marre nga Fjala
NË KËRKIM TË AVANGARDËS...
Ervin HATIBI
Ka dëgjuar njeri për gazetën “E PËR-7-SHME”?
Hamendje me sebep të seminarit ndëruniversitar mbi avangardat letrare, mbajtur në Tiranë më 3 maj.
Në një nga ditët e para të majit, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u mbajt një seminar në lidhje me fenomenin e avangardës në letërsinë tonë të shekullit të shkuar. Me sa i ndoqa, opinionet e studiuesve pjesëmarrës në aktivitet, iu larguan apo afruan më shumë e më pak dy kahjeve të përkundërta. E para kahje, mëton se në trevat e shqipes nuk ka ekzistuar qartas ndonjë entitet i quajtur “avangardë letrare” (dhe me të vërtetë askush nuk ka dalë deri tani ta impersonojë këtë duke thënë “unë jam avangardë apo avangardist.”) Sipas kësaj kahje të vështrimit, kushtet e pranuara si përkufizuese për avangardën, (thyerja sektare me traditën e mëparme, vetëndërgjegjësimi dhe vetëpërkufizimi me anë të manifesteve estetikë apo revistave a organeve të zëdhënies etj. etj.) të gjitha këto kanë munguar. Ndonjë element i avangardës ama, është shpërfaqur tek ndonjë lojë me intonacionin apo pikësimin tek Lasgushi apo me liberalizimin e emfazës tek Migjeni...
Kahja tjetër opozitare, mëton se absolutisht avangarda është bërë e gjallë me gjithë kostumografinë dhe slloganistikën e vet në fillimin e viteve ’90 në poezinë shqipe të Tiranës. Kahja e dytë dhe kahja e parë nuk para i diskutojnë shumë teoritë ku mbështeten. Të dyja e shohin avangardën si një ortodoksi. E cila është një kategori standard si në Kinë ashtu edhe në Kenia apo Kroaci.
Nëse avangardës do t’i rezervonim optikën më përfshirëse duke e përkufizuar thjesht e qartë si një grupim artistik që prodhon thyerje serioze me traditën, mbase në kushtet e shkrimit shqip do të identifikonim më shumë se një të tillë, dhe do t’u shtrëngonim dorën nxehtësisht partizanëve entuziastë. Nëse do të kërkonim procedurat administrative sipas modeleve të dy dekadave të para të shekullit të 20, kjo pastaj është pak si e pamundur për specifikat e mikroklimës letrare shqiptare. Me sytë përdhe, na duhet ftohtë t’u japim dorën si në ceremoni pajtimi gjaqesh atyre që nuk shohin hiç avangardë këtu, dhe vendin bosh ia japin Lasgushit & Migjenit apo Gaspër Palit apo triumviratit poetiko-industrial të viteve ’60 (Kadare/Arapi/Agolli).
Gjithsesi, personazh i cituar si mungesë ose si prani në këtë histori arnautësh avangardistë, duke u përpëlitur në kufinjtë jetikë (jo etikë) të modestisë, mendoj se gjithsesi një lloj sekti apo tribuje poetësh e jo vetëm, populloi nevojën për ndryshim radikal në shkrim në fillimet e hapjes së Shqipërisë. Poetët që morën përsipër në adoleshencë e sipër, t’u japin udhë përfytyrimeve e meraqeve të veta përmes gazetës “E PËR-7-SHME”, patën gjithë kohën dhe qejfin e domosdoshëm për t’u dhënë udhë përfytyrimeve e meraqeve të veta përmes gazetës “E PËR-7-SHME”. Ndërkallja e 7 (shtatës) superstitive e mitike përmes titullit, nuk është e vetmja thyerje dhe kontroversi e procedimit shkrimor/letrar të grupit të poetëve, e po ashtu në vend të një manifesti, por tamam si manifest, grupi pat publikuar në numrin e parë përmasat e perimetrave të vet botëkuptimorë nën dy tituj të shkruar kolektivisht nën tempin dhe tonin e Rudian Zekthit: “Tabutë e gazetës” dhe “Në vend të keqkuptimit”. Jo vetëm kaq, po në ballë të numrit të parë, gazeta merrte përsipër të ofronte edhe një projekt tjetër të pasportës shqiptare, ofruar me grafikën e njohur zyrtare, por ama me disa korrigjime radikale me tone të një lloj “shovinizmi poetik” të denjë për përfaqësuesit më militaristë të futurizmit. (Përveç projekteve të nënkuptuara për një shkrim “tjetër”, vramendjet e grupit në një kohë ndryshimesh e paqartësish të thella politiko-filozofike premtoheshin në skajin tjetër me nota pseudopolitike ose quazi.) Zaten e gjitha kjo u ngjiz nën personalitetin dhe talentin shtypës të Rudian Zekthit i cili i dha tonin jo vetëm komunikimit letrar nën titullin “E PËR-7-SHME”, por mendoj edhe gati gjithë verbit e modusit poetik të brezit të vet.
Në anën tjetër, krahas poetëve, poli tjetër që përbënte tribunë “E PËR-7-SHME” dhe e furnizonte me spontanitet e zhargon, ishin një dorë simpatike adoleshentësh shkollëbraktisës, shakaxhinj autodestruktivë, që prej aty e deri më pas dolën pak nga pak nga anonimiteti, jo vetëm prej look-ut të vet të bujshëm proto-grunge, por edhe sepse më vonë u bënë dj, animatorë radiosh, veprimtarë politikë e fetarë. Ky polarizim midis rrugës dhe underground-it më një anë dhe mjedisit universitar më anën tjetër prodhoi monumentin “E PËR-7-SHME”. Më poshtë po rreshtoj të riorganizuar ca pak fjalë më tepër për këtë gazetë. (Shyqyr që na u dha rasti, me hipotezat për dhe kundër gjatë seminarit mbi avangardën, që të themi edhe diçka për “E PER-7-SHME”, për këtë “gazetë” titulli i së cilës porsi një sëpatë mban ngulur në gjoks numrin e shtatë. )
Kujtimet janë shtresa joprodhuese në përgjithësi, ndaj shoqëria ashtu si pleqtë në azile, i ka mbyllur nëpër ndonjë datë të kalendarit. Dymbëdhjetë vjet më parë, u botuan katër numra të gazetës “E PËR-7-SHME”, me një tirazh katër mije copë për numër. Kjo është shumë e saktë. Nuk mund të saktësoj dot ama sak datën, datëlindjen, pasi numri i parë i gazetës nuk shënon madje as muajin e vitit të botimit. Por duhet të jetë fjala për shkurtin e vitit 1992, ose për ndonjë diferencë midis shkurtit alla turka me shkurtin alla frënga, sepse ato ditë kur gazeta doli sapo kish vdekur Martin Camaj, dhe në faqe të parë gazeta pasi jepte lajmin e hidhur, ftonte të mbahej një minutë heshtje nga lexuesi. Edhe gazeta vetë mbante një minutë heshtje, duke lënë të zbardhte fill poshtë lajmit një paragraf të gjatë të pashkruar. (Do të ishte teprim i pafalshëm për mua të flisja për reinkarnacion apo lidhje horoskopi midis Camajt dhe botimit të “E PER-7-SHME”). Këtu po shtoj se isha edhe unë njëri nga ata djem të rinj e një vajzë që botuan numrin e parë. I kam firmosur shkrimet e mia me emrin Erind para mbiemrit tim, për të përshëndetur nga larg Erind Pajon, poetin që sajoi titullin sensual të gazetës.
“E PER-7-SHME” pikë së pari, tregon që në titull një alternative midis “numrave e shkronjave”, dhe një paradoks midis kuptimit të fjalës “e përshtatshme” dhe mënyrës së “papërshtatshme” me të cilën është shkruar. “E-7-E” (përdor shkurtimin) është një nga ato dhjetra shpallje arti që mungonin prej dhjetra vitesh në rruget tona, një realizim përtej ngopjes i lirisë së shprehjes. Si koncept dhe si botim “E-7-E” u përpoq edhe të mbushë boshllëkun që krijoi mungesa e botimeve artistike në vitin politik 1992.
Duke qenë një gazetë e drejtuar tek një publik i pakët, ajo në rradhë të parë synonte ta krijonte lexuesin e vet, dhe në momentin e krijimit të ketij lexuesi misioni i saj merrte fund. Domethënë bëhet fjalë për një gazetë kamikaxe iluministe. Problemin e artit e të shoqërisë shqiptare “E-7-E” e pa si problem moral, e sigurisht në aspekte të mungesës. Ajo i dëshiroi pra lexuesit “nga rradhët e plebejve të kaltër”, siç thuhet në editorialin e parë. Si e tillë, gazeta shmangu me përbuzje elitën duke marrë në të njëjtën kohë një pamje intelektuale e antiintelektuale.
Kurse në publikimet e krijimtarisë letrare, vendi iu la tërësisht autoreve të panjohur që treguan për një underground vullkanik tendencash krejt të reja në të shkruarin e fjalës shqipe. Me këta togfjalësha emërtoj poezitë e Viron Graçit, Eneidës, Gent Gjokolës, Dritan Xhelos. Autori i huaj që “E-7-E” zgjodhi për të nderuar numrin e saj të parë qe Ernesto “Black” Sabato, argjentinasi me gjak nga i yni, që u bë autor kult i publikut të afërt të gazetës. Them publiku i afërt, duke patur parasysh disa pak “plebej të kaltër” (term i R.Z.) që gazeta arriti t’i krijonte a t’i gjente. Duke kaluar përmes surrealizmit, dadaizmit, agjitpropit, simpative për jogën e rock-un agresiv, “E PER-7-SHME” konturoi fytyrën e saj prej fetishi, e pastaj vdiq, për mungesë fondesh. Siç ndodh në të tilla raste. Ky ishte edhe mesazhi më i fortë, ky ishte numri vijues i saj. (Vijon edhe sot). Arti është akt vetësakrifikimi e vetëdenoncimi, etj., etj.. Me pak fjalë është një krenari e një qëllim në vetvete: të humbësh. “E PER-7-SHME” nuk ka qenë kurrë një gazetë, por mbase një dekor teatral i një drame, a një letër dashurie në prag të parandjenjës së keqe. Shumë njerëz të ndjeshëm e kanë cilësuar zhdukjen e të përshtatshmes si zhdukjen e dinosaureve, apo si vdekjen e papritur të Jimi Hendrix, Sid Vicious, etj., etj.. Vetëfinancimi, botimi gjysmë-ilegal, shpërndarja falas, të gjitha këto bënë që “E PER-7-SHME” të përflitet edhe politikisht. Destruktiviteti i kësaj gazete në fakt arriti kulmin kur që në korrik të 1992, në rubrikën sureal-rozë “POPULL”, botoi këtë pasazh me spiunazh nostradamik:
“Për t’i paraprirë një invazioni të mundshëm të serbëve në Kosovë ishte e natyrshme një përqëndrim i forcave tona ushtarake në kufinjtë verilindorë. Veçse tanket e nisura nga kjo anë e Shkumbinit lanë dhëmbët rrugëve për në destinacion. Domethënë zinxhirët e ndryshkur”.
(Footnotes)
1 Titull i një eseje të Rudian Zekthit, botuar në “E PËR-7-SHME”
Krijoni Kontakt