Qershor 02, 2004 - 19:50
Emigrantët shqiptarë në Greqi, aksidente për faj të pronarëve në punimet për Olimpiket - Publikoi në këtë faqe: ILIRUS2


Gjatë ndërtimit të veprave për Lojrat Olimpike të Athinës kanë ndodhur 13 aksidente vdekjeprurëse, ku gati gjysma e viktimave kanë qenë emigrantë shqiptarë. Sipas sindikalistëve, shkaqet e këtyre aksidenteve kanë qenë mungesa e masave të sigurimit teknik. Anëtar i kryesisë së sindikatës mbarë greke të ndërtimit me qendër në Athinë, emigranti shqiptar, Feim Osmani, thotë për BBC-në se shkaku kryesor i aksidenteve është mungesa e masave të sigurimit teknik nga firmat ndërtuese për ta mbajtur sa më të ulët koston e punës që kanë kontraktuar. "Në mjaft raste viktimat janë detyruar të bëjnë punë jashtë aftësive të tyre profesionale, apo nuk kanë pasur as mjetet më elementare të punës, që do të garantonin sigurinë," thotë zoti Osmani. Zoti Osmani, i cili punon prej disa vitesh në ndërtimin e fshatit olimpik, shton se atje kanë munguar madje edhe kushtet higjieno-sanitare. Sipas sindikalistit shqiptar, mungesa e sigurimeve shoqërore, apo e statusit të ligjshëm, i ka privuar edhe nga dëmshpërblimi familjet e viktimave shqiptare.

Ai thotë se ka vetëm një rast që firma e ndërtimit i pagoi një shumë prej 20 mijë eurosh familjes së një emigranti që humbi jetën si pasojë e aksidentit në punë. Osmani përmend edhe një rast tjetër, që çështja ndodhet prej një viti e gjysmë në proces gjyqësor. Sindikalisti Osmani thotë, se megjithë presionet e vazhdueshme nga sindikata, sipërmarrësit nuk e kanë vënë ujët në zjarr, madje kanë përdorur shantazhet për t'i nënshtruar punëtorët. Shumë prej këtyre kanë qenë ilegalë ose gjysmë ilegalë, dhe para humbjes së vendit të punës kanë preferuar të venë në rrezik jetën e tyre. Një javë më parë "Gazeta Shqiptare" ka denoncuar faktin e aksidenteve të shqiptarëve në Athinë gjatë ndërtimeve të stadiumeve për Lojrat Olimpike. Aksidentet kanë qenë për shkaqe të ndryshme. Kështu njëri nga emigrantët shqiptarë, Astrit Koçi ka humbur jetën në mars të vitit 2002 dhe vdekja e tij është pasuar edhe me punëtorë të tjerë shqiptarë. Por ka patur edhe vdekje të tmerrshme si rasti i mbytjes së një punëtori në kazanin e llaçit. Në këtë rast vdekja u shkaktua sepse atij nuk iu dha ndihma e parë, pasi ishte duke punuar jashtë orarit dhe nuk kishte punëtorë të tjerë pranë. Kanë qenë shoqëritë që kanë fituar tenderat për ndërtimin e fshatit olimpik, të cilat janë kujdesur që rastet e aksidenteve në punë të mos bëhej publike dhe të mbahen të fshehta. Madje ato ishin të interesuara që të merrnin në punë njerëz pa dokumente, që të mos paguanin sigurimet shoqërore. GazetaShqiptare/BalkanWeb 02-06-2004


PSksperienca e emigranteve shqiptar ne greqi dicka e rende e disave u ka kushtuar dhe jeten.
Edhe une kur isha ne universitet kam vajtur disa here ne greqi ne vere.
Emigranti plus problemeve qe ka kudo qe emigron i shtohen ne greqi dhe shume te tjera qe nga shfrytezimi i eger deri te racizmi i ngritur ne sistem i grekerve ndaj shqiptareve.
Shume shqiptare pasi kane qendruar disa vjet ne greqi kane emigruar ne Kanada a Amerike dhe ka qene nje zgjidhje e zgjuar dhe ata atje trajtohen si shqiptar e si njerez te barabarte ne ato shoqeri.
Nuk mund te qendrosh ne nje vend qe nuk te duan, ne nje vend ku te detyrojne te mohosh emrin tend, babain tend, e te punosh per asgje e te jesh askushi.