Krerët e PS-së dhe PD-së janë ulur dje në të njëjtën tryezë gjatë takimit të klubit politik të Ballkanit
Nano e dëgjon Berishën me kufje
Kryeministri: Në BE në vitin 2015. Kreu i PD: Shqipëria, pa zgjedhje të lira
Shekulli
TIRANË – Kryeministri Fatos Nano dhe kryetari i opozitës Sali Berisha kanë qenë dje, të ulur në të njëjtën tryezë, si pjesëmarrës në takimin e klubit politik të Ballkanit, por në asnjë moment nuk është parë ndonjë takim i veçantë mes tyre. Gjatë diskutimeve të tyre, pasditen e djeshme, Nano e Berisha kanë treguar sërish mosmarrëveshjet. Kryeministri Nano e ka dëgjuar gjatë gjithë kohës fjalën e Berishës nëpërmjet kufjeve dhe jo drejtpërdrejt, edhe pse Berisha diskutoi në shqip. Nano ka shprehur bindjen se ato vende të rajonit që nuk janë anëtarësuar në BE do të trokasin brenda vitit 2015. Ndërsa ka përmenduar vlerësimet e ndërkombëtarëve për Shqipërinë, Nano ka thënë se “brenda këtyre nismave të shumta që qarkullojnë në rajonin tonë ne duhet të jemi akoma më selektivë, të krijojmë sinergji dhe të përqendrojmë energjitë dhe përpjekjet tona financiare, politike dhe intelektuale për të realizuar projekte konkrete që kanë ndikimin deciziv në të ardhmen tonë evropiane”. Një nga dukuritë që më së shumti kërcënon proceset e integrimit dhe filozofitë moderne të qeverisjes dhe të bashkëpunimit është pikërisht paaftësia e një pjese të politikanëve edhe në Ballkan për të përballuar sfidat e realiteteve të reja, tha Nano. Në mënyrë të paarsyeshme, shtoi ai, vazhdon të ndodhë që dikush t’u kthehet tezave nacionaliste, të rifillojë apo të nxisë debate shterpë për të keqen që vjen nga fqinji, koncepte që edhe për shkak të varfërisë apo të mentaliteteve ende të gjalla të së kaluarës rrezikojnë të keqpërdoren. Megjithatë unë jam i bindur ashtu si anëtarët themelues të klubit, se koha kur ishte e mundur kur dikush të përpiqej të përmirësonte imazhin e vet, duke hedhur baltë në dritaren e fqinjit ka mbaruar një herë e mirë, deklaroi kryeministri Nano. Sipas tij, hapja e tregjeve midis nesh dhe më gjerë, globalizimi i rajonit dhe marrëdhëniet me Evropën e Bsshkuar, marrëveshjet e përfunduara të tregtisë së lirë, përmirësimi dhe modernizimi i korridoreve të lëvizjeve të lira i shërbejnë më së miri interesave rajonale dhe kombëtare.
Berisha
Ndërsa kryetari i PD-së Berisha, gjatë fjalës së tij, përsëriti problemin kryesor sipas tij, atë të zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Unë mendoj se edhe probleme të tjera madhore për t’u zgjidhur presin në mënyrë që stabiliteti të dalë nga brishtësia e tij. Ndër këto probleme unë do të përmendja shtetin ligjor ndaj krimit të organizuar, luftën kundër krimit të organizuar, statusin e Kosovës dhe të Malit të Zi, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, zgjedhjet e lira në Shqipëri”, -u shpreh Berisha. Si i vetmi vend në Ballkan që nuk zhvillon zgjedhje të ndershme, Shqipëria, shtoi Berisha, kërcënon rëndë stabilitetin e saj dhe më gjerë në rast se ajo nuk përkushtohet haptaz dhe me të gjithë potencialin për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në takimin e djeshëm të klubit politik të Ballkanit kanë marrë pjesë figura të njohura të politikës ballkanike si ish-presidenti Gligorov, ish-presidenti bullgar, Zheliu Zhelev si dhe personalitete shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia.
Krijoni Kontakt