Përshëndetje të gjithe pjestarëve të këtij forumi
Eshtë e pamundur të lexosh të gjithë temat e mesazhet që gjen këtu kur vjen për herë të parë,
e kaq e lehtë të ulesh e të shkruash mesazhin tënd, pa parë se ç'është thënë e stërthënë më parë...
Unë desha të hap një temë të re, ku do desha të flisnim pak për atë që unë e quaj "braktisja" e vërtetë e Shqipërisë.
Unë sapo mbarova studimet jashtë shtetit, e bëj pjesë në ato shqiptarë që kanë kaluar kufinjte për të gjetur një jetë më të mirë, e për të ndihmuar sadopak familjen time, që si çdo familje tjetër shqiptare, vuan nga papunësia e nga të gjitha problemet e tjera që të gjithë ju i njihni.
Kohët e fundit, është ikja e mijëra e mijëra të rinjve, apo edhe grupmoshave të tjera nga Shqipëria, që nga shumë persona quhet plaga më e rëndë për atdheun. Pjesa më e madhe e tyre studiojnë e punojnë në të njëjtën kohë (si unë) për të ndihmuar familjet e tyre, e sigurisht, drejtohen drejt nje destinacioni ku kushtet apo e ardhmja duket me e sigurtë e më frytdhënëse.
Nuk eshte ikja e këtyre të fundit në masë që më ka shqetësuar këto kohët e fundit, por një fenomen tjetër.
Kam vënë re që shqiptarët integrohen mrekullisht shpejt në shoqëritë ku ata futen. Respektojnë (shumica) regullat e këtyre shoqërive, e shkojnë individualisht drejt progresit kulturor, shoqëror, apo çfarëdo progesi tjetër dhe bëhen kështu pjesë e pandashme e këtyre shoqërive.
Atdheu ynë, në krahun tjetër, bën përpjekje të konsiderueshme për ta arritur këtë integrim në Evropë, por pikërisht ajo pjesë shqiptarësh që mund ta ndihmojne në këtë përpjekje, gjenden jashtë tij, e si rrjedhim: shqipëtarët integrohen pa Shqipërinë.
Ashtu si unë, të gjithë ata(o) që gjënden jashtë vëndit mendojnë në radhë të parë për familjet, miqtë, kushurinjtë, e shumica e tyre nuk e kalon kufirin e këtyre të fundit.
Kanë kaluar më se 10 vjet tashmë nga orët e fundit të kolektivizmit komunist, e po kaq vjet mbajnë vulën e individualizmit në demokracinë e brishtë dhe krejt të pandërtuar shqiptare.
Ndoshta është koha që edhe republika jonë të rigjejë pikërisht frymën e investimit publik, investimit për të gjithë e si rrjedhojë edhe për veten.
Të gjithë ne e dimë se ato pak lekë që u dërgojmë familjarëve janë dhe do ngelen gjithmonë veç një serum që do ti mbajë gjallë në shtrat. E të gjithë e dimë që shërimi i vërtetë i atdheut është investimi publik, e jo personal. Pasi vetëm ky i fundit mund ta ribëjë Shqipërinë, e i pari ribën vetëm sejcilin prej nesh, por jo të gjithë....
E është pjesmarrja e "neve" që sot i kemi ato pak mundësi (sigurisht që këtu nuk flas vetëm për investim ekonomik) që mund të ndihmojë në integrimin sa më të shpejtë të atdheut e kthimin e tij në një shoqëri të kënaqshme për të gjithë.
Për të mos u zgjatur më shumë. Ky investim, për mua është i domosdoshëm. Duke filluar që sot.
Nuk e di se ç'mendoni ju.
Pres përgjigjet e sejcilit.
marinI
Krijoni Kontakt