Konferencë shtypi e Presidentit Moisiu pas Samitit të Stambollit
Moisiu: Zgjedhjet na lanë jashtë NATO-s
Shqipëria ndahet nga Kroacia dhe Maqedonia në kushtet që duhet të plotësojë për të hyrë në NATO
Pyetje: Sikurse e dini dhe ju, është se Shqipëria mund të mos pranohet për shkak të problemeve të tilla, si instabiliteti politik, që herë pas here kapllon Shqipërinë ose korrupsioni, apo krimi i organizuar, që janë tashmë të njohura, ose fakti që parlamenti p.sh., është një nga hallkat më të dobëta të institucioneve demokratike shqiptare. Cili është mendimi juaj?
Përgjigje: Presidenti Bush gjatë takimit që pati me ne të tre, presidentët e Shqipërisë Kroacisë dhe Maqedonisë, theksoi: "Klima është e favorshme për integrimin e tre vendeve tuaja; klima po shkon drejt përsosjes. Problemet që ju përmendët përsa i përket stabilitetit politik. janë probleme të cilat politika shqiptare duhet t'i ketë kujdes. Unë mendoj se të gjithë së bashku duhet të nxjerrim mësimet e duhura, që në vitin 2006 apo 2007, pasi nuk është marrë ende vendimi për kohën e mbajtjes së Samitit tjetër, që Shqipëria t'i ketë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme.
Pyetje: Në takimin që 3 vendet e "Adriatik 3" zhvilluan me presidentin Bush, çfarë u diskutua më konkretisht dhe hollësisht me detaje?
Përgjigje: Diskutimi ishte pak a shumë në frymën e inkurajimit të tre vendeve tona përsa i përket perspektivës së integrimit të tyre në NATO (Shqipëria, Kroacia, Maqedonia). Presidenti Bush duke na u drejtuar tha "a e ndieni klimën, e cila është në mbështetje të plotësimit të aspiratave tuaja". Ne para këtij takimi patëm dhe një takim tjetër të veçantë mes tre presidentëve, në të cilin ne biseduam se çfarë duhet të bëjmë gjatë kësaj periudhe prej këtij Samiti deri në të ardhshmin. Të tre ramë dakord të forcojmë punën për koordinimin e veprimeve nëpërmjet institucioneve të ndryshme, sikurse janë MJ e MM për plotësimin e kërkesave për integrimin në NATO. Njëkohësisht ne biseduam për të rritur më tej bashkëpunimin tonë dhe sigurinë e paqen në rajonin tonë. U theksua dhe angazhimi i parlamenteve tona. Pak ditë më parë parlamenti turk u shpreh në vijim të Deklaratës së Kongresit amerikan për integrimin e tre vendeve tona. U tha se duhet të vazhdojmë në të ardhmen punën me parlamentet e tjera, që të kemi një mbështetje sa më të madhe.
Pyetje: Zoti President në deklaratën përfundimtare të Samiti të Stambollit u theksua se pranimi në NATO është individual. Çdo të thotë kjo për Shqipërinë?
Përgjigje: Në deklaratën e përgjithshme të Samitit theksohet se të tre vendet tona kanë marrë një mbështetje serioze për të ardhmen. Parimi i pranimit individual është parim kryesor në NATO; ka qenë dhe mbetet dhe nuk ndryshon. Kohët e fundit nga ish Grupi i Vilniusit me 10 vende, u pranuan 7 shtete; "Adriatik 3" ku bëjmë pjesë dhe tre vendet tona është inkurajuar e mbështetur koordimi, bashkëpunimi, dhe përgatitja e përbashkët për integrim.
Dje ne Presidentët e tre vendeve të "Adriatik 3" të ftuar nga Presidenti bullgar Parvanov patëm një drekë pune. Midis të tjerave Presidenti Parvanov tha: "Dje në takimin që kam patur me vendet e anëtarëve të NATO-s, kur trajtuam vendet e Kartës "Adriatik 3" u vunë në dukje dhe problemet politike, që kanë si çështja e zgjedhjeve", e cila është bërë botërisht e njohur dhe përcaktuese për të ardhmen tonë integruese. Politika shqiptare duhet ta ketë shumë mirë parasysh përgatitjen për zgjedhjet dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Lidhur me pyetjen për Grupin e të urtëve, mendoj se ai e bëri punën e tij, i dha mendimet tani është radha e forcave politike të japin mendimet e tyre, çfarë pranojnë e çfarë nuk pranojnë. Unë them se nuk ka kohë shumë, por dhe nuk jemi vonë të merremi me përgatitjen e korrigjimeve që i duhen bërë Kodit ekzistues Zgjedhor.
Krijoni Kontakt