Kërcënohet Albërie Hadërgjonaj, përplaset me dy ortakë në biznes të të shoqit të dënuar


TIRANE (20 Maj) - Policia e Tiranës ka shoqëruar dy shtetas zviceranë si kërcënues të këngëtares Albërie Hadërgjonaj. Veprimet janë kryer në mesnatën e së martës, duke gdhirë dita e mërkurë. Sipas burimeve, Hadërgjonaj kishte denoncuar në polici se dy ortakët zviceranë të bashkëshortit të saj Din Hadërgjonaj, Alan Blumer dhe Jozef Shmid, e kërcënonin të hiqte dorë nga aksionet e tij. Është dashur ndërhyrja e Ambasadës Zvicerane në Tiranë që dy shtetasit e saj të lejoheshin të largoheshin nga qelitë e izolimit të komisariatit numër 1. Jozef Shmidi, mik i Arnold Shvarcenegerit, siç thotë dhe vetë, është president i "Swiss Management Group", një stabiliment për përpunim inertesh pranë ish-fushës së vjetër të druve, në Allias të Tiranës. Në fakt, Shmidi është bashkëpronar i punishtes, ku ka aksione Din Hadërgjonaj, i dënuar me 9 vjet burg për pjesëmarrje në banda dhe organizata kriminale, dënim ky që, pasi mori formën e prerë nga Gjykata e Apelit e Tiranës, po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë. Burimet policore thanë se Hadërgjonaj i kishte denoncuar zviceranët se, duke përfituar nga dënimi i bashkëshortit të saj, e kanë kërcënuar për të përfituar aksionet e tij. Mirëpo ortakët e Din Hadërgjonajt kanë ngritur të njëjtën akuzë për Albërien. Pasi janë marrë deklarimet e të dyja palëve, çështja dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit për nisjen e procedimit penal dhe hetime të mëtejshme. Jozef Shmidi ka rrëfyer për "Gazetën" rreth konfliktit që ka me bashkëshorten e ortakut të tij dhe për trajtimin e tij nga policia e Tiranës. Çfarë ndodhi natën e së martës? Ishte ora 23.00 kur më ka ardhur bashkëshortja e ortakut tim, me rojen e palestrës këtu dhe një civil që u paraqit si oficer policie. Duke i thënë se e respektoj për atë që përfaqëson, i kërkova oficerit të më tregonte një dokument identifikimi. Ai u largua dhe pas 20 minutash erdhi një furgon me policë që më shoqëruan mua dhe Alanin. A u përdor dhunë ndaj jush? Ne nuk jemi kriminelë dhe kemi ardhur për të punuar këtu. Nuk kisha qenë ndonjëherë në polici dhe të them të drejtën nuk më pëlqyen mënyra e komunikimit dhe e shoqërimit e policëve. Pastaj dhe në rajon veprimet na u dukën shumë burokratike dhe u desh një ndërhyrje energjike e ambasadës sonë në Tiranë për të na liruar. Sa është investimi juaj në Shqipëri? Kemi ardhur këtu në vitin 2001 dhe kemi investuar 2 milionë dollarë. Investimi ka qenë në makineri për përpunimin e zhavorrit, prerjen e pllakave dhe të tjera si këto. Në fakt, me Din Gjonajn kam bashkëpunuar që në vitin 1995 dhe nuk kam pasur ndonjëherë konflikte me të gjatë punës. Çfarë mendoni se do bëni? Kam vendosur të largohem, do iki nga Shqipëria. Kam gruan dhe fëmijët në Zvicër, por edhe pse më dhimbsen lekët e investuara, nuk dua të lë kokën këtu. Nesër do nisem si unë dhe Alani për fundjavë në Zvicër dhe aty do vendosim çfarë do bëjmë. Din Gjonaj, apo siç thërritej ndryshe edhe Mentor Hadërgjonaj, plot një vit më parë u dënua nga Gjykata e Tiranës me 9 vjet burg, pasi trupi gjykues i procesit "Kokaina", i kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni e gjeti fajtor për veprën penale të "pjesëmarrjes në bandën e armatosur apo organizatën kriminale". Sipas prokurorisë, emri i vërtetë i tij është Xhevdet Hadërgjonaj, i lindur në Deçan të Kosovës, ardhur në Shqipëri pas vitit 1993. Ai rezulton se është shpallur në kërkim edhe nga drejtësia gjermane, nën akuzat e pranimit të sendeve të vjedhura, trafik armësh dhe pjesëtar i një bande kriminale, shkak që e ka shtyrë atë edhe të ndryshojë emrin në vitin 1996. Din Gjonaj është bashkëshorti i këngëtares së njohur Albërie Hadërgjonaj, e cila ka pasur sukses me debutimet e saj në skenat e festivaleve shqiptare. bm/bm (GazetaShqiptare/BalkanWeb)