-
kerkuesi
Gjarpërinjtë” e bankave…
Feti Zeneli - 31/05/2004
Megjithëse mbetet edhe një vit e gjysmë aktivitet i ATK-së për arkëtimin e “kredive të këqija” të krijuara nga veprimtaria jo fort efiçente e tri ish-bankave shtetërore të nivelit të dytë para procesit të privatizimit, deri tani nuk është arkëtuar as 20% e shumës së mësipërme
Radioja BBC e Londrës dha, para disa ditësh, një lajm shumë interesant për një ngjarje të ndodhur në një degë të Absa Bank në Johanesburg të Afrikës së Jugut: “Policia e Afrikës së Jugut po kërkon një burrë i cili hodhi gjarpërinj helmues në një bankë si hakmarrje meqë banka i mori makinën që ai kishte lënë peng. Klienti, debitor i degës së Absa Bank në Johanesburg quhej Abel Manamela. Pasi u bëri thirrje njerëzve të largoheshin, ai vendosi çantën në tokë dhe e hapi atë duke lëshuar 5 gjarpërinj. Një punonjës banke u kafshua ndërsa po përpiqej të kapte një nga gjarpërinjtë që shkaktuan një skenë të vërtetë paniku në sportelet e bankës. Teksa gjarpërinjtë po drejtoheshin drejt sporteleve, klientët dhe punonjësit ia mbathën me vrap. Duke përfituar nga rrëmuja, Manamela arriti të largohej. Gjarpërinjtë u kapën më pas nga punonjësit e sigurisë së bankës. Madje zëdhënësi i bankës tha se klienti i mërzitur u kishte shkruar një letër, ku i paralajmëronte të mos i dëmtonin gjarpërinjtë. Policia tashmë po e kërkon klientin “e keq” me akuzën për tentativë vrasjeje. Manamela tha se ai e kishte blerë makinën e tij në vitin ’98. Ai besonte se nuk i detyrohej bankës asnjë qindarkë në momentin që ata i morën makinën. Ai tha se do të kishte si shënjestër të gjitha degët e Bankës Absa në Afrikën e Jugut në rast së konflikti nuk do të zgjidhej.”
M’u kujtua gjithë kjo histori interesante ndërsa isha duke dëgjuar këto ditë ministrin tonë të Financave Arben Malaj të thoshte prerazi në një takim me drejtuesit e lartë tatimorë: “Të gjithë personave që kanë marrë kredi nga viti ’92 pranë Agjencisë së Trajtimit të Kredive dhe nuk i kanë kthyer ende paratë, do t’u konfiskohen pasuritë nëse nuk plotësojnë detyrimin.” Nuk bëri asgjë më shumë apo më pak veçse përsëriti në mënyrë të rëndomtë dhe shumë burokratike një rregull të njohur në vjeljen e detyrimeve debitore të kredimarrësve “të këqij” nga bankat e nivelit të dytë. Por duke filluar nga 30 prilli i vitit ’98, kohë në të cilën kishte blerë makinën me kredi edhe afrikano-jugori Abel Manamela, detyra e arkëtimit të “kredive të këqija”, të krijuara kohë pas kohe në tri bankat ish-shtetërore, i ka kaluar Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK). Janë rreth 18 574 dosje krediti me një vlerë detyrimi prej më shumë se 26 miliardë lekësh që duhen arkëtuar deri në fund të vitit të ardhshëm, kohë në të cilën do të pushojë së vepruari Agjencia e Trajtimit të Kredive. Megjithëse mbetet edhe një vit e gjysmë aktivitet i ATK-së për arkëtimini e “kredive të këqija” të krijuara nga veprimtaria jo fort efiçente e tri ish-bankave shtetërore të nivelit të dytë para procesit të privatizimit, deri tani nuk është arkëtuar as 20% e shumës së mësipërme. Mjafton të përmendim se dosjet e kreditit të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Bankës Tregtare Agrare (BTA) u morën prej ATK-së për administrim qysh në vitin ’98, pasi BKT-ja në atë periudhë u fut në procesin e privatizimit kurse BTA-ja falimentoi. Dy-tre vjet më vonë bujtën në Agjencinë e Trajtimit të Kredive edhe dosjet e Bankës së Kursimeve, pavarësisht se procesi i privatizimit të saj nuk ka shumë muaj që është realizuar. Nga ana tjetër, rreth dy vjet më parë u amendua edhe ligji nr. 3839, datë 30.04.1998 mbi bazën e të cilit u krijua dhe funksionoi për katër vjetë rresht ATK-ja. Rregullimi i ri ligjor u ndërmor me synim që agjencia të përshpejtojë mbledhjen e detyrimeve nga “haumarrësit e këqij”. Sipas ligjit të ri, debitorët e bankës do të trajtoheshin si debitorë të Agjencisë, për të gjitha kreditë e transferuara asaj. Në këtë mënyrë Agjencia e Trajtimit të Kredive ishte e motivuar dhe e detyruar ligjërisht të kryente të gjitha veprimet që kryente dikur banka me kredimarrësit si ripagimin nga ana e debitorëve apo nga ndonjë person tjetër të të gjithë ose të një pjesë të kredisë së marrë prej tyre nga bankat, ndryshimin e termave të kredisë që rrjedhin nga marrëveshja e lidhur për këtë qëllim ndërmjet bankës dhe debitorit, shitjen e sendeve të luajtshme apo të paluajtshme personave të tretë fizikë apo juridikë etj.
Pse ka qenë inefiçente veprimtaria e Agjencisë së Trajtimit të Kredive?
Sigurisht nuk mund të kenë qenë “gjarpërinjtë” e mbi 18 mijë debitorëve që i kanë larguar të tmerruar nga zyrat përkatëse, por ndoshta ndonjë veprim që merr kuptim nga rrënja e fjalës “zvarranikë”. Pra, është zvarritja e punëve me synim shtyrjen për një afat të ri të përfundimit të misionit të ATK-së përtej vitit 2005, e mpleksur deri diku kjo edhe me shfaqjet e njohura të korrupsionit në të gjithë zyrat me të cilat lidhet veprimtaria e kësaj agjencie. Koha në dispozicion për arkëtimit e 26 miliardë lekëve nga kredimarrësit, sado të “këqij” qofshin ata, është më se e mjaftueshme për t’i dhënë fund një veprimtarie të tillë, dhe në këto kushte fundviti i ardhshëm mund të konsiderohej një afat i largët. Sigurisht nuk është e thënë që të tetëmbëdhjetë mijë e ca kreditë e dhëna të arkëtoheshin 100%, pasi kjo nuk ndodh sot as në bankat më të mira të botës, të cilat parashikojnë si të paarkëtueshme deri në 5% të totalit të kredive. Për kredidhënien e bankave shqiptare në vitet e para pas krijimit të tyre do të konsiderohej sukes edhe arkëtimi qoftë 60-70% i kredive të dhëna deri në vitin ’97. Në këto kushte puna e parë e ATK-së duhej të ishte klasifikimi i këtyre kredive në “të arkëtueshme”; “me shpresë të pakët arkëtimi” dhe në “të paarkëtueshme”. Domethënë duheshin veçuar dhe u duhej dhënë destinacion humbjeje grupit të kredive “të paarkërtueshme”, pse jo dhe një pjesë të kredive “me shpresë të pakët arkëtimi”, për të mos i fryrë gjërat artificialisht apo për të mos krijuar shkaqe të vdekuara për jetëgjatësinë e institucionit kredimbledhës.
Dihet që për periudhën e parë të kredidhënies bankare nga bankat ish-shtetërore të nivelit të dytë, infrastruktura kredidhënëse, por edhe faktorët e tjerë që disiplinojnë një veprimtari të tillë bankare kanë qenë jo aq të organizuar dhe të certifikuar sa janë sot, ndaj dhe gabimet e bëra janë të shumta. Në atë periudhë u dhanë shumë kredi për zonat rurale, të cilat nuk mund të kenë më shumë se 50% shanse arkëtimi, qoftë edhe duke përdorur për këtë qëllim hipotekat apo garancitë e tjera, që tashmë mund të jenë shkatërruar. Atëherë pse duhen mbajtur akoma në evidencë dhe duhen paguar akoma njerëz dhe bërë shpenzime të ndryshme administrative për këto lloj kredish për të cilat nuk ekziston më asnjë mundësi arkëtimi? Po kështu e njëjta pyetje retorike duhet bërë edhe për kreditë e dhëna për banesë të pastrehëve të varfër apo me të ardhura të pakta. Nga ana tjetër në vitin ’97 u dogjën dhe u shkatërruan edhe një pjesë e objekteve apo bizneseve të ngritura me kredi, për të cilët duhet dhënë dëmshpërblim nga shteti e jo t’u kërkohet kthimi me forcë i kredisë. Ndërsa për mungesë dokumentacioni të dosjeve nuk kanë shpresë arkëtimi më shumë se 3 mijë kredi, pavarësisht se ekzistojnë të kompjuterizuar emrat e kredimarrësve etj. Kërkesa për arkëtimin e këtyre kredive, duke përdorur kolateralin apo pasuri të tjera të kredimarrësve, vetëm se ka për të shtuar shpenzimet e ATK-së dhe ka për të acaruar debitorët përkatës. Por nuk është në natyrën e bankave që të grricet në mënyrë të rëndomtë me klientët e saj, pavarësisht justifikimit dhe mbështetjes ligjore që ofrohet.
Institucionet bankare duhen të tregohen fisnike edhe me “kredimarrësit e këqij”, qofshin këta edhe më të këqij se afrikano-jugori Abel Manamela. Edhe ATK-ja shqiptare vepron tani me atributet e plota të një banke. Kësisoj ministri shqiptar i financave bën mirë që kërkon të zbatohet fort ligji për “kredimarrësit e këqij” të viteve ‘92-’97, por fermerëve të varfër nuk mund t’u merret shpirti; të varfrit nuk mund të nxirren në rrugë të madhe; të dëmtuarit e ‘97-ës nuk mund të ridëmtohen përsëri, etj. Dhe për më tepër në një kohë që “kreditë e këqija” që mund të kalojnë në humbje nuk mund të jenë as sa gjysma e vjedhjeve bankare të ndodhura nga ‘97-a e deri më sot. Vetëm në vitin ’97 u regjistruan mbi 10 milionë dollarë vjedhje e dëmtime në sistemin tonë bankar, të cilat u kaluan në humbje. Ndërsa duke filluar nga ‘98-a e në vazhdim u vodhën prej bankave në forma të ndryshme edhe gati 5-6 milionë dollarë të tjerë, shumica e të cilave u hodh përsëri në thesin e humbjeve. Por a s’mund të trajtohen “kredimarrjet e këqija” më shpresë të paktë dhe të aspaktë kthimi, të paktën si vjedhje bankash, për t’i kaluar ato më pas në humbje, pa e nxitur ATK-në të bëhet një grindavece e keqe në muajt e fundit të jetës së saj…?!
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt