Shqiptari qe kerkon nje timon ne formula 1
Data e Publikimit: 19/02/2006
Autori i Lajmit:
Henrik Vasili, G Sh.
Avni Ropicës, pilotit të vetëm shqiptar që garon në Formula 3 i kushton jo më pak se 19 mijë euro një ditë stërvitje, ndërkohë një edicion 400 mijë euro, pa llogaritur aksidentet, por vetëm shpenzimet për goma. Ropica, të shtunën gjatë qëndrimit në Prishtinë ka shpjeguar interesin e tij për bashkëpunim me bizneset kosovare dhe leverdinë që mund ta kenë këto të fundit. Avni Ropica, shqiptar i afirmuar në sportin e shpejtësive të mëdha, të shtunën në mesditë është dukur për herë të parë para opinionit kosovar, në ambientet e hotel “Victory” në Prishtinë. Ropica para mediave ka zbuluar planet e tij, me këtë edhe nevojën që t’i dilet në ndihmë në rrugën drejt sukseseve. Avni Ropica në shtigjet britanike paraqitet me bolidin e tij të tipit Renault, që ka 300 kuaj-fuqi dhe peshon 340 kg, ndërsa shpejtësia maksimale arrin deri në 300 km/h. Në këtë bolid gjithmonë figuron flamuri shqiptar, me të cilin Avni Ropica identifikohet si piloti i vetëm në këtë sport. Ropica, në Formula 3 si profesionist ka filluar të paraqitet prej vitit 2002, pasi më parë ka kaluar nëpër të gjitha testet e parapara për të arritur deri këtu (Formula Ford 1600, Formula Ford 2000, Formula Palmer Audi). Ai është 29-vjeçar dhe në Angli ka migruar nga Prishtina, gjashtë vjet më parë. “Ky është promovimi im i parë në Kosovë. Askush nuk më ka besuar kur kam filluar me këtë sport, por dëshira e madhe dhe vullneti kanë bërë që të arrij këtu ku jam”, ka deklaruar Ropica, i cili në vitin e shkuar në Formula 3 ka triumfuar në pesë gara. Piloti kosovar bëri të ditur se tashmë i ka tri rrugë të hapura. “Pas sukseseve të shënuara në Formula 3, instruktori dhe skuderia kanë vendosur që të paraqitem në kampionatin aziatik. Përveç kësaj i kam rrugët e hapura edhe për kampionatin evropian të Formula 1 dhe Formula Palmer Audi”. Në këtë promovim, ai ka kërkuar që të mbështetet financiarisht nga sponsorë kosovarë, të cilët po ashtu do të përfitonin prej paraqitjeve të tij nëpër shtegun e kampionatit aziatik të Formula 3. “Për të kaluar në garat ndërkombëtare duhet një partneritet, thjesht është ftesë për mbështetje ekonomike nga firmat kosovare, emrat e të cilave përmes bolidit të Avniut do të barten nëpër pistat e Kinës” është shprehur në këtë promovim përfaqësuesi i Avniut, Daut Dauti, dikur zëdhënës i Qeverisë së Kosovës. “Kjo është një ofertë shumë e mirë për firmat dhe të interesuarit, ngase me investimin e tyre në Avniun do të përfitonin edhe ata”, tha Dauti.
Shqiperia.com
Krijoni Kontakt