Afrikë e Jugut. Një 38 -vjeçare ka mashtruar njerëz të ndryshëm duke u kërkuar para për të blerë “titullin” e humbur
Shekulli
“Princesha e Shqipërisë” u shfaq dje për pak minuta në gjykatën magjistrale të Pretiorias së veriut e akuzuar për mashtrime dhe falsifikime. Gruaja në fjalë quhet Lechane Bezuidenhout dhe është 38 vjeç. Sipas “Daily News” që del në Afrikën Jugore, ajo akuzohet se ka gënjyer e ka bindur njerëz për ta ndihmuar atë të riblejë titullin e saj si “princeshë” dhe ndoshta ka kryer mashtrime që arrijnë deri në vlerën 15 000 dollarë ose (R100 000), sipas monedhës afrikano -jugore).
Bezuidenhout ka deklaruar se ka lindur në Shqipëri. Gjithashtu ka thënë se prindërit i kanë vdekur dhe ajo është sjellë në Afrikën e Jugut jetime. Gjithashtu bëhet e ditur se ajo ka lindur me të dyja organet gjenitale, të femrës dhe të mashkullit. Më pas gjatë një operacioni të bërë në vitin 1992 zgjodhi të ishte femër dhe u njoh zyrtarisht si femër. Ajo akuzohet se u ka thënë paditësve se ka patur nevojë për para që të blinte “titullin e saj” si dhe të drejtat për minerale në 16 provinca. Ajo u kishte thënë bamirësve se do t’i paguante pasi të merrte këto pasuri, pra nga të ardhurat e të drejtave mbi mineralet. Siç duket ajo ka patur edhe dokumente që vërtetonin historinë e saj. Bezuidenhout është arrestuar më 28 prill. Ajo më vonë u lirua me kusht në sajë të një pagese të vogël me kusht që të dorëzonte edhe pasaportën e saj. Kjo çështje është shtyrë për hetime të mëtejshme sepse ka ende fakte për të hetuar në provinca të tjera. Bezuidenhout do të shfaqet sërish në gjykatë muajin tjetër, ndoshta në 8 korrik. Hanti Otto (Daily News)
Krijoni Kontakt