Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 33
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Projekti i "përpunimit të plehrave", gjykata gjobit denoncuesin Kokëdhima

    Anila Rama

    TIRANE- Shqipëria shumë shpejt mund të kthehet në një kosh të madh të grumbullimit të plehrave nga e gjithë Europa. Kjo falë një projektvendimi të dyshimtë dhe të fshehtë, i cili është duke u negociuar mes qeverisë shqiptare dhe firmës italiane “Albaniabeg Ambient” për nënshkrimin e marrëveshjes koncesionare të formës BOO me qëllim ndërtimin e një impianti për përpunimin e mbetjeve të ngurta urbane të qarqeve e Tiranës dhe Durrësit në Kashar. Firma në fjalë kërkon që pas ndërtimit të impinatit, të realizojë përpunimin e të gjitha mbetjeve kundrejt kostos zero, por duke vendosur si kusht kryesor që 39 për qind e kapacitetit të saj, të shërbejë për përpunimin e plehrave të importuara nga Italia. Që në këtë pikë shkelet me të dyja këmbët ligji “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta” në nenin 8 të të cilit përcaktohet në mënyrë të qartë se “ndalohet importimi i mbetjeve dhe i hedhurinave, që rezultojnë nga trajtimi i tyre, me qëllim ruajtjeje, depozitimi ose asgjësimi”. Por relacioni i projektvendimit sqaron se bazë për nënshkrimin e kontratës koncesionare, të shërbejnë VKM e 1994 “Për mbetjet e rrezikshme dhe mbeturinat” dhe një VKM i dhjetorit të kaluar “Për miratimin e rregullave e të procedurave për importimin e mbetjeve për prodhim, përpunim e riciklim”. Projektvendimi ka ngjallur edhe mjaft debate mes tre ministrive që po negociojnë me palën italiane, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit. Relacioni paraprak që tre ministritë kanë hartuar për t’ia përcjellë mbledhjes së qeverisë, ku do të shqyrtohet projektvendimi, është firmosur vetëm nga ministri Bashkim Fino, ndërsa dy ministrat e tjerë Ben Blushi dhe Ethem Ruka nuk e kanë firmosur, duke shfaqur rezerva për përmbajtjen e marrëveshjes koncesionare të sipërpërmendur. Nga ana tjetër edhe ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafa e ka kundërshtuar miratimin e kësaj marrëveshjeje në formën e një VKM-je. Qeveria i ka hapur rrugë nënshkrimit të kontratës koncesionare me firmën italiane, pas përzgjedhjes së saj nga Organi Shtetëror i Autorizuar, i cili ka përzgjedhur si ofertën më të mirë për ndërtimin e impiantit për përpunimin e mbetjeve urbane në Tiranë dhe Durrës. Ndërkaq nga përpunimi i të gjitha mbetjeve do të prodhohet energji që do të jetë e shfrytëzueshme.
    Projekt-kontrata
    Firma italiane kërkon që të mos marrë asnjë pagesë nga qeveria shqiptare për përpunimin e të gjitha mbetjeve të ngurta urbane në impiantin që do të ndërtojë në zonën e Kasharit, kur për të njëjtin aktivitet shteti është i detyruar t’i paguajë firmat e tjera me 20-30 dollarë për përpunimin e një tonazhi mbetjesh. Këtë fakt të rëndësishëm e vë në dukje edhe relacioni i hartuar nga tre ministritë që janë pjesë e negociatave me palën italiane. “Oferta e paraqitur nga shoqëria “Albaniabeg Ambient” kundrejt të tjerave që kërkojnë nga 20-30 dollarë USA për trajtimin e një ton mbetje, nuk kërkon asnjë shpërblim për trajtimin e një ton mbetje, shteti nuk do të përballojë asnjë pjesë të shpenzimeve për studimin, projektimin, ndërtimin e impiantit dhe shpronësimin e tokës ku do të ngrihet objekti” thuhet në relacionin e tre ministrive. Por ky “lëshim” në dukje që firma “Albaniabeg ambient”, duket se i bën qeverisë shqiptare, kushtëzohet nga sjellja e tonazheve me mbeturina nga Italia, për t’i përpunuar në këtë impiant, mbetje të cilat pas kontrolleve joprofesionale, fare mirë mund të shërbejnë për të sjellë edhe sasi të vogla mbetjesh radioaktive. Qeveria e argumenton mbështetjen e projektit të paraqitur nga kjo firmë, me faktin që në Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta, është përcaktuar se administrimi i mbetjeve të ngurta në fazën fillestare do të realizohet përmes teknologjive me kosto sa më të ulët. Sipas relacionit, kontrata e përfunduar dhe e shqyrtuar, plotëson kriteret bazë të vlerësimit të këtij propozimi. “Prioriteti kombëtar, përpunimi i mbeturinave të ngurta urbane në vendin tonë e sidomos në qarqet Tiranë -Durrës, ku është përqëndruar rreth 30 për qind e popullsisë së vendit, po bëhet gjithnjë e më urgjent dhe i domosdoshëm për ta vënë në rrugën e zgjidhjes. Projekti i propozuar nga shoqëria “Albaniabeg Ambient” plotëson një kërkesë të tillë të bazuar në teknologjinë që ofron, teknologji e avancuar që e ka zbatuar në shumë vende të botës”-thuhet në relacionin sqarues që shoqëron marrëveshjen. Aty pohohet se shtimi i mbetjeve urbane, ka rënduar situatën e përpunimit të tyre, sepse kalohet nga mbetjet me lëndë organike, të kompostueshme lehtësisht dhe ekonomikisht, në mbetje të kompostueshme vetëm pas disa operacionesh të pakta ekonomike seleksionimi. Kjo sipas palës shqiptare, bëhet me qëllim përfitimin e mbetjeve të vështira për t’u përpunuar siç janë xhami, plastiket dhe metalet. Nga ana tjetër është argumentuar se në bazë të analizave të kryera, prodhimi i mbetjeve urbane për person në vend është 0.8 kilogram dhe ka tendencën për t’u rritur. “Gjendja aktuale e vendeve të trajtimit për zonën më të populluar të vendit Tiranë-Durrës, është shumë shqetësuese. Vendet e trajtimit të vendosura pa asnjë lloj kriteri për pakësimin e ndikimit në mjedis, e lidhur kjo me vendin ku janë vendosur dhe tipin e ndërtimit, janë pa asnjë lloj shtresë papërshkueshmërie dhe mbulimi”, vijon relacioni. Nga ana tjetër ndotjet që mund të shkarkohen, janë kërcënuese edhe për kryeqytetin që është vetëm disa kilometra larg zonës ku mendohet të vendoset ky investim, që arrin në 180 milionë euro. Ndonëse pranohet se projekti italian parashikon ruajtjen e parametrave mjedisorë normale, sipas standardeve të Komunitetit Europian, i kontrolluar rigorozisht në laboratoret, pjesë përbërëse e impiantit, këtë nuk e garanton askush.

    Pikat kryesore të kontratës

    1)Prioriteti kombëtar,
    Përpunimi i mbeturinave të ngurta urbane në vendin tonë e sidomos në qarqet Tiranë -Durrës, ku është përqëndruar rreth 30 për qind e popullsisë së vendit, po bëhet gjithnjë e më urgjent dhe i domosdoshëm për ta vënë në rrugën e zgjidhjes.
    2) Të qenit unik dhe origjinal
    Projekti i propozuar nga shoqëria “Albaniabeg Ambient” plotëson një kërkesë të tillë bazuar në teknologjinë që ofron. Këtë lloj teknologjie, shoqëria e ka aplikuar në shumë vende të botës dhe njihet si nga teknologjitë më të avancuara
    3)Të qënit me kosto të ulët
    Oferta e paraqitur nga shoqëria “Albaniabeg Ambient” kundrejt të tjerave që kërkojnë nga 20-30 dollarë USA për trajtimin e një ton mbetjeje, nuk kërkon asnjë shpërblim për trajtimin e një ton mbetje, shteti nuk do të përballojë asnjë pjesë të shpenzimeve për studimin, projektimin, ndërtimin e impiantit dhe shpronësimin e tokës ku do të ngrihet objekti

    Kushti
    39 për qind e kapacitetit përpunues, të shërbejë për përpunimin e plehrave të importuara nga Italia.

    shekulli
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Ligji “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”


    Shekulli

    Veprimet e ndaluara
    Në territorin e Republikës së Shqipërisë janë të ndaluara:
    a) braktisja, shkarkimi, hedhja në tokë ose në ujërat sipërfaqësore e mbetjeve që çojnë në degradimin e vetive të tokës ose të ujërave sipërfaqësore dhe shkaktojnë rrezik ose dëm për shëndetin dhe mjedisin;
    b) përpunimi dhe asgjësimi i mbetjeve jashtë zonave të përcaktuara nga organet e qeverisjes vendore;
    c) importimi i mbetjeve dhe i hedhurinave, që rezultojnë nga trajtimi i tyre, me qëllim ruajtjeje, depozitimi ose asgjësimi;
    ç) grumbullimi, transportimi, ruajtja, riciklimi, përpunimi dhe asgjësimi i mbetjeve nga personat fizikë e juridikë, të palicencuar për kryerjen e këtyre veprimtarive;
    d) përpunimi, depozitimi dhe asgjësimi i mbetjeve me teknika dhe teknologji të papërshtatshme dhe të pamiratuara nga Ministri i Mjedisit dhe ministrat përkatës;
    dh) djegia në natyrë, përfshirë edhe vetëdjegien e mbetjeve dhe të hedhurinave që rezultojnë nga trajtimi i tyre.

    Neni 2 i marrëveshjes mes MRRTT-së, MM-së, MPVD-së dhe “Albaniabeg ambjent”
    Kjo marrëveshje koncesioni ka si objekt realizimin e një impianti në komunën e Kasharit, i cili do të përdoret për venddepozitimin, përpunimin, riciklimin, asgjësimin dhe prodhimin e energjisë elektrike nga mbeturina urbane për zonën e qarqeve Tiranë-Durrës, të pjesëve të thata të mbeturinave dhe të pjesëve të djegshme me prejardhje nga mbeturina të parrezikshme në përputhje me këtë kontratë pas afatit të ndërtimit dhe kolaudimit të impiantit.

    Neni 9 i marrëveshjes

    Qeveria në bazë të kësaj marrëveshjeje lëshon autorizimin për importimin e mbetjeve të ngurta urbane të parrezikshme për përdorim, përpunimin dhe riciklimin konform vendimeve të qeverisë së datës 31.01.1994 “Për mbetjet e parrezikshme dhe mbeturinat” dhe nr 806 datë 4.12.2003 “Për miratimin e rregullave e të procedurave për importimin e mbeturinave për përdorim, përpunim dhe riciklim” dhe në përprputhje me konventën e Bazelit.



    29/05/2004
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Përplasje juridike mes ligjit të 2003-it dhe marrëveshjes për importin e hedhurinave

    Ligji, ndalohet importi i mbeturinave

    Marrëveshja: Qeveria lëshon autorizimin për importimin e mbetjeve urbane të parrezikshme

    Shekulli

    TIRANE- Importimi i mbetjeve urbane që parashikohet të bëhet nga Italia përveç se një bombë ekologjike në përmasa të pallogaritshme, shoqërohet në projektmarrëveshjen e qeverisë me firmën italiane “Albanibeg Ambjent” edhe me disa përplasje juridike, të cilat kanë sjellë skepticizëm mes radhëve të negociatorëve të palës shqiptare. Kështu sipas ligjit “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta” ndalohet importimi i mbetjeve dhe i hedhurinave, që rezultojnë nga trajtimi i tyre, me qëllim ruajtjeje, depozitimi ose asgjësimi. Në mënyrë fare të qartë, ligji ndalon importin e mbetjeve dhe hedhurinave në territorin shqiptar për qëllim depozitimi dhe asgjësimi. Ndërkaq në nenin dy të projektmarrëveshjes që ende nuk po negociohet thuhet “Kjo marrëveshje koncesioni ka si objekt, realizimin e një impianti në komunën e Kasharit, i cili do të përdoret për venddepozitimin, përpunimin, riciklimin, asgjesimin dhe prodhimin e energjisë elektrike nga mbeturina urbane për zonën e qarqeve Tiranë-Durrës, të pjesëve të thata të mbeturinave dhe të pjesëve të djegshme me prejardhje nga mbeturina të parrezikshme në përputhje me këtë kontratë pas afatit të ndërtimit dhe kolaudimit të impiantit”. Pra firma italiane koncesionare që do të ndërtojë impiantin e mbetjeve të ngurta, do të depozitojë, asgjësojë, përpunojë, e riciklojë këto mbetje. Përplasja mes ligjit shqiptar të miratuar nga Kuvendi në 2003 dhe marrëveshjes me italianët është e dukshme.
    Akrobacia
    Por për të “kapërcyer” këtë pengesë qeveria në nenin 9 të projektmarrëveshjes justifikohet se lejon importin e mbetjeve nga firma italiane deri në 39% të kapaciteteve përpunues të impianit në bazë të një vendimi të qeverisë të datës 4.12.2003. Në marrëveshjen në fjalë ajo shprehet “Qeveria në bazë të kësaj marrëveshjeje lëshon autorizimin për importimin e mbetjeve të ngurta urbane të parrezikshme për përdorim, përpunimin dhe riciklimin konform vendimeve të qeverisë së datës 31.01.1994 “Për mbetjet e parrezikshme dhe mbeturinat” dhe nr 806 datë 4.12.2003 “Për miratimin e rregullave e të procedurave për importimin e mbeturinave për përdorimi, përpunim dhe riciklim” dhe në përputhje me konventën e Bazelit”. Në këtë nen nuk përfshihen as depozitimi, as ruajtja dhe as asgjësimi që në nenin 2 janë të pranishëm. Përplasja mes marrëveshjes dhe ligjit “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta” ka bërë që edhe mes ministrave të qeverisë shqiptare të ketë kontradikta. Kështu ministri i Drejtësisë Xhafa sipas burimeve zyrtare ka kërkuar që marrëveshja të kalojë në Kuvend, pasi nëse ajo miratohet vetëm në qeveri mund të sjellë probleme.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Importi i plehrave, projekt mafioz

    “Nuk bëhet fjalë për mbeturina të zakonshme, por për mbetje radioaktive

    A. Rama

    TIRANE - Plaku i urtë dhe shkrimtari Sabri Godo e konsideroi mafioze dhe të rrezikshme marrëveshjen koncesionare që qeveria shqiptare po negocion me një firmë italiane, e cila lejon importimin e mbetjeve të ngurta nga Italia. Pas publikimit të projektmarrëveshjes dje në gazetën “Shekulli”, Godo tha se e gjithë kjo çështje ka një qëllim të fshehtë dhe duket tipike mafioze. Ai konfirmoi se ky projekt ishte i vjetër dhe i kishte rrënjët e thella që në vitet 1992-1993, në një kërkesë të ardhur në atë kohë nga një trust italian. “Kjo çështje i ka rrënjët e thella që në fillim të viteve ‘90 . Është një lloj trusti italian që kërkoi në atë kohë ndërtimin e një impianti për përpunimin e plehrave, por kjo kërkesë u refuzua në mënyrë kategorike. Unë lexova materialin në gazetën tuaj dhe për mua këtu ka diçka mafioze. Marrëveshja ka një qëllim të fshehtë dhe nuk bëhet fjalë për përpunimin e mbeturinave të zakonshme nga Italia, por bëhet fjalë për përpunimin e mbetjeve radioaktive. Nuk ka aq budallenj që të bëjnë shpenzime kot dhe të sjellin mbeturina nga Italia për t’i përpunuar në Shqipëri”, - tha Godo duke akuzuar ashpër qeverinë shqiptare si përgjegjësen kryesore që kërkonte të zyrtarizonte këtë marrëveshje. Sipas tij ata që janë marrë me hartimin e kontratës me firmën italiane “Albaniabeg Ambient”, duhet të raportojnë urgjentisht në Parlament. Ai shtoi se këta njerëz po kërkojnë të helmojnë ajrin në Shqipëri, ajër që sipas tij edhe kështu në këtë gjendje, është i prishur. Godo u shpreh në mënyrë të prerë se ky impiant nuk duhet të ndërtohet, jo në atë zonë ku është planifikuar po as në ndonjë cep të humbur të vendit, sepse është e turpshme që në Shqipëri të mblidhen plehrat nga e gjithë Europa.

    Projekti
    Shqipëria shumë shpejt mund të kthehet në një kosh të madh të grumbullimit të plehrave nga e gjithë Europa. Kjo falë një projektvendimi të dyshimtë dhe të fshehtë, i cili është duke u negociuar mes qeverisë shqiptare dhe firmës italiane “Albaniabeg Ambient” për nënshkrimin e marrëveshjes koncesionare të formës BOO me qëllim ndërtimin e një impianti për përpunimin e mbetjeve të ngurta urbane të qarqeve e Tiranës dhe Durrësit në Kashar. Firma në fjalë kërkon që pas ndërtimit të impiantit, të realizojë përpunimin e të gjitha mbetjeve kundrejt kostos zero, por duke vendosur si kusht kryesor që 39 për qind e kapacitetit të saj, të shërbejë për përpunimin e plehrave të importuara nga Italia. Që në këtë pikë shkelet me të dyja këmbët ligji “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta” në nenin 8 të të cilit përcaktohet në mënyrë të qartë se “ndalohet importimi i mbetjeve dhe i hedhurinave, që rezultojnë nga trajtimi i tyre, me qëllim ruajtjeje, depozitimi ose asgjësimi”. Por relacioni i projektvendimit sqaron se bazë për nënshkrimin e kontratës koncesionare, të shërbejnë VKM e 1994 “Për mbetjet e rrezikshme dhe mbeturinat” dhe një VKM i dhjetorit të kaluar “Për miratimin e rregullave e të procedurave për importimin e mbetjeve për prodhim, përpunim e riciklim”. Projektvendimi ka ngjallur edhe mjaft debate mes tre ministrive që po negociojnë me palën italiane, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit. Relacioni paraprak që tre ministritë kanë hartuar për t’ia përcjellë mbledhjes së qeverisë, ku do të shqyrtohet projektvendimi, është firmosur vetëm nga ministri Bashkim Fino, ndërsa dy ministrat e tjerë Ben Blushi dhe Ethem Ruka nuk e kanë firmosur, duke shfaqur rezerva për përmbajtjen e marrëveshjes koncesionare të sipërpërmendur. Nga ana tjetër edhe ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafa e ka kundërshtuar miratimin e kësaj marrëveshjeje në formën e një VKM-je. Qeveria i ka hapur rrugë nënshkrimit të kontratës koncesionare me firmën italiane, pas përzgjedhjes së saj nga Organi Shtetëror i Autorizuar, i cili ka përzgjedhur si ofertën më të mirë për ndërtimin e impiantit për përpunimin e mbetjeve urbane në Tiranë dhe Durrës. Ndërkaq nga përpunimi i të gjitha mbetjeve do të prodhohet energji që do të jetë e shfrytëzueshme.

    SHEKULLI
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Sipas relacionit të qeverisë shoqëria “Albaniabeg Ambjent” nuk kërkon asnjë shpërblim për 1 ton/mbetje

    Nano, mashtrimi i radhës me plehrat

    Marrëveshja: Detyrimi i konçesionarit nuk mund të kalojë 4,000,000 tonë mbetje të ngurta urbane.

    Arion Sulo

    TIRANE- Trajtimi i plehrave nga “Albaniabeg Ambjent” do t’u kushtojë shqiptarëve qindra miliona dollarë në vitet e ardhshme. Relacioni i qeverisë që shoqëron projekt-marrëveshjen thotë se firma italiane do të trajtojë me koston zero një ton mbeturina të zonës Durrës-Tiranë. Por kjo tingëllon si mashtrim kur vetë projekt-marrëveshja në nenin 13 të saj saktëson që “Detyrimi i konçesionarit nuk mund të kalojë 4 000 000 tonë mbetje të ngurta”. Qeveria ka pranuar kështu që konçesionari të asgjësojë vetëm këtë sasi mbeturinash, ndërsa për pjesën tjetër deri në mbarim të kontratës që zgjat 28 vjet duhet paguar, madje me çmimin që do të vendosë firma, pasi në dokument nuk përcaktohet asnjë çmim. Gjendja bëhet edhe më alarmante nëse mëson mbetjet e ngurta dhe urbane për zonën Tiranë, Durrës, Kavajë në total për 30 vitet e ardhshme sipas studimeve prestigjoze, llogariten të jenë 27,5 milionë tonë. Qeveria është në prag të miratimit të vendimit që e detyron “Albaniabeg Ambjent” të asgjësojë falas vetëm 4 milionë tonë plehra shqiptare, ndërsa për diferencën prej 24,5 milionë tonë mbetjesh, qeveritë e mëpasme do të jenë të detyruara të paguajnë. Por nuk mbaron me kaq. Çmimi nuk dihet. Për 28 vitet e ardhshme për të trajtuar 27,5 milionë tonë plehra, çmimin do ta vendosë vetëm firma “Albanibeg Ambjent”. Sepse projektmarrëveshja nuk parashikon fare çmim. Specialistët e fushës thanë dje se kjo është skandaloze, nëse merr viston në Këshillin e Ministrave, pasi ka shumë rrezik që konçesionari, duke pasur të drejtën e monopolit, në rastin më të mirë, të vendosë një çmim të lartë, ose, në rastin më të keq, të mos pranojë fare të asgjësojë plehrat shqiptare, nese ka kaluar kufiri i 4 milionë tonëve.

    Sa kushton marrëveshja

    Nga përllogaritjet e bëra duket se qeveria “ka harruar” të thotë se 23,5 milionë tonë plehra në 30 vitet e ardhshme (koha e konçesionit është 28 vjet) do të asgjësohen me para. Duke marrë 30 dollarë si mesataren e çmimit të tregut për trajtimin e një ton mbetjeje, del se shuma që duhet paguar nga buxheti i shtetit shqiptar për 25 vitet në vijim është 705 milionë dollarë. Në këtë kalkulim është marrë çmimi mesatar i tregut por projekt-marrëveshja nuk saktëson asgjëkundi se sa do të jetë çmimi i trajtimit të një ton mbetjeje shqiptare, pasi të plotësohet 4 milion tonëshi që konçesionari ka si detyrim të trajtojë.

    Plehrat shqiptare dhe të huaja

    Surprizat nuk mbarojnë këtu. Sipas vetë draftit, dhe saktësisht nenit 11, firma konçesionare do të importojë mbeturina deri në 1400 tonë në ditë për 340 ditë në vit për të paktën 25 vjet nga mbarimi i ndërtimit të impjantit. Pra me një kalkulim të thjeshtë, konçesionari do të sjellë në Shqipëri pothuaj 12 milionë tonë plehra.

    Tabela
    ‘Albaniabeg Ambjent’ do të asgjësojë vetëm 4 milionë tonë plehra shqiptare
    Për 30 vjet, në total, Durrës, Tiranë, Kavajë, 27,5 milionë tonë plehra

    Asgjësimi i 23,5 tonë plehrave do të paguhet. Çmimin e vendos vetë ‘Albaniabeg Ambjent’



    Neni 13 i projekt-marrëveshjes

    Konçesionari është i detyruar që të realizojë në fazën e parë të veprimtarisë së asgjësimit të mbeturinave urbane të qarqeve Tiranë, Durrës, me kosto zero për 10 vjet duke filluar nga data e kolaudimit të impjantit.
    Detyrimi i konçesionarit nuk mund të kalojë 4,000,000 tonë mbetje të ngurta urbane.

    Relacioni i qeverisë
    Oferta e parashikuar nga shoqëria “Albaniabeg Ambjent” kundrejt të tjerave që kërkojnë nga 20 deri në 30 $ për trajtimin e një ton mbetjeje, nuk kërkon asnjë shpërblim për trajtimin e një ton mbetjeje. Shteti nuk do të përballojë asnjë pjesë të shpenzimeve për studim-projektimin, studimin e impjantit, shpronësimin e tokës ku do të ngrihet impjanti dhe administrimin për kohën e parashikuar në kontratë.




    31/05/2004
    shekulli
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Kreu i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mjedisit, kundër marrëveshjes së qeverisë me italianët

    PD: Plehrat, qeveria korrupsion konstitucional


    N.Perndoj

    TIRANE- Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mjedisit, Ferit Hoti, do t’i drejtohet organit të akuzës për marrëveshjen e mundshme mes qeverisë shqiptare dhe firmës italiane “Albaniabeg Ambient”, me qëllim përpunimin e mbetjeve të ngurta, ku parashihet që 39% e kapacitetit të impjantit, të punojë plehra të importuara nga vendet e Bashkimit Europian. Hoti deklaroi dje për “Shekulli”-n se ai do të ndjekë të gjitha rrugët e brendshme ligjore si dhe do të fillojë kontaktet me të huajt për të denoncuar marrëveshjen që, sipas tij, përfaqëson një korrupsion të pastër institucional. Hoti paraqiti edhe një shqetësim tjetër duke shtuar se me importimin e mbetjeve të ngurta, mund të ketë edhe mbetje radioaktive. “Qeveria është në pozicionet e një korrupsioni konstitucional, sepse ligjet e miratuara në Kuvend bien ndesh përmes një projektvendimi, i cili është komplet në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Hoti. Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mjedisit njëkohësisht edhe deputet i Partisë Demokratike sqaroi se qeveria nuk mund të anashkalojë Kuvendin, pasi sipas tij, ky është një problem me interes publik. Ndërkohë qeveria shqiptare ka gati projekt-vendimin për të zyrtarizuar ndërtimin me konçesion të impiantit për përpunimin e mbetjeve urbane të Tiranës, Durrësit, por edhe të 39% mbeturinave që do të vijnë nga Italia. Deri në këtë moment, ky dokument është trajtuar në formën e një draft vendimi ndërkohë që një prej ministrave të qeverisë Nano, ai i Drejtësisë, Fatmir Xhafa ka kërkuar që marrëveshja të hartohet në formën e një projektligji, me qëllim që të shqyrtohet dhe miratohet në Kuvend, pasi sipas tij, në formën e një vendimi të Këshillit të Ministrave është shkelje ligjore. Në këtë pikë këmbëngulin edhe deputetët e opozitës përfshi këtu edhe kryetarin e Komisionit të Shëndetësisë dhe Mjedisit Ferid Hoti, i cili këmbëngul se çdo marrëveshje e tillë duhet të kalojë së pari nga organi legjislativ.




    31/05/2004
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    KOSHI RADIOAKTIV

    Ne vitet 80 te shekullit te kaluar nje numer vendesh afrikane u shnderruan ne kosha fizike te mbetjeve radioaktive te vendeve evropianoperendimore. Me kalimin e viteve ceshtja u ngrit nga shume organizata mjedisore dhe keto vende-kosha nisen te pakesohen. Pas dy dekadash, opinioni publik shqiptar po shikon me shqetesim se mund te perseritet e njejta histori me Shqiperine. Ne rast se mbetjet teknologjike italiane nuk permbajne elemente radioaktive, ia vlen te pergezohet qeveria shqiptare qe arriti te sjelle nje biznes disa milione dollaresh tek ne, ku mund te punesohen dhe me dhjetera vete. Mirepo pastrimi i mbeturinave te zakonshme jashte Italise duket i dyshimte. Zakonisht ky proces nuk kerkon shume krahe pune. Impiantet e pastrimit dhe likuidimit te mbeturinave ne vendin fqinj jane plotesisht automatike. Nderkohe qe interesi per te sjelle mbeturinat ne Shqiperi mund te ishte thjesht fuqi punetore me cmim te lire. Ndryshe nuk mund te justifikohen shpenzimet e transportit per mbeturinat qe zene vellim fizik te madh. Por kur mbeturinat permbajne lende radioaktive, atehere puna ndryshon. Shteti italian ka rregulla te rrepta dhe nuk lejon groposjen apo perpunimin e tyre ne token italiane. Keshtu qe firmat prodhuese italiane qe i kane nxjerre keto mbeturina kerkojne ndonje "kosh" nderkombetar. Po te jete ky "biznesi"me italianet per pastrimin e mbeturinave ne Kashar, atehere shoqeria jone civile duhet te ngrihet e gjitha ne kembe ne mbrojtje te shendetit dhe te ardhmes se femijeve tane. Nuk eshte duke helmuar token tone qe mund te jetojme me mire. Qofte edhe po te fitojme si shtet disa dhjetera milione dollare. Ministria jone e Mjedisit duhet te kete kurajon qytetare te shprehet. Te pakten te thote qe mbeturinat qe do te perpunohen ne Kashar nuk kane permbajtje radiokative. Ne rast se e ka kete informacion. Por ajo hesht. Atehere zerin e mbytur te saj duhet ta ngrene mjedisoret e mbare tokes shqiptare. Si dhe shoqatat joqeveritare qe mbrojne interesa te ndryshme te shqiptareve. Nese OMGJ-te (soje, etj.) si ushqim per kafshet shqiptare gjenetikisht te modifikuar e pranuam (helbete, vinte nga Amerika), te pakten kete helm te ri (ne rast se vertetohet qe ka elemente radioaktive) ne forme plehrash t'ia largojme vetes. Boll kemi plehrat tona.

    Fatos Cocoli
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Shpëtim Arbana, këshilltar ekonomik i kryeministrit është përfaqësues me prokurë i “BegAlbania”

    Njeriu i Nanos në importin e plehrave


    Shekulli

    TIRANE-Zbulohen lidhje direkte të kryeministrit me shoqërinë “Albaniabeg Ambjent” e cila është në prag të marrjes së një koncesioni 28 -vjeçar për ndërtimin e një impianti plehrash në Kashar të Tiranës, ku do të përpunohet edhe një sasi kolosale mbetjesh të ardhura nga Italia. Këshilltari ekonomik i kryeministrit, Shpëtim Arbana është përfaqësuesi shqiptar me prokurë i shoqërisë italiane “Beg Albania” e cila pas vitit 2000 ka ndërruar emrin në “Albanibeg Ambjent”. Konflikti i pastër i interesave është i vërtetuar nga dokumente që “Shekulli” ka arritur të sigurojë.
    Dokumentet
    Emri dhe firma e Shpëtim Arbanës, këshilltarit aktual të Nanos gjendet në kërkesën që ai ka bërë pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë për regjistrim të firmës “Beg Albania” si person juridik dhe në vërtetimin e noteres ku Arbana ka noterizuar dokumentacionin para se të bënte kërkesën në gjykatë. Vendimi i gjykatës për regjistrimin e shoqërisë “Beg Albania” është marrë në datën 20.4 2000 dhe mban numrin 23646. Dy të dhënat e fundit janë identike me ato të projektmarrëveshjes që po negociohet mes qeverisë shqiptare dhe firmës italiane. Në të shkruhet se marrëveshja është ndërmjet qeverisë shqiptare dhe shoqërisë “Albanibeg Ambjent” e regjistruar me vendimin e gjykatës nr. 23646 datë 20.4.2000. Një fakt tjetër është edhe emri i administratorit të shoqërisë, e cila ka kërkuar të bëjë asgjesimin dhe riciklimin e plehrave të Tiranës dhe Durrësit. Në kërkesën që Shpëtim Arbana ka bërë pranë gjykatës së Tiranës thuhet se shoqëria administrohet nga një Këshill Administrativ i përbërë nga tre administratorë: Françesko Beketi, kryetari i këshillit administrativ, Liliana Kondimiti dhe Manilo Cerroni. Ndërkaq në projektmarrëveshjen qeveri-firmë italiane, saktësohet se pala e koncesionarit është e përfaqësuar nga administratori Françesko Beketi. Edhe pse emri i kompanisë italiane nga “Beg Albania” është bërë pas vitit 2000 në “Albanibeg Ambjent” numri i vendimit të gjykatës, data e regjistrimit dhe emri i administratorit janë të njëjtë. Deri tani qeveria nuk ka bërë transparente pothuaj asgjë për veprimtarinë e shoqërisë italiane që ka kërkuar të ndërtojë me koncesion impiantin e përpunimit të mbetjeve në Kashar të Tiranës. Në relacionin që shoqëron projektvendimin thuhet vetëm se ajo nuk kërkon pagesë për trajtimin e një ton mbetjeje, gjë që nuk është e vërtetë, pasi në të do të trajtohen vetëm 4 milionë ton plehra të Tiranës dhe Durrësit. Pas hapjes së debatit për kushtet diskriminuese të marrëveshjes, disa zëra nga qeveria thanë dje se ajo nuk mund të kalojë kështu siç është hartuar. Por fakti që këshilltari aktual i Nanos është përfaqësues me prokurë i firmës italiane shton dyshimet se gjërat mund të jenë vendosur që më parë.
    Shoqëria “Beg Albania” me përfaqësues me prokurë këshilltarin aktual ekonomik të kryeministrit ka ushtruar më parë veprimtarinë si shoqëri koncesionare për financimin, ndërtimin dhe administrimin e impiantit hidroelektrik të Kalivaçit.




    01/06/2004
    shekulli
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Këshilli Rinor Shqiptar reagon për importin e plehrave nga Italia. “Nano mos e firmos marrëveshjen”

    “Marrëveshja për plehrat kundër interesave kombëtare”


    Shekulli

    TIRANË – Këshilli Rinor Shqiptar ka deklaruar dje, se projektvendimi i qeverisë për miratimin e marrëveshjes koncesionare mes qeverisë sonë dhe shoqërisë “Albaniabeg Ambient” sh.p.k., e kthen Shqipërinë në një kosh plehrash të Evropës. Sipas drejtuesve të këtij këshilli, djegia e 27.5 milionë ton plehrave gjatë periudhës së shfrytëzimit të koncesionit nga firma ALBANIABEG AMBIENT përllogaritet të ngarkojë taksapaguesit shqiptarë përveçse me rreziqe shumë serioze për shëndetin dhe me një faturë financiare, e cila përllogaritet të jetë të paktën 705 milionë dollarë. Sipas tyre, afera në fjalë, e cila në këtë fazë duket se ka marrë edhe firmën e parë nga shteti shqiptar në gjykimin e Këshillit Rinor Shqiptar është shprehje e një simptome shumë të rëndë të degradimit mjedisor dhe atij moral e identifikuar në këtë rast si një politikë mirëfilli kundër interesave kombëtare. Për këtë arsye, drejtuesit e Këshillit Rinor Shqiptar, deklarojnë se do të ndërmarrin në mënyrën më energjike të gjitha hapat me synim ndalimin me çdo kusht të hyrjes së këtyre plehrave në Shqipëri. Këshilli Rinor Shqiptar u bën thirrje ministrive të linjës të ngarkuara me trajtimin e marrëveshjes koncesionare në fjalë dhe në mënyrë eksplicite, kryeministrit Fatos Nano të mos firmosin marrëveshjen. Po kështu Këshilli Rinor Shqiptar denoncon me forcë veprimet e krerëve të disa bashkive të vendit, të cilët pa marrë parasysh vullnetin e komunitetit të cilin përfaqësojnë, kanë dhënë tashmë pëlqimin e tyre që kjo aferë të fillojë. Në rast se qeveria në këtë rast do të bëjë veshin e shurdhër, atëherë Këshilli Rinor do të iniciojë një protestë kombëtare duke ftuar gjithë rininë shqiptare dhe mbarë opinionin publik për të mos lejuar kthimin e këtij vendi njëkohësisht gjigant plehrash dhe mbetjesh të rrezikshme apo radioaktive.



    shekulli
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Përfaqësuesit e shoqërisë civile i bënë dje thirrje kryeministrit që të hedhë poshtë marrëveshjen

    Plehrat, protestë masive qytetare kundër qeverisë


    Shekulli

    TIRANË – Protestë masive e qytetarëve për të detyruar qeverinë që të mos miratojë vendimin që lejon importin e plehrave nga Italia. Kështu është vendosur dje në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Këshilli Rinor Shqiptar. Tryeza kishte si qëllim koordinimin e aksionit të përbashkët të shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve shqiptarë të interesuar me synim ndalimin e menjëhershëm të importeve të mbetjeve të huaja urbane në Shqipëri. Të gjithë të pranishmit kanë vendosur që të martën të organizojnë një protestë masive, ku do të jenë të ftuar të gjithë qytetarët, për të detyruar kështu qeverinë të mos firmosë marrëveshjen me shoqërinë italiane “Albanibeg Ambinet” e cila do të ndërtojë një impiant për trajtimin e mbetjeve.

    Takimi
    Burime brenda takimit kanë bërë të ditur dy linja mendimi. Drejtori i Fondacionit për Shoqërinë e Hapur Çapajev Gjokutaj është shprehur se duhet transparencë nga qeveria dhe ballafaqim, madje ai ka marrë përsipër edhe pagesën e sallës në hotel “Sheraton” për ditën e ballafaqimit me qeverinë. Ndërsa analisti Ardian Klosi është shprehur se duhen aksione konkrete për të ndaluar firmosjen e marrëveshjes. Ai ka vlerësuar se transparenca është një nga detyrat kryesore të qeverisë dhe ajo nuk e ka bërë. Ai ka marrë përsipër të grumbullojë personalitete të shoqërisë civile. Lëvizja “Mjaft” mori përsipër të bëjë lobing deputetësh, për të bërë një ligj, për të ndaluar absolutisht importin e mbeturinave nga jashtë. Kjo tryezë erdhi pas disa reagimeve të Këshillit Rinor Shqiptar, i cili kundërshtoi projektvendimin e qeverisë për miratimin e marrëveshjes koncesionare mes saj dhe shoqërisë “Albaniabeg Ambient” sh.p.k. Ata vlerësuan se kjo projektmarrëveshje, nëse firmoset e kthen Shqipërinë në një kosh plehrash të Evropës. Në këtë tryezë kanë qenë të pranishëm pjesëtarë të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur Sorros, nga lëvizja “Mjaft”, përfaqësuesi i biznesit dhe njësisë koordinuese të protestës popullore Koço Kokëdhima i “2K Group”, Ardian Klosi, Klubi Studentor Ambientalist Shqiptar, etj. Sipas deklaratës së hartuar dhe të publikuar në fund të takimit, pjesëmarrësit evidentuan qartë dhe prerazi shqetësimin e jashtëzakonshëm të pjesëmarrësve mbi situatën e krijuar, e cila rrezikon një katastrofë të pakthyeshme ambientale. Pjesëmarrësit konfirmuan qëndrimin e përbashkët se sjellja e plehrave evropiane bllokon në mënyrë të pakthyeshme zhvillimin e vendit. Në fund tryeza vendosi, nisur nga përgjegjësia ligjore dhe kushtetuese e qeverisë për të bërë transparencën e projektit në fjalë, t’i kërkohet ballafaqim në nivel politik dhe teknik me përfaqësuesit dhe ekspertët e shoqërisë civile. Ballafaqimi do të organizohet nga Këshilli Rinor Shqiptar ditën e enjte, datë, 3 qershor në orën 11.0 në hotel “Sheraton”. Tryeza do të mbështesë nismën e lëvizjes “Mjaft”, për projektin e ligjit që do të ndalojë importin e çdo lloj mbetje në Shqipëri. Ata vendosën si hap të tretë organizimin e një proteste masive qytetare ditën e martë, vendi dhe ora e të cilës do të publikohen në vazhdim dhe së fundi ata do të ndërmarrin në vazhdimësi të gjitha hapat e tjerë legalë për të bllokuar çdo përpjekje për të kthyer Shqipërinë në një vend depozite të mbetjeve të vendeve të tjerë. Pjesëmarrësit u kanë bërë thirrje edhe ministrive të linjës, të ngarkuara me trajtimin e marrëveshjes koncesionare në fjalë dhe në mënyrë eksplicite, kryeministrit Fatos Nano të mos firmosin marrëveshjen, edhe më parë. Po kështu Këshilli Rinor Shqiptar ka denoncuar me forcë veprimet e krerëve të disa bashkive të vendit, të cilët pa marrë parasysh vullnetin e komunitetit të cilin përfaqësojnë, kanë dhënë tashmë pëlqimin e tyre që kjo aferë të fillojë.

    Pjesëmarrës
    Këshilli Rinor Shqiptar
    Fondacioni i Shoqërisë së Hapur
    REC
    Lëvizja “Mjaft”
    SEDA
    Instituti i Politikave Sociale
    Shoqata e Bujqësisë Organike
    iSiS
    QSKOM
    CoPlan
    Klubi Studentor Ambientalist Shqiptar
    Përfaqësuesi i biznesit dhe njësisë koordinuese të protestës popullore “2K Group”
    Ardian Klosi
    Arben Loka
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Gjykata e Strasburgut i jep një tjetër “shuplakë” qeverisë për pronat
    Nga Xhuxhumaku në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 05-06-2009, 07:26
  2. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 19-02-2005, 05:20
  3. Debat në kuvend për mediat, opozita denoncon qeverinë Nano
    Nga ALBA në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 22-09-2004, 16:54
  4. Liria e shtypit ne diktatin e krimit
    Nga Shijaksi-London në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 55
    Postimi i Fundit: 02-12-2003, 18:57

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •