Socialistët refuzojnë propozimin e opozitës për hartimin e një rezolute në mbrojtje të botuesit Lesi
PS, kundër rezolutës në mbrojtje të gazetarëve
Paloka: "Mazhoranca nuk pranoi që të përgatitet një rezolutë e tillë, megjithatë ky është një qëndrim që, për mua, është i diktuar përsëri nga Fatos Nano, njeriu që fatkeqësisht drejton vendin dhe që po kthehet në një sulltan të vërtetë në këtë vend, duke kërkuar që t'iu imponohet (ai dhe gruaja e tij, e theksoj, pasi shpesh Shqipëria drejtohet nga tekat e gruas së Fatos Nanos) me të gjitha format organeve të drejtësisë, Parlamentit dhe të gjitha institucioneve"
Deputetët anëtarë të Komisionit parlamentar të Medias në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni nuk kanë rënë dakord për hartimin e një rezolute në mbrojtje të botuesit të gazetës "Koha Jonë", Nikollë Lesi. Propozimi i opozitës i bërë dy ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit për hartimin e Rezolutës nga ky komision është hedhur poshtë nga shumica socialiste e këtij komisioni, duke e konsideruar atë si një ndërhyrje në punët e brendshme të drejtësisë. Kreu socialist i këtij Komisioni, Musa Ulqini, për të shmangur Rezolutën ka kërkuar përshpejtimin e procedurave nga komisioni për hartimin e një ligji të ri për shtypin, ndërsa për rastin konkret ai tha se duhet pritur vendimi i Gjykatës së Apelit.
Duke u përpjekur ta justifikojë këtë qëndrim të papërgjegjshëm të mazhorancës me pretendimin absurd se kjo rezolutë do të ishte ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, Ulqini tha se problemet e shumta që ka media shqiptare nuk mund të zgjidhen me deklarata apo rezoluta parlamentarësh. Gjithësesi kreu socialist i këtij komisioni pranoi problemet e mprehta mes medias dhe politikës, por për ta zbehur këtë problematikë Ulqini hodhi broçkullat e radhës për probleme mes medias dhe biznesit apo dhe mes gazetarëve e botuesve.
Ndërkohë përfaqësuesit e opozitës në këtë komision janë shprehur pro për hartimin e një ligji të ri për shtypin, por kanë insistuar në hartimin e rezolutës për rastin konkret të botuesit Lesi, rezolutë e cila u hodh poshtë në komision me katër vota kundër dhe tre pro. Nënkryetari demokrat i Komisionit parlamentar të Medias, Edi Paloka, duke akuzuar kryeministrin Nano se po vazhdon të bëjë presion edhe ndaj anëtarëve të komisionit, tha se beteja e opozitës për mbrojtjen e lirisë së medias do të vazhdojë në Parlament.
Pas mbledhjes së djeshme të këtij komisioni, Paloka u shpreh për mediat se, "mazhoranca nuk pranoi që të përgatitet një rezolutë e tillë, megjithatë ky është një qëndrim që për mua është i diktuar përsëri nga Fatos Nano, njeriu i cili fatkeqësisht drejton vendin dhe që po kthehet në një sulltan të vërtetë në këtë vend, duke kërkuar që t'iu imponohet (ai dhe gruaja e tij, e theksoj, pasi shpesh Shqipëria drejtohet nga tekat e gruas së Fatos Nanos) me të gjitha format organeve të drejtësisë, Parlamentit dhe të gjitha institucioneve". Deputeti Paloka tha se, Fatos Nano që i ka shtrirë tentakulat e krimit kudo tashmë po kërkon t'i imponohet edhe Parlamentit. Nënkryetari demokrat i Komisionit parlamentar të Medias tha se, opozita nuk mund ta tolerojë këtë qëndrim të Fatos Nanos, pasi në të kundërt Shqipëria do të rrëshqasë gjithnjë e më shumë drejt një diktature të re.
Vendimi për hartimin e kësaj Rezolute nga Komisioni i Medias u muar para dy ditësh në seancën e radhës të Parlamentit pas debateve të ashpra mes pozitës dhe opozitës për çështjen Lesi. Gjatë kësaj seance, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, deklaroi se çdo ditë e më shumë Parlamenti po humbet moralin në raport me publikun. Në rastin e ndëshkimit arbitrar të botuesit Lesi, sipas deputetit Bode kemi të bëjmë me një veprim ekstrem të goditjes publike të një personi dy herë të imunizuar. Kjo sipas tij edhe për faktin se një njeri dy herë i imunizuar si Nikollë Lesi penalizohet në një kohë rekord nga Gjykata e Tiranës me urdhër të kryeministrit Nano, ndërkohë që korrupsioni qeveritar ende mbetet jetim. Po në këtë seancë, deputeti i PD-së Sokol Olldashi, theksoi se ndëshkimi arbitrar i zotit Llesi është një rast që kurrësesi nuk mund të anashkalohet nga Parlamenti. Olldashi propozoi që Komisioni parlamentar i Medias të mblidhej që të hënën, ndërsa Kuvendi vazhdonte në seancë plenare për të hartuar një Rezolutë me anën e së cilës të dënohet dhuna dhe represioni shtetëror ndaj medias, por krerët e mazhorancës nuk pranuan. Edhe deputeti demokrat Vili Minarolli, anëtar i Komisionit parlamentar të Medias u shpreh se ajo që ka bërë botuesi Lesi gjatë këtyre 12 viteve është vlerë për demokracinë shqiptare.
Halil RAMA
Krijoni Kontakt