshatari i saj, 63- vjeçari Hajredin Nuro, nuk lejonte varrimin e kufomës në tokën që ai pretendon se është e tij. Janë dashur një sërë negociatash dhe ndërhyrja e policisë, e cila shoqëroi në komisariat dhe 63-vjeçarin, që vajza e re që kishte ndërruar jetë të hënën të përcillej dje pasdite (në orën 17:00) për në banesën e fundit.
Fati i 27-vjeçares
Ruzhdie Murati, që ndërroi jetë tre ditë më parë ka qënë fatkeqe. Por ky fat e ndoqi dhe pas vdekjes. Sipas banorëve të fshatit, ajo ka vuajtur shumë. Prej vitesh vajza ka qenë e paralizuar, ndërsa familja e saj jeton në varfëri të tejskajshme. Hyjria, e ëma, përmes lotëve thotë se vajza e saj e sëmurë, prej vitesh nuk e ka bërë një ditë të bardhë në këtë jetë. “Kemi vuajtur shumë si familje. Vuajtjet tona nuk kanë të treguar. Mezi u kam dhënë bukë fëmijëve”,- thotë nëna mes dhimbjes. Hyrija i ka rritur jetimë fëmijët, pasi burri i saj ka ndërruar jetë 15 vjet më parë. Edhe ai ka pasur një vdekje tragjike. Pas një punë tejet të vështirë nëpër miniera, kryefamiljarit Murati iu gangrenizua këmba. Ai nuk kishte mundësi ekonomike që të shkonte nëpër spitale dhe për këtë shkak ndërroi jetë në moshën 52- vjeçare. Që nga ajo kohë Hyrija i ka rritur e vetme 4 fëmijët e saj. “I kam rritur me një pension qesharak që nuk dilte as për bukën thatë. Njëqind herë shkova në kemp për Ruzhdien, por ato pak lekë nuk ia dhanë deri sa vdiq”,- thotë nëna mes lotëve. Djali i shtëpisë thotë se lidhur me këtë problem disa herë i kanë shkruajtur Ministrit të Shëndetësisë dhe të tjerëve, por askush nuk e “vuri ujin në zjarr”. “Ka vuajtur shumë ajo vajzë. Dhe më e keqja është se ajo po “vuan” akoma”,- thotë dajoja i Ruzhdies. Tre ditë kemi që e mbajmë vajzën në oborrin e shtëpisë, pasi “pronari i varrezave” ku kemi përcjellë të afërmit tanë prej 45 vitesh, nuk e hap paksa shpirtin, për ta lënë të prehet e qetë dhe këtë vajzë të gjorë, përfundon dajoja.
Konflikti për varrezat
Burrat e fshatit, që i janë gjendur pranë familjes Murati, i takuam në paraditen e djeshme tek varrezat e fshatit. Ata thonë se jemi këtu për të hapur varrin për 27- vjeçaren, por edhe për t’u ruajtur nga ndonjë e papritur. Ata punojnë me radhë në rrëmihjen e varrit më të ri të fshatit, ndërsa të tjerët i bëjnë veshët pipëz dhe sytë katër. Gjithë këtë “gatishmëri enigmatike”, ata e spjegojnë me faktin se në varrimet e mëparshme, prej një kodre përballë u kanë ardhur plumbat e shtënë nga njerëz të Hajredin Nuros, një 63- vjeçar që jeton në lagjen matanë, (Zall Shoshaj). Kryetari i fshatit, Hysni Murra, thotë se varreza e fshatit është projektuar dhe vendosur këtu me vendim të asaj kohe, që në vitin 1960. Aty ndodhen mbi 80 varre. Zenel Uka shënohet si emri i parë i njeriut që u varros aty, dhe pllaka duket qartë, megjithëse përgjithësisht varrezat i ka mbuluar ferrnaja. Kjo pasi pronari i ri u ka thënë se nuk do të shohë njeri që të hyjë në varreza. Përkundër kësaj, banorët e fshatit nuk kanë mundësi që të kryejnë ritualet përkujtimore a të kujdesjen për varret, jo më për të varrosur të tjerë. Banorët e fshatit tregojnë se pas vitit ’97, hapja e një varri këtu ka qënë një aventurë. Sapo e merrte vesh këtë gjë, Hajredini menjëherë dërgonte njerëz të tij në kodrën atje. Ata qëllonin me breshëri në drejtimin tonë. Kjo gjë ka ndodhur për disa raste varrimesh të tilla, thonë fshatarët njëzëri, ndërsa disa të tjerë, për të mos i hyrë kësaj aventure, i kanë marrë arkivolet dhe i kanë dërguar në varrezën publike të qytetit të Burrelit. Më e keqja thotë një banor, është kur pleqtë na kanë lënë amanet, që t’i varrosim pranë njerëzve të afërt. Mirëpo janë të detyruar ta bëjnë këtë punë, dhe shumë prej tyre janë ndarë. Banorët e fshatit thonë se i kanë kërkuar bashkëfshatarit, që t’ia paguajnë tokën-pyll, (nëse ajo rezulton zyrtarisht pronë e tij). Ose thonë ata t’i japim tokë tjetër nën ujë, por atij nuk i është mbushur mendja. “Më e keqja kjo nuk është tokë buke, por pyll, dhe si e tillë nuk e kuptojmë ç’kërkon ky njeri”,- të thonë banorët.
Përplasje shkresash
Në fshat mëson se për problemin e varreve, disa herë ka ndërhyrë dhe policia. “Këtu kanë hile dhe ata të këshillit të komunës. Kemi kërkuar me shkrim, që kjo tokë të funksionojë si varrezë publike, ashtu siç ka qenë, por ata të komunës nuk kanë nxjerrë një vendim të prerë për këtë tokë”,- thonë banorët. Ndërkohë po prej tyre mësohet se në vitin 2002 (24 shkurt) këshilli i komunës pasi ka dëgjuar relatimin e urbanistikës ligjore, vendimin e kryepleqësisë së fshatit, kërkesën e 60 familjeve të fshatit ka vendosur ta miratojë si varrezë publike “kodrën e Celamit”, ku gjendet varreza në fjalë, por nuk ka harruar pa përmendur shtojcën “pronë e Hajredin Nuros”. Duket se kjo i ka shtënë atij “ethet” e pronësisë. Por në datën 31 maj të këtij viti është Zyra e Regjistrimit të Pasurisë në rreth ajo që ka lëshuar një vërtetim, ku thuhet se vendi ku janë vendosur varrezat e lagjes Zall Mallunzë, nuk figuron të jetë pronë e asnjërit. Aty thuhet shprehimisht se kjo tokë “është e llojit pyll dhe me pronar shtetin”. Kjo gjë në fakt duket dhe me sy, pasi aty nuk është punuar ndonjëherë, është e mbushur me dushqe, lisa, si dhe ka patur pemë gjelbëruese dimër-verë, që i përshtaten një varreze.
Familja Murati, jeta në skëterrë…
Familja Murati jeton në një varfëri të tejkajshme. Shtëpia e kësaj familjeje është tejet e rrënuar. Muret jashtë dhe brenda duken të çarë, ndërsa çatia nuk mund ta mbajë shiun. Kjo shtëpi përbëhet nga dy dhoma, njëra shërben si kuzhinë dhe dhomë fjetje. Aty ndodhet një djep që tundet nga dy fëmijë. Hyjria thotë se janë fëmijët e djalit që ka në Greqi. Edhe ai është i sakatuar në duar dhe nuk mundet të mbajë as veten me bukë. Për djalin ka qenë “me fat” fakti i shtyrjes së varrimit të Ruzhdies, pasi vetëm të martën në mbrëmje ka mundur të vijë në shtëpi. “Sot është diell, rrëfejnë njerëzit e shtëpisë, por kur bie shi, llucat vijnë deri lart”. Askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë familje. Madje si për ironi të fatit, këtyre fëmijëve, kësaj familjeje të skamur nuk i jepet as përkrahje sociale nga komuna, me pretendimin se i zoti i shtëpisë, Murati, punon në Greqi! “Po ç’Greqi zeza, punon ai sakat. Të ishte se sillte të ardhura, nuk do ta kishte lënë shtëpinë në këtë gjendje dhe fëmijët në mes të baltës dimër verë”,- thotë Hyjria.
10/06/2004:Shekulli,
Krijoni Kontakt