Opozita braktis sallën
Kuvendi, sharje banale dhe përleshje
Spahia: Nano po ju kalëron nënat dhe vazhdoni të rrini këtu t’i bindeni”
Anila Rama
TIRANE- Shndërrohet në arenë përleshjesh dhe sharjesh banale Parlamenti shqiptar. Deputetët e Kuvendit, të të gjitha palëve shfaqën dje mungesë maksimale etike, duke përdorur një fjalor rruge në komunikimin me njëri-tjetrin në një seancë publike që ndiqet nga e gjithë popullata. Ndërkaq kryetari i seancës Servet Pëllumbi u detyrua të ndërpresë seancën për të qetësuar situatën e tensionuar ku një pjesë e mirë e deputetëve të të dy kampeve ishin të gatshëm për t’ju vërsulur njëri-tjetrit. Gjithçka ndodhi pas sharjes dhe provokimit që deputeti i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia, u bëri socialistëve që nga podiumi, gjatë kohës që diskutonte për procedurë lidhur me miratimin e projektmarrëveshjes koncesionare. Si rrallë ndonjëherë tjetër Spahia i ka provokuar keq socialistët duke i prekur tek personi më i afërt. “Nano po ju kalëron nënat çdo ditë dhe ju vazhdoni të rrini këtu edhe t’i bindeni”, -tha Spahia duke e përsëritur edhe dy herë të tjera sharjen e rëndë. Ndonëse në fillim socialistët duket se do ta kalonin këtë situatë si dhe shumë situata të tjera banale të krijuara në sallën e Kuvendit, ministri i Bujqësisë Agron Duka reagoi ashpër duke u ngritur nga vendi, duke u sulur në drejtim të Spahisë. Acarimi i ministrit Duka, ishte i papërmbajtshëm dhe për rojet e Parlamentit, të cilët me vështirësi arritën të ndalonin ndonjë përleshje me grushte mes tij dhe deputetit legalist Spahia. Madje ky i fundi në momentin kur Duka u afrua duke e sharë edhe ai në mënyrë banale, e shtyu me dorë për ta larguar. Ndërkaq drejt Spahisë u sulën të irrituar edhe deputetët e tjerë të PS-së, Gazmend Bizhga dhe Ardit Kaja, të shoqëruar edhe nga disa të tjerë që lëshonin britma dhe sharje. Të dyja palët në Parlament filluan të bërtisnin duke u përpjekur të ndalonin deputetët më të irrituar që ishin gati të kthenin Parlamentin në një sallë të vërtetë boksi. Kryetari i seancës është detyruar të ndërpresë seancën, me qëllim që situata të qetësohej. Por sherri dhe të bërtiturat mes deputetëve vazhduan edhe pas ndërprerjes së seancës. Një pjesë e mirë e deputetëve të PD-së ishin grumbulluar rreth Spahisë, i cili ndodhej në qendër të sulmit. Por ndërsa vazhdonin replikat mes palëve, ministri i Financave Arben Malaj, i drejtohet kreut të opozitës Sali Berisha duke i thënë se ai ishte kriminel dhe se nuk kishte ndryshuar që nga viti 1997. Nga ana tjetër socialisti Taulant Dedja kërkonte duke bërtitur që Spahia të dilte jashtë nga salla e Parlamentit. Pa u mbyllur ende koha e ndërprerjes së seancës, të gjithë deputetët e opozitës u larguan nga Kuvendi së bashku me Spahinë duke mos marrë pjesë në asnjë prej votimeve të projektligjeve të planifikuara për dje. E vetmja që ndoqi seancën ishte nënkryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Shekulli
Krijoni Kontakt