Mjekja e infektivit: Leshmanjozë edhe brucelozë njeherësh. Pacienti: Para meje u sëmur një tjetër emigrant
Autori i Lajmit: Olimbi Velaj
Ka punuar një vit në Greqi, por nuk e ka menduar se kursimet do t’i shkonin duke u kuruar. Besnik Kalemaj, 35 vjeçari nga Patosi, babai i tre fëmijëve, është njëri nga pacientët e spitalit infektiv në Tiranë që prej tri javësh. Ai është shtruar për dy sëmundje, brucelozë dhe leshmanjozë, por këtë gjë e pohon vetëm mjekja, ndërsa ai vetë thotë se ka vetëm leshmanjozë. Burri është i bindur se e ka marrë sëmundjen kur punonte në Pirgos, një fshat bregdetar grek. Ai kaloi atje 12 muaj duke u kujdesur për një tufë të madhe dhish e dhensh, I paguar për 500 euro në muaj, por më në fund e pësoi.
Najada Çomo mjekja e infektivit që kuron Besnikun pohon se çuditërisht me këtë kryqëzim sëmundjesh ai po përparon mirë me kurimin. Ka një përmirësim të ndjeshëm dhe pritet që shpejt të rimarrë veten. Ndërsa ai nga ana e tij pohon se do të ketë një shkëputje një javore gjatë së cilës do të shihet se si do të rezistojë organizmi ndaj sëmundjes. Gjatë kësaj kohe pacienti do të testohet, nëse e ka kaluar ose jo infeksionin. Por në pavion ka qenë dikush tjetër para tij, i cili ka qenë gjishtashtu emigrant në Greqi, në të njëjtën fermë. Ai ka pasur të njëjtin fat me Besnikun. Teksa rrëfen për këtë lidhje midis vendit të punës dhe sëmundjes së njëjtë, Besniku kujton se burri tjetër ishte një blegtor nga Mallakastra, që kishte kaluar si ai kufirin, pa dokumnete dhe që kishte punuar në Greqi te një pronar grek, pa kontroll shëndetësor. Ai pohon se në fshatin ku ai kujdesej, bashkë me punëtorët e tjerë të fermës me 1300 kokë dele e dhi, kishte mjaft papastërti dhe mushkonja. Tani i sëmurë, ai vëren se në çdo çast ka ekzistuar rreziku i infektimit, por askush nga shqiptarët që punonin nuk e vriste mendjen për pasojat. “Kush ia kishte ngenë kontrolleve mjekësore dhe pasojave. Ne kaluam nga mali, pa viza e pasaporta. Si mund të pretendonim kaq?!”, thotë burri teksa shkund me mërzi në një gotë plastike hirin e cigares. I nervozuar për kohën e humbur dhe paratë e shpenzuara, ai nuk harron të kujtojë gjithshtu se shërimi do të jetë i shpejtë, dhe se, të paktën, në këtë pavion nuk i duhet të blejë ilaçe e gjilpëra, sepse gjithçka është siguruar nga spitali.
Në Shqipëri mjaft nga shtetasit që kalojnë në mënyrë ilegale kufirin, rezultojnë të infektuar, jo vetëm me sëmundje që transmetohen nga bagëtitë, ose nga insektet ndërmjetës. Në kufijtë me fqinjët, jo rrallë shtetasit shqiptarë kanë provuar të kontrollohen dhe të dizinfektohen në mënyra shpesh të pakëndshme, në kohë epidemish ose rreziqesh epidemike. Por kurrë nuk ka ndodhur që në kufirin shqiptar të kryhen të njëjtat procedura për hyrjet në vend. Kalimi i pakontrolluar i kufirit dhe puna e zezë që bëjnë shqiptarët, i lë ata shpesh me pasoja mjaft të rënda. Përballë parave që arrijnë të kursejnë nga puna në shtetet fqinje, shpesh vihet rreëziku i shëndetit. Shqiptarët që kanë provuar çaste shumë më ekstreme dhe vështirësi shumë më të mëdha, e marrin lehtë faktin e sëmundjeve. Ata paguajnë dhe shpresojnë të shërohen, pjesa tjetër mbetet e padiskutuar.
Leishmanoza, smptomat
Leishmanoza e qenit është një sëmundje e rëndë dhe shpesh vdekjeprurëse te qentë. Sëmundja transmetohet nga qeni në qen ose nga qeni te njeriu, me anë të një mushkonje të quajtur Phlebotomus Perniciosus. Për këtë sëmundje nuk ka as vaksinë mbrojtëse, as bar mjekues. Shenja e parë më e zakonshme është rënia e qimeve, veçanërisht rreth syve dhe gojës. Kjo sëmundje përparon, qeni bie nga pesha, por oreksi është i njëjtë, pra nuk ulet. Këta lloj qensh të sëmurë nga Leishmanoza, kanë si shenjë dalluese edhe kallot e plagëve në kokë dhe pjesët që kanë kontakt me tokën, në ato vende ku qeni mbështetet ose ulet. Ndonëse qentë me një sëmundje të tillë mund të mjekohen nga veterineri, ata janë gjithnjë burim infeksionit.
Data e Publikimit: 13/05/2004
Krijoni Kontakt